Një rrëfim i Laureta Roshit për gazetarinë shqiptare / Bisedoi: Raimonda MOISIU

Lori3

 

Një rrëfim i Laureta Roshit për gazetarinë shqiptare

 

Gazetarja Laureta Roshi ka një karrierë të gjatë e të admirueshme në median e shkruar dhe atë vizive. Lorit i është dashur të jetë aty ku ka qenë lajmi dhe informacioni për ta përcjellë atë në kohë dhe saktë. Bëhet fjalë për një gazetare me pasion, çiltërsi, përkushtim, sakrifica, ndershmëri dhe mbi të gjitha ndjeshmërinë ndaj profesionit të gazetares. Tashmë me një bagazh erudit, qytetar e intelektual, Lorin e gjen gjithmonë në kërkim të më të mirës, interesantes e profesionales si gazetare realizuese, redaktore, gazetare investigative, gazetare radiofonike dhe televizive, raportuese nga terreni, shkruese e linjave editoriale për problemet mjedisore dhe sociale. Eksperte e jashtme në gjykatë për fëmijët me prindër në proces divorci. Së fundmi ajo ka shfaqur ambicien me sfidën e rradhës, duke garuar për të qenë drejtuese e RTSH. Për ta njohur më mirë Lorin, unë po ju lë në shoqërinë e këtij rrëfimit interesant të udhëtimit të saj në rrugën e bukur dhe të vështirë të gazetarisë.

 

 

1-raimonda

Bisedoi: Raimonda MOISIU

 

 

 

Znj. Laureta, dëshiroj te jem e drejtpërdrejtë. Ju keni një karrierë të gjatë në gazetari. A mund të na përshkruani momente nga eksperienca tuaj? Si jeni ndjerë kur keni dalë më mikrofon në dorë duke transmetuar lajmin në terren, gazetë apo studio, për herë të parë?

 

Për herë të parë! Hera ime e parë nëse mund të quhet, ka qenë në oborrin me shtratin e rrushit në ballkon me gjyshin tim libohvitin e mençur. Ai krenohej për energjinë time dhe përherë u thonte familjarëve tani do të dëgjojmë çupën..dhe kështu audienca ime ishin përherë të mirëdashur familja, kushërinjtë dhe fqinjët tanë dibranë e myzeqarë. Emocion dhe kur merrja gazetën lokale dhe gjeja një shkrim të vogël me L.R. dhe vrapoja te babai im. Emocione dhe përgjegjësi, që pak ndryshoi, me mikrofon në dorë. Ndryshojnë disi herëte para. Në gazetë më e thjeshtë. Një lajm, një makinë shkrimi dhe e nesërmja derisa gazeta të mbërrij në qytet për të patur lajmin e botuar! Më pas në Tiranë në kafenë e mëngjesit te qoska e gazetave teksa hap gazetën dhe rastis, që një lajm politike e ka fshirë reportazhin tënd! Në Radio Tirana, një ndjesi rrugëtimi përherë me shijen e kadifenjtë të veshi, ndërsa kokën e ngjisja fëmijë në kutinë e radios ruse në kuzhinën e ngrohtë deri te kufjet apo telefoni në mjedisin e hapur. Televizioni një ankth dhe emocion…një terren me të papritura qoftë dhe për boritë e makinave…kështu emocionet rikthehen kur kalon kohë dhe dikush ta kujton shkrimin apo raportimin tënd dhe ndihesh mirë.

 

A ju kujtohen ditët tuaja të para si gazetare? Çfarë ka ndikuar te ju më shumë apo diçka e papritur që ju zgjodhët të jeni gazetare?

 

Nëna ime ishte shtruar në Tiranë, viti 1993. Në atë kohë punoja mësuese në Petovë të Fierit. Rrugës diku te blloku i ministrive shoqja ime e gjimnazit Mel, më thirri dhe me prezantoi me të fejuarin e saj Besnik Ajazin, duke më thënë se i kish folur për mua dhe se ne redaksinë ku punonte ai ishte një konkurs, mund ta provoja. RILINDJA e Prishtinës në Tiranë dhe një konkurs në parametra. Pas testimit një kohë prove e paguar për 3 muaj. Në një tavolinë me Sami Nezën, Mero Bazen, etj, se nuk më kujtohen më, në mjediset e ATSH-së. Ky ishte fillimi im seriozisht në media. Rezultatet dolën në gazetë, kisha fituar fazën e parë e kështu gazetaria më zgjodhi apo e zgjodha e doja audiencën, në një formë apo tjetër talenti sipas të tjerëve gjeti rrjedhën e publikimit. Me letër shkova në redaksinë e të vetmes gazetë lokale Fjala Jonë, aty gjeta dy gazetarë dhe kështu nisi. Nuk do ta harrojë asnjëherë pritjen në rradhën e postës Fier në të vetmin faks të qytetit për të kaluar lajmin tim ndërsa njerëzit pyesni i kishin gjallë fëmijët apo jo në copa letrash me numra telefoni të shënuara telefonatë pas telefonate.

