Rrënjë , o rrënjë! – Në kërkim të identitetit (Ese) / Nga Namik Selmani

Rrënjë , o rrënjë!

 

Në kërkim të identitetit (Ese)

 

 

namik

Nga Namik Selmani

 

 

Një nga ritet më të vjetër, më të papërlyer, më të lashtë, më fisnikët, më të lidhur me përditshmërinë vetjake dhe kombëtare, më të domosdoshëm, më të dobishëm që nga shekujt kur njeriu i tha vetes “njeri”, ka qenë, është edhe do të jetë dhe RITUALI I RRËNJËZIMIT. Është përtëritja e botës në të. Është përtëritja e vetë njeriut në të. I lulëzimit që sjell një ditë jo të largët kokërrpjekjen e mollës së kuqe, të manit ku do të vrapojnë fëmijët e lagjes, të një baobabi të ri, të rilindjes së deles tek qengji i njomë që një ditë edhe ai do të bëhet dash. Po na qenka ky rrënjëzim edhe në atë përtëritje të FJALËS që rrënjëzon në histori e në legjendë, në romanet e modernizmit dhe në tribunat e oratorëve grekë e romakë. Në fjalën e udhëheqësve modernë që kanë si Aleatë të fuqisë së tyre televizorë, ruajtës fizikë, eskorta, mikrofonë, kamera, makina luksoze që të dërgojnë me to edhe më shpejt tek ata që duhet të dëgjojnë atë që do të thuash ti.Fjalë të mençura apo marina. Tek ata që ti kërkon të Rrënjëzosh fjalën tënde. Ata kanë në shërbim aparatë fotografikë, diktofona, kolona gazetash, stenografë të panumërt, sekretarka që i vendosin fjalimet më tej në kasaforta me numra misteriozë. Është ky Rrënjëzim i Mirësisë që e lakmojmë të gjithë aq shumë në fjalët e profetëve të viktimizuar e në të njëjtën kohë edhe të modeleve njerëzore. Jo më pak e gjen këtë përtëritje edhe te e keqja që kërkon në këtë rrënjëzim vetveten për të thënë edhe ajo nesër, në një kohë që edhe ne nuk do të jemi në këtë jetë, me mburravecërinë e saj fatkeqe, tragjike, klithmuese: “Ja, ku jam edhe unë mes jush e ju nuk mund të më veçoni nga trualli ku banoni, nga vendi ku punoni, nga fjalët që shqiptoni, nga gjellët që shijoni, nga e ardhmja që ëndërroni, nga pemët që mbillni, nga librat që shfletoni, nga prodhimet që kultivoni, nga lajmet që shumëfishoni…!” Mes ngjizjes, lehonisë dhe frutëzimit të pandërprerë që kur rrënjët janë fillesa skajore të vetvetes, dhe deri në atë trungëzim, gati të pabesueshëm që nga dita e mbjelljes së filizit, ne kemi parë se çfarë forcë ka ky rrënjëzim. Kjo Përtëritje e lakmuar. Kaherë njeriu ka kërkuar rrënjë e ka mbjellur rrënjë. Pa harruar të mbajë edhe një lastar, qoftë edhe të fundit, për të krijuar vazhdimësinë e vetvetes, bash si rituali i ditënetëve që zbardhin dhe errësojnë dritën e agimit dhe mugëtirën e muzgut. Në atë kohë ne kemi medituar sa e sa herë për IDENTITETIN. Kemi menduar në mënyrën tonë. Në gjuhën që artikulojmë me tinguj.

