PËR DINJITETIN KOMBËTAR / Nga Rasim Bebo

PËR DINJITETIN KOMBËTAR

 

 

200px-Rasim_Bebo

Nga Rasim Bebo

 

 

Të dy kryetarët e partive kryesore në Shqipëri, PS – PD, hapin fushatën elektorale me parullat: “VOTONI ME DINJITET” dhe “PUNONI ME DINJITET. Këta të dy zotërinj dhe grupi deputetëve që u shkojnë pas, janë brumi më i përfolur, që përplasen me revole dhe para, janë aktualisht deputetët më pa dinjitet. Dinjiteti njerëzor është forcë gravitacioni, që i jep kuptim jetës. Ndërsa Flori Bruqi nënvizon: “Individ dinjitoz ështe ai, që ia del të jetë në paqe me veten dhe me të tjerët”. Një shoqëri që nuk kujdeset për lartësimin e dinjitetit të qytetarëve të saj, lëngon nga primitivizmi.

Komunizmi ka qenë armiku më i egër i dinjitetit njerëzor. Ai e kolektivizoi aq shumë personalitetin e çdo individi, sa jeta e secilit humbi veçantinë e saj. Komunizmi kënaqej me majmunërinë e turmave dhe i nxiste ato, të urrenin ata që ruanin me fanatizëm dinjitetin. Dinjiteti ishte një kërcënim i hapur për diktaturën. Burgjet dhe kampet e zeza të internimit ishin “mullinjtë” ku tirania bluante krenarinë shqiptare. Dinjiteti i të martirizuarve, nuk pranonte mëshirën. Kurse solidariteti i tyre, ishte avokati më i fortë edhe i dinjitetit të tyre. (L.M.)

Tendenca për të afirmuar dinjitetin njerëzor dhe qenien njerëzore si të padefinueshme, si të paçmuar, është një gjë e shenjtë edhe për vetë Zotin, pra, vlerë që nuk duhet diskutuar. Kjo dukuri i dha udhë njërës prej lëvizjeve më progresive që ka njohur historia njerëzore: Rilindjes evropiane.

Në pamje të parë, greva e urisë, mund të duket një akt i pastër dinjiteti. “Ju më hoqët nga puna, atëherë unë po ju tregoj se kam plotësisht të drejtë. Dhe për ta vërtetuar këtë, jam gati të shkoj deri në vetëflijim!”. Ky është pak a shumë sensi i çdo greve të urisë. (F.B.).

Rama dhe Thaçi “shuplakë” familjes së ISA BOLETINIT. ( “TEMA” 11-6-2015). A kanë këta zotërinj dinjitet me qëllim kombëtar? JO. U bë shumë mirë që u varros në Boletin, në Mitrovicë, që të dihet se Mitrovica ka qenë, është dhe do të jetë shqiptare. Vlorën nuk e rrezikon kush, por Mitrovica rrezikohet dhe varrosja e ISA BOLETINIT në Mitrovicë është gur i rëndë vetëm atje. Rama dhe Thaçi kishin biseduar më parë dhe si kryetarë të dy shteteve, vendosën që varrimi të behet në Vlorë… Kështu plotësohej dëshira e serbëve që nuk e duan në Mitrovicë varrin e tij të shenjtë. I nderuar Lexues : Peshoni DINJITETIN KOMBËTAR të këtyre kryetarëve të dy shteteve shqiptarë. Këshilli organizativ u bëri ftesa të gjithë organeve shtetërore, për të qenë të pranishëm në tubimin e ceremonisë së varrimit të eshtrave të ISA BOLETINIT. Asnjë nuk mori pjesë. Atëherë, ku është dinjiteti i kryeministrave të sotëm dhe i atyre që kanë qenë për gjatë dy dekadave e gjysmë, që nuk morën pjesë për të nderuar këtë figurë të madhe kombëtare dhe më keq akoma, mungoi edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Që të jesh pro i negociatave me serbët, për mos varrosjen e ISA BOLETINIT në Boletin të Mitrovicës, tregon se këta zotërinj: “e kanë hequr nga vetja e tyre dinjitetin, sikur ai të ishte zorrë qorre, a diçka tjetër e panevojshme”. (F. B.)