 

Çfarë mëkati i njihni vetes nga puna si gazetare e dy kohëve, para dhe pas ’90-s ?

 

Mëkat?? Nuk e konceptoj kështu. Unë nuk kam qenë gazetare para ’90 madje as nuk mund ta mendoja pavarësisht talentit tim të mbështetur nga mësuesja e letërsisë Pranvera Habibi Gjergo dikur gazetare e Radio Tiranës dhe e drejtorit të shkollës Sokrat Plaku. Poezitë e mia u afishuan në murin e shkollës, shoqet i shumëfishonin në copa letre. Dhe kaq do ishte nëse sistemi nuk do binte, pasi edhe me ndarjen e të drejtave të studimit unë nuk kisha të drejtë lëndë shoqërore. Pavarësisht mesatares sime të lartë, në seksionin e arsimit një grua e gjatë dhe rreptë me emrin Xhevrije me tha “Partia nuk ta beson ty brezin e ri. Edhe Cehovi ishte mjek”. Kështu shkova në inxhinieri mekanike, një studente me gërsheta dhe dëshirën për t’i ikur presionit në jetën time. Më pas tre muajsh ndryshova degë në mes të vitit dhe shkova në Elbasan. Ëndërroja të studioja gjuhë-letërsi. Viti i ndryshimeve më gjeti studente në vitin e fundit dhe kisha për pedagogë personalitete të historisë si Bardhyl Graceni apo të gjuhës shqipe si Mehmet Çeliku e Emine Sadikaj,etj, shumë emra të cilët me seriozitetin dhe pasionin e tyre vulosën në mendjen time rezistencë dhe punë.

 

A mund të na përshkruani shkurtimisht Sarandën, një qytet bregdetar në pozicion strategjik, por edhe ku ndërthurren ngjarje, aktivitete të ndryshme nga jeta social-politike-ekonomike-kulturore, dhe juve iu është dashur të jeni aty ku ishte lajmi, informacioni, për ta përcjellë atë në kohë dhe saktë?

 

Saranda, një liman ndjesish në moment të vështira të miat, pas një përplasje me drejtorin e ri të informacionit në RTSH e një ish-kolegu të Albania. Pas zgjedhjeve të 2007, ku unë isha përgjegjësja e rretheve e studiove lokale dhe ai sa erdhi e përqendronte diskutimin pikërisht te lajmet nga rrethet pas çdo edicioni lajmesh. Kjo ishte strategjia e tij për të mbajtur larg këshilltarin e drejtorit nga lajmet. Unë nuk e kuptova këtë që në fillim dhe rezistova duke mbrojtur kolegët në rrethe. Pas një auditi të kërkuar nga unë drejtori koleg u zëmërua keq, pasi auditi i brendshëm e gjeti atë gabim jo mua, më thirri në një zyrë ku ishte edhe një zonjë projektesh dhe më tha “ti goce ke hyrë nga dera do dalësh nga dritarja”. Kaq ndodhi, që 4 vite pune me rrethet u shumëzuan me 0! Emri im direkt vendosej në grafik dezhurni të shtunën pasdite e të dielën, që ishin ditët që vrapoja drejt Arbrit te prindërit e mi. Të mendosh që isha gazetarja që përgatisja krejt telereportazhet nëpër atdhe, të cilat nuk u kontestuan në studio nga asnjë palë në emisionin që zotëria X bëri në RTSH tok me paratë e projektit. Ky ishte dhe viti që u vlerësova gazetarja televizive më e mirë për të drejtat e njeriut në vend. Nejse, e fitova si proces gjyqësor konfliktin me drejtorin që pas ca muajve s’ishte më drejtor, por unë i isha drejtuar gjykatës dhe deri sa procesi të zgjidhej u arratisa të shihja Sarandën në dimër. Një ftesë e një poeti që kish marr një licencë televizive. U përthitha në emocione të forta. Bëra të prekshme ëndrrën time. TeleJoni foli shqip dhe në mënyrë korrekte nga një licencë në letër në imazh në ajër deri në Korfuz edhe aty ku valët e RTSH, po humbisnin terren. Skuadra e studentëve të rinj, apo reportereve të qytetit që gatuanin brenda mureve të shtëpisë me diploma gazetarie e shkundi mentalitetin se në Sarandë s’kish gazetarë. Natyrisht të hershmit gazetarët e aparateve shtetërore u prekën, po unë isha avull në ëndrrën time dhe nuk llogarita mentalitetet që ngacmoja. Ja dolëm. TeleJoni dhe Tv Saranda u bënë laboratorë të gazetarëve të rinj. Ndihem mirë që pata kolegë nxënësit e mi.

