Artikull i Roberto Naupont në MONATO viti 1982 – “Nën hijen e Stalinit” Përshtypje shqiptare në vitin 1981 / Përgatiti Bardhyl Selimi

 

b 1

 

Artikull i Roberto Naupont në MONATO  viti 1982

 

“Nën hijen e Stalinit”

 

 

 

Përshtypje shqiptare në vitin 1981

 

Shënim: materiali është dërguar nga autori me kërkesën time, pas vizitës që ai bëri sërish në Shqipëri në gusht 2005. Ai është njëkohësisht esperantist dhe artikulli është shkruar në këtë gjuhë. Ja një fragment nga letra shoqëruese e tij:

“I dashur Bardhyl, ky artikull është shkruar në vitin 1982 dhe botuar në MONATO.  Kur ai u botua disa stalinistë më kritikuan fort. Në Monato unë nënshkrova si Andreo Dali, duke aluduar për Dali Ndreun..Kur vdiq Enver Hoxha, unë ia propozova këtë artikull një gazete socialdemokrate “Liberation” por atje më tallën pa e lexuar fare artikullin. Edhe në gazeta ka klientelë. Me siguri do shkruaj sërish për Shqipërinë, ndonëse tani nuk ka asgjë urgjente pasi Shqipëria është një vend i hapur dhe njerëzit mund të informohen edhe nëpërmjet internetit sepse gazetat tuaja dalin aty. Përkthime në frëngjisht dalin në faqen Courrier des Balkans. Më parë udhëtarët dëshmonin si për një parajsë dhe nuk mund ta vizitonin vendin normalisht. Prandaj ishte e nevojshme të shkruaje të vërtetën.

(Kjo letër erdhi me 17 tetor, pasi e përgëzova për artikullin e tij – Bardhyli.)

 

 

b 2

Me mikun francez Roberto Nauppont

 

Përshtypja ime e parë në Shqipëri është jashtëzakonisht negative. Avioni hungarez u ul në tokë në aeroportin e vockël të Rinasit, i vetmi aeroport pasagjerësh në vend. Udhëtarët në grup të ulur në avion (udhëtime individuale janë të mundëshme vetëm për disa të devotshëm, të përzgjedhur me kujdes) papritur heshti, kur avioni nuk lëvizte më. Dera u hap, që andej hyri ajri i ngrohtë dhe motori i kamionçinës  me dy kohë që po tërhiqte shkallën, ndali befas. Duke vështruar përmes dritares, vura re ca bunkere të vegjël që rrethonin fushën e fluturimit. Sytë e tyre ciklopikë më vështronin me shumë kujdes; çdo gjë heshti tmerrsisht sikur donte ta përforconte këtë përshtypje.

Në heshtje, pasagjerët e lanë avionin, njëri pas tjetrit. Kur po dilja, vura re, se ishim të rethuar nga ushtarë të armatosur, pushkët e të cilëve kishin bajoneta. Kontrolli i doganës nuk qe i rreptë, na kërkuan vetëm të plotësonim një deklaratë dogane, që premtonte dënimin sipas ligjit ndaj atyre që deklaronin gabim. Pas një kontrolli të sipërfaqëshëm të valixheve tona, ne dolëm në sallon. Jashtë na priste autobuzi i Albturizmit, ndërmarrje shtetërore që planifikon rreptësisht qëndrimin tonë. Unë përshkova tërë gjatësinë e sallës së ndërtesës së aeroportit. Mbi mur vura re një foto të stërmadhe të Enver Hoxhës në mes të një ekspozite propagandistike, foto të banesave të reja dhe të kombajnave në fushë. Një altoparlant transmetonte muzikë ushtarake që u bënte thirrje për marshim trupave të shumënumurta drejt betejës së përgjakshme.

 

Kontakti i parë

 

Kontakti i parë me vendin, ishte kur autobuzi ynë na çoi në hotelin për të huajt pranë plazhit të Durrësit. Shqipëria ka pamjen e një vendi të varfër. Fshatarët punojnë në fusha të mëdha kolektive, duket që shumica e punëve bëhet pa makina; kohë pas kohe, një traktor i vjetër kinez tërheq një rimorkio, ku ngarkojnë prodhimin me dorë, më shumë këtë punë e bëjnë kuajt. Shumë shpesh në anë të rrugës shihen parrulla të mëdha: “Rroftë shoku Enver Hoxha”, “Rroftë Partia e Punës së Shqipërisë”, “Të shkojmë në Kongresin e Tetë të Partisë me duar plot”, “Mbrojtja e atdheut është detyra më e lartë”, “Imperializmi dhe revizionizmi do të dështojnë”. Një herë duke vizituar Çekosllovakinë, mendova që atje ka shumë parrulla, por këtu ato janë katër apo pesë herë më shumë.

Në rrugë, autobuzi parakalon kamionë, me prejardhje kineze dhe shumë të vjetër, disa motorçikleta, kryesisht Jawa të viteve pesëdhjetë dhe, kohë pas kohe, edhe automobilë personalë, përgjithësisht Fiat 127 polak. Ndërtesat e fermave kolektive janë në gjendje të mjerueshme, shumë plugje janë mbuluar nga ndryshku. Fshatarët janë më së shumti gra, me veshje pune të amortizuara, disa syresh punojnë këmbëzbathur. Dhe kudo, gjithnjë pranë rrugës, bunkere dhe ushtarë. Mbi një kodër afër rrugës, prapa një fabrike, mund të vëresh, vetëm për një grimcë të sekondës, shumë topa kundërajrorë. Pas një gjysëm ore udhëtim vijmë në hotelin për të huajt pranë qytetit të Durrësit.

 

Të huajt në Shqipëri

 

Udhëtimet individuale janë krejtësisht të pamundëshme të paktën për vdekatarët e zakonshëm, por disa të devotshëm ndaj regjimit kanë të drejtë të udhëtojnë me automobil me familjen e vet, duke u shpërblyer kështu nga regjimi për kryesimin që ata bëjnë në shoqatat e miqësisë midis popullit të vet dhe Shqipërisë, të cilët e përshkruajnë vendin sipas klisheve zyrtare, hedhin poshtë të gjitha pikëpamjet e tjera në gazetat vendase dhe organizojnë udhëtime me grupe, dmth filtrojnë pjesëmarrësit, në mënyrë që të ketë në shumicë adhurues të regjimit. Këta miq të Shqipërisë nuk e dinë aspak gjuhën, dashuria e tyre për vendin nuk i shtyn aspak që ta mësojnë atë. Ata, pra, kanë kontakte vetëm me shoqëruesit poliglotë dhe me zyrtarët e tjerë, profesioni të të cilëve është përhapja e të vërtetës zyrtare. Shoqëruesit nuk janë kurrë vetëm në grup, por gjithnjë nga dy, veç kësaj ata zëvëndësohen shpejt. Kariera e tyre, kuptohet, varet nga shkalla, se sa ata kanë sukses në përhapjen e  idesë për një vend që gëzon një sistem të dalluar social dhe politik dhe shkon shpejt përpara. Ata ju prijnë për kah qendra e qyteteve më të pasura, i largojnë hapur fëmijët, që duan t’i shohin të huajt.

Disa shoqërues janë pakrahasim më interesantë, ata nuk përpiqen papushim t’ju fusin juve pikëpamjen zyrtare. Njëri syresh, të cilit i pagova një gotë birrë, madje m’u ankua për rrogat e pamjaftueshme. Megjithatë, të gjithë, pa përjashtim, paraqesin vetëm pikëpamjen zyrtare, por disa vetëm sipërfaqësisht, sepse të them të drejtën, populli nuk ka shumë iluzione për diktaturën e vet. Shoqëruesve u ndalohet të marrin dhurata; njëri syresh me qëllim po vështronte çakmakun tim, kur qemë ulur bashkë në një piejtore; unë e pyeta atë në se ai e donte këtë çakmak. “Jo këtu!” më tha ai. Pak më vonë, në koridorin e errët, unë ia futa çakmakun në xhep. Megjithatë, në autobuz unë duhet të manovroja me shkathtësi që ai të mos rrinte ulur pranë meje dhe duke diskutuar miqësisht të më pengonte që të fotografoja fushën.

 

 

 

 

Hotelet për të huajt

 

Hotelet për të huajt ndodhen në plazh, katër kilometra larg në jug të qytetit të Durrësit. Të gjithë kanë të njëjtin stil arkitektonik, shumica janë shtëpi pushimi për shqiptarët. Katër syresh janë të rrethuar me një gardh dhe janë të rezervuar për të huajt. Tregojnë se ato janë ndërtuar nga italianët. Një nga këto hotele ishte jashtëzakonisht luksoz. Në të ka një zyrë këmbimi valutor, një shitore me artikuj plazhi dhe një pijetore nate, që rri hapur deri në një të mëngjesit. Atje luan një orkestër, kryesisht muzikë përëndimore për publikun e huaj të hoteleve. Në këtë hotel luksoz banojnë në fundjavë diplomatët që dëshirojnë të shijojnë detin dhe disa shqiptarë (supozohet që ata s’janë fshatarë). Pranë është një vendparkim, ku parkohen automobilët e diplomatëve. Ato ruhen gjithnjë nga i njëjti polic por s’e di se kundër kujt vallë vjedhësi fiktiv. Në parkun që bashkon hotelet, rriten me rradhë pemë dhe parrulla, këtu me zë të lartë për partinë, atje portrete të Enver Hoxhës. Madje edhe në sallat e pritjes ka fotografi propagandistike. Ka edhe një restorant ku hanë turistët, një taracë ku çdo orë mund të pish raki rrushi (që tani nuk e gjen në shitoret normale). Turistët mund të bëjnë banjë, të hanë, të vallëzojnë dhe madje të pijnë pa u larguar nga hoteli.