Dihet saktësisht se Mesazhi i Rrënjëzimit e ka shoqëruar edhe siamëzisht edhe FJALËN. Ajo, Fjala, tingullore apo shkronjore, ka hedhur rrënjë në mënyrë të padukshme, misterioze tek të gjithë. Që nga ata që e kanë shkruar më parë se të tjeërt dikur në pllaka të gurta, në lëkurë pergamenësh, në faqet e njoma të shpellave, në muret e piramidave që ende kanë në to djersën e ndërtuesve. Paksa edhe profetike, hyjnore tek besimi te Zoti për njeriun që e ka kërkuar këtë gjë. Ka ngulur rrënjë tek ato porosi të nënave tona në duarrrotullimin e petëve të holla të bakllavave dhe të kuleçëve para vajzave tona të mira dhe nikoqire. Para baballarëve që na mësuan të ngrejmë një gardh me purteka, të kthejmë ujin te gryka e mullirit, të grahim kuajt në lëmin e grurit të ri, të një kënge që e mësojmë pak nga pak me fjalë e me melodi në sofrën ku të gjithë janë mes gazit Të vajzat që kanë patur në sytë e tyre nusërimin e nesërm dhe zonjërimin e shtëpive ku do të shkonin e do të bëheshin edhe vetë nëna, gjyshe stërgjyshe…Ka ngulur rrënjë tek ai çirak i pagojë që ka mbetur i vemendshëm para ustait të floririt, të murngritjes, të hapësit të puseve për pikën e ujit, për pastrimin e oxhakëve të blozëruar, të qepjes së fustaneve të nusërisë apo të ngritësit të mullarëve të kashtës për bagëtitë në dimrin e egër, të atij që e kthen baltën e rëndë të tokës një tjegull për të mbuluar shtëpinë, stallat e odat e saj. Të prodhimit të verës. që do të na duhet aq shumë në gazet e familjes e të miqve. Të nishantarit të pushkës për të shënuar mbi hasmin, mbi atë që mund të ishte gjakësi yt, mbi ujkun që kërkon të hajë delet, mbi kunadhen që kërkon të hajë pulat e qymezit… Të luleve që janë mbjellë në vazot e vjetra e të reja apo edhe në atë urim apo edhe mallkim (nuk mund të kuptohet jeta njërëzore pa mallkimin e çfarëdo ngjyre apo motive qoftë ai)
Urimi që lëngëzon në Përroin e Buzëve tona një ditë edhe resht së bëri qoftë edhe një tingull të vetëm, por vetë Rrënjëzimi i urtisë njerëzore, fisnore, vazhdon pafundësisht edhe më tej të jetë gjallë, shpërthyes, risitar, në gjokse të tjerë njerëzorë të kombit tonë e të kombeve të tjera.
Unë dua të besoj se Rrënjëzimi i MIRËSISË përhërë ka qenë dhe mbetet kryefjala e jetës shpirtërore, kulturore, shkronjore të kombit tonë. Të këtij kombi që ka dashur të mbijetojë shpesh edhe kur rrënjët e asaj kanë dashur që t’ia zënë frymën rrënjëve të filizëve, që kanë dashur të rritin fëmijë të shëndoshë e të mençur që janë dashur të rrisin LIRINË të pranguar nga ata që e kanë urryer atë dhe kanë drejtuar ndaj saj grykat e pushkëve, harresën e kujtesës historike në vend të rinimit të lavdisë që buronte nga etja për mbrothësi. Nuk është aspak rastësi që jeta sociale shqiptare ka patur dhe ka në sinorët e urtisë së saj edhe fjalën “RRËNJË” në mesazhin e bukur apo edhe të dhimbshëm që na ka dhënë historia jonë është ngulur në kujtesë mesazhin popullor “Nuk ka degë pa rrënjë” Askurrë nuk mund të ecet përpara pa një traditë të bukur e të fortë të një kulturë kombëtare, të një kulture fisnore. Nuk ka majë pa rrëzë. Nuk mund të ecësh përpara pa themele të forta të asaj që ke nisur të bësh për të mirën tënde, të fëmijëve të tu, të vëllezërve dhe motrave të tua. Të atyre që do të mbesin pas për të të kujtuar. (Jo më kot ne përcjellim një urim të veçantë në ditët e zisë familjare) “Të rroni sa më shumë që t’i kujtoni!” (Lexo: të mos harroni rrënjët) apo edhe të mbarë një kombi që ti i përket. Ose për të kujtuar atë urim të madhërishëm: “Trë trashëgoheni! (Mos mbarofshin rrënjët e fisit tuaj!)
