Poezi nga (Hamdi) Erjon Muça

 
Poezi nga (Hamdi) Erjon Muça
 
 
Grua
 
Je bijë,
je grua
je nënë;
je perëndi;
merr diçka të papërfillëshme,
të padukëshme dhe me ngrohtësinë
e brendisë tënde universale i fal jetë,
krijon njeri…
 
Jam prind,
jam burrë,
jam bir;
jam humanoid;
jam prodhim i embrionit të bërthamkës
së mollës së ndalueme që ti rrite me dashuri,
e kur u bëra pemë, rrënjët e kthetërta ngula
thellë në trupin tënd, që nga gjaku yt, me
dashurinë time të dhunëshme të thith
fillestaren ngrohtësi…
 
Ji bijë,
ji grua,
ji nënë;
ji perëndi;
me butësinë e durimit tënd, bëj
që të dhunëshmen ndjenjë që unë shpreh,
me forcën e dashurisë tënde prej toke,
pa të cilën s’do të mund të jetoja,
ta kapërthesh në admirim…
 
Do të jeshë bijë,
do të jeshë grua,
do të jeshë nënë,
do jeshë perëndi;
e në katedralet ndërtuar për të
vetmen triniti të kësajë bote, një
lutje e vetme do jehonojë ndër kube mermeri:
Në emër të Nënës të Bijës e të Gruas së shejntë,
amen…
 
 
HIJE TË LODHURA
 
Hije të lodhura hedhin
këmbët e stërholluara, skeletike,
në muzgun të rënduar nga të kuqtë.
Zvarriten të stërmunduara
nga ndjekjet e stërzgjatura,
ndaj duket sikur duan të ndalin
duke u kapur pas asfaltit me thonj,
me duar…
 
Lodhen gjatë ditës hijet,
shkarëziten rrugëve pa pushim
mbi çamçakëzë të shkelur e bishta cigaresh,
duke u shkelur nga këmbë,
ndërthurur me të tjera hije!
Ndaj i sheh të shterura
me lëvizje të ngathëta,
kur muzgu bie!
 
Kur errësira kaplon trupat,
shpëtimi vjen për hijet
e lodhura nga drita.
Nata u dhuron me bollëk,
atë që me pamëshirshmëri
ua vodhi dita…
 
Janë të çliruara hijet e mbyllura
në dhoma të errëta, shkëputur
nga trupat e djersirë.
Mos ua ndizni dritat
kur janë të përqendruar në vetminë e tyre,
se do qëndrojnë për disa çaste
si qenie të humbura,
të hutuar nga pabesimi…
 
Më dhimbsen ato hije të gjora,
që janë të detyruara të zvarriten
nën dritën e trishtë hënore.
Duken si të shpëlara,
të përvuajtura si vejusha të shëmtuara,
si pjella qeniesh jolëndore…
 
Vetëm në nëntokë hijet janë të qeta,
çrobërohen nga makthet,
nga zvarritjet dhe mundimet
e tepërta.
Kur mbulohen përgjithnjë me dhé
janë të zhburgosura,
nga dënimet që u dhuron jeta…
 
 
Impresion
 
Malit, i kujtohet si të ishte dje-
eh si janë kujtimet, të nguliten në të gjitha
qelizat e me jetë udhëtojnë me ty- kur
sapo qe shfaqur mbi koren e eshkur
të tokës, një krijesë e zezë, kërrcënuese
iu afrua ngadalë, mbi krye.
 
U drodh rioshi mal, edhe grimcat
më të papërfillshme e ndjenë ankthin
që zemrën i ngriu, por ja që ajo krijesë
me dashuri e mbështolli, nja dy ap tre
vetëtima, pasi bubulliu ethshëm, i shkarkoi
mbi trupin e tij, e më pas, me përkushtimin
e një të dashure, etjen e tij shoi.
 
E ja edhe tani malit plak i afrohet
një tjetër re, pasardhësja e asaj që
me tmerr lindej e tij mbi dhé shoqëroi,
nuk lëviz dot, por çdo vel pluhuri me drithma
pret përqafimin e krijesës së asaj,
që lëkurën e djegur të një sapo të lindur,
me bekimin e ujit mbuloi.
 
(Hamdi) Erjon Muça
Pisa Itali
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s