Poezi nga Petraq Risto

 
Poezi nga Petraq Risto
 
 
FRAGMENT
 
Një karrige mes barit të shkurtër dhe luleshqerrave
Që dinë të përdorin veç habitoren
Një anije e vogël që s’ kupton pse ndodhet në tokë
Mes luleshqerrave të ngjashme me krela valësh.
Hapa që ikin, hapa që vijnë
Paqja – lëneshë reciton bekimin e zjarreve
Shikimin e ndezur të burrave të vrarë…
Një karrige mes barit dhe luleshqerrave
Dhe anija e vogël që s’ kupton nga ka ardhur.
 
Andej po vdesin. Oaze mushkërish thahen
Çdo oborr ka karrige bosh, kolovajzat lëkunden në trishtim.
Bota virtuale nuk ndez më fishekzjarre
Brenda mureve gatuhet bukë me miell mërzie
Dhe luleshqerrat nën hënë përdorin habitoren…
 
 
***
Ja, e kapa Çastin si një pré që dridhet nëpër duar
Çasti më sheh drejt në sy a thua se nuk është për mua
Ik, or Çast, lërmë në vetmi, bëhu kujtesë në kohë të shkuar…
 
 
Labirinti
 
Labirinti është një vizatim fëmijësh…i përfunduar në burrëri
Ti ecën në të në fillim me vrap e buzagaz i ndjekur nga Pranvera rrugaçe
Pastaj me hap, i lodhur, duke dihatur pak mjegull përzier me rrufe
E në fund kur hapat mbarojnë
Kupton: labirinti është kthyer
në lidhëse këpucësh…
Këpucë për këmbët që mungojnë.
 
 
Ditën kur robotët do fillojnë të qajnë
 
Ditën kur robotët do fillojnë të qajnë ne do ndjehemi të mundur
dhe një Krisht klonuar nga drita do na ftoj të pimë në pijetore
të dehemi me mundjen tonë
mbi tryezat tërë lyrë të ngrëna nga bërrylat dhe sherret e baballarëve.
Në mëngjes qielli s’ është lule vjollcë, do na thonë robotët
Dhe ajri do vërtitet rreth nesh me gjithfarëlloj pyetjesh të gatshme:
Po ç’ është atëherë zhgënjimi nga shpejtësia e dritës?
Ç’ është një Shekspir naiv që kërkon të mbytet
në një lumë krijuar nga çmenduria e Ofelisë?
Pse ëndrrat janë lënë të shkrumbohen nën Diell
e ne pse joshemi me kokallat e tyre?…
Ditën kur robotët do fillojnë të qajnë ne do ndjehemi të mundur
dhe një Krisht klonuar nga njolla e gjakut do na ftoj të pimë në pijetore…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s