 

Si iu lindi ideja për të qenë pjesë e gazetarisë, në Radio Televizionin Shqiptar apo në Radio Tirana, ishte dëshirë, sfidë apo detyrim moral i rëndësishme nën ndikimin e kulturës, historisë e fenomeneve sociale, ekonomike dhe politike në komunitet, apo….?

 

Viti ’94 në qytetin e Fierit vazhdoja korrespondenten e Rilindjes. Botoja një gazetë lokale “Nesër”, në një shtypshkronjë me gërma plumbi ku më pas me Suzana Bogdanin, kolegen time e zhvendosëm botimin në Vlorë, në një shtypshkronjë më të shpejtë. Drejtoja një rreth të rinjsh për median. Më vjen mirë që tani ata janë profesionistë të suksesshëm dhe ma kujtojnë atë periudhë. Një telefonatë nga redaksia, një ftesë nga Genc Ymeraj, një zë i plotë nga Radio Tirana, më ftoi në emisionin e drejtpërdrejtë nga telefoni i shtëpisë në studio e Radio Tiranës. Punoja gjithë javën për gazetën dhe radion, nuk e ndieja kohën. Pasditet me erën e ndryshimeve na gjenin ne, një brez në kërkim duke dëgjuar kasetat që filluan të vinin në magnetofonin e madh në qendër të qytetit. Kështu ngatërrohesha mes emocioneve dhe suksesit dhe për saktësinë dhe zërin e ngrohtë. Po askush veç meje nuk e dinte si rrihte zemra ime kur isha në transmetim të drejtpërdrejtë, ndërsa dhe hapat në dhomën me dhoga me dukej se do dëgjoheshin në radio.

 

Çfarë do të dëshironit të thoni në lidhje me karakterin e përgjithshëm të gazetarisë shqiptare, Ballkanike apo Lindore, në krahasim me atë perëndimore, bazuar në ato ç’ka ju keni lexuar, dhënë lajme apo vënë re?

 

Gazetarët në Shqipëri lodhen shumë dhe janë të pasigurtë nga ana sociale. Përtej kufijve kanë një hierarki tradite që mbështetin kolegët dhe një sindikatë më të zëshme. Më parë ishte ngjarje kur nga institutet e medias të ftonin për një trajnim nga kolegët e huaj dhe vërtet kanë qenë dritare fantastike për mendjet tona. Publicisti Remzi Lani ashtu heshturazi na krijoi mundësi shumë të mira trajnimi ne brezit të gazetarëve të demokracisë. Tani teknologjia sjell shumë avantazhe..kontakte trajnime përballje dhe programe ndërkombëtare shumë të mira si BIRN.

 

Çfarë ju pëlqen dhe çfarë nuk ju pëlqen në punën tuaj? Në ditët e sotme tradita dhe realiteti “përzihen” me vlerat fetare. Në opinionin tuaj si gazetare profesioniste dhe e karrierës, a ka ndonjë konfuzion që ndikon në marrëdhëniet njerëzore dhe në marrëdhëniet mes kulturave të tjera ballkanike?’

 