Në plazh para hoteleve ka tabela, që e kufizojnë zonën turistike në disa dhjetra metra katrore, kur situata politike e kërkon këtë gjë. Na tërheqin vëmëndjen se ne mund të shëtisim pranë hotelit, por këshillohemi që të shetisim në grup “për shkak të vizës kolektive”, gjithashtu na ndalohet të fotografojmë fabrikat dhe objektet ushtarake (sepse pothuaj kudo ka ose ushtarakë ose bunkerë, e nuk mbetet shumë tjetër për të fotografuar). Nuk kemi të drejtë të shkojmë vetë në qytet, është parashikuar një shëtitje atje. Hoteli ka cilësi të dobët, por në provincë edhe hotelet me cilësi më të mirë gëlojnë nga mizat dhe nga të gjitha nevojtoret dëgjohet kënga ankuese e kasetave të ujit që pikojnë.

 

 

 

Shitoret

 

Duke mos mundur ta duroj atmosferën e kësaj gracke turistësh (pohoj se duhet të jem tmerrsisht egoist, sepse më të shumtët rrinë atje, pijnë, lahen dhe pastaj krenohem për njohjen e mirë të vendit), ndërsa unë dal e shëtis në mjediset për rreth. Pranë hotelit ka disa shitore, tepër modeste (më pas duhet të pranoja, se sipas kritereve shqiptare ato janë tepër luksoze), një shitore mishi, pothuaj gjithë kohën e mbyllur, dy kioska që shesin perime e fruta, disa baraka druri ku mund të blesh enë gatimi të thjeshta, të rruhesh (mjekrat ndalohen, megjithatë kohët e fundit këtë ua tolerojnë turistëve). Ka edhe një dyqan librash dhe gazetash ku (më vonë do e kuptoja se kjo është diçka e zakonshme) gjysma e librave janë partiakë. Së pari gjen veprën e Shokut të madh, që zë 40 % të gjithë sasisë së librave, më pas veprat e Marksit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit. Gjysma tjetër përbëhet nga në pjesën më të madhe të saj nga romane të realizmit socialist, të gjitha me autorë shqiptarë; gjen mezi mezi dhjetë libra jo politikë: disa vepra klasike (njëra ishte një përkthim i Viktor Hygosë) dhe një ose dy romane kriminalistike. Gjatë tërë qendrimit tim, rrallë pashë shqiptarë të lexonin; kur shihja ndonjë syresh, ata gjithnjë lexonin ndonjë autor të huaj.

Vë re, që orari nuk përputhet me hapjen e dyqanit, dyqanet e frutave rrinë hapur vetëm pak kohë dhe klientët qendrojnë në rradhë.

Është ora 7 e mëngjesit, sot dola sërish vetëm, ndërsa turistët tresin verën e pirë pas mezit të natës në pijetoren e  hotelit që rri hapur edhe natën.

Përpara dyqanit të mbyllur të mishit rrinë galiç rreth njëzetë njerëz, sot ka për t’u shitur mish. Altoparlantët në rrugë transmetojnë lajmet e mëngjesit të radiostacionit të vetëm : Kooperativa Ylli i Kuq pranë Korçës e tejkaloi planin me 30 %. Në Itali bëjnë grevë me mijëra njerëz. Në Poloni nuk mjafton mishi në shitore. Uzina Çeliku i Partisë në Elabasan po fabrikon tani një çelik me cilësi më të mirë. Arrestime të reja në Kosovë. Në Irlandën e Veriut përsëri përleshje midis patriotëve dhe ushtarëve britanikë. U hap një shkollë e re në Shkodër..Në fund fare zëri hesht dhe zëvëndësohet me një muzikë popullore ushtarake por të bukur.

Është ora 8 e një çerek. Numri i atyre që presin në rradhë para shitores së mishit u dyfishua. Vjen një kamion, ai dorëzon dy arka, që mbajnë nga 40 copë mishi të njëllojtë, me kocka dhe plot dhjamë, në qese plastike. Sporteli hapet, rradha tash është bërë shumë e gjatë. Shitësi shpejton. Vijnë klientë të rinj dhe rradha zgjatet edhe më. Unë rri te një trung peme dhe pi cigare. Në rrugë një polic fishkëllen dhe mjetet e pakta të udhëtimit (një karrocë me kalë, një kamion i vjetër dhe disa biçikleta) ndalin. Me shpejtësi rrufe afrohet një Mercedes 280, ku duket vetëm shoferi, sepse pasagjerët fshihen prapa perdeve të zeza, një xhip ushtarak e ndjek nga pas Mercedesin. Një sekondë më pas, trafiku normalizohet. Mercedesi është zhdukur nga pamja qëkur me pasagjerët e vet të rangut të lartë.

Sporteli i shitores së mishit mbyllet shpejt. Klientët e fundit dalin me çantat bosh..Është ora tetë e gjysëm…

 

Shitoret e fshatit

 

Dy kilometra pas hotelit, në drejtim të jugut është një fshat me disa stenda shitje, një restorant, një ëmbëltore, një floktore-berber, një dyqan tekstilesh. Nuk e di, në se kjo zonë  është e lejuar për turistët, megjithatë unë shkoj, duke menduar, se nuk do ndodhë asgjë me rëndësi. Shoh disa nga çmimet. Zyrtarisht rrogat janë 400 deri në 800 lekë në muaj duke punuar gjashtë ditë në javë nga 8 orë në ditë, dmth 48 orë. Nga ana tjetër, duhet të jesh pak kureshtar që ta mësosh këtë, sepse në përgjithësi zyrtarisht ju thonë: “Në Shqipëri punohet tetë orë në ditë”, ata që s’janë kureshtarë besojnë se punohet 40 orë në javë; vetëm po të pyesni se sa ditë në javë punohet, do t’ju përgjigjen : “Gjatë ditë në javë”.

Informata japin vetëm kur turisti ka informacion paraprak për vendin. Sepse më të shumtët nuk dinë kurrgjë, dhe s’është nevoja t’i informosh. Në se bëjmë pak llogari, rroga për orë është midis dy dhe katër lekëve.

Ja çmimet, që i pashë në shitore: një kg bukë 2 lekë, një copë gjalpë (që e vlerësova rreth 150 gr) 4 lekë, 1 kg mollë ose dardha 2.5 lekë; një këmishë, tekstil shqiptar, me cilësi mjaft të dobët 45 deri 60 lekë. Në dyqanin e bukës ka ketëm një lloj buke të zezë me miell të pasitur mirë. Futem në ëmbëltore, që më mirë është ta quaj kafene, ku mund të hash ëmbëlsira dhe të pish kafe. Njerëz të shumtë të veshur thjesht rrinë atje para një filxhani kafeje turke, ndërsa para derës luajnë fëmijë këmbëzbathur. Megjithatë ky vend është një parajsë e vërtetë në krahasim me hotelin, sepse, në fund të fundit, jam në anën e popullit, dhe Shqipëria këtu nuk i ngjan absolutisht fare atyre që na tregojnë zyrtarisht.

Të gjithë më kqyrin mua, sepse shumë rrallë ndeshin në të huaj, me përjashtim të Tiranës, kudo njerëzit vështrojnë me etje të huajt, sikur ata të vinin nga një planet tjetër, sepse ata s’kanë krejtësisht kontakte me ta. E kundërta e asaj që na thanë zyrtarët: “Mos fotografoni asgjë pa kërkuar më parë leje, sepse shqiptarët janë tepër krenarë”, (gjë që pati ndikim të mirë) unë nuk ndjej asnjë farë krenarie, por vetëm kureshti; disa buzëqeshin për të na e hequr frikën. Porosis në shqip një ëmbëlsirë dhe një filxhan kafe (gjithsej ka vetëm dy lloje ëmbëlsirash); shitësja e gëzuar më përgëzon për mësimin e  shqipes dhe më pyet se nga cili vend vij. Pyetje të tjera ajo nuk bën, të gjithë klientët, njëri pas tjetrit afrohen te banaku dhe e pyesin me zë të lartë shitësen, se nga vij unë. Gjatë tërë qendrimit tim atje nuk munda të këmbej as disa fraza me shqiptarët. Askush nuk guxon të flasë drejt për drejt me mua, një të huaj.

Më të ndruajturit janë fëmijët, që i lusin (pak me syçeltësi) turistët t’u japin nga një stilolaps dhe çamçakëz ose përpiqen të shkëmbejnë distinktiva. Shoqëruesit tanë i përzejnë. Pse? Mendoj se nga frika zyrtare, se mos t’i shohim që ata janë të veshur keq, që disa s’kanë as këpucë (sidomos në fshat).

Një njëzetvjeçar i leckosur hyn në kafene..ai është këmbëzbathur dhe pështyn përtokë..Propaganda thotë papushim me mburrje, se vendi është i pastër, këtë e thonë edhe shumë të devotshëm. Në fakt ai i ngjan Turqisë, niveli i jetesës është si ai i Turqisë (mbase pakëz më i ulët, në çdo rast më i ulti në Evropë) dhe rrugët nuk janë më të pastra se në Turqi. Njerëzit shpesh pështyjnë për tokë, sidomos kur mbllaçisin fara luledielli. Paguaj kafen dhe ëmbëlsirën (3 lekë) dhe largohem; një nga klientët më afrohet përzëmërsisht në gjuhën time. Para kafenesë ndalin shumë kamionë dhe xhipa ushtarakë, shumë tanke, disa syresh ndodhen madje pranë hotelit për të huajt, të fshehur prapa trasesë ku kalon hekurudha Durrës-Tiranë.

