Mëngjese kafenesh / Tregim nga Erjon Hamdi Muça

Mëngjese kafenesh

 

 

erjon

Tregim nga  Erjon  Hamdi Muça

 
Që në zanafillë pata mëdyshje, dilema, apo dyzime, quajeni si të doni, rreth titullit të këtij tregimi. Dyshimet kishin të bënin me frikën ndaj këtij titulli, që mund të çojë mendjen tek “Mëngjeset në kafe “Rostard “ e Kadaresë. Kisha frikë ngaqë po ta lexonte ndonjë nga analistët e mëdhej të Shqipërisë tonë analistpjellëse, apo më mirë ai më i madhi ndër më të mëdhejtë, me situatën që mbretëron në Shqipëri, sa herë përmendet emri i Kadaresë , me siguri do më kish etiketuar. Kur e dëgjova për herë të parë atë lloj etiketimi, mendja më shkoi tek Libri “Hurshovianët”, ai kështu etiketonte ndjekësit e Sali Berishës: ndofta mua do më etiketojë si “Kadareian”. Frika e dytë, meqë ishte më-dyshje, vinte nga vetë Ismail Kadare. Me ato që thuheshin rreth tij në Shqipëri, nuk është e habitëshme që nesër të vijë e të më kërkojë të drejtat e autorit, mbi titullin. Me frikë apo pa frikë vendosa ta nis.
Ishte mëngjes herët, nuk jam fort i sigurtë në ishte fund nëntori apo fillim dhjetori. Ditë e ftohtë e me shi, për më shumë jashtë sezonit në të cilin vizitoj rregullisht Durrësin. Pata ardhur nga Italia me ngut pasi më duheshin disa dokumneta, por në shtëpi gjeta edhe një faturë të energjisë elektrike të papaguar. Me ç’po na dëgjonin veshët në Shqipëri, vendosa ta paguaj pa humbur kohë. Nuk doja të angazhohej, madje edhe Interpoli për atë faturë.
Tek zyrat e O. Sh. E-së kishte rradhë. Pasi rashë dakort me një të moshuar që të më mbante edhe mua një radhë, kundrejtë një pagese, mësyva kafenenë më të afërt dhe që mu duk më e përshtatëshmja në atë pyllnajë kafenesh.
Nuk e di nga më erdhi ajo cytje (po përdor një elbasanizëm këtu megjithëse nuk jam elbasanlli) për tu futur në kafene. Ndofta ngaqë mëngjeset dimërore kalohen më mirë në kafene se gjetiu. U habita ngaqë kafeneja ishte e mbushur megjithëse ora akoma nuk kish shkuar tetë. Gjeta një vend si të lënë enkas për mua dhe u ula. Kamarieri ma solli kafen pa u vonar shumë e ndërkohë që po largohej një nga ata që ndodheshin në tavolinën përballë ja behu.
– Mbrëmë lexova letrën e hapur të N. J. që ja dërgonte Kadaresë. Nuk e kisha lexuar më parë dhe kuptoj që kam gabuar.
– Eh ajo letër!- Ja ktheu një tjetër që mua më sygjestionoi së tepërmi me qëndrimin e tij gati surrealist. Kishte një mjekërr të gajtë, laroshe, të cilën e ledhatonte lehtë nga lart poshtë me vështrimin e ngulitur, gati të përhumbur tek muri përballë.
E ktheva nja dy herë kokën për të vështruar atë që po nguliste ai por pa sukses. Kish marrë qëndrimin e atyre filozofëve të hershëm. Nuk e di! Ndofta Sokrati, Ezopi! Platonin nuk po e përmend ngaqë nuk jam i sigurt në ka pasur apo jo mjekërr, e aq më shumë, laroshe. Ngaqë jam hutaq i madh, ai qëndrim i portretit filozofik, nuk e di përse hera- herës më ngjante me portretin e Don Kishotit… Teksa qëndrimi i tij më kish magjepsur, ai seç kish thënë tjetër përpos: – Eh ajo letër.
U zgjova vetëm kur një rondokop që ndodhej në tavolinë po i përgjigjej:
– Po të hidhesh hu më hu, herët a vonë një do të të hyjë.
– Mua ajo letër mu duk krejt e pabazë dhe ziliqare. -tha një tjetër, me ton zëri më të qetë, të përmbajtur.
– Rri more mos u hidh në ato degë se nuk mbajnë! Ajo letër ishte plot me baza. – tha një tjetër burrë, por që ndodhej në një tavolinë më tej. Ai qe ulur me dy të tjerë në tavolinë dhe në karrigen e mbetur pa njeri qe rehatuar një çantë e zezë vezulluese, me dy togza ngjyrë ari edhe më vezulluese se çanta.- Po të kishte qenë pa baza, Kadareja do i ishte përgjigjur pa humbur kohë.
– Epo mos ja fusni kot tani, se gjithësa thuhen për Kadarenë janë të pabaza!- Ja ktheu ai i mëparshmi me po të njëjtin ton zëri.
– Rri more zotëri se ti nuk ditke gjë hiç.- Ju hakërrye ai burri komshi me çantën.- Se po të nxjerrë unë disa dokumenta që kam këtu, e bëj Kadarenë që të mos i zenë këmbët dhe jo në Shqipëri e në Francë, por as në Mars.