Puna ime vazhdon të më pëlqejë. E sotmja si çdo periudhë ka dilemat e saja, ku tradita e lëkundur pas një diktature të egër dhe modelimi të njeriut të ri, filozofi dështakësh, është pasuar nga një boshllëk vlerash shoqërore, norma tashmë të zhvendosura për shkak të ndeshjes me kultura të tjera, me përballje të dobëta të intelektualëve tanë me akademikët e huaj apo veprimtaritë rajonale. Nga pozicioni shpjegues apo shfajësues që zënë lektorët fetarë, nga konfliktet e keqpërdorura në emër të besimeve apo sekteve dhe varfëria e skajshme në disa zona të vendit natyrisht që ka konfuzion siç ka indiferentizëm për të shkuar rregullisht në xhami apo kishë. Nevoja për të patur shpresën gjallë i ka bërë njerëzit të besojnë në legjendat urbane më rregullisht se në ritet fetare, ndërsa vazhdojmë të festojmë në harmoni çdo festë pavarësisht besimit. Po në fakt trashëgimia jonë shpirtërore është trazuar me nevojën e mbijetesës. Te kisha e lagjes ku unë kaloja dhe mbyllja sytë teksa shtrëngoja dorën e gjyshes, se rruga ish hapur përmes varreve të vjetra, aty ku luanin letra gjatë ditës dhe bënin stërvitje sportistët, tani është një kishë me mure të lartë dhe këmbana që gjëmojnë më shumë sesa besimtarë shkojnë apo një kupolë xhamie. Po lë pas misionarët që ofrojnë free revistat e sekteve apo pelegrinët murgj që shfaqen tani nëpër qytet. Një rrëmujë kaotike ndërsa kulturat e tjera ballkanike e gërshetojnë mënyrën e jetesës me besimin fetar përmes riteve që i mbajnë gjallë në lindje apo përcjellje në jetën e përtejme. Tek ne që nga afishimi i reklamave të agjensive funerale dhe mungesa e sipërfaqes së varrezave publike ligështohesh dhe mendoj se rritja e vlerës së jetës së individit do sjelli edhe vlerën e besimit të lirë.

 

Kam lexuar diku se ju kanë cilësuar si gazetarja guximtare dhe tejet aktive, gazetarja më profesioniste në dhënien e lajmeve apo edhe në intervistim, në studio apo në terren. Parasëgjithash përgëzime të sinqerta. Si lindi ideja e intervistimit, -si pjesë narrative jetësore e personazheve që përzgjidhnit të vijnë në jetën e përditshme, apo thjesht dëshirë…?

 

Selektimi i të intervistuarve në plotësim të lajmit apo ngjarjes dhe korrektesa e elementëve të lajmit nuk janë veti vetëm imja, por edhe e kolegeve që më komplimentojnë për profesionalizmin, një detyrë e bërë njësh me instiktin tashmë. Intervistimi ka ardhur si një normë e publicistikës gjatë kohës që punoja për gazetën Rilindja botim i Prishtinës, e sqaroj këtë se s’ka lidhje me RD-në e politikës. Te Rilindja lajmi botohej lajm, intervista intervistë e reportazhi reportazh, një liri editoriale, që kur u zhvendosa në redaksinë e Rilindjes dhe Albania -s në Tiranë në vitin 1996, më dha mundësinë të formoja stilin tim të të shkruarit në publik. Një stil i paredaktueshëm edhe te titulli. Kam preferuar të trajnohem çdo vit, të lexoj dhe studioj si dhe të respektoj mendimin intelektual te njerëzit e lexuar të këtij vendi, që fatmirësisht i arrita edhe atë brez të artë që i shpëtoi diktaturës gjallë. Kam intervistuar Robert Shvarc, Sabri Godo, Jakov Milaj, e dhjetëra personalitete për të cilët ndiej mall për zërin, frymën e tyre dhe atë që vizatuan brenda meje me fjalën dhe punën e tyre.

 

Si jeni ndjerë kur keni intervistuar për herë të parë, ku dhe kush ka qenë ai/ajo? Na tregoni si arrin ta bëni intervistuesen, procesin e mbledhjes dhe vënien së bashku të gjitha elementet intervistues? Cilat janë disa nga sfidat?

 

Besimi. Si të fitosh besimin e intervistuesit në kontaktin e parë, pa thënë jam gazetarja filan apo nga TV-X, ju marrim. Unë thjesht them jam Lori Roshi si je/ po punoj një shkrim apo kronikë mbi këtë çështje.. dhe më pas pyetja e thjeshtë dhe dëgjimi janë mundësia e artë e marrjes edhe të intervistës më të vështirë. Edhe kur nuk duan të flasin si burim dua të flasin me ty me mua..me dikë që i kupton dhe nuk i gjykon. I intervistuari i parë s’më kujtohet, por di që temat e para i gjeja nga bisedat e njerëzve të njohur. Në rrethin tonë ishin një brez i shkolluar në një qytet të mendimit intelektual të ngjizur në libra, në Fier ishte përqendruar truri i shkencës së naftës apo bujqësisë si dhe ishin qendrat e internimeve. Qyteti ynë u shndërrua në udhë pafund ashtu siç është plot udhëkryqe.

