Rosy Gallace (Itali) / Përktheu nga italishtja në shqip Irma Kurti

 
Rosy Gallace (Itali)
 
Rosy Gallace ka lindur në Guardavalle në provincën Catanzaro të Kalabrisë dhe jeton në Rescaldina të Milanos. Qysh në rini ka kultivuar pasionin për të shkruar poezi dhe tregime. Nga viti 2011 fillon të marrë pjesë në konkurse letrare kombëtare e ndërkombëtare duke u vlerësuar me çmime të shumta dhe prestigjioze përfshirë Çmimin e Kulturës në 2014. Në të njëjtin vit vlerësohet nga Kryetari i Bashkisë së Qytetit të Rescaldinës nga prof. Michele Cattaneo për angazhimin e saj në fushën e kulturës.
Veprat e saj janë përfshirë në disa antologji të poezisë bashkëkohore. Rosy Gallace është ideatore, organizatore dhe Presidente e disa Konkurseve Letrare. Organizon lexime poetike e prezantime librash. Është anëtare jurie në konkurse të ndryshme letrare. Ajo këndon në Korin Santa Cecilia të Rescaldinës dhe u mëson në mënyrë vullnetare gjuhën italiane të huajve.
Ka botuar librat me poezi: “Fragmente të vogla”, “Ditët e mbetura”, “Fjalët e pathëna”, “Gjurmët e kujtesës”. Ka marrë pjesë e ka bashkëpunuar në prezantimin e Operës Teatrale “Hije të kujtesës munduese” të shkruar dhe drejtuar nga poeti, shkrimtari dhe regjisori Fabiano Braccini në kujtim të viktimave në kampet e përqendrimit nazist për të cilën ajo është gjithashtu sekretare, prezantuar në Teatro të ndryshme italiane.
 
 
Ku shkojnë kujtimet
 
Nuk kam më fjalë për të të dhuruar
vetëm kujtesë për vitet që vijnë.
Nuk kam më mendime për të shkruar
vetem yje të vegjël te gdhendur ne shpirt.
 
Perëndimet e zjarrta të diellit në liqen
nuk janë gjë tjetër veç akuarele të sfumuara
mbi mur të vëna në kornizë, që me grushta
të vegjël gjoksin rrahin vazhdimisht.
 
Zhurma e dallgëve që thyente shkëmbinjtë
është vetëm këngë në orët që rrjedhin
përgjatë ditëve të shtrira nëpër vite.
Nuk kam më kohë të të tregoj për heshtjet
kur dielli kodrat i digjte.
 
Mbrëmja bie dhe hëna duket në qiell
si një monedhë që natën blen.
Në qytet zbret ajri i ngrohtë
me frymëmarrjen e një engjëlli
dhe pallatet sikur të ishin libra i shfleton.
 
Rrudhat ruajnë mendimet
në natën që mbyll gjithçka.
Tingujt kumbojnë, era zbutet
dhe shijoj qetësinë që tek unë banon.
 
Kush e di se ku shkojnë kujtimet?
 
Dielli ende zgjohet dhe zgjeron konturet
në këngën time të nënshtruar në heshtje humbur.
Zëri në gjoks dridhet, merr frymë ngadalë
ashtu si një jetë që lind por kujtimet
kthehen dhe më përqafojnë sërish.
 
 
Kalimi i heshtur i kohës
 
Si mund të ta shpjegoj
cili është tingulli i zërit tënd
kur kërkon të të jap syzet?
 
Si mund të të tregoj
si eshte shija e heshtjes
që thyhet nga shushurima e faqeve të gazetës
ndërsa ti zhytesh në lajmet e ditës?
 
Pastaj kthehem, ulem përpara dritares
me librin tim në duar
derisa rreshtat bëhen të padukshme.
 
Qerpikët mbyllen ngadalë
dhe pika vese zbresin në fytyrë
që në duar i mbledh
si në një guaskë.
 
Atëherë vargu vendoset mbi fletë,
bëhet emocion. Frymëmarrja është e lehtë
dhe jeta si përrua rrjedh në gjoks.
 
Pikat e heshtura të shiut
rigojnë tek vizatojnë qëndisje pa formë mbi xham
në mbrëmjen që mes hijeve bie
dhe nga qielli zbresin duke u përkulur avash.
 
E shijoj natën duke menduar se si plaket dashuria
ndërsa ti përshkon mendimet e mia
të ndërprera nga një zgjim i beftë
që siparin e ëndrrave mbyll ngaherë.
 
 
 

 

Përktheu: Irma Kurti

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s