Poezi nga Mimoza Gjetaj
SE UNË….
Se unë nuk do të lodhem kurrë duke të dashur
Edhe atëherë kur ti të fillosh të më harrosh
Se dashuritë mbeten si gotë e zbrazur
Pihen me fund dhe të lënë bosh…
Se unë nuk do ta kthej kurrë shpinën e te ik
Edhe atëherë kur mbi mua të hedhësh thika
Se dashuritë vijnë e ikin vrik
Nisen te bukura,e me pas i kapë frika…
Se unë nuk do ta urrej kurrë dashurinë time
Edhe atëherë kur të më lëndojë deri në palcë
Se dashuritë lindin bashkë dhe vdesin jetime
Njëri mbetet brenda dhe tjetri del jashtë…
PROVOKIM IMAGJINAR
Unë dhe ti
Si dy yje herë si dy buzëqeshje
Mes heshtjes imagjinare
Përplasim mijëra shikime…
Fresku i ëmbël si shpirtrat tanë
Përkëdhelë mendimet tona
Dielli i zemrës ngrohë shpirtin e ndezur
Drita mbulon me dritë ëndrrën
Ylberi i shpresës i kthen në ngjyra përjetësie
Puthjet, përkëdheljet e ndjesive pa fund…..
Vetëm ato mund të dëshmojnë
Sepse vetëm atyre ju besuam
Shpirtin duke ia falë imagjinatës
Përtej reales për të arritur bashkë..
Sa e sa net u takuam
Sa mëngjese kaluam bashkë
Dhe asnjëherë takimet s’i treguam
Dëshmitarët tanë i strehuan
Kujtimeve për t’i bërë lule…
Eh …askush s’mund ta besojë
Që në ëndërr u takuam, u dashuruam
Projektorët e heshtjes i bënë dritë durimit
Bardhësi e shpirtit provokues
Mbuloi netët tona të zhveshura…
Pos ne të dyve
Askush të mos e shoh
Trupin lakuriq të dashurisë
Duke pritur nën strehën e zemrës
Shpirtrat tanë për t’ia dhuruar përjetësisht…