 

 

Lori

 

Ju gjithashtu jo në pak raste ju është dashur të bëni edhe gazetaren investigative. Ç’mund të na thoni për veçoritë e komunikimit mes krimit e ndëshkimit, fajit e pendesës, dhimbjes e etjes për jetën. Sa keni bërë ju për të bindur drejtësinë dhe fajtorët? A ka pasur momente që jeni ndjerë e dyzuar në punën tuaj për të marrë një vendim?

 

Po ndodh! Më së shumti dyzohem për rastet e krimit apo dhunës brenda familjes, mjerimin shpirtëror të autorëve dhe pamundësinë e ndihmës ndaj viktimave. Dyzohem për presionin që u bëhej njerëzve nga nevojat ekonomike dhe për një vizë kalimi, që ndryshonin emrat me vendime gjykatash pasi paguanin shuma të marra edhe kredi. Por them janë zgjedhje të individit, ndërsa ne përpiqemi për vendin tonë sipas profesioneve tona. Dyzimit i jap fund me një natë pagjumë, më ca kafe më shumë, me ndonjë pjatë të ciflosur deri te një shkrim i shkruar ftohë dhe qartë. Nuk dorëzohem lehtë.

 

Në kapacitetin tuaj krijues një vend të shquar zënë edhe dokumentarët. Cfarë ju ka tërhequr për realizimin e dokumentarëve me vlerë tradicionale historike e kulturore? Si kini arritur t’i realizoni?

 

Puna në skuadër është puna për dokumentarët dhe në skuadër përfshihet operatori, montazhieri, skenari që bën vetë shto edhe elementët e tjerë deri te orari i transmetimit. Mendoj se lëvizja me mjetet publike si pasagjere dhe angazhimi i operatorëve lokalë më të mire, e sjellin suksesin e një dokumentari, Deri sa i jap dorën e fundit skenarit mund të ndryshohet vendosja e intervistave, por kjo ndodh rrallë. Këndvështrimi i plotë ku janë të intervistuar historianët apo të cituar bashkë me botimin. Çdo detaj në një telereportazh ka vlerë, dokumenton..të merr kohën pa kuptuar aty ku kalendari ka ndalur në një datë, por kur ti transmeton të tjerë çifte përqafohen, të tjerë fëmijë vijnë në jetë..Dhe kur koha fiton përmes mendimit dhe figurës, fiton audiencë atëherë ja ke dalë.

 

Çfarë do të dëshironit të thoni në lidhje me karakterin e përgjithshëm të gazetarisë shqiptare, Ballkanike apo Lindore, në krahasim me atë perëndimore, bazuar në ato ç’ka ju keni lexuar, dhënë lajme apo vënë re?

 

E përmenda pak më parë, gazetaria ndryshon nga vendi në vend përmes gjuhës që flitet në atë vend, dhe natyrisht globalizimi i jetës duket sikur i jep fund tradicionales. Me kërshëri ne lexojmë mbi zhvillimet në vendet fqinjë ku historia është e ngjashme, por komentet të ndryshme. Nga lajmet që kam dhënë apo ato që vë re dhe lexoj çdo ditë them se nuk ndryshojmë shumë në përpjekjet si gazetarë se sa ndryshon efekti i lajmit, te ne harrohet shpejt. Në Kosovë pasohet nga një tjetër lajm, në Ballkan pasohet edhe nga reagime zyrtare dhe në vendet e tjera skandalet e bëra publike përmes medias bëjnë ndryshime, bëjnë transparencë të punës në institucionet publike. Për ne liria e mendimit është shumë më përpara se liria e medias, kjo dhe për faktin e interesave të vogla të pronarëve të medias private. Do doja ndoshta një treg më me rregulla të zbatueshme, ndoshta bërjen publike të aksionerëve në media dhe kontratave të punës me gazetarët dhe natyrisht tani jam në fazën që koha është në mendjen time. I gëzohem lirisë së komunikimit lëvizjes së lirë të shqiptarëve, paraqitjes me dinjitet të zyrtarëve tanë që po tregojnë një respektim të historisë së vendit dhe përpjekje të mira e në dritë për ruajtjen e konceptit të shpresës, se këtë vend po do ta bëjmë ne të rinjtë e fëmijët, ne frymorët që këmbejmë jo vetëm kohë me njëri-tjetrin.

 

A keni përjetuar fëmijëri të lumtur?A ka pasur në fëmijërinë tuaj se një ditë do të bëheshit gazetare profesioniste dhe një nga më të kërkuarat e më të pëlqyeshmet e shtypit shqiptar në tërësi, në të dyja kahjet e kufirit Shqipëri-Kosovë, nuk e ekzagjeroj nëse them në Ballkan e Diasporë?