 

Fshati

 

Prapa kazermës është një fshat që e vizitova shkurt. Në fshat nuk ka shitore tjetër përveç asaj  shitores tjetër që përmënda pranë kafenesë. Rrugicat janë thjesht verore, me dhe. Janë ndërtuar dy shtëpi të reja. Nga fshati del një veturë Ford Taunus 17m i vjetër, mbase i sekretarit të kooperativës. Disa shtëpi kanë antena televizive. Hyj në rrugicën e fshatit. Nga njëra prej shtëpive dëgjohet një muzikë popullore me zë të lartë, shumë fshatarë rrinë ulur në taracë; mos vallë është ndonjë kafene apoka mundësi ndonjë dasmë? Është e dielë dhe njerëzit janë të veshur më mirë. Disa ushtarë shëtisin nëpër fshat. Shpejt të gjithë banorët i lënë shtëpitë e veta, më afrohen dhe më rrethojnë, 150 fytyra më vështrojnë, mbase nuk vijnë aty shumë të huaj. Njëri nga ata eci drejt meje dhe më kërcënoi me grusht, duke kërkuar me një ton brutal t’i them se çfarë dua unë aty. Një fshatar tjetër më bën një shënjë shfajësimi dhe e tërheq prapa atë që foli. Mëdyshoj disa sekonda dhe parapëlqej mandje të largohem. Është hera e vetme që ndjeva mosbesim te shqiptarët. Megjithë fushatën e madhe propagandistike kundër “perversiteteve të të huajve” që duket më mirë në shumë parrulla, populli tregon një kureshti të madhe për ta, ndruhet t’u flasë atyre por gjithnjë përpiqet t’u tregojë që ata janë të mirëseardhur. Të vjen inat kur e kupton që regjimi e privon këtë popull mikpritës nga një kënaqësi e tillë e natyrshme. Duke udhëtuar nëpër Kosovë (rajon shqiptar autonom i Jugosllavisë) unë jam prekur shumë nga mikpritja e atij populli, që në Jugosllavi s’kishte frikë të fliste me ne, më ftonte shpesh dhe ishin jashtëzakonisht të kontaktueshëm.

 

Durrës

 

Durrësi është qyteti i dytë për nga madhësia dhe porti më i madh i vendit. Ai ka afërsisht 70 000 banorë, sipas informatave zyrtare. Dy rrugë relativisht të mira ashtu sikurse një hekurudhë e lidh atë me Tiranën. Në krahasim me qytetet që i vizitova më pas, Durrësi gëzon pas Tiranës nivelin më të lartë të jetesës dhe shitoret e furnizuara më mirë. Megjithëse nga hoteli ynë nuk duhen më shumë se treçerek orë në këmbë ose një çerek ore më autobuz udhëtim deri në qendrën e qytetit, nuk na e rekomandojnë të shkojmë atje vetëm,  për “arsye sigurimi”. Në të njëjtën kohë na premtuan një shëtitje në qytet.

Tri herë shkuam për ta “vizituar” atë. Herën e  parë, autobuzi e kaloi me shpejtësi një pjesë të qytetit dhe ndaloi para varrezave partizane jo interesante dhe muzeut për historinë e luftës partizane. Në fakt, muzeu përshkruan vetëm rolin e partisë komuniste gjatë luftës çlirimtare, për partizanët jokomunistë asnjë fjalë. Kuptohet shoku i madh Enver Hoxha, busti i të cilit zë qendrën e këtij mjedisi, është themeluesi i partisë, udhëheqësi i tërë luftës, ndonëse disa vepra historike që kanë dalë jashtë vendit e kufizojnë jashtëzakonisht rolin e tij. Pas një humbje kohe shumë të gjatë në muzeum, autobuzi na çoi sërish në hotel, sepse “u bë tepër vonë për shëtitje”. Në përgjithësi në Shqipëri ta humbin kohën me vizita nëpër muzera dhe fabrika model (ndonëse këto të fundit janë më interesante, sepse ke mundësi të shohësh pakëz, që industria është shumë modeste).

Gjatë disa sekondave të udhëtimit tonë pashë rradhë shumë të gjata të rreth 200 njerëzve para shitoreve. Kuptohet, që as kisha kohë t’i fotografoja ato nga autobuzi, gjë që nga ana tjetër është e vështirë të bëhet, sepse shoqëruesi ka vëmëndje për gjithçka dhe duke bërë sikur zhvillon bisedë miqësore, të pengon që të bësh shumë fotografi (madje disa herë ta konfiskon filmin). Udhëtimi ynë i dytë në Durrës dallohesh nga i pari vetëm për nga rruga, që shmangu qendrën, dhe kështu ne ndalëm në rrethinë. Herën e tretë kishim të drejtë të shëtisnim në grup në qendër të qytetit, ku na shpuri autobuzi ynë, që na priste rreth 700 metra më tutje. Lumturisht, nga që bëmë pak pazar në shitore, grupi u shpërnda dhe kishim mundësi ta shihnim pak qendrën e qytetit. Në sheshin e madh  qendror po ndërtonin një godinë të re partiake., disa punëtorë punonin këmbëzbathur. Shitoret dukeshin se kishin mjaft mall, megjithatë çmimet ishin astronomike për rrogat e atyshme, dhe duhet të pohoj më pas, që shumë mallra të atyshme nuk i sheh dot gjëkundi tjetër në gjithë vendin..

Ndërtesat moderne vjetërohen shpejt, në çatitë  mund të shohësh shumë antena televizive.

 

Televizioni dhe filmat

 

Një televizor kushton sipas treguesve zyrtarë 3500-4000 lekë; por unë nuk munda të shoh ndonjë syresh në vitrina por mund vetëm të hamendësoj që që ato duhen porositur  dhe pritur në rradhë. Megjithatë televizorët janë të shumënumurt në qytetet që vizituam. Shqipëria ka një kanal televiziv dhe unë hamendësoj që instancat shtetërore falë televizionit mund të gëzojnë një farë ndikimi në mendjen e popullit, sepse pothuaj asnjë qytetar s’i lexon gazetat.

Disa herë, në hotel kam parë në televizor sport (sidomos futboll, që është pasion këtu, sepse në të s’ka ideologji), me lajme në mes të ndeshjes, muzikë (popullore dhe klasike, asnjëherë moderne), disa filma kulturorë të vjetër të huaj.  Sidoqoftë programi televiziv është pakrahasim më interesant se leximi apo kinemaja, sepse më të shumtët e kinofilmave dhe të romaneve përshkruajnë betejat partizane ose jetën e mjerë të fshatarëve para revolucionit. Filma me tema moderne nuk ka shumë, së dyti nuk janë politikisht asnjanës, pashë njërin në hotel: “Në shtëpinë tonë” është një film social kritik. Ai i mëson prindërit si të sillen me fëmijët e tyre. Për arsye të ndryshme, djali nuk shkon një ditë në shkollë (gjë që më bën të dyshoj, që shumë fëmijë mungojnë në shkollë; sepse gjatë ditëve të shkollës kam vënë re shumë fëmijë me uniforma shkollore të shëtisin vetëm nëpër qytet). Vlen të përmendet, që në filma gjithçka është e re, e re është banesa, i ri është kamioni, që nget babai, të reja janë mobiljet, në të vërtetë ato tregojnë vetëm gjërat e bukura, që janë përjashtim në këtë vend dhe përpiqen të na bëjnë të besojmë, që ato janë diçka e zakonshme; kështu veprohet me qytetarët e vet, që shohin çdo ditë që kjo nuk e pasqyron jetën.

 

Ndarja seksuale

 

Në Durrës nuk sheh flokë të gjatë, ashtu si në tërë vendin, mjekrat absolutisht jo. Të bie në sy, që ndërmjet djemve dhe vajzave ka një ndarje të rreptë. Vajzat shëtisin së bashku, edhe djemtë po ashtu; përjashtim bëjnë vetëm bashkëshortët. Kjo traditë e rreptë vjen nga  feja islame, sepse qendra e Shqipërisë është islame, të paktën kështu ka qenë, deri sa u ndalua feja me kushtetutën e vitit 1968, (jo me kushtetutë- shënim i imi, B.S.) kur faltoret u mbyllën dhe priftërinjtë e hoxhallarët ( në veri katolikët dhe në jug ortodoksët) u zhdukën, sikurse më ka thënë një i arratisur nga kampet e përqëndrimit. Në çdo rast regjimi mburret për emancipimin e gruas, por nuk e kundërshton fare këtë sagregacion. Në fshat duket që shumicën e punëve e bëjnë gratë. Zyrtarët nënvizojnë që në të kaluarën gratë (madje edhe në fshat?) nuk kishin të drejtë të punonin dhe rrinin me perçe. Megjithatë unë mund të siguroj që në fshat pothuajse të gjitha gratë  janë veshur me shami të bardhë që ka zëvëndësuar perçen në Turqi. Edhe veshjet janë të njëllojta.

Nga ana tjetër, ligjet seksuale janë tepër të rrepta, regjimi synon drejt një popullsie të madhe dhe thotë se mund t’i ushqejë të gjithë banorët, ndonëse më ngjan se edhe sot një pjesë e popullsisë nuk han mjaftueshëm. Rezultati është që popullsia është trifishuar që nga paralufta. Aborti është i ndaluar ashtu sikurse edhe pilulat kundër shtatzanisë dhe prezervativat. Për habinë time të madhe, mora vesh  nga një referuese zyrtare, pasi e pyeta cazë, që nuk ka më pagesë shtesë. Nga ana tjetër, ajo vazhdoi që “marksizëm-leninizmi na mëson që stimujt moralë janë më të rëndësishëm se ato materialë”.

 

Disa çmime

 

Në rrugët qendrore të Durrësit, edhe në se kohë pas kohe sheh ndonjë të leckosur, shumica e njerëzve janë të veshur thjesht por denjësisht. Në vitrina mallrat më të shtrënjtë nuk kanë etiketa çmimi. Ja disa çmime që munda të lexoj: një orë muri 400 lekë, një radio e thjeshtë (ngjan me modelin me valvulë; nga të tri modelet që pashë, vetëm kjo më e thjeshta kishte etiketë çmimi) kushton 900 lekë. Një pulovër (tepër e hollë, e pamjaftueshme për dimrin e  ftohtë por nuk pashë ndonjë lloj tjetër në tërë vendin) 200 deri 350 lekë, një gjysëm litri raki (raki rrushi me cilësi të mirë ka  vetëm në hotelin për të huajt, ku ka 3-4 lloje, të gjitha shqiptare) 10 lekë. Uzo (një raki me prejardhje greke, prodhim shqiptar) ½ litri kushton 12 lekë; votkë (shqiptare) ½ litri kushton 10 lekë; raki dëllinjë shumë e keqe (që s’e pi njeri) ½ litri kushton 10 lekë. Kur pyeta për ndonjë raki rrushi të mirë në shitore, erdhi menjëherë një klient shqiptar dhe shitësi na u përgjigj të dyve se “nuk ka”.

