Poezi nga Adriatike Xh. Lami

 
Poezi nga Adriatike Xh. Lami
 
 
Mos më ler vetëm në Maj
 
Mos më ler vetëm në Maj, i dashuri im;
Se trembem nga vdekja dhe ikjet.
Mos më ler vetëm në Maj, burri im;
Se lumturohem tejane nga mbarsja e pranverës
Ndihen si tërmete dridhjet.
 
Eh, më tej e më tej mahnitem nga lulnimi.
Po ti dëgjomë pra, mos më ler vetëm në Maj;
Se më çmend dashuria jote në këtë dalje prilli;
Se stinët kur ndërrojnë, kryqëzojnë magjitë.
Ndihen si zjarrevenes ne Faj.
 
 
Ne flasim për dy botë të ndryshme!
 
Unë flas për dasmat,
Fustanin popullor që vesha mbrëmë dhe ti s’munde ta shihje
Vallen që i mësova tët biri dhe ti s’munde ta shijoje
Më pas dorën te qafa, se vetmia për ty është bërë shok i mire.
 
Ti flet për borën
Që s’po shkrin nga shpina jote
Për kostumin që ke kohë pa e ndërruar
Dhe mallin që të mban lidhur me këtë botë
 
Unë vazhdoj dhe flas për ëndrrën që pashë mbrëmë
U tremba se ëndrrat më trembin në skaj
Për aloe vera në ballkonin tim që thahet sa herë kujtoj
E më pas të ankohem se tekniku i makinës nuk është i mbarë
 
Ti vazhdon të qeshësh me supernatyrën time
Me gjërat e vogla të kësaj jete të madhe
Me ngulmimin tim për të ti thënë të gjitha
Dhe në fund cuditesh që nuk të shoh në sy.
 
Unë flas për tim atë që më mungon
Ti flet për shoqërinë që të bën cdo mëngjes
 
Unë flas për vëllanë që s’di si është thinjur
Ti më tregon cigaren që pini bashkë
Unë flas për një libër të ri ku je ti
Dhe mëdyshja më rri ulur për kohën
Kur fjala do të vijë aty.
 
Ti më flet për gra, gra, të tjera gra
që premtime të marrin
dhe rrugën të zënë
 
Unë flas për burra dhe dashuri
ti nuk dëgjon, më ke kthyer shpinën
dhe rrugës lëshon zare të bardhë
 
Unë të flas për gjërat që do të bëj këtë verë
Ti më thua që je bërë rojë e përjetshme.
Për mua dhe djemtë!
Bukmirë e fatit na rri pas shpine,
Dhe shportë me fruta më nuk sjell!
 
Unë flas për alergjinë e muajve
Dhe kilet që kam vënë.
Ti më puth e thua se më shkojnë tepër
E unë bëj sikur të besoj
Dhe Ti që më beson vërtet!
 
Pastaj unë hesht se ka një kufi që s’mund përtej t’i shkoj
Njeriu në buzë sheh dhe cmendet për bukuritë e panjohura
Dridhet nga ngjyrat dhe përcueshmëria e pamjeve.
 
Ti je në fund
Nuk më thërret
Por britmën ta dëgjoj që s’mundesh të jesh çdo vit
Atëherë kur pranvera në botën tonë ngjallet.
 
Dreqo botë e jona
Mirë botë e jotja
Nuk të kam zili
Dhe as më ke
Se mendimin e të dyve midisja e madhe kaq mirë përcjell.
 
 
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s