Duket se Rrënja ka hyrë edhe në kufinjtë e zemrës njerëzore shqiptare kur një njeri ka thënë “Gjuha e ka rrënjën në zemër” Dëbime masive të çamëve dhe të kosovarëve në shekullin e kaluar tek ne kanë marrë një shprehje të spikatur “u shkulën me rrënjë e me degë” ndërsa ata që kanë shkuar të dëbuar nga trojet e tyre stërgjyshore kanë qenë për njeriun e mençur shqiptar “Rrënjëshkulur”. Le të hapen muze të panumërta në të gjithë skajet e një vendi qoftë edhe të vendit tonë që kërkon kaherë një identitet të spikatur, të pavrarë, të paplaguar nga shekujt e firmëtarë të panumëruar. Ato asnjëherë nuk mund të japin atë shpirt që një ditë ka bërë rrënjëzimin e ditëve që kemi jetuar, të ditëve që ëndërrojmë për veten e për ata që nuk kanë lindur në këtë tokë.
Do të doja që motivin e Rrënjës ta kisha pazgjishmërisht dhe përjetësisht Kryefjalë të këtij vëllimi publicistik ku, në radhë rri edhe tregimi edhe skica. Për ta parë librin si nië buqetë ku të të mbetet në sy, në shpirt apo edhe në duart (jo si të zonjës dinake Makbeth) një copë rrënjë shqiptare. Me dramat e fitoret e saj. Një rrënjëzim shqiptar që ka qenë shpesh edhe një lloj testamenti i pashkruar dhe i shkruar i një brezi për një tjetër. Edhe pse mungesa e shkronjëzimit nuk e ka lejuar që të sfidë familjet e mëdha evropiane për të krijuar kudo e me saktësi degët e një fisi të caktuar. Nuk është vështirë që të shohësh
Kur nisëm që të lexonin shkronjat e para nganjëherë na binin në duar disa libra të veçantë, të stolisur ne lule, të mbushura dëng me shifra, histori, emra tregtarësh, emra pajtimtarësh, shtetarësh, diktatorësh dhe tribunësh, arkeologësh dhe shkrimtarësh që quheshin “ ENCIKLOPEDI”. Vonë, shumë vonë, bëmë edhe ne të tilla. Pak më herët i madhi Sami Frashëri këtë gjë do ta bënte në gjuhën turke dhe do të shënohej në nismtarët e këtij “sihariqi kulturor“ në histori . Dhe po atë kohë do të bëhej baçevani më i papërtuar dhe më i mençur i së ardhmes shqipe kur do të kërkonte rrënjët dhe do të mbillte ide deri në një projekt kryeqyteti. Diku, në Dumrenë liqenore, në një vend që quhej BELSH.
Ndërkohë që mësuesi i tij, ndër më të mëdhenjtë e më të mëdhenjve Hasan Tahsini, do të ishte nismëtari i të parit Universitet në atë vend. Herë të brishta, herë të vogla në numrin e faqeve, jo edhe aq shumë të lakmuara për t’iu përkëdhelur ballinat e tyre, ne u gazmuan sinqerisht me ENCIKLOPEDITË tona se në to ne pamë RRËNJËT tona. Ato rrënjë që kishin nisur që atëherë ku edhe kombe më të mëdha nuk e kishin nisur qytetërimin e tyre. Në muret e shtëpive tona nuk është e rrallë që të shohësh disa Pemë të mëdha të Fiseve. Një të tillë e kam parë kaq madhështore në ULQIN . E kam parë në Tetovë e në Tiranë. Në Amerikën e largët e në Italinë fqinjë. Bëma, njerëz të vdekur e të gjallë,shifra, qytete që lindin e që një ditë vdesin si njerëzit, tërmete që rrafshojnë shtëpi, vende të panjohura e të padëgjuara asnjëherë. Ata, më të diturit se ne na thanë se ato ishin ENCIKLOPEDI. Duke kujtuar kohën që kemi kaluar si njerëz e si komb, kuptuam një të vërtetë të hidhur. Po u bëmë edhe Mbjellës të Krenarisë së vetvetës.