T’ju vijë turp, që jeni kuadër pa DINJITET, që jeni bërë një me politikën sërbe dhe greke, të cilët vendeve tona ua kanë vënë syrin me kohë, i duan pa figura të “Rilindasve Kombëtarë”: Mitrovicën pa ISA BOLLETININ, Përmetin pa NAIM FRASHËRIN, Korçën pa Themistokli Gërmenjin. U drejtohem juve, presidentë, kryeministra dhe ministra të kësaj kohe, nga viti 1990 deri sot; që nuk morët pjesë asnjë nga ju, në ceremoninë e rivarosjes së eshtrave të ISA BOLETINIT, kaq poshtë keni rënë nga DINJITETI KOMBËTAR?… Qofshi ju që jeni, se keni për t’u mbajtur mend në histori, si drejtuesit më negative të kombit Shqiptar…

Rexhep Shahu shkruan: “T’u shoftë jeta qeveri”. “A thua kanë ardhë në pushtet Rama e Meta me shpopullue Shqipërinë?… A mos i ka sjellë në pushtet ndonjë fuqi e huaj që i intereson të shprazet Shqipëria nga shqiptarët”. (Kur u mungon dinjiteti kombëtar, krahasoheni me Çubrilloviçin, që donte shpopullimin e Shqipërisë. (R. B.).

“Teksa endem nëpër qytet, më bëhet se shoh vetë Vaso Çubrilloviqin në Kukës, duke u knaqë … Më bëhet se Vaso Çubrilloviq fërkon duart e niset drejt meje sfidues. Unë marr pozën e krenarit. Ai me gishtin e madh të dorës së djathtë më tregon Ramën e Metën, që sapo u larguan dhe qesh me mua. Më fton për kafe. Unë refuzoj. Jam profet, më thotë nga larg. Shporru mut, i thërras unë. Jam në ju, thellë në ju, në shpirtin e qeveritarëve tuaj jam, më thotë me një zë të ultë Vaso… Kufoma ime endej nëpër Kukës. Dikur vonë foli : Rrofsh qeveri e mos të zantë sabahi” (Flori Bruqi, “Mbresa nga Kukësi 12-6-2015).

Hipokrizia e Janullatosit: Për çfarë dinjiteti flet ti Janullatos? Kur kurorëzimin e ke të vjedhur, kur ke zënë vendin e murgut Kozma, për të vendosur helenizimi në truallin shqiptar, kur vjedh kufoma shqiptarësh për ushtarë grekë, kur ti ke krijuar shtetin grek brenda shtetit shqiptar. Kur punën tënde e lavdëron kryeministri juaj grek hapur, se në Shqipëri punoni me Dinjitet për Greqinë.

Me këtë dinjitet të “Megali Idesë” kanë folur pararendësit e Janullatosit kundër Shqipërisë dhe gjuhës shqipe. Murgu Kozma punoi me dinjitet të madh për helenizimin, për Greqinë, por këtu gaboi, se ishte në truallin shqiptar dhe kryetari atëhershëm i vendit i dha dënimin me vdekje. Pikërisht në këtë kishë ortodokse, ku ju flisni kaq bukur për dinjitetin njerëzor, që e keni kthyer nga kishë shqiptare në kishë greke, brenda në shtetin Shqiptar. Këtu është ndryshimi, se murgu Kozma u vra, ndërsa ju, sigrek gëzoni “Poliharenë” nga krerët shqiptarë, bile të puthin edhe dorën.Kur në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” nuk keni asnjë portret të priftërinjve dhe peshkopëve martirë që kanë gjetur vdekjen me masakra nga paraardhësit e tu. Ata kanë qenë me dinjitet të lartë, që u flijuan për gjuhën shqipe dhe Shqipërinë. Zëri, i Koto Hoxhit, Papa Kristo Negovanit, At Stath Melanit, Petro Ninit, Nolit, Xhuvanit, Kisit etj, na thërret orë e çast, për t’i kthyer dinjitetin e kishës shqiptare.

Janullatosi si pasrendës i peshkopëve grekë mbajti liturgjinë e shenjtëpër festën e pashkës: “Ftoi besimtarët të përpiqen për dinjitetin e njeriut, për mirësi dhe paqe në botë”. Prit Janullatos, ju flisni “për mirësi dhe paqe në botë”, dhe si peshkop grek që jeni, ju ruani ligjin e luftës për të mbuluar masakrën dhe genocidin e Çamërisë. A nuk është e padrejte dhe mëkat kjo që keni bërë? Dhe më tej, ju thoni: “Me ngjalljen e tij, Krishti lartëson dinjitetin e njeriut, të cilin e rrëzon padrejtësia, mekati dhe korrupsioni. Njeriu me dinjitet është i drejti, i vërteti”. Ju vetë, Janullatos, keni shpalosur pllakatin e padrejtësisë, mëkatit dhe korrupsionit. Ju merreni me të gjitha poshtërsitë dhe prapaskenat kundër kombit shqiptat. Ju me dinjitetin e kishës greke uzurpuat kishën Noliale dhe jeni futurë në luftën për të zhdukur Rilindjen Kombëtare Shqiptare. Por mëso se toka po të digjet nën këmbë!…

Ne shqiptarët, fesë katolike dhe drejtuesve të parë të saj, u jemi mirënjohës për dinjitetin që na e kanë ngritur lartë siç na takon.

