Trëndafilët e Prishtinës / Cikël poetik nga poeti Namik Selmani

Trëndafilët e Prishtinës

 

Cikël poetik nga poeti Namik Selmani

 

 

namik

Vëllimet poetikë të autorit Namik Selmani :

 

 

Vatra e mallit

Zërat e brigjeve të mia

Kroi i këngës çame

Fari çam

Dritaret e besimit

Shpirti çam

Djepi i këngës

Pesha e qiellit të vendlindjes

Bëj të zë po të merr era

Borxhi i Ali Podrimjes

Parisi si Parisi

 

 

 

  1. Trëndafilët e Prishtinës

 

Sa trimëroshë që qënkeni, o trëndafilë të Prishtinës

Që çelkeni edhe në dimrin më të ngrictë e më të egër.

Në cilën baçe shpirti ushqehet filizi që shkon drejt kaltrinës?

Në cilën zemër ndaleni për të gdhendur petalen e fshehur?

 

 

Po sa trimëroshë që qënkeni, o lulegjakëtit  e Prishtinës

Që skuqni gjithë duart  e nënave dhe motrave më tepër se gjaku.

Mos vallë etja për liri ju ngrohu në të gjithë ditët e  stinës

Tek  vini  ngjyrën tuaj të skuqur në cohën e barjakut?

 

 

Po sa fisnikë që qënkeni, o trëndafilë të Prishtinës

Në këtë truall të paqtë bisku i blertë kurrë mos iu thaftë!

Kur të kthehemi këtu, në dyer ku zemra jep urimin

Le të marrim pak nga gjakimi juaj i vënë në piedestal!

 

 

 

 

  1. Sokëllima e Kryepoetit Naim Frashëri

 

Sokëllin pa fund poeti

Vallë  ka qiell pa ylberë?

Çamëria –vetull deti

Në mes dimrit sjell pranverë

Thonë u zhdukën trarë kufinjsh

Thonë se s’do të ketë doganë

Mjerë kush hesht për Çamërinë,

Hesht e flet ky mendjeartë,

.

 

Qenka bërë si zog përralle

Nga mermeri zbret i lodhur

…Thonë prapë ka ujq në male

….Thonë breshkat prapë hanë barin.

Paska ftuar Marko Trimin*

Dora D’Istria ia prek ballin

Ç’është kështu, o mik i mirë?

Kush ta paska vjedhur fladin?

 

 

Ia njom buzët gluha çame

Ia heq kollën e vrerosur

Gjerdanon fjalët në vargje

Nën një qiell të vrerosur.

Tahsin Çami i vjen pranë

Plis i varrit s’e mban dot

Çamëria krahët zgjat

Rri e pret në breg, në Jon.

 

………………………….

 

Çamëria rri pranë  detit

Tek ndjen zërin e Poetit

 

Marko Trimi- Marko Boçari

Tahsin Çami – Rilindasi i shquar çam Hasan Tahsini – profesori i Sami Frashërit

 

 

 

 

  1. Kur dëgjoj këngën e Shkodrës..

 

Këtu ka vetëm dritë, fllad maji e sy të  dashuruar

Ka rreze, urime dasmorësh, tinguj drithërimë

Pa nxjerr duhmë e vlug shpirti kalaja gurbekuar

E jarja çel dhe mbi sythe në një gonxhe trëndafili.

 

 

Këtu shpërthen  gazmueshëm fjala shkodranishte

Që ta heq rrudhën, lodhjen e t’i dëboka thinja

Prag më prag garojnë  brezat në një rrugë lavdie

E pranverohen mes  këngësh ditët e pambarimta.

 

Baçallëku po na vë me të menjëherë në radhë

Teksa  lulet mbijnë e rriten edhe mes greminës

Këtu nuk ka ushtarë,  komandantë e gjeneralë

Ka vetëm zogj që i bien e i bien  pa fund violinës

 

Këtu dorë e vashës prek malin, valën  e gurin

Këmbë  e vogël sjell beharin edhe më shpejt

O këngë shkodranishte që zgjon edhe drurin,

Na mbyt të gjithëve në parfume urimesh përjetë.

 

Këtu dimri ndal frymën e mbytet mes tingujve

Mbi bisk të drurëve kurorën si fitimtar e prek.

Luleborat mbysin ditët e njëqind dimrave

Shatërvanët e gazit mbulojnë diell, qiell e det

 

Këtu  Buna rri përqafuar aq fort me Drinin

Nën  dritë hëne puthet me të pa droje fjalësh

E kënga shkodrane, mbush sofra e sjell agimin

E det i lumturisë rizgjohet si Poseