Produkt i lojës së fatit të verbër (Jo!) / Nga Azem PARLLAKU

 
Produkt i lojës së fatit të verbër (Jo!)

 

 

 

 

azem

 

Nga Azem PARLLAKU

 

Media në thelb është një proçes prodhimi, një mjet i orientuar drejt një qëllimi të caktuar pse jo fisnik, që mundëson riprodhimin e fjalës së shkruar dhe pamjeve për një audiencë kërkesat e të cilës rriten ndjeshëm çdo ditë.
Media për nga rëndësia dhe ndikimi që ka në një shoqëri të hapur e demokratike jo më kot është quajtur edhe pushtet i katërt.
Mediat janë zhvilluar dhe janë bërë thelbësore në gjirin e shoqërive moderne, pasi përmbushin nevojat njerëzore për të marrë bashkërisht informacion e zbavitje dhe pasi përbëjnë “urën lidhëse” kulturore që bashkon persona të ndryshëm me interesa socialë, politikë dhe ekonomik të përbashkët.

Por në anën tjetër megjithëse mediat e shkruara e audiovizive kanë botues e pronar , në të vërtetë ata janë pronar e botues vetem per sa i perket anës administrative pasi lajmi e informacioni qe ato percjellin tek publiku behet pronë e publikut porsa del nga redaksistë apo studiot e tyre.
Në shoqëritë e zhvilluara demokratike, pse jo dhe në tërësinë e zhvillimit të shoqërive informacioni ka qenë dhe mbetet baza e komunikimit njerëzor, e në këtë pikpamje mediat dhe teknologjitë e komunikimit, janë shëndrruar tashmë në bazë e fuqishme e ekzistencës së vetë njerëzimit.
Tendencat e zhvillimit të medias, mbeten të orientuara sipas kërkesës së publikut, ndaj dhe çdo pjesë përbërse e shoqërisë, veçanarisht ato në shërbim të saj, të mbajtura e të paguara prej saj, janë pjesë e monitorimit dhe investigimit të pandërprerë të mediave.

Në këtë kontekst jashtë vëmendjes dhe syrit vigjilent të medias nuk kanë mbetur as Forcat tona të Armatosura.
Ekskluviteti i informacionit edhe pse në tërësi konsiderohet “pronë” e instutucioneve, autoriteteve, organizmave, etj, përsëri mediat dhe gazetarët janë të prirur t’i servirin opinionit publik një lajm jo të rëndomtë, konsekuent, kurioz, të diskutueshëm, diçka që ka të bëjë me ndienjat.

Liria e shtypit është ngushtësisht e lidhur me mendimin e lirë të qytetarisë, e për rrjedhojë misionarët e shtypit kryejnë funksionin e kontrollit dhe informimit.
Në përgjithësi mediat shfaqin interes të vazhdueshëm për Forcat e Armatosura, vecanarisht në çështjet që kanë të bëjnë me problemet e sigurisë dhe ato të menaxhimit të krizave ku Forcat e Armatosura janë të përfshira.

Historikisht dhe sot në kohën kur media është shëndrruar në “pushtetin dhe dhunën e katërt” midis Forcave të Armatosura dhe medias ka ekzistuar gjithnjë një mardhënie dashuri-urrejtje.
Nëse e cilësojmë atë si mardhënie pashmangshmërisht kundërshtish, kjo vjen për faktin se; “Zyrtarët janë zgjedhur nga publiku për të bërë vepra të mira, ndërsa mediat investigojnë për të gjetur pikërisht ato që publiku do deterymisht prej zyrtarëve”Kultura ushtarake e ka në natyrën e vet që shpesh të mos pajtohet me median, pasi në këtë këndvështrim “siguria është në fillim ndërsa dhënia e informacionit në fund”.

E për rrjedhojë lind pyetja; Cila është e para, nevoja ushtarake për të ruajtur sekretin, apo e drejta e publikut për të ditur?
Rreth kësaj pyetje do të orvatemi të shtjellojmë mardhënien e medias me Forcat e Armatosura, ndërkohë dhe nevojës dhe kërkesës së publikut për informacion, pasi duam apo nuk duam ne si ushtarakë, media e përcakton axhendën e publikut me ose pa ne, ndërsa publiku nga ana e tij pret që ne të jemi sa më të hapur me median, ndërkohë që nëpërmjet medias ne mundësojmë kontaktin me publikun.

Eshtë me vend të theksojmë se, ndërsa dikur njerëzit flisnin për kanë apo nuk kanë nga pikëpamja e pasurive financiare, sot ata flasin për kanë apo nuk kanë nga pikëpamja e aksesit të informacionit.
Informacioni dhe Mardhëniet me Publikun janë elementë të rëndësishëm në proçesin e drejtimit dhe udhëheqjes ushtarake.
Në shoqëritë demokratike marrja e informacionit është lehtësisht e siguruar, teksa drejtuesi ushtarak në marrjen e vendimeve të drejta gjithnjë e ka të nevojshme të përcjellë e të marrë informacionin në kohën, vendin dhe me cilësinë e duhur.

Proçesi i informimit duhet të jetë aktiv dhe në përputhje me rregullat në fuqi, ndërsa përmbajtja e informacionit duhet të jetë e vërtetë objektive dhe e dobishme, pavarësisht nga fakti nëse ajo është pozitive apo negative.
Përvoja e drejtimit ushtarak mëse njëherë ka dëshmuar se informacioni është në shërbim të misionit të trupës ushtarake.
Në kushtet e një shoqërie demokratike dhe në erën e informacionit, informohet dhe komunikohet kurdoherë dhe kudo.
Kjo është thelbësore të kuptohet sidomos në Forcat tona të Armatosura, që ashtu si gjithë shoqëria shqiptare, janë në proces transformimesh dhe zhvillimesh progresiste.Referuar analizës në lidhje me ecurinë dhe krijimin e koncepteve në punën me informacionin dhe komunikimin, vërejmë se ato janë ngushtësisht të lidhura me traditën, nivelin e zhvillimit të kulturës demokratike në grupet shoqërore, etikës profesionale të medias dhe rrethanave shoqërore në të cilat jetojmë sot.

Shoqëria shqiptare fatkeqësisht pas një periudhe relativisht të gjatë të totalitarizmit, ka trashëguar tipe organizimi shoqëror, ku ka dominuar modeli i shoqërive të mbyllura, që karakterizohet nga fryma e fshetësisë dhe sekretit.
Po kështu shoqëria jonë post-komuniste në stadin aktual të zhvillimit të saj nuk ka arritur ende të ketë media të shkruara dhe elektronike, të ngjashme me modelin anglo-sakson të tyre.Sipas këtij modeli, drejt të cilit kanë synuar dhe kanë hedhur hapa pozitiv mediat shqiptare, media është e patrembur, e pavarur, që angazhon në profesion gazetarë profesionistë, që pavarësisht nga ndienjat e tyre në formulimin dhe transmetimin e lajmit, janë të përkushtuar për ndarjen e faktit nga opinioni personal, që janë të paanshëm në debatin publik rreth një çështje mjaft të ndjeshme, duke patur si detyrë themelore të informojë lexuesit, dëgjuesit dhe teleshikuesit mbi gjithçka pa mbajtur anën e askujt.

Gjithësesi në këtë trajtesë është e rëndësishme të mbahet parasysh që media është pushtet më vete që operon sipas ligjshmërisë dhe rregullave të përcaktuar, ndërkaq Forcat e Armatosura si instrument shtetëror dhe shoqëror pasqyrojnë në veprimtarinë e tyre korrektësinë e zbatimit të ligjshmërisë dhe kontratës shoqërore.
Mbajtja e Forcave të Armatosura mbështetet në konsensusin publik dhe potitik.
Integrimi i Forcave të Armatosura në shoqëri synohet të arrihet nëpërmjet ndërtimit të mardhënieve të drejta civile e ushtarake me legjislativin, ekzekutivin dhe publikun sipas standarteve të shoqërive demokratike, si dhe nëpërmjet transparencës dhe informimit të publikut për veprimtarinë e Forcave të Armatosura.

Aktualisht Forcat tona të Armatosura në veprimtarinë e tyre monitorohen nga media, e cila në përgjithësi ka qenë dashamirëse e mbështetëse e progresit që kanë bërë Forcat e Armatosura të Shqipërisë në rrugën e integrimit në NATO.
Mardhëniet me median rregullohen në bazë të ligjshmërisë ku në thelb është e drejta për t’u informuar dhe komunikuar.
Në strukturat tona ushtarake janë vendosur funksionet e specialistit të komunikimit me publikun dhe median, e gjertashmë janë hedhur hapa konkretë në këtë fushë.
Sigurisht që në veprimtarinë e bashkëpunimit me median mbahet parasysh mënyra se si e më kë komunikojmë, çfarë risie apo histori i serviret opinionit publik, etj.

Nëpërmjet të qenurit aktiv dhe të angazhuar drejtuesit ushtarak mund të ndikojnë pozitivisht në krijimin e mardhënieve dhe në krijimin e bazave për mbështetjen e operacioneve nga ana e medias si për kohën aktuale ashtu dhe për ardhmërinë.
Një ndër format më të fuqishme dhe bindëse në komunikimin me publikun është përdorimi i medias, gjithësesi duke e trajtuar atë si aleate në përmbushjen e misionit, që ka drejtuesi dhe struktura ushtarake që ai udhëheq.

Nëpërmjet këtij komunikimi drejtuesi ushtarak përfiton rritjen e ndërgjegjësimit qytetar dhe të kuptuarit nga ana e bashkështetasve të tij mbi rolin dhe rëndësinë e strukturës që ai drejton. Zhvillimi i komunikimit dhe mardhënieve me median zhvillojnë programe të cilat ndihmojnë në krijimin e mirëkuptimit dhe mbështetjes reciproke.
Drejtuesi ushtarak është përditë i ndodhur në një sistem mardhëniesh me vartësit dhe eprorët e tij, me bashkësinë lokale në territorin e të cilës është reparti i tij, si dhe me mediat lokale, qëndrore publike apo private qofshin ato.

Brenda këtij sistemi përmes informimit dhe komunikimit ai siguron bashkëveprimin në interes të kryerjes së detyrës.
Mardhëniet me trupat, vartësit dhe eprorët; Mardhëniet me komunitetin ose bashkësinë lokale në territorin e të cilës ndodhet struktura ushtarake; Mardhëniet me median, kanë si emërues të përbashkët informacionin dhe komunikimin.

Aksioma e parë që duhet përvetsuar nga ushtarakët është se “Informacioni është përgjegjësi kryesore e drejtuesit”Si informimi e komunikimi i brendshëm dhe ai i jashtëm janë instrumente të realizimit të proçesit të komandimit.
Informimi i brendshëm i mban ushtarakët të informuar dhe shërben si mjet në duart e komandantit për të rritur fleksibilitetin për një mardhënie aktive dhe për informimin e hapur.
Pa informacion, askush nuk mund të kryejë detyrën e tij.
Pa komunikim do të ishte i pamundur sqarimi i gabimeve dhe i mëdyshjeve.
Pa një komunikim me objektiva të përcaktuar nuk do të realizohej dot motivimi i njerëzve.

Drejtuesi ushtarak zotëron autoritet të padiskutueshëm në fushën e informacionit dhe komunikimit, sepse në sajë të pozitës që ka brenda njësisë, zëri i tij dëgjohet për çështjet nga më të thjeshtat tek ato më themeloret.
I takon atij ta shfrytëzojë në mënyrë të përgjegjëshme këtë rrethanë, të njohë mirë filozofinë, parimet e teknikat e informacionit dhe komunikimit si dy elementë vendimtarë për realizimin e proçesit të komandimit.
Në situata normale ndodh zakonisht që ushtarakët të jenë të zhytur në një masë mjaft të madhe informacionesh të llojeve të ndryshme, që i tejkalon shpesh nevojat e tyre për to, duke çuar ndonjëherë dhe në çorientim.

Ndërsa në situata delikate, kritike apo krizash, kërkesat tona për t’u informuar apo për të informuar rriten me shpejtësi. Në situata të tilla është jetike grumbullimi, vlerësimi dhe transmetimi në kohë i informacioneve të ndryshme.
Pikërisht në këtë moment del në pah roli i bashkëpunimit me median të cilën një drejtuesi i sukseshëm detyrimisht duhet ta konsiderojë si aleate në proçesin e plotësimit të misionit.

Në këtë bashkëpunim kërkohet që gjatë proçesit të informimit faktet konkrete të përshkruhen në mënyrë sintetike, të jenë të kuptueshëm e të lehtë prej të gjithve dhe me të dhëna e rekomandime të zbatueshme.

Sa më tepër delikate dhe kritike të jetë situata, sa më i madh bëhet kërcënimi, aq më i madh është rreziku nga hendeku i krijuar midis nevojës në rritje për informacion dhe rendimentit në rënie të punës informative.
Teorikisht është pranuar dhe praktikisht është vërtetuar se sa më i thellë të jetë ky hendek, aq më shumë shtohet pasiguria, demotivimi, frika e mosbesimi i aktorve të një situate të dhënë.
Analistët dhe studiuesit e medias dhe ato ushtarakë të dukurisë së dështimit në beteja të mëdha kanë argumentuar se ky dështim kurdoherë nuk është diçka krejtësisht e rastit, apo një produkt i lojës së fatit të verbër, por ndër të tjera dhe produkt i dobësive në fushën e informimit dhe komunikimit.
Efikasiteti dhe frytshmëria e informacionit dhe komunikimit varen drejtpërdrejt nga angazhimi personal i drejtuesit, ndërsa besueshmëria e tyre varet në një shkallë të konsiderueshme nga personaliteti atyre që e realizojnë këtë proçes.

Proçesi i komunikimit nuk është kaotik dhe i pambështetur në një filozofi të caktuar.
Si struktura ushtarake ashtu dhe media kanë në mardhënien mes tyre një sërë rregullash e parimesh të cilat e konkretizojnë këtë bashkëpunim shumë sinjifikativ për proçesin e informimit.

Shoqëria sot është bombarduar nga informacioni 24 orë pa ndërprerje. Kronikat, lajmet vijnë drejtpërdrejtë nga vendi i ngjarjes, ndërsa interneti nga ana e tij është shëndrruar në një pompë benzine.
Nëse referohemi zhvillimit spektakolar në fushën e komunikimit dhe informacionit, rezulton se sot ka inflacion në këtë aspekt.
Në shumë vende të zhvilluara dhe demokratike media është shëndrruar në pushtetin dhe dhunën e katërt.
Në këto kushte mediat tentojnë informacion të vërtetë, objektiv të saktë të dobishëm pa lënë vend për dyshime dhe keqinterpretime.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s