 

Fëmijëria ime ka qenë e trazuar. Ne ishim të ardhur nga Libohova, më saktë im atë ishte fëmija më i fundit i familjes atje mes ditëve të errëta të një lufte civile, ku mbetën të vrarë dajo dhe gjyshi i tij, në mes të Libohoës dhe Nepravishtës, ku u pushkatuan 94 burra dhe djem civilë. Ndërsa gjyshi im luftonte me forcat antifashiste në veri. Një histori që rikthehej heshturazi sa herë vinin kushërinjtë erë-mirë, apo kur shkruanim atë biografinë me rreshtat e fundit se e donim partinë, ndërsa fëmijët e xhaxhit tim të madh edhe sot i kanë thonjtë blu nga burgu i Spaçit. Shtëpia jonë dykatëshe me një kulm të përbashkët zgjerohej nga martesat e reja ndërsa pati i nënës sime me enët e bakërta dhe zairetë e jugut, ishte përherë vendi më misterioz si dhe sënduku i madh. Nejse unë kam qenë fëmijë e gëzuar dhe shumë kurioze për jetën e rrugicës sime që niste me një kthesë dhe përfundonte me bregun e Gjanicës, një rrugicë ku mbrëmjeve në ballkon unë i dalloja fqinjët nga kolla dhe hapat teksa ktheheshin në shtëpi përgjatë luledorëzonjave që mbillte gjyshja ime. Nuk e kam menduar asnjëherë. Doja të bëhesha shkrimtare për fëmijë..Në klasën e parë shkova me abetaren e mësuar. Kisha kujtesë të mirë dhe nëna ime më mësoi t’i dua librat fort, librat që im atë m’i nxirrte nga xhepi i xhaketës me naftë. Kështu u rrita llasticë brenda mureve, e ndjeshme jashtë tyre, dhe rebele kur nuk kuptoja peshën që më ngarkonin me mbiemrin tim. Ndoshta këtu ka fillesën psikologjikisht dëshira për të patur një audiencë të cilës i përkushtohesha. Se kam menduar ndonjëherë këtë. Shoqet e mija thonë se isha çapkëne. Pavarësisht presionit që vinte nga ajo zyrë ngjitur me furrtarin e lagjes, zyra e frontit, unë isha me fat, vajza e një fisi me djem të bukur, e përkëdhelura e gjyshit me sahat të argjendtë dhe e nënës me gërsheta.

 

Në emisione të veçanta keni trajtuar tema nga jeta e përditshme e njerëzve të thjeshtë, familjeve brenda kornizave të mentalitetit shqiptar. Si ndiheni kur dëgjoni për krimin në familje, apo veset e tjera që kanë përfshirë një pjesë të komunitetit, sikundër droga e krimi?

 

E pafuqishme ndihem për të ndryshuar fatin e viktimave, por e përdor informacionin për të folur me njerëzit që njoh në skemat sociale dhe vendos kontaktet. Përpiqem të jem koherente me mundësitë e projekteve për viktimat dhe nuk rresht së reaguari për fatin e tyre. Nuk gjykoj, pikëllohem, dhe diskutoj zëshëm për atë që duhet të jetë më mirë. Parandalimi te ne mungon, edukimi me norma po ashtu, shembujt pozitivë ne i lëmë në harresë dhe them se është koha që të ketë sanksione mbi raportimet perverse të medias për krimet seksuale apo vrasjet në familje, pasi duket si një tifozeri detajesh abuzive sesa si një informim dhe koment në norma.

 

Ju jeni që nga ’92 pjesë e shoqërisë civile dhe platformës kombëtare për gratë. Vëre se jeni kaq kreative në ndikimin e faktorit social, politik, ekonomik dhe historik në shoqërinë shqiptare. Cilat qenë rrethanat që ndjetë nevojën për t’u shprehur e për të treguar gruan në të gjithë faktorët e shoqërisë? Për dhunën ndaj gruas? Si mund të reflektojë shoqëria shqiptare për lehtësimin e këtyre plagëve?