Shumë shqiptarë kishin pas qenë në vite e shekuj Mbjellës të qytetërimit evropian e botëror. Kishin qenë mbretër e perandorë, vezirë dhe ushtarë. Ndërtues anijesh dhe astronautë. Kishin ngritur mure kështjellash dhe kishin zbukuruar me duart e shpirtin e tyre artistik afresket e kishave dhe të xhamive, kishin ngritur xhami dhe kishin hapur tunele që bashkonin male. dete, kontinente. Kishin ndezur shikimet e kishin përlotur sytë e mijëra e miliona njerëzve në botë me fjalën e bukur skenike. Kishin stisur këngë e kishin gatuar bukë të ngrohta për ata që nuk dinin asnjë fjalë nga gjuha e atyre furrtarëve ballëdjersitur.
As sot nuk e kemi gjetur datën e atyre njerëzve shqiptarë që morën udhët e botës edhe pa qenë të aftë që të pushtonin tribunat e mbushura me gjethe dafine. Atë kohë ka lindur kurbeti. Kjo ecejake, gati legjendare krijoi një GURRË të përjetshne këngësh, urimesh për kurbetin. Kronika gojore artistike që ua kalonin edhe teksteve të kronikanëve më të mëdhenj të botës antike dhe moderne. Unë besoj se do të jemi ndër të rrallët kombe që këngët e kurbetit i kemi kaq të shumta në numër. Kaq brilante në tekstet e tyre. Kaq të dhimbshme. Kaq drithëruese. Kaq pjellore. Kaq mallimtare për atë që bëri në trojet tona e në vatrat ku shtrohej buka e gjuha shqipe. Deti bëri garë me lotin. Malet u ulën në gjunjë që të kalonin mërgimtarët e kombit tim. Shkëmbi u bë valë për të dërguar vajzën në kurbet ku e priste djali i pagjumë. Ajkuna u bë vajatore për atë filiz që mbeti në bjeshkë. Rozafa u gurëzua në murët e kalasë që të mos pritej në mes ndërtimi i kalasë ku ishte përtëritja e fisit, e kombit. Rrënjëzimi i kalasë së gurtë ku do të jetonte qëndresa, ku do të ushqehej foshnja e vogël…Korbat krakëllinin në trupat e të vdekurve pa varr.. Rapsodi dhe këngëtari thërriste në Sofrën e Vargut bilbilë që s’bilbilonin, qyqe që qyqonin. Yje që rrallëroheshin, gra që ëndëronin ditët e kthimit të trimit të tyre, eho nizamësh, paja të molisura në sepete nga që nuk dilnin dot në odat e bardha, gjumin e netëve që humbohej, dritare që mbesnin përherë të hapura, pamje karvanësh që karvanonin, karta të bardha që postoheshin me një pëllëmbë dore fëmije apo gruaje që vizatohej në të. Toponime si Lëndina e Lotëve hynë në histori me një pasaportë të veçantë kujtese. Më tej, pasthirmat që bëheshin në emër të atij rrënjëzimi të munguar jehonin në kulla, në shtëpi dhe bëheshin bolorima, kukama, klithje, oi të zgjatura që ngjethnin edhe drurët me moshën e shekujve, edhe gurët që sikur thinjeshin në çast kur dëgjonin këngët-elegji të vajatorëve.
E shohim më nga afër atë vërshim të shqiptarizmës tek vëllezërit arbëreshë të Italisë, te arvanitasit e Greqisë, të shqiptarët që jetojnë larg në Ukrainë, në Anadoll dhe në SHBA, atë përtëritjes të RRËNJËZIMIT TË FJALËS SHQIPE. Sa nostalgji! Sa krenari! Sa mbijetesë! Sa forcë! Sa kulturë! Sa identitet të prekshëm që nuk u shua edhe në shekuj. Ky emocion më është bërë edhe më i afërt kur kam patur në duar para disa vitesh edhe gazetën “Rrënjët “ që botohet në Itali nga një djalë patriot Hasan Aliaj, të cilin e vlerësojnë shumë bashkëatdhetarë, por edhe vendas që dijnë të respektojnë kombin tjetër. Në krye të gazetës ai ka vënë një fjalë të urtë që na e bën edhe më fisnik ritin e Rrënjëzimit: “Të zbulosh rrënjët e trungut tënd gjenetik, duhet të jesh i pajisur me dituri e kurajo, të cilat nuk iu kanë munguar shqiptarëve.“ Dhe më tej për ta parë edhe në një mënyrë figurative ai vë edhe një mendim tjetër: “Yjet nuk e kanë për turp që të duken xixëllonja, por edhe xixëllonjat e kanë për nder që të duken yje”. Komenti është i tepërt. Diku më vonë Çabej i paharruar do të thoshte: “Shqiptarët vijnë nga një shtresë e lashtë. Shiptarëve u ka mbetur pak kohë latente, e cila shpërthen herë pas here një jetë të re. Prandaj prej gjithë shkrimtarëve shqiptarë na del përpara fytyra e shqiptarit të përjetshëm”. Duke ndjekur rrënjët e “Rrënjëve” në numrin 2 të vitit 2008, një shkrim i kësaj gazete hedh idenë se “Shqiptarët vijnë nga rrënjët e Atlantidës legjendare”. Një kureshtje?? Një e vërtetë??