Shitorja e cigareve ka vetëm katër lloje cigaresh. Shitoret e ushqimeve janë më së shpeshti për fruta dhe perime, ku ka në përgjithësi mollë, dardha, qepë, kunguj dhe shalqi të mëdhenj, po ashtu rrush. Një kilogram mollë ose dardha kushton 2.5 lekë. Në dyqanin e bukës ka një lloj buke të zezë me 2 lekë. Cigaret, sipas cilësisë: 1.5 lekë- 2- 3- 3.5 lekë dhe 4 lekë. Megjithatë më të shumtat e shitoreve kanë vetëm një lloj 3 lekësh. Duhan për llullë pashë vetëm një herë në Tiranë. Ndonëse hëngrëm patate në hotel asnjëherë nuk pashë syresh nëpër shitore.

Gjenden vetëm katër lloje marmalade (200 g= 4.50 lekë), oriz, dy lloje djathi dhe disa ushqime të tjera. Gjenden edhe soba të vogla druri që të ngrohin në dimër por edhe shërbejnë për të gatuar, të vockla dhe me cilësi modeste; pyeta shpejt një shqiptar për çmimin. 3500 lekë më thotë ai, cilësia nuk është e mirë por mjafton  dhe zhduket duke buzëqeshur. (Të gjithë shqiptarët i shmangin kontaktet e gjata me të huajt, ndonëse në sytë e tyre kishte dëshirë) këpucët, qoftë burrash, qoftë grash kushtojnë mesatarisht 70 lekë, nuk pashë as këpucë dimri, por sandalet kushtonin 25 lekë.

Në rrugën kryesore është një bust i Stalinit. Duke u kthyer te autobuzi, pashë një punishte të vogël për autoelektro. Vështrova brenda; punëtorët e njerëzishëm më dhuruan fruta dhe menjëherë u kthyen në vendet e punës, për të mbështjellë bobinat e dinamove dhe të motorinove me duar.

 

Une me Robert Pontnaun ne Tirane 4 qershor 2015

 

Uzina

 

Pasdite rregulluan për ne një vizitë në një uzinë, në atë të Plastikës pranë Durrësit, njëra nga uzinat më moderne në vend që ja tregojnë të gjithë të huajve (përzgjedhja është vërtet e vogël). Ajo është uzina më moderne, që kam parë në Shqipëri. Hyrja është e mbuluar e tëra me parrulla, që ka të ngjarë s’i lexon askush. Të dhënat statistikore në përqindje (shifrat, që kur, nuk i shfaqin më) tregojnë një rritje gjiganteske të prodhimit. Gjatë pesë viteve të ardhëshme ai duhet të rritet rreth 10 % në vit. Vizita në disa ndërmarrje të jep përshtypjen, që këto të dhëna janë të stërmadhuara, dhe çka është më e rëndësishme, nuk mund të mos e kisha përshtypjen, që industria po përjeton një krizë të madhe që nga koha e armiqësimit me Kinën. Ndonëse vizitorët ecin me shpejtësi nëpër punishtet, kjo nuk mjafton për ta fshehur faktin, që është i njohur shumë mirë jashtë shtetit: pothuaj të gjitha industritë e reja janë nga ndihma e jashtëme (në fillim jugosllave, më pas sovjetike, kohët e fundit kineze), të cilat që disa vjet janë ndërprerë krejt. Maqinat më të shumta janë kineze. Në uzinën e prodhimeve plastike gjënden disa maqina jo kineze, nga 20 syresh 2 janë nga RDGJ dhe një nga Franca, në katin e parë ndodhet një në të njëjtin përpjestim maqina jokineze, një nga RFGJ dhe një nga Austria. Duket gjithashtuqë maqinat jo kineze prodhojnë shishe, sandale lodra, ndërsa maqinat jokineze prodhojnë copëza të sheshta (data e konstruktimit shënon: 1975), që tani 3 nuk funksionojnë, duket që disa copë janë thyer.. Zyrtarisht çdo fabrikë ka një ofiçinë, ku mund të tornohen pjesë ndërrimi. Të bie në sy shtresa e pluhurit mbi maqinat që nuk punojnë, që tregon që ato kanë qendruar kështu që shumë kohë. Megjithatë të devotshmit shkruajnë besnikërisht në blloqet e tyre të shënimeve vetëm thëniet pakuptim. Rroga mesatare mujore në këtë fabrikë është zyrtarisht 650 lekë. Nuk mundem, pa u kontolluar, t’i pyes vetë punëtorët, por këtë munda ta bëj në një fabrikë tjetër, ku zyrtarisht më kishin dhënë të njëjtat tregues, por sipas punëtorëve paga ishin rreth 20 % më të ulëta; unë pyeta pa u vënë re disa punëtorë dhe përgjigjet e tyre përputheshin absolutisht. Me befasoi numri i punëve që bëheshin aty me dorë.

 

Tirana

 

Ne ndenjëm dy ditë në Tiranë, nga të cilët gjysma u zu me vizita në muzeun etnografik dhe në një kopësht fëmijësh model. A ja vlen të saktësoj, që gjithë të huajt vizitojnë të njëjtin kopësht fëmijësh? Në dhoma nuk ka qoftë edhe një vizatim të fëmijëve vetë, vetëm foto propagandistike; koridori me një bust të shokut të madh dhe një ekspozitë me citatet e tij. (Dhe kjo propagandë gjendet në të gjitha ndërtesat publike: banka, hotele, shkolla, shtëpi pushimi, uzina, stacione treni etj).  Pas rrahjes së shuplakave nga edukatorja fëmijët këndojnë për lavdinë e Partisë dhe të Enver Hoxhës, “xhaxhit Enver” sikurse u thuhet fëmijëve. Pjesa tjetër e ditës ishte jo interesante, sepse u munduan të na mbajnë kyçur duke na projektuar filma propagandistikë brenda në hotel.

 

Qendra e Tiranës

 

Qendra e Tiranës ështëme siguri një vitrinë, më e pasur se sa lagjet periferike, që i përshkoi autobuzi ynë. Sheshi i madh qendror mban emërin e Skënderbeut, heroit kombëtar, që ka luftuar kundër turqëve. Ky shesh i bukur është krejt i ri, me pallatin e ri të madh të kulturës, me muzeun historik në ndërtim, me bankën e madhe të shtetit dhe me hoteline  bukur “Tirana”, ku banojmë ne. Shumë njerëz kalojnë papushim nëpër shesh, në të vërtetë shfaqja e shëtitësve në qytetet shqiptare më ka befasuar shumë, sikur shumica e tyre të mos punonin. Unë hamendësoj gjithashtu që shetisin shumë, sepse në shtëpi ka pak vend për banorët e shumtë, unë nuk pata mundësi që  t’i shoh banesat  për shkak të perdeve të dritareve, me përjashtim të një cope muri dhe një rafti të murmë mbi të cilin në përgjithësi vendosin televizorin, nga një herë ndonjë tryezë të vjetër dhe karrike.

 

Hotel Tirana

 

Hotel Tirana është më moderni në gjithë vendin; dhoma të bukura me dy krevatë dhe me banjo ku tubat nuk pikojnë. Një ashensor i bukur italian që funksionon, veç kësaj kemi ngrënë mirë në një restorant të madh në krahasim me të ngrënit mesatar në Durrës. Në Shqipëri bakshishi ndalohet; na thonë  që ai është një fyerje për dinjitetin e punëtorit. Në atë hotel shërbyeset e pranuan bakshishin tim, kur askush nuk po i vinte re. Zyrtarisht nuk ka lypësa, megjithatë para hotelit një bandë fëmijësh romë të leckosur kërkonte lëmoshë. Unë doja t’i fotografoja ata por u vonova cazë sa ata ia mbathën dhe u fshehën pas kaçubeve nga ku u shfaqën përsëri për t’u kërkuar lëmoshë turistave të tjerë. I mbaj mend fytyrat e tyre të tmerruara, kur panë fotoaparatin tim.

 

Bulevardi Stalin

 

Para hotelit është bulevardi i madh Stalin me statujën e madhe të Stalinit dhe të Leninit dhe me shumë ndërtesa të tjera shtetërore, të ngjyrosura bukur dhe të mbajtura mirë, pa tabela që të tregojnë se për kë bëhet fjalë, natën të ruajtura nga uniforma të armatosura, para tyre qendrojnë automobila. Edhe në këtë bulevard ka një hotel lulsoz Dajti, që e kanë ndërtuar italianët, një galeri e artit modern dhe selia e Komitetit Qendror të Partisë. Rrugët që e rrethojnë janë të mbyllura për çdo trafik dhe ruhen nga ushtaraë të armatosur dhe anëtarë civilë të Sigurimit (policisë politike), kalimtarët ecin gjithnjë në trotuarin përballë, askush pranë Komitetit Qendror. Bulevardi përfundon dyqind metra më tutje me një ndërtesë të fakultetit teknik. Një qind metra pas Komitetit Qendror, kthehuni majtas dhe do hyni në  në një lagje me shtëpi të bukura në parqe të mëdhenj plot me pemë, që ruhen nga ushtarë të armatosur, që kur shohin një të huaj ia bëjnë me dorë burrave të veshur civilë, që rrinë ndën pemët, me siguri anëtarëve të Sigurimit. Është lehtë të kuptohet që këtu banojnë disa udhëheqës të Partisë, me sa duket jo ata të rangut më të lartë, siç thuhet, por është një lagje tabu.

 

Automobilat

 

Tirana ka 250 000 banorë dhe është padyshim qyteti më i pasur i vendit, njerëzit përgjithësisht janë të veshur mirë, duken shumë motorçikleta (në krahasim me qytetet e tjera) dhe automobilë personalë që shteti ua vë në disponim pa pagesë borgjezisë partiake. Anëtarët më të vegjël të elitës kanë të drejtë për xhipa, shpesh me prejardhje nga Kina, megjithatë ende punojnë edhe disa xhipa më të vjetër sovjetikë, pas 20 vjet përdorimi. Për nivelin më të lartë shërbejnë limuzinat e bukura franceze Peugeot 505 kurse elita më e lartë fare ka të drejtë për Mercedese me një ose pa ndonjë xhip që i vjen pas, sipas rangut.