 

Duke përdorur gjithë mekanizmat ligjorë dhe social që zëri i gruas të dëgjohet, që numri i tyre të rritet në vendimmarrje, jo thjesht si një kuotë ligjore por si gra të zgjedhura nga gratë. Modelet e suksesit të grave, respektimi i personalitetit të tyre ne media si imazh jo vetëm fizik, janë një pikë rifillimi përherë. Bërja e politikave në ndihmë të familjeve të reja, ku burri dhe gruaja t’i kthejnë me dashurinë e tyre kuptimin martesës, jo thjesht një letër e shënuar nga nëpunësit e gjendjes civile. Gratë kanë kujtesë shumë të mirë është koha që ato duhet të flasin për gratë që i kanë mbështetur si në karrierë, si me një votë, si me mirëdashjen dhe ngazëllimin, që ato gratë në vendimmarrje mbështetin gratë.

 

Ju gjithashtu shfaqni interes edhe për psikologjinë në gazetari e krijimtari. Keni interes thjesht si gazetare apo si zëri femëror krijues intelektual qytetar?

 

Dilemat e brendshme nuk njohin profesion. Fatmirësisht, gazetarisë i kam qenë koherente me zgjedhjet e mija, sistematikisht me të rejat më të fundit të botuara e mirë informuar, një mjedis që Tirana ta dhuron në kontaktet me kolegët dhe krijuesit në kohë reale. Kështu kontakti me psikoterapinë pozitive, ndërsa vonoheshin masterat në Tiranë, më riktheu në ënërrën e viteve ’95, si studente aplikante fituese në Itali apo vite më pas në Angli, kështu që i jam mirënjohëse Mirela Sulës që vendosi kontaktet e para dhe më pas plotësimin e kritereve si studente fillestare në distancë. Dhe njëherë nga e para. Do të thotë plot angazhim dhe impenjim për Lorin. Kur shkruaj në fakt s’para kam idenë se jam gazetare apo femër. Shkruaj se kam nevojë të komunikoj me më shumë njerëz, me më shumë frymë botë të panjohura. Si fillim jeta pastaj fjala.

 

Si jeni ndier përballë botës së frikshme të mediokritetit, klaneve, hipokritëve dhe inferioritetit? Çfarë kuptoni me shprehjet “vetëgjymtim dhe vetëvrasje intelektuale’?

 

E lënduar nganjëherë, se s’jemi makina, por unë reagoj dhe kjo më shpëton nga ndonjë krizë kalimtare, që të kapërthen ndërsa ndiej gjakun në damarët e duarve të më pulsojnë fort, dhe dhimbja ta ngushton stomakun fort. Por e zgjidh një natë pa gjumë, një kafe me mikesha apo miqtë, që më njohin në orët e mira dhe minutat e këqija. Kam mbetur vajza me orë, ku ora tregon akrepa që nuk ndalen, thjesht ndryshon ritmi. Shprehjet vetëgjymtim apo vetëvrasje janë moment të humbjes së madhe dhe mërzia është vrasësi më i suksesshëm. Mos e lër mërzinë të bëj fole në shpirtin tënd, qesh pak thoshte djali im i vogël, se e qeshura të shëron.

 

Si gazetare dhe intelektuale cili është koncepti tuaj për kombin, për pushtetin, për partitë politike dhe për demokracinë në vendin tonë?

 

Demokracia në vendin tim duket e brishtë si strukturë imitacioni e projekteve që mbillen dhe shkulen sa kohë zgjatin fondet e një ideje positive, e një programi zhvillimi ndërsa jeta rrjedh në ligjet e saj. Përsa kohë rritja e demokracisë nuk është produkt i mënyrës si ne jetojmë, si ne i marrim vendimet, si ne krijojmë mundësi për të rinjtë, si ne mbështetim të drejtën e jetës, transparencën e fondeve publike, matjen e rezultateve reale në ekonomi, duket një rrekje imitacioni. E drejta e fjalës, e votës, e mundësive për të jetuar me dinjitet janë të drejta universale që nuk kemi pse t’i lëmë pronë të grupimeve klanore të suksesshme në politikë përmes bizneseve fiktivë. Partitë politike në Shqipëri rreken të imitojnë fisin shqiptar, kur llogarisin votat dhe kapitalet financiare të kandidatëve ndërsa marrëdhënia fisnore ka kohë që nuk ekziston më, ajo që i bashkon njerëzit është varfëria dhe shpresa për jetë më të mirë për fëmijët. Detyra e qytetarit atdhetar s’më duket e përfshirë në statutet e partive dhe ky është zhvillim, demokratizimi i partive. Është sistemi i qeverisjes që imponon subjektet politike dhe demokratizimi i tyre natyrisht ndodh kur grupimet politike lënë individin e suksesshëm të eci të japë në profesionin e tij, kur ora pra punon për atdheun e fëmijëve. Ndërsa realisht dekriminalizimi real i medias dhe politikës, një dekriminalizim vullnetar i munguar si në vendet e tjera të Lindjes sjell vonesa në demokratizimin e jetës. Unë dhe demokracia ime rrugëtojmë çdo ditë në një rrugë ku diçka ndryshon.

