U lind më 16 qershor 1944 në Tetovë, ku kreu shkollën fillore dhe gjimnazin. Në vitin 1971, në Beograd diplomoi në Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Fakultetin e Filologjisë. Më 1987, në Universitetin e Prishtinës, magjistroi në temën “Vendlindja në poezinë e sotme shqipe”. Një kohë punoi në gjimnazin e Vitisë dhe të Tetovës. Që nga themelimi ka ligjëruar në Universitetin e Tetovës. Ramadan Sinani ka botuar një numër të konsiderueshëm librash me poezi dhe studime letrare, si:
“Kavallet e Sharrit” 1990
“Emblemë i/lirie” 1995,
“Vendlindja në poezinë e sotme shqipe” 1996
“Heu” 2001,
“Shtëpi të kesh” 2004
“Zjarr e acar” 2006.
Ne shkojmë drejt Zotit, thoshte shën Agustini, jo duke ecur po duke dashur, i tillë shkoi drejt Zotit poeti i nderuar Ramadan Sinani, më 4 janar 2007.
Mbi Të Gjitha
Më E Shtrenjta
Më E Shenjta
Më E Ndritura
Më E Dashura
Më E Gjera
E Tëra
Shqipëria
Mbi Të Gjitha
Të Gjithë
Nënëmadhja
Sh Q I P Ë R I A
Fjalë e madhe
sa një dhimbje
Univers
sonatë e madhe
sa një krenari
Gjithësi
Shqipe e madhe
Sa një rruzull
K O S O V A
Që s’bie
Nga Eldoradoja në Sharr
Udhët arrijnë tek ti
I përputh si mileniumet
Dhe e emërton me paqen e kombit
fëmijët mësojnë urtinë e nderin
pleqtë frymohen se ua rirrëfen rrënjët
Ti
Abdylazis Islami
Dhe Sharri
El Doradoja e kërkuar në gjakim
Jetojnë bashkë
në konak universi