 

Libraria ndërkombëtare

 

Kjo librari nuk është aq e madhe dhe në të nuk ka pothuajse asnjë botim të huaj, por vetëm ato shqiptare në gjuhë të huaj. Zgjedhja është jashtëzakonisht e pakët dhe në se heqim letërsinë propagandistike, thuajse nuk mbetet asgjë për të lexuar. Koleksioni i revistës së bukur në frengjisht “Les Lettres albanaises” (letersia shqiptare) nuk është i plotë. Mungon numri 4 /1980. Në qytetet e tjera ky numër mungon gjithashtu. Pikërisht cenzura ka lënë në të disa gjurmë të ngathëta (faqet 2 dhe 64) duke ngjitur një letër të bardhë për ta hequr frazën.

 

Galeria e artit modern

 

Në Galerinë e Artit Modern janë gumbulluar shumë gjëra të përbindëshme: partizanë fshatarë gjigandë me pushkë në dorë, partizane me një vështrim plot urrejtje, e tëra në sfondin e flamurëve të kuq. Disa piktura realiste të para luftës, midis të tjerash pejsazhet e Zef Kolombit, dëshmojnë që arti shqiptar ka qenë dikur interesant.

 

Lagjet qendrore

 

Është vështirë të thuash emrin e rrugëve kryesore, thuajse kudo vetëm rrugët e vockla kanë tabela emërash. Mos vallë për të kursyes para? Mos vallë për të penguar spiunimin? Unë nuk munda të siguroj planet e qyteteve në tërë vendin, kam vetëm një hartë jo të saktë të gjithë vendit. Nuk pashë as libra telefonikë, as në hotele , as në zyrat e postës. Gramafonë, fotoaparate dhe filma nuk i gjen në shitoret e zakonshme, me përjashtim kohë pas kohe në Tiranë, ku siç thonë gjen edhe diskeda. Megjithatë elita partiake ka shpesh fotoaparate ashtu sikurse edhe shumë gjëra të tjera, që nuk i gjen në dyqanet e zakonshme. Është e sigurtë, që ndonëse viztori s’e provon dot kurrë, një pjesë e këtyre gjërave është blerë jashtë shtetit dhe ka dyqane speciale për elitën , ku qytetarët e thjeshtë nuk mund të hyjnë.

Prapa rugëve të reja të qendrës ka shumë lagje të vjetra nëpër të cilat shëtis mbrëmjeve; më duket se jeta para revolucionit nuk ka qenë aq e zezë sikurse na thonë, pothuaj se kudo gjen shtëpi të lyera bukur, sigurisht modeste por të rrethuara me gardhe, thuajse të gjitha kanë nga një oborr të vogël me pemë, ku rrin këndëshëm dhe mund të bisedosh gjatë mbrëmjeve të ngrohta të verës. Ujë të rrjedhshëm nuk ka kudo, fëmijët presin para një çesme me bidona metalikë në duar.Kur shëtis në ndonjë rrugë qorre, një grua më pyet me njerzillëk, mos vallë e kam humbur rugën, më thotë se ka studjuar në Budapest dhe e flet rrjedhshëm hungarishten , pastaj largohet duke u shfajsuar. Mund ta përfyroj mirë që ajo s’ka mundësi të shkojë sërish atje, t’i shohë përsëri miqtë e vet, madje mund të jetë me rrezik t’u shkruajë atyre. Kuptohet që unë mund të hamendësoj shumë gjëra dhe s’mund të provoj asgjë dhe kështu mbetem me një grumbull pyetjesh pa përgjigje, edhe kur përgjigjia zyrtare është e gatëshme.

Në orën tetë në mbrëmje, bulevardi i madh Stalin mbushet me shëtitës, kaq shumë në numër sa kjo i ngjan një manifestimi , për një ose dy orë rryma që po shëtit shkon andej këtej , njerëzit i flasin njëri tjetrit dhe automobilat kalojnë anash rrjedhës, duke çarë rrugën me boritë e tyre. Rinia ka shumë biçikleta; pashë një çift  të martuarish , gruaja e re e veshur me një fustan të bukur nga jashtë shtetit ku i dukeshin paksa nënveshjet; kjo qe shfaqja më erotike që pashë në këtë vend.

 

Uzina e traktorëve

 

Fabrika e traktorëve Enver Hoxha, që e vizitojnë gjithë të huajt, zyrtarisht prodhon traktorë të plotë, megjithatë nuk pashë asnjë syresh; ka më shumë të ngjarë që kjo fabrikë e ndërtuar nga kinezët prodhon vetëm pjesë ndërimi për traktora, nga ana tjetër ka aty një ekspozitë me prodhime, pjesë ndërrimi për motorat kinezë të traktorëve dhe për diagaçët. Në ofiçinë duket një makinë shqiptare, një torno, që nuk funksionon, viti i prodhimit 1979, ajo duket që tani e amortizuar; pyetjes sime përse ajo nuk punon, i përgjigjen se s’ka përfunduar ende së prodhuari..Bie në sy gjithashtu cilësia e dobët e çelikut dhe teknologjia primitive.

 

Ligjërata

 

Në orën gjashtë hymë në sallonin e hotelit, ku një ligjërues partiak  na ligjëron përmëndësh në gjuhën tonë një tekst (nga njëherë me pëshpëritjen e shoqëruesit). “kulti i individit te ne nuk ekziston..shoku Enver Hoxha është truri ynë i përbashkët.” “të gjithëve që s’janë dakord me ne, ua presim gishtin; në se kjo nuk mjafton edhe krahun, dhe po qe se edhe kjo nuk mjafton edhe kokën..” Ligjërata zgjat aq sikur nuk do mbarojë kurrë. I vështroj gishtrinjtë e mi, ato janë zverdhur krejt prej nikotinës, tash po e kuptoj përse burrat në këtë vend pinë kaq shumë duhan..

 

Fshati

Tri të katërtat e popullsisë (zyrtarisht 60-66 %) jeton në fshat. Ndonëse zyrtarët thonë “Kemi një bujqësi të zhvilluar” ajo më ka lënë përshtypjen e një varfërie të skajshme dhe të një hidhërimi të pakrahasim. Asnjëhere automobili ynë nuk ndalet në fshat, por ne mund të shohim diçka përmes dritares aq sa mjafton për të mos i besuar thëniet propagandistike.  Në grupin tim të filtruar më parë ka komunistë të rinj që janë veshur me rroba që s’i gjen në dyqanet e këtueshme, kanë aparate fotografikë japonezë të kushtueshëm , magnetofonë etj, megjithatë ata këndojnë : “të edukuar në mjerim ne e dimë se ose do fitojmë lirinë ose do vdesim”. Ndërkohë autobuzi përshkon fushat ku punojnë me duar e këmbëzbathur gra e fëmijë dhe ku ka shumë shtëpi të mjerueshme.

 

Tabllotë fshatare

 

Dy herë gjatë qendrimit tim na u propozua një “vizitë” në një  kooperativë ose fermën shtetërore Na përcollën midis rreshtave të portokalleve dhe fiqve dhe kishim të drejtë të mbanim një ligjëratë, më pas ikëm pa parë qoftë edhe një stallë të vogël apo pulari.

Një herë na çuan në një fshat që në krahasim me ato që shihnim nga autobuzi s’ishte i varfër. Autobuzi ndali para shkollës dhe drejtuesit i larguan banorët që shpejtuan për të na parë dhe disa sekonda më pas ishim në hyrje të shkollës ku sekretari i partisë na mbajti një ligjëratë për jetën në fshat. Pas dy orësh ligjëratë nga e cila mbaj mend që fshatarët fitojnë 14-21 lekë në ditë pune, vizituam një shtëpi që ishte banesa e vetme që pamë dhe që rastësisht qëlloi të ishte ajo e sekretarit të partisë. Në atë shtëpi të lyer bukur, gjithçka e pastër pa njolla, na pritën shumë fshatarë me nga një gotë raki, biskota dhe këngë revolucionare; gjysëm ore pas këtij takimi “spontan” shkuam në hotel. Tani ata që besojnë mund të tregojnë për kushtet e denja të jetesës të fshatarit shqiptar që i kishte parë me sytë e vet.

 

Udhëtimi në jug

 

Udhëtuam nëpër rrugën kryesore nga Durësi drejt jugut të Shqipërisë. Rajoni i Durrësit është rajoni më i pasur bujqësor që pashë. Si mund të jetë jeta në fshatrat e shumënumurta që nuk na treguan? Gjatë vjeshtës dhe dimrit me shi ato me siguri janë krejt të izoluara, sepse rrugët janë të pashtruara, me baltë.

Në rrugën kryesore duken shumë ara. Në përgjithësi ato lërohen me traktorë, megjithatë në shumë rajone kam parë kuaj e qe të tërheqin plugjet, që s’ishin gjithnjë prej hekuri. Kombajnat duken rrallë. Kositja, mbjellja bëhen me dorë. Shumica e traktorëve është në gjëndje të keqe, ato mund të tërheqin vetëm rimorkiot. Qetë dhe kuajt në përgjithësi i tërheqin këto, rrotat janë shpesh prej druri. Fëmijët dhe pleqtë vështrojnë lopët e dobësuara (nuk ka rënë shi që prej shumë kohësh sivjet). Më befason që disa fshatarë flenë nën pemët. Në fshat nuk ka kaq shumë antena televizori si në qytet, sheh disa kioska të vocka druri, që janë shitore perimesh dhe frutash, por ato rrinë pothuaj tërë kohën mbyllur.

Kësaj tablloje fshatare ia vlen t’i shtoj bunkerët që rriten kudo; ndanë rrugës, në mes të fushës, mbi kodra; ndërtesat e fermës  janë të mbuluara nga parrulla. Sa orë janë dashur për t’i ndërtuar bunkerët, sa shumë i kushtojnë ato vendit? Të mbjellat janë shpesh në gjendje të keqe, bimët e egra shpesh rriten sipër tyre. Ndanë rrugës ka shpesh kasolle me degë pemësh, ku vendoset prodhimi në arka druri dhe mandej peshohet. Shumë vetë punojnë këmbëzbathur (e çmova disi numrin e tyre nga 10-20 % sipas rajonit; nga ana tjetër vetë në Tiranë kam parë fëmijë këmbëzbathur, disa syresh edhe bjondë që do të thotë se s’janë kështu vetëm romët). Megjithatë duhet të shtoj se në çdo fshat ka rrymë elektrike, ndonëse nuk e di, a është kjo e vërtetë edhe për rajonet që nuk mund t’i vizitojnë të huajt. Ky është mbase një sukses i regjimit; ia vlen të theksoj që stacionet dhe linjat e reja elektrike duhet të jenë dhuratë e B.S., dhe pjesërisht e Kinës. Rrugës duken shumë ushtarë, qerre me kuaj dhe gomarë. Pashë madje një fshatar që rrinte sipër një gomari ndërsa gruaja që i shkonte pas ishte ngarkuar me një barrë shkarpa.