PAPA PALI VI U PRONONCUA:

“Shqiptarë, do të realizohet testamenti i Skënderbeut, sërish do të shkëlqejë me Lavdi Atdheu Juaj …” (PAPA PALI VI (1897-1978)

Lind pyetja: Dhe sa kohë do presin shqiptarët?!… Dhe sa kohë trevat shqiptare do mbeten të robëruara?!…Dhe sa kohë shqiptarët do jenë viktima e politikanëve vendas?!… Kjo pyetje mbetet pa përgjigje, sepse jemi akoma të skllavëruar nga politikanët tanë, si në Shqipëri, Çamëri, Maqedoni, Kosovë dhe Mal të Zi.

Asnjëri nga politikanët tanë nuk e ngriti zërin dhe nuk mori guximin të negociojë me Vatikanin, që ky Testament të bëhet publik nga Selia e Shenjtë.

PAPA FRANÇESKU, në Tiranë tha: “Shqiponjat fluturojnë lart, shumë lart dhe Ju jeni bijtë e Shqiponjave”. (Zëri për drejtësi, 25 maj 2014).

Asnjë nuk mund të bëhet me kombësi tjetër, kur lë kombësinë tënde, mbetesh po tek e para. Janë dy shqiptarë që kanë braktisur Dinjitetin, njëri general dhe tjetri akademik. I pari don të bëhet grek dhe i dyti sllavo-serb. Në rrotullimin e të quajturës demokraci, nga viti 1990 Gjeneral Kiço Mustaqi braktisi dinitetin shqiptar, u arratis, shkoi në Greqi për t’u kthyer në grek dhe u kthye me forcat greke kundër atdheut të tij, Shqipërisë në vitin e katrahurës së 1997-ës . “Albanologu” shqiptar Kapllan Resuli, ua ka kaluar edhe historianeve dhe intelektualëve serb, për sa i përket mohimit të historisë shqiptare, pasi ai së fundi vetën e tij nuk e konsideron më shqiptar, por serb. Ndërsa romani i tij “Tradhëtia” përdoret në librat shkollore të Shqipërisë. Kjo është fatkeqësi, që braktisën Dinjitetin kombëtar Shqiptar. (“DITA “, 2 -6-2015).

Gjithë ato aspirata humane dhe hove shpirtërore do të shuheshin në plutonin e trekëndëshit, në burgun e kalasë se Gjirokastrës në mëngjesin e nëntorit të vitit 1937. Para se të shkonte me dinjitet të lartë drejt vdekjes, Ismet Toto, do të shkruante letrën e fundit, “De Profundis”, ku në mes të tjerash, do të shënonte fjalët: “BOTA NUK ËSHTË E ATYRE QË NGROHEN. BOTA ËSHTË E ATYRE QË DIGJEN “ Ka 105 vjet qe s’e ka prekur koha. Ja, pak krijimtari nga Ismet Toto: Një pyetje që më çjerr shpirtin: ku vemi kështu?

 

GËNJEJ?

 

Kur s’jam ai që dukem në të parë,

Kur qesh me zor – se më vjen për të qarë,

Kur flas pa dashur- se dua të mos flas,

kur ri i qetë dhe dua të bërtas,

Atëherë zëmra ime është gati të pëlcasë

Dhe shpirti më nxin, vuaj pa masë.

Dhe loti që pikon nga syri im,

Më siguron se s’ka asnjë shkëlqim.

Fati im, në këtë jetë pa mbarim.

 

15 maj 1929. (nga prof. Nasho Jorgaqi).

 

Ka 20 vjet që çdo kryetar partie thotë: “Votoni me dinjitet”, dhe japin premtime të hapura apo të fshehta, për të garantuar një punë në shtet. Është përsëritur e njëjta histori. Pala fituese largon palën humbëse dhe vendos të vetët në poste zyrtare. Deputetë të inkriminuar, hajdute, gënjeshtarë, të pa arsimuar, interesaxhi, kriminelë, vrasës. Një ndër këta deputetë, është Shpëtim Idrizi, që tërhiqet prej kapistallit, herë nga PD, herë nga PS, me 5 deputetë të partisë çame, herë bashkohen dhe herë ndahen. Dhe për votën e çamëve, Edi Rama heq Dulen dhe vendos Idrizin nënkryetar të parlamentit. Këtu nuk kemi të bëjmë me dinjitet, kur “Rezoluta Çame” rri akoma në sirtarët e tradhtuar nga vetë drejtuesit çamë, që nuk e kërkojnë me dinjitet, për t’ia kundërvënë rezolutës greke, që ka shpallur se “Çamëria nuk ekziston”. Zotërinj, kurrë do të DINJITIZOHENI, ju?…

 

 

Rasim Bebo,  Addison, Çikago, qershor 2015.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s