Brenda rrënjëzimt të vetvetes, të asaj vetëdijeje jo gjithmonë kemi qenë kristalorë për të gjetur kahjen që na vjen pas udhëkryqeve të panumërt. Vetë ky RRËNJËZIM nuk ka qenë i gatshëm që të nisë e të shpejtojë mugëllimin e filizit të mbjellë. Pikërisht aty ka ardhur edhe dëshira e madhe për të njohur rrënjët e qytetërimit evropian e botëror. Duke nisur nga vëllezërit e Ballkanit ku na ka qëndruar nëpër shekuj si një ganxhë e madhe ndëshkimi se “ishim pjesë e fuçisë së barotit” A mbase ishim edhe brenda saj. Për të vazhduar më tej në atë evropian, në atë botëror. Që nga Amerika deri në Lindjen e Largët.
Edhe kur na kanë mbyllur kufirin e tokës dhe të detit, të qiellit dhe të shkronjës, kur na penguan që të shkonin në dyert e xhamive e të kishave pa menduar se një ditë kishim edhe ne si tërë bota të drejtën e madhe që të uleshim paqësorë në tokë për t’u falur para Zotit, kur me mijëra shqipfolës kalonin ditët në qeli të ftohta, në baltovina moçalesh, në humbëtira internimi, etja për të parë këtë vrullnajë rrezesh diturie bulëzonte e bukur tamam si një pus i madh uji që fle për pak kohë në rërën e nxehtë të shkretëtirës.
A mos vallë hija e këtyre rrënjëve ishte më e lartë se ajo që lëshonte RRËNJA SHQIPE në këtë vend? A mos ishte thjesht Uria për të parë të përjetshmen, të paparën, të panjohurën??!! A mos vallë ishte viktimizimi që po na bëhej me një harresë vrastare, si mund t’i ndodhë fatkeqësisht një kombi të vogël përballë më të mëdhenjve në numër e që nganjëherë bënin edhe LIGJIN në këto vlera që kishte krijuar njerëzimi???!! A mos vallë ne nuk kishim zbuluar (dhe akoma nuk e themi me zë të plotë këtë pohim) Rrënjët tona për t’ua treguar të tjerëve se sa të begata ishin?. Për t’iu thënë edhe atyre se edhe ne kishim dhe kemi të drejtë të mateshim me ata si të barabartë në mbarë botën? Mbase mund të kenë qenë të gjitha në të. Më pak apo edhe më shumë se tjetra.
Ah, rrënjët!
Sa herë i prekim, i shohim, i mbjellim te ugari i përgatitur për mbjellje, kur jetërsohen te fytyra e fëmijëve dhe të nipërve, si të shihnim në to fytyrat e stërgjyshërve tanë që nuk ua dimë as emrin, as varrin, as vendin ku kanë lindur, ndjejmë ripërtëritjen tonë.. Unë dua të them se personazhet e këtij libri e kanë në qelizat e tyre jetësore këto RRËNJË. Ata jetojnnë zona të ndryshme të vendit. Disa edhe nuk jetojnë më. Po si në një marëveshje apo të mbledhur rreth një BESE shqiptare, ata kanë në sy, në zemër , në tërë jetën e tyre këto RRËNJë identiteti. I shohim këto Rrënjë kur i na shfaqen të dritëzuara tek shkronja e librit shpesh e gjakosur dhe e ndaluar, te skena e një teatri, te ekrani i trëndafiltë i kompjuterit dhe i televizorit ku ndjejmë dhimbje, krenari, forcë, guxim, e patjetër edhe shumë dëshirë për të jetuar. Për të gëzuar. Ashtu si gëzon ai që e di se kush është, që e di se ku do të shkojë dhe e di se kë ka përpara pa harruar se kush është ai vetë.
Ah, rrënjët!!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s