Në letërsinë propagandistike na tregojnë shpesh fusha kulluara. Në fushat e mëdha të Durrësit këtë e pashë, por shumë kanale janë në gjendje të keqe, disa nuk funksinojnë. Në rrafshnaltën bregdetare ka edhe sera; çatia e tyre është shpesh një fletë e tejdukshme plastmasi, në shumë fusha mbetën vetëm trarët dhe copat e shqyera të fletëve të plastmasit. Shumë fshatarë hanë pranë rrugës: bukë dhe fruta, në përgjithësi rrush dhe shalqi. Çfar habë ata në dimër, kur mbeten vetëm frutat e serave? A mjaftojnë këto ushqime për punën e lodhshme? Ja sërish një varg pyetjesh pa përgjigje. Pranë rrugës një grup fshatarësh  është ulur në tokë dhe prapa një tryeze një kuadër i veshur mirë po ju flet: shumë nga ta janë këmbëzbathur.

 

Fabrika e tekstilit

 

Në Berat vizituam fabrikën, kuptohet të ndërtuar nga kinezët (më parë quhej Mau Ce Dun). Maqinat janë shumë të zhurmëshme dhe veshët e punëtoreve të pambrojtura, rrotullat nuk janë të mbrojtura fare me zgarë. Në një nga fabrikat po bëhet pushimi i mesditës, ndërsa drejtoresha e fabrikës na sqaron se ushqimet në mencë janë të lira për punëtoret, unë shoh dhjetëra syresh që hanë bukë dhe fruta jashtë mencës, ulur nën pemë. Edhe në tryezat e shkrimit nëpunëset hanë vetë.

 

Berati

 

Hoteli më i mirë është në qendër të Beratit. Ja një rast i mirë për ta vizituar qytetin. Drejtuesja vjen me vrap: “Shokë (kështu) ku po shkoni, menjëherë do shhkojmë të vizitojmë muzeun e qytetit”. Unë megjithatë vazhdoj rrugën. Qyteti duket pakrahasis më i varfër se Durrësi ose Tirana. Nuk ka pothuaj asnjë automobil. Të gjithë më kqyrin mua, unë shpejtoj të bëj disa fotografi; ka pak antena televizive, nën hijen e xhamisë prej plumbi të mbyllur ku është muzeu që do vizitojmë bisedojnë disa pleq. Në një palo shtëpi gjysëm të rrënuar është selia e ndërmarrjes shtetërore të transportit. Disa kamionë të vjetër po presin aty, disa janë rusë, të tjerë kinezë, shumë goma janë të amortizuara, radiatori pikon. Nis ta kuptoj pse shohim rrugës shumë autombule të difektuar. Në Berat ka dy xhami dhe një kishë ortodokse, të gjitha të mbyllura që nga viti 1967. Te një xhami kanë bërë muzeumin për historinë e qytetit; brenda saj nuk ka absolutisht asgjë, që mund të ngjallte ndonjë ndjenjë fetare, të gjitha pikturat murale janë zhdukur, dhe muret janë lyer në të verdhë. Xhamia tjetër ka një shitore sendesh përkujtimorë për turistët me një shitore të vockël për sende shkollore. Çfarë patë? – më pyeti drejtuesja menjëherë pasi u ktheva. -Vërtet s’është e lehtë të bësh diçka me nismën tënde.

 

Feja

 

Në faqen e malit një kishë ortodokse duket si një depo mallrash. Nga ana tjetër numri i xhamive është befasishëm i vogël; në Tiranë unë pashë vetëm një, po ashtu në Korçë, dhe kjo është tepër pak në krahasim me Jugosllavinë ose rajonet e tjera të pushtuara dikur nga turqit. Në vitin 1973 u pushkatuan tre priftërinj, midis tyre edhe prifti katolik Shtjefen Kurti, u pushkatua sepse kishte pagëzuar një fëmijë. Në Sarandë kam parë një kishë ortodokse, ku kishin parkuar biçikletat. Në përgjithësi në to vënë nga një tabelëzë me mbishkrimin: “Monument kulture-mbrohet nga shteti” dhe me përjashtim të vendeve ku vinë turista, e lënë faltoren të rrënohet. Në Korçë faltorja është rrënuar, ajo ndodhet në një lagje të vjetër, ku nukvenë turistat, duket se në të banojnë të pastrehët të cilët ia mbathën kur u afrova unë. Kur autobuzi kaloi pranë disa varrezave, pashë gurë varri me formë tradicionale myslimane dhe ortodokse, disa madje kishin edhe kryq ose gjysëm hënë dhe ishin të reja, sepse ende s’ishin zverdhur. Ja gjithçka që munda të shoh për fenë në këtë vend.

 

Qyteti- muze

 

Pjesa e vjetër e Beratit është qytet- muze. Shtëpi të bukura të bardha, rrugica të vockla në faqe të malit janë me siguri të vizitueshme. Për këtë qytet të bukur nuk më mungojnë fotografitë. Mbi malin pranë mund të lexojmë emrin e shokut të madh, të shkruar me gërma të mëdha prej guri. Megjithatë mënyra se si e vizituam këtë pjesë të bukur të qytetit, me siguri nuk do të gjejë një përshkrim në broshurat zyrtare të botuara: pas një udhëtimi 200 metra autobuzi ndali para xhamisë. Ndërsa turistat blejnë në dyqanin e përkujtimoreve disa vepra artizanale me valutë përëndimore, një nga drejtuesit largohet hapur. Pas një çerek ore ai kthehet dhe ne vizitojmë në këmbë dy ose tri rrugica, ku nuk takuam kërkënd; të gjitha dyert ishin të mbyllura, disa ishin të hapura një centimetër, prapa tyre pashë sy që përpiqeshin të vështronin të huajt pa u vënë re. Në sytë lexohet një frikë, që shpjegon zhdukjen pa u vënë re të drejtuesit.

 

Muzetë

 

Turistët vizituan kuptohet muzetë. Ishin hapur veçanërisht për ne disa muzeume. Asnjëherë nuk pashë njerëz në muzetë e hapura, me përjashtim të Galerisë së Artit Modern dhe Muzeut Etnografik në Tiranë.  Duke folur pakëz me drejtorine  muzeut i cili u gëzua që e njihja disi shqipen, mbaj mend habinë e tij kur i thashë se pothuaj askush nuk interesohet për Shqipërinë në Evropën Përëndimore. Propaganda zyrtare përpiqet t’i bëjë shqiptarët të besojnë se Shqipëria gëzon një prestigj shumë të madh në botë dhe disa nga grupet e pakta të turistëve përmënden në gazeta jo si turista por sikur vijnë në Shqipëri me idenë për të mësuar në këtë fener të socializmit për tërë njerëzimin, sepse ajo është vendi i vetëm socialist dhe demokratik i vërtetë.

 

Elbasani

 

Udhëtimi për Korçë, një qytet i madh provincial (me 60000 banorë) në pjesën jugpërëndimore të vendit është mjaft interesant, ndonëse ne ndalëm vetëm gjysëm ore në Elbasan për të pirë kafe. Elbasani duket jo shumë i pasur, disa fëmijë na kërkojnë çamçakiz (na tërhoqën vëmëndjen se ndalohet t’u japim gjëra vendasve) dhe stilolapsa (çmimi i një stilolapsi është për një cilësi të mirë kineze 15-40 lekë). Kam parë edhe llustraxhinj, sikurse edhe në qytetet e tjera. Para librarisë kryesore janë ukur disa njerëz. Bashkëudhëtari më tërheq vëmëndjen për një libër në gjuhë të huaj; kur lexova titullin (“Me Stalinin”) dhe emrin e  autorit (kuptohet të shokut të madh), njerëzit që rrinin ulur buzëqeshëm me hidhërim, sikur donin të thonin: “Askush s’e lexon këtë te ne”.

 

Korça

 

Nuk e di me saktësi, përse instancat shtetërore shqiptare e zgjodhën Korçën për t’ua treguar turistëve, qendra është sigurisht e ndërtuar rishtazi por dhjetë vjet më pas ajo duket e hirtë dhe e trishtuar ashtu sikurse dhe shumica e ndërtesave të reja. Lumturisht ka edhe lagje të shumta të vjetra, që nuk na i tregojnë, por që mund të arrihen lehtë nga ne, sepse hoteli më i mirë ndodhet në qendër të qytetit. Në Korçë ka shumë pak trafik. Në hotel pashë disa kuadro partie, njëri nget një Peogeot 505, një tjetër një Volvo, që më pas e pashë para ndërtesë së Partisë. Klima është mjaft e ftohtë dhe gjatë qendrimit tonë bie shumë shi. Megjithatë hijeshia e Korçës është për mua një mundësi për të shëtitur gjatë dhe pa drejtues. Uzina e mjeteve të precizionit “Petro Papi” dhe shtëpia e bukur e pushimit mbase përcaktuan vendimin për të na treguar Korçën, neve turistëve. Si në Tiranë njerëzit shëtisin në mbrëmje në rrugët kryesore. Edhe ne shëtisim atje në grup. Ne blemë në grup në librari pas daljes së klientëve normalë (vetëkuptohet). Shumë shëtitës nuk kanë pulovera megjithë kohën e ftohtë. Në një shitore aty pranë ka pulovera që kushtojnë ndërmjet 250 dhe 350 lekë (rroga e 2-3 javëve). Si në Tiranë shtëpitë e vjetra janë tepër të pashme, megjithëse jo të mirëmbajtura.