– Kadareja është një fundërrinë!- Tha njëri nga një tjetër tavolinë.- Europa prototipat si Kadareja i ka hedhur në koshin e mbeturinave me kohë e me vaft. Ndërsa për fat të keq këtu tek ne adhurohet akoma. Unë jetoj në Europë dhe më pëlqen letërsia, ndaj e them me bindje, se ne nuk do hymë kurrë në Europë pa hedhur poshtë idhuj të tillë, të gënjeshtërt.
– Ah se ma kutjove Europën mor djalë që u bëfsh njëqind vjeç.- Ti ore që thua se janë të pabaza sa thuhen për Kadaren. Po të ishte ashtu, atij do ja jepnin çmimin “Nobel” fët e fët, por nuk ja japin se ai është një zagar, një plangprishës, një zuzar, pa fe e pa atdhe. E një nga pikat në të cilat bazohet më shumë “Nobel”-i ka të bëjë me atdhedashurinë- e përmbylli fjalimin e vet komshiu i çantës; ishte një çudi se akoma nuk e kish thënë asnjë gjysëm fjale. Ndofta po i vinte qejf nga ledhatimet e komshiut të vet!
– Po ç’hyn atdhedashuria me “Nobel”-in ?! Ja ktheu disi i habitur i vetmi oponent i situatës. – Si ore nuk hyn. Jo vetëm që hyn, por hyn edhe del! Madje…… Po thoja me vete.
– Si thatë ju?- Mu kthye mua njëri nga ata që ndodheshin në tavolinë me oponentin. Ops! Mesa duket kisha menduar me zë të lartë.
– Po thoja që atdhedashuria është kyçe në mjaft konkurse. Madje kam marrë vesh se as në “Mis trans on the world” nuk të pranojnë pa dëshmi atdhedashurie.
– Ma more nga goja më tha ai europiani, – e ja nisi me të tijat.
Qen, zuzar, tradhëtar, maskara, i pafytyrë….
Zërat që e shanin Kadaren qenë shtuar kurse ai oponenti ishte edhe më i vetëm, më ndrojtur. Nuk kish faj, situata ishte kundër tij, tavolinat në debat nga tre ishin bërë katër. Ajo skena gati Homerike e dyluftimit të Zahariajve me Dukagjinët në martasën e Kastriotit, në krahasim me këtë do të dukej qesharake, e papërfillshme.
Nuk e di përse pata ndjesinë se në atë çast gjithçka do heshte dhe në sfond do dëgjohej zëri i folëses tek Radio Tirana.
Të nderuar dëgjues, programi vijon me një këngë nga isopolifonia labe me titull ” Kadare more burrë t’u murostë pena në gurë” Ose “mos të shkroftë pena askurrrë”, e kënduar nga grupi i burrave të kafenesë durrsake. Pas heshtjes të pashngëshme do ja behte solisti.
Gjithë jetën me penë ngrehur,
Por tani se ç’të ka shkrehur.
Don më shumë frëngjëri
Se sa mëmën shqipëri.
Ohooooooooo!
Me të mbaruar solisti me ë-të dhe e-të e stërgjatura, kori i isos ja buçiti duke mbushur sallën me eeee e me oooooo të gjata. Në mes tyre si i ndrojtur, ardhur nga diku larg, gati i trandur, dëgjohej ose mezi dëgjohej një zë si kundërshtues. E pas tij, si për të mbytyr atë zë opozitar gati të padëgjueshëm, gumëzhoi një prryyyyy, prej çobani që thërret delet, duke ja kaluar të gjithë zërave të korit.
E ktheva vështrimin me inat, mbi xhamat e kafenesë. Jo se nuk më intersonte ai debat i ndezur. Madje mund të them se ai debat duhet të ndodhte, e për nga rëndësia jetike për vendin, jam i bindur se po të mos ishin muret ndarës të kafenesë, në debat do ishin futur edhe klientët e sallës së basteve në të majtë apo të parukerisë në të djathtë; ato duhet të futeshin në një debat të tillë. Përsa i përket klientëve të farmacisë dhe të furrit të bukës nuk mendoj se zëri do të shkonte deri aty. Apo mos ndoshta……! Më nervozoi zhurma e tepërt që nuk po më linte të përqëndrohesha tek vargjet e tjera të këngës, ndaj vendosa të shihja nga dritarja.
Ndërkohë që debati qe ndezur sa më s’ka, ngaqë në të qenë futur edhe debatuesit e tavolinës pesë dhe gjashtë, jashtë shiu i rrëmbyer kish nisur të përmbyste rrugën. Pusetat dukeshin si vorbe në zjarr, e uji yndyrshëm ngjyrë bakër që dilte prej tyre si ujë duke valuar hidhte përpjetë ca topa që dukeshin si patate duke zjerë. Pak më tej dallga e krijuar nga kalimi i një fuoristrade rrëzoi një kazan plehrash që çuditërisht ishte i tejmbushur: duke derdhur në tokë ngarkesën e tij. Mbeturinat lundurese nisën të shëtisnin nëpër të gjitha anët e bulevardit të përmbytur. Rradha përballë zyrave të O. Sh. E-së, shtohej me ritmin e pikave të shiut të rrëmbyer, nga njerëz që vinin për të paguar faturat afrofe të energjisë elektrike. E po në atë çast një rrugë e Shqipërisë u gjakos nga shpërthimi i një bombe vendosur nën një makinë.

19-03-2015

One thought on “Mëngjese kafenesh / Tregim nga Erjon Hamdi Muça

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s