Poezi nga Mirvete Mehmeti
Lufta e jetës
Hapat lëviznin
nën gjysëm fryme, dhembja
mbështet në gjoks vajtesën e njerzve
radhitur si krushqit e dasmës së verdhë
që ngjethin flokët…
I pa njohur
Stankoveci i ringjalljes,
Stankoveci i luleve të përgjakura të atdheut
e Stankoveci i syve të vajzave të bëra dhunshëm nëna.
Nëna që i nanurisnin foshnjat me krisma armësh
e britma të ndrydhme, për ti vënë në gjumë.
MERRMË ATJE
Kalëro kal me sa fuqi ke
buzë ujrave ecjake
bie shi
ashtu lagur
kalëroje mallin e dashurisë
ku ke qenë a ku je
s’të pyes sot
pse nga vetvetja
s’mund të ikësh
pra merrmë atje
ku dielli na ngroh të dy.
POEZI
Melodi zemre,
oqean i mbledhur shkronjash
derdhet në ty…
Udhëtim në mjegull
pas zërash pranveror
mbledh fjalët e jetës.
E kaluara, e tashmja
dhe e nesërmja, në ty…
Davariten retë të thinjura
si jelët e hazdisura të kuajve.
Në grushtIn e huaj
qanë edhe palca e ashtit.
E pa thëna
Bëhem shkëmb,
mos i shoh valët turbullim,
mos i dëgjoj oshtimat e qiellit.
Në kokë më çukit breshëri qukapikthi,
skrupullohem si në guacë kërmilli
në fjalën e pa thënë.
Njëmbëdhjetë muaj rrugët i përkdheli
në një hart të grisur… njëmbëdhjetë muaj
përtej deti, të pa dukshëm i kam kufinjt.
Nëna ime, vendlindjen e di,
veç nuk e di vendvdekjen.
KUAJT E AKILIT
Edhe kuajt e Akilit
i lodhë mërgimi!
Vrapojnë skaj deti
jelët i lëshojnë në ajër
si valë që i spërkatin trupat
e pa vdekshëm.
Të pa prekshëm
nga nxitja e kohës
hingëllijnë në orbitën e hënës
të clirojnë sytë nga loti!
AFËR DETI
Rrugën vizatova ne rërë
afër deti
prisja që dielli ta thaj
por shkuma e ujit e fshiu.
Mblodha gurë
dhe ato mi larguan;
shpresoja te ndodhte mrekullia
të kthehem gjurmëve të mija…
PAFAJSIJA
Reth e rrotull
gur të rrokullisur kodrash!
Në zgavrat e trupave të pemëve,
pushonin gjarprinj e zogjë
mishngrënës si në legjenda…
Në urë s’dëgjohej oshtima e lumit
por heshtja e ujit të shterur.
Fëmijët e trenit të fundit
udhëtojnë akoma ikjeve
(në mendjen time),
rrugës për askund.
Nata ndante qiellin në dysh
prej lutje duarsh të vogla
drejtuar kah Zoti, pafajësinë.
E para as e fundit
Nga qielli i largët
i numëroj shtëpitë
e ato sikur më shikojnë
kur zvoglohen
nën shpendin tim fluturues…
A thua më kuptojnë
si u’a këndoj poezinë
thellësive të shpirtit.
Të njejtë e kemi dashurinë
si në ardhje ashtu në kthim
dhe nuk e di
vij për të qeshur
a shkoj për të qarë,
apo jam loti i të dyjave…
Shndërrohem në stërkala
muzgut të mbrëmjes
mërgimitare
dhe e para as e fundit
nuk jam, Atdhe.