 

Kur shprehemi “brezi i mëparshëm”, kë keni ndërmend sipas jush? Cilët janë autorët tuaj më të preferuar, shqiptarë e të huaj?

 

Në fakt do veçoja në këto rreshta Flutura Açkën e Luljeta Lleshanakun, Mimoza Ahmetin e Zija Çelën, Fatos Kongolin Kim Mehmetin. I rilexoj me qejf, sikundër At Zef Pllumbin, Faik Konicën e Jakov Xoxën si dhe botimet e përditshme. Te huaj rilexoj Markes dhe Alendje dhe gjithë brezin e klasikëve botërorë botime të publikuara nga Koha Ditore, kam mbetur e dashuruar me brezin e humbur, Remarkun, Dino Buzzatin.Unë jam një rrëmujë e vërtetë shijesh, këto ditë jam duke lexuar “Ishullin e Thesarit të Stevenson, me të i jam kthyer leximit me zë për mbesën time, Enidën.

 

Çfarë është dashuria për ju? Kur e ndjen një grua se është e dashuruar? A keni shkruar ndonjë poezi dashurie?

 

Mua dashuria më marros në kuptimin e ndjesive shpërthyese, në palitjen e rebeles dhe te qeshurën pa kufi, ma gëzon zemrën. Dashuria ma harlis trupin, më bën të bukur. Kam shkruar dhe shkruaj për dashurinë.

 

Cilat janë aftësitë profesionale që gazetaret e reja kanë nevojë sot? Ndonjë këshillë për ata që aspirojnë gazetarinë?

 

Tani s’më duket vetja kaq e hershme për këshilla, por po ndaj pak nga përvoja ime. Besojini dashurisë për publikun, për lexuesit apo dëgjuesit tuaj.Përgjigjuni pa zë vetes kur ndiheni keq në profesion sepse e zgjodhët gazetarinë dhe si arritët deri aty. Me siguri përgjigjet do t’ju rigjallërojnë forcat. Mos e zgjidhni gazetarinë për redaksitë e Tiranës, zgjidhni fqinjët tuaj si fillim, nëse ato ju duan si gazetare edhe Tirana ju pranon si profesioniste. Në Tiranë kafenetë të marrin kohën, interneti të merr gjallërinë ndërsa terreni dhe marrëdhënia njerëzore i jep jetë imazhit. Duajeni audiencën tuaj përtej bulevardit të Tiranës.

 

Projektet tuaja në të ardhmen? Çfarë iu ka mbetur peng?

 

Nuk di, për momentin nuk kam ndonjë ëndërr në sirtar. Kam garuar për drejtore e RTSH-së, një garë e nisur në transparencë publike, ku votojnë anëtarët e Këshillit Drejtues. U ndjeva mirë nga vlerësimi i platformës sime, disi radikale e komentuar. Besoj që plotësoj kriteret për të qenë në stafin drejtues të RTSH-së. Kjo është periudha më me boshllëk në angazhimin tim, periudhë gushti ku po mjaftohem me shkrimin e disa artikujve historiko-kulturorë në jug të vendit.

 

A është i lirë shtypi sot?

 

Liri do të thotë kur përmes shtypit informohesh, përcillen reagimet e mjedisit, rregullohen norma, përmirësohet jeta përmes informacionit. Do të thoja më tepër një amulli se liri. Ligjërisht media është e lire, realisht e asfiksuar në deklarata politikanësh, ngjarje abuzive ku faji mbetet te viktima. Lajme mbi emigracionin si një tifozeri në fatkeqësi. Koncepti i lirisë dhe investimi në media nuk po ecin bashkë. Prandaj RTSH ka rëndësi historike për shqiptarët. Mundëson ndërprerejen e humbjes së shpresës përmes transmetimeve në interes të publikut dhe mirëqeverisjes, ku zëri i opozitës ideon ndryshim politikash…

 

Mesazhi tuaj për inteligjencën e shoqërinë shqiptare sot…

 

Mesazh, ndihem modeste por mendoj se duhet thyer heshtja e të mençurve. Zëri i tyre duhet të mbjellë pemët e reja të mendimit. Natyra ka ciklin e saj, ndërsa natyra njerëzore njeh vetëm mbijetesën e mendimit në shërbim të publikut.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s