 

Kuadrot

 

Para pak kohësh, një universitar francez i respektueshëm tha në një libërth për Shqipërinë: “Shqipëria ecën drejt shoqërisë së barabartë, më të barabartë që ekziston tashmë në Evropë”. Në hotelet e mira ka më së shpeshti kuadro. Të veshur mirë, sipas kritereve shqiptare, ata kanë orë dore të bukura, pëlqejnë për zyze montimet me prejardhje amerikane “Ray Ban” që nuk pata mundësi t’i vërej në shitoret shqiptare; ata udhëtojnë me automobilë të bukur; shpesh me shoferë, që i përdorin shpesh për familjet e veta. Gratë e tyre kanë unaza dhe bylyzykë të bukur, veshin fustane të bukur dhe lyhen. Në Butrint pashë shumë syresh me qese plastmasi që mbanin adresat e shitoreve në Paris, Athinë dhe Stokholm, shënjë që shumë udhetojnë jashtë vendit, gjë që është absolutisht e pamundur për qytetarët normalë.

 

Bashkimi i grave

 

Gjatë qendrimit tonë në Korçë, vizituam shtëpinë e Bashkimit të Grave. Në selinë vendore të komitetit që e hapën veçanërisht për ne, ka përveç gjërave propagandistike të zakonshme (një bust i madh dhe citatet e shokut të madh), një ekspozitë për pjesëmarrjen e grave në luftën partizane dhe në ndërtimin e rendit të ri. Në bibliotekën aty pranë pothuaj të gjithë librat janë politikë, të tjerat janë revista gjysëm politike. Një botim i ri i veprave të shokut të madh qendron në një vend të mirë. Një shtresë e trashë pluhuri mbi to regon që askush s’i ka lexuar ato prej kohësh. Në njërën nga fotot e ekspozuara duket një pikë boje e zezë, që ka të ngjarë se fsheh diçka. Vështroj albumin e bukur për Shqipërinë e Re, nga dyqind faqe tetë faqe janë këputur (është botim i vitit 1969); është një foto që bie në sy e disa anëtarëve të Komitetit Qendror: mbi dy fytyra kanë bërë një kryq me bojë të zezë, në mënyrë të tillë sa nuk mund të njihen dot. Bëhet fjalë për dy nga udhëheqësit e pushkatuar! Për çdo armiqsim ka ndodhur një varg i tërë burgimesh dhe pushkatimesh kryesisht në Komitetin Qendror, por janë zhdukur edhe mijëra të panjohur. Sipas metodës së mirëfilltë staliniste, ata janë fajësuar për tradhëti. Emrat e viktimave të armiqësimit me Jugosllavinë dhe Bashkimin Sovjetik janë të njohur mirë poashtu edhe ato të karrocës të fundit plot me njerëz që do të ekzekutohen. Enver Hoxha ka denoncuar shumë antarë të lartë të qeverisë gjatë kongresit të 7-të të Partisë për komplot, që synonin të përmbysnin pushtetin popullor, t’i hapnin rrugën revizionizmit dhe të rivendosnin kapitalizmin në Shqipëri!!!

Në shtëpinë e lindjes së Enver Hoxhës në Gjirokastër, një shtëpi e madhe luksoze, që shumë shqiptarë duhet ta kqyrin me zili, emërat e shumë partizanëve të dikurshëm janë ngjyer me bojë ose janë mbuluar nga emëra të tjerë.

 

Lufta dhe izolimi

 

Udhëtimi për Gjirokastër zgjat katër orë, nga ku ne shkojmë nëpër malësi për në Sarandë. Zgjedhja e kësaj rruge nuk i bindet kritereve shumë të arsyeshme, sepse s’është më pak e gjatë dhe mundësisht më e bukura rrugë pranë detit, por hamendësoj se në veri të Sarandës ka një bazë ushtarake. Gjatë këtij udhëtimi të gjatë ke mundësi të shohësh përveç bunkerëve të zakonshëm shumë gjëra të tjera ushtarake, kazerma, të rrethuara me tela me gjemba, të ruajtura nga ushtaraë të armatosur, disa herë të fshehur prapa drurëve apo prapa kodrës, ndërtesa misterioze të ruajtura me ushtarë, të rrethuara me tela me gjemba dhe kulla vrojtimi. Një herë ndesha në një repart të tërë ushtarësh që kthehej nga stërvitja; pyetjet e disa udhëtarëve për gjëra ushtarake nuk merrnin përgjigje nga drejtuesi, i cili po këndonte një këngë lavdie për Enver Hoxhën. Armët janë të vjetra dhe duket se me prejardhje kineze, mitralozët e lehtë janë kopje të të famshmit Kallashnikov.

i tërë vendi përjeton një psikozë lufte. Të gjithë vendet e tjera përshkruhen nga propaganda si armiq, kundër të cilëve vendi i vetëm socialist duhet të qendrojë fort. Shërbimi ushtarak zgjat 2-3 vjet (nuk e di sipas cilëve kritere), pastaj janë të detyruar të bëjnë çdo vit shërbim ushtarak dyjavor. Në shkolla jepet mësim i detyrueshëm ushtarak edhe për vajzat. Në fabrika bëhen edhe ushtrime ushtarake, ka sinjale me zë në rast sulmi kimik, gazi ose atomik. Gra me uniformë janë një shfaqje e shpeshtë në qytetet shqiptare. Në përgjithësi ushtrimet e detyrueshme ushtarake i shtohen kohës së punës. Në uzina disa panelë tregojën se si të mbrohemi nga sulmi atomik, gazi apo bakterial, ndonëse kundërgazet e bëra vetë prej një shamie hundësh përmbushin për mendimin tim vetëm një rol psikologjik sigurimi. Duke udhëtuar nëpër qytete e fshatra sheh kohë pas kohe grumbuj dheu, nga ku dalin disa oxhaqe, të mbyllur me dyer të hekurta. Për shumë kohë nuk e kuptova rolin e tyre, më në fund e mora vesh se ato ishin strehime kundër atomit..

Me një psikozë të tillë lufte vëmëndja e njerëzve kthehet jo nga problemet e vërteta. Regjimi, me anën e mijëra parrullave,dhjetëra romaneve patriotike, përpiqet që njerëzit t’i harrojnë dështimet ekonomike. Në se mungojnë mallrat, për këtë fajin e ka “blokada” armike. Fajësohen madje edhe kinezët për sabotim në instalime industriale, që i kanë ndërtuar vetë (shpesh pa u paguar), sikurse bënin më parë me jugosllavët dhe sovjetikët.  Tablloja që japin për një të huaj është po ajo: vendet e qeverisura nga komunistët e kanë tradhëtuar socializmin pas vdekjes së Stalinit, kanë rivendosur kapitalizmin, të gjitha vendet e tjera shfrytëzohen egërsisht nga padronët dhe popujt e botës e kqyrin Shqipërinë plot shpresë. Vendet me të cilat Shqipëria ka lidhje të mira, janë të pakta, këto janë përjashtimisht ato të Vjetnamit, Koresë së Veriut dhe regjimit fetar iranian(!). Pak prishje e izolimit do të shkatërronte tërë ngrehinën propagandistike, megjithatë për të dalë nga katastrofa ekonomike, vendi pa shpresë kërkon ndonjë huadhënës. Industrialista përëndimorë vizitojnë Shqipërinë për këtë qëllim, bëhet lëshim për pak turizëm për të marrë valutë (kryesisht në se si rezultat do të vijnë entuziastë që do përhapin tabllonë “pozitive”).

Sidoqoftë kjo është vetëm një shmangie taktike, e diktuar vetëm nga nevoja ekonomike. Deri në vdekjen e Enver Hoxhës regjimi nuk mund të ndryshonte absolutisht (ai qe 73 vjeç-) midis të tjerash për arsye sepse ai ishte partia, regjimi. Fakt i çuditshëm: u armiqësua me aleatin kur vendi mik u liberalizua.

 

Ballshi

 

Udhëtojmë nëpër fushën naftëmbajtëse të Ballshit. Rafineria, pak modeste sipas kritereve përëndimore, është ndërtuar nga kinezët. Por ata nuk e përfunduan atë, sepse ndodhi më para tij armiqësimi. Zyrtarisht tregojnë që ata “u përpoqën të sabotojnë” gjë që unë dyshoj. Ajo sot funksionon pjsërisht. Lumi që përshkon Ballshin, është krejt i zi, i ndotur nga nafta. Regjimi kërkon të besojmë se s’ka ndotje në vend. Kjo është pjesërisht e vërtetë..sepse ka pak industri. Por ku ka industri, atje ka edhe ndotje. Ekologu i respektuar francez R.D. dikur kandidat i pasuksesshëm për president republike, ka shkruar se Shqipëria e mbron modelisht natyrën e vet. Nga ana tjetër ai bashkëkryeson shoqatën e miqësisë Francë –Shqipëri (është për t’u vënë re se pak para udhëtimit për në Kubë ai pat shkruar se atje s’ka të burgosur politikë; një vit më pas Fidel Castro liroi vetë zyrtarisht 600 të burgosur politikë..) Instalimet e shpimit dhe të pompimit janë të vjetra, ato duken mirë që nga autobuzi, tubat e naftës pikojnë dhe toka është nxirë prej naftës. Shumë pompa nafte nuk funksionojnë, minimumi një e dhjeta. Mos vallë shtresat po shterojnë? Mos vallë makineritë po vjetërohen? Nëpër tërë vendin stacionet e benzinës mbajnë parrulla për kursimin e naftës.

 

Saranda     

 

Vijmë në fund  të pasdites në Sarandë. Psi bëmë banjë para hotelit, që është paksa jashtë qytetit, mbetet shumë pak kohë për të shëtitur në grup në qendrën e qytetit. Për kriteret shqiptare, ai është i pasur, me ndërtesa të shumta të reja të ngjyera në të verdhë, që ë kujtojnë disi Greqinë dhe i bëjnë të hareshme blloqet e banimit. Qendra është kryesisht një vendqendrim pushimor për elitën partiake, që mbush plot hotelin e  mirë ku banojmë ne. Në qendër është një lagje e tërë me shtëpi të mjera, por s’kam mundësi ta lë grupin e të shkoj atje për vizitë. Zgjedhja e mallrave në shitore është e madhe në krahasim me qytetet e tjera provinciale. Shëtisin shumë ushtarë të marinës luftarake. Në port nuk ka absolutisht asnjë anie peshkimi ose varka peshkimi. Mos vallë për shkak të afërsisë me Korfuzin, që duket mirë nga këtu? Në shitore nuk ka peshq të tjerë përveç sardeleve nga Vlora. Në vend që të flija unë dola të shëtis krejt vetëm herët në mëngjes. Në port ka vetëm një anie mallrash shqiptare, më pas vjen  një anie ushtarake e shpejtë me motor nga ana e jugut; hamendësoj që ajo kontrollon detin për të pamundësuar ikjen në Korfuzin e afërt.

 

Butrinti

 

Pas një udhëtimi të ngadalshëm një orësh në një rrugë të ngushtë, ku ndeshëm në shumë ushtarakë me gomarë transporti, erdhëm në mbeturinat antike të Butrintit. Pas vizitës së rrënojave autobuzi na çoi në një restorant luksoz pranë detit, kupushojnë kuadrot. Disa bij të elitës shkuan të bënjë banjë, ata fishkëllejnë melodi përëndimore që s’i kam dëgjuar kurrë në radion shqiptare. Mos vallë ata dëgjojnë stacionet përëndimore apo kanë sjellur gramafonë dhe disqe? Asnjëherë s’kam dëgjuar nga radio program tjetër veç atij në shqip, prandaj vura vesh duke kaluar pranë banesave me dritare të hapura. Asnjëherë s’kisha parë ndonjë antenë televizive të drejtuar nga tjetër stacion përveç atij shqiptar, ndonëse në atë rajon mund të kapësh edhe sinjalet e televizonit grek.

Nga ana tjetër atje jetojnë pakica greke, të cilat sipas thënieve të të ikurve kanë vuajtur nga përndjekjet. Mund vetëm të them që të gjitha mbishkrimet janë në gjuhën shqipe, zyrtarisht grekët kanë të drejtë të mësojnë në gjuhën e vet gjatë viteve të para të shkollës (gjë që është një farë diskrimnimi). Në librari pashë disa libra në gjuhën greke të gjitha të shtypura në Shqipëri, kryesisht përkthime të autorëve shqiptarë apo të veprave të shokut të madh. Ishte edhe gazeta “Lajko Vima” në greqisht, kopje e Zerit të popullit dhe e kontrolluar rreptësisht. Pashë vetëm një numër ku kryeartikulli i kushtohej librit të fundit të udhëheqësit të dashur “Kur lindi Partia”, po atë ditë kishte recenza për të në të gjitha gazetat shqiptare. Duke vështruar një hartë të re të Shqipërisë mora vesh që emri i qytetit grek Theollogo (fjala e Zotit) është ndërruar në “Partizan”. Mbi një kodër pranë gjirit duket diçka, që ngjan me një kullë vrojtimi. Ndërmjet dy rradhëve të portokalleve, një kuadër po reciton për mua një varg të gjatë të statistikave përrallore për bujqësinë. I mërzitur largohem për në restorant. Ky numër i programit quhet “vizitë në fermën shtetërore të Ksamilit”.

 

Gjirokastra

 

Në restorant kaluam pothuaj tërë pasditen, ai është larg çdo fshati, e vetmja gjë për t’u parë ëshët plazhi i bukur, që fsheh pakëz kushtet e jetesës së shqiptarëve. Vijmë në Gjirokastër në mbrëmje dhe duhet të shpejtojmë për në shtëpinë –muze, ku ka lindur shoku i madh. Është natë pasi bëmë vizitën dhe nesër duhet të udhëtojmë. Si zakonisht zgjohem herët në mëngjes dhe shëtis nëpër qytet. Ai është një qytet- muze me shtëpi të vjetra dhe ndërtesa të pakta të reja. Në qendër pranë hotelit të mirë, ku banojmë ne janë shitoret, rrugicat dhe shtëpitë e vjetra të ngjyrosura hareshëm shumë të këndëshme, rrugicat e shtruara dhe të pjerrëta që më përcjellin për në lagjet e tjera. Ka vetëm një banak druri për të shitur fruta dhe perime. Ngarkesa sillet me kuaj ose gomerë, nganjëherë  ndonjë kamion i vjetër kalon nëpër rruget e pjerrëta. Pata mundësi të kem disa kontakte me popullsinë tepër të përzëmërt, por ajo si zakonisht kufizohej për disa sekonda shkëmbim muhabetesh banale. Si në Turqi aty ka hamej, pashë edhe romë të leckosur. Megjithatë për shkak të mosqenies së lagjeve të reja proletare qyteti është i këndëshëm dhe parrullat ngrihen vetëm në qendër. Në kështjellën qendrore ka një muzeum armësh, që e vizitova, me të gjitha llojet e pushkëve dhe shumë gjëra të tjera jo interesante  sikurse një citat dhe një bust i shokut të madh, një statujë partizani plot urrejtje në fytyrë.

 

Drejtshkrimi

 

Ndonëse drejtshkrimi shqip është fonetik shoh shumë gabime gramatikore në afishet e shkruara me dorë, në parrulla madje edhe në tabelat e dyqaneve. E pyes drejtuesin, mos vallë janë forma dialektore dhe ai përgjigjet pa mëdyshje: “absolutisht jo!”. Regjimi mburret në broshurat propagandistike për nivelin e  lartë të arsimit të popullsisë, megjithatë edhe në vendet me drejtshkrim të vështirë nuk kam parë aq shumë gabime në fjalët e thjeshta.

 

Patosi

 

Qendrimi dyjavor përfundoi. Nuk kam parë kaq shumë muzera, nuk kam humbur kaq shumë kohë duke pritur autobuzin ndonjëherë tjetër si këtu. Janë përpjekur më shkathtësi të na pengojnë kontaktet me anë të zhvendosjeve të çmëndura. Atë që pata mundëis ta shoh për dy javë, mund ta realizoja i vetëm brenda 2-3 ditësh. Në fund të qendrimit, duke ardhur në qytet, kur shikoja një fabrikë të re, ndërtesë të re apo një hotel të ri thoja: atje do të shkojmë. Dhe nuk gaboj se unë tash e njoh mirë Shqipërinë zyrtare. Pranë Patosit është një restorant i ri buzë rrugës. Dhe kuptohet që ne ndalëm atje. I bie rrotull restorantit dhe shkoj në guzhinë, ata që shërbenin aty dalin njëri pas tjetrit dhe ..Epo unë flas shqipm jo shumë mirë por mund të më kuptojnë. Nga vij unë? Ata duan të shohin paret e huaja, habiten nga filigrani dhe cilësitë e monedhës së huaj. Në përgjithësi kartmonedhat shqiptare janë shumë të pista për shkak të përdorimit të gjatë. Mos vallë këtë e mundëson stabiliteti  çmimeve? Nuk e di, megjithatë kam parë një herë një shishe me raki të mirë, çmimi i të cilës (12 lekë) ishte hequr dhe zëvëndësuar me 17 lekë. Populli nga ana tjetër flet me lekë të vjetra ( një lek i ri-= 10 lekë të vjetër), a ishte nevoja ta rivlerësonin lekun në se çmimet absolutisht nuk do ndryshonin?

Kontaktet me ata njerëz janë për mua burim i një gëzimi shumë të madh, sikur të kisha dalë nga ndonjë çmendinë dhe të kisha gjetur njerëz normalë. Ata më dhuruan fruta. Sikurse kudo në Shqipëri, njerëzit e harrojnë budallallëkun e sistemit. Më në fund autobuzi lëshon burinë, duhet të nisemi. Kryekamarieri më pyet në një gjuhë shqipe pa theks, në se di disa fjalë greqisht. Kur largohem më përshëndet në greqisht. Ai është grek dhe dëshiron të më tërheqë vëmëndjen se këtu jetojnë grekë.

 

Fieri

 

Ndalim në Fier për të ngrënë. Në vend që të pijmë një kafe unë dalë të shëtis pranë hotelit. Rruga kryesore mban emërin e  shokut të madh. Ajo është relativisht e re me fasada të shumta të lyera rishtaz, në mes ndën pemët është një bust i Stalinit. Shoh automobilin ku rri një familje e tërë. Një grup prej tridhjetë njerëzish po vështron një motorçikletë Honda me targë të Tiranës. Pranë, dy djem njëzetëvjeçarë me Jawa duken të veshur thjeshtë. Para hotelit parkon një veturë  dhe një karrocë me kalë. E fotografova rrugën kryesore. Rrugët pranë saj janë më modeste, njerëzit rrinë në trotuar pranë një restoranti të varfër ku janë parkuar edhe disa karroca të tjera me kuaj. Ndërkohë dëgjohet buria e autobuzit.

 

Përshtypjet e  fundit

 

Jam sërish në aeroportin e Rinasit, të rrethuar nga ushtarët ashtu sikurse erdha. Përsëri po ato foto të shokut të madh që më duken të çuditshme. Muzika si më parë ka melodi ushtarake. Në doganë nuk më kontrollojnë rreptë. Para shkallares së avionit një polic ma kontrolloi pasaportën me kujdes, krahasoi foton në të me fytyrën time, pranë i rri një ushtar i armatosur me uniformë të re fringo që stonon me unifomat e vjetëruara që kam parë gjithëandej. Këtë e bëjnë për të ndaluar ndonjë që don të ikë. Çdo javë në verë ka 4-5 fluturime për në Shqipëri, kryesisht të kompanive lindore. Këtu vijnë kryesisht disa të privilegjuar e të filtruar më parë nga agjentët turisrtikë. Avioni hungarez nis fluturimin, toka poshtë nis e bëhet më e vogël, edhe bunkerët nuk duken më. Po ashtu ato tri Mig-ët në fushën e aeroportit dhe shumë topa kundërajrorë. Shtëpitë zvoglohen , njerëzit duken si miza. S’e kisha parë asnjëherë kështu tokën që lija poshtë duke u larguar me fluturim. Avioni drejtohet për kah deti, ndonëse ka edhe rrugë tjetër, por nuk na lejohet të fluturojmë mbi tokë..

 

 

Bardhyl Selimi

Përgatiti : Bardhyl Selimi

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s