Poezi nga Vullnet Mato

 
Poezi nga Vullnet Mato
 
 
ARKITEKTËT Ë MREKULLIVE
 
Dua të flas me ju, o shpirtra të mëdhenj,
që latë emrat e artë në historinë e botës,
pasi keni bërë të njohur në shtete korifenj,
Shqipërinë e dikurshme, fare të vogël.
 
Kur trungu i atdheut, gjethonte ndër dega,
ju kapërcyet detet, me opinga prej lëkure,
o kryearkitekt Sinani e i madhi Karl Gega,
ndërtues mrekullish, mjeshtër arkitekture.
 
Ku i gjetët mjeshtëritë e pazakonshme,
ku fituat mësim e përvoja aq të mprehta,
kur trashëgim kishit parmendën e moçme,
kërrabën e bariut të dhive në shkrepa.
 
Nga një vend me arkitekturën e hiçit
kur ju vet, lindët nëpër kulla pa dritare,
kur këtu ngriheshin shtëpitë e qerpiçit,
si arritët të bëni kryevepra ndërtimtare?
 
Ngritët xhaminë blu, me katër minare,
Sulejmanien e famshme të Stambollit,
shpuat granitin e Semeringut në Alpe,
të kalonin trenat në tunelin e Simplonit.
 
Për këto kryevepra të arkitekturës botërore,
ndoshta keni pasuar ndonjë aftësi magjike,
dhuruar nga shenjtërimi i trojeve arbërore,
ose nga jashtëtokësorët e hapësirës kozmike!
 
Apo siç thuhet, kjo tokë në meridianin A,
ka vetinë të nxjerrë njerëz mendjeshkathët,
të krijojnë në gjithë botën, vepra të mëdha,
vendin e tyre ta lënë, ta ndërtojnë arabët!…
 
Mendimtarët frëshërllinj, filozofi Hasan Tahsin,
dhe shumë mendjendritur shqiptarë të tjerë,
lanë bëmat e mëdha nga Lindja në Perëndim,
lanë vetëm emrin, në atdheun ku kishin lerë.
 
Por braktisja e trurit vijon këtu edhe sot,
kur lindin shqiptarët e talentuar të vendit tim,
toka u jep vlagën, por brenda s’i mban dot
dhe vegjetojnë blerimin e tyre në emigrim…
 
 
 
TATUAZH NË ZEMËR
 
Për mua mos bëj tatuazh në lëkurë,
në organin e madh të bukurisë trupore.
Lëkurën me bojë mos e shkruaj kurrë,
të asfiksosh frymëmarrjen në pore.
 
Për mua tatuazhin, ta bësh në zemër
Jo në lëkurën tënde të ndritur qelibar,
të të dalloj në shpirt, nga çdo femër.
pa puthur ngjyrat e kimikatit gënjeshtar.
 
Mua nuk më pëlqen, as qielli errësuar,
kur me ngjyrën e hirit, e tatuojnë retë,
dua të shoh lëkurën qiellore të pastruar,
të më kënaqi sytë, me kaltërsinë e vet.
 
Për të shkruar, ke letër e beze plot,
pse të gërmosh parrulla në lëkurë?
Reklama më e mirë e femrës në botë,
është lëkura, që eksiton çdo burrë.
 
E kam të pamundur, në trupin femëror,
të ngjyrosur e vizatuar figura si në letra,
të ngroh ndjenjat e të ndjehem epshor,
duke puthur gjarpërinj dragonj e kuçedra.
 
Mos e bëj lëkurën, me ngjyra balte,
si te fiset primitive, të Afrikës jugore,
që jetonin lakuriq, në kasolle kashte,
të dallonin njeri-tjetrin nga ngjyra racore.
 
Ti lakmo pasqyrën me kremrat kozmetik,
ta mbash lëkurën, si zambak të bardhë,
të ndjej në shtrat parfumin tënd aromatik,
të puth trupin e lëmuar, si mollë e dardhë.
 
Bëj çdo zbukurim nga koka në këmbë,
ta bësh lëkurën të butë, si mëndafshi,
të dukesh lule femërore me trupin tënd,
të nuhat petalet e tua, të ndjejë afshin.
 
Për mua tatuazhin, ta bësh në zemër
Jo në lëkurën tënde të ndritur qelibar,
të të dalloj me shpirt, nga çdo femër.
Jo të puth ngjyrat e kimikatit gënjeshtar.
 
 
 
MOJ E BUKURA AFËRDITA
(Poemë rinore, me rimë njëzanore)
 
Moj e bukura, Afërdita,
pse më le aq shumë të prita,
sa u trullosa, e keq u mërzita,
shtyllë në këmbë u rraskapita?
 
Kur ra muzgu, perëndoi dita,
erdhe në errësirë pa drita.
Sapo të pashë, u mahnita,
llamburitje, si ylli Afërdita!
 
Menjëherë pranë t’u çapita,
me njëmijë puthje të gostita,
në një bar të butë të shtrita,
dhe shumë i etur t’u vërvita.
 
Buzët tek mjalti yt i ngjita,
faqet e kuqe t’i purpurita,
gjithë kopsat, t’i shkopsita
nën hënë, skulpturë sodita;
 
Dridheshe, kur të çuçurita
sa t’u bë mishi, rica-rica.
U bëra bebe, cicat t’i gugita,
ngjesha buzët, t’i rrufita;
 
Desha të pi, dy-tre pika,
se më ishte tharë gryka…
The: s’kam qumësht në cica
dhe më dhe ujë te korita.
 
Si i azdisur, aty u zhyta,
gjakun në deje flakërita,
piva shumë e u llokoçita,
sa gjithë kockat i shkoqita;
 
Si dem race hungërita,
kokë e këmbë, u djersita,
nga gjithë trupi u nemita,
dhe nga mendja u lajthita;
 
Ca fjalë zjarri murmurita,
se lumturi veç nga ty prita,
dhe desha të vdisja te korita.
Por ti qeshje, si ylli Afërdita.
 
Kur më puthe, sërish u ngrita,
dhe prapë i uritur, për ty isha.
Por afroi të zbardhte drita,
fjalë të tjera, nuk pipëtita;
 
Si hajduti, nëpër natë ika,
mos na shihnin, nga frika,
nëpër ferra e driza u sfilita,
pantallonat nën gju i grisa,
 
Nëpër mure u zvarrita,
nëpër baltëra u gremisa,
u bëra pis e u batërdisa,
shava rrugën fjalë të pista.
 
Mos më lër më gjatë tek prita,
se tani zemrën, te jotja ngjita,
dua të pi e të falem te korita
edhe në të vështirat kondita;
 
Derisa të bëhesh imja, e gjitha,
nuse me vello të bardhë si drita,
prerë në qiell, nga retë e hirta,
moj e bukura, si ylli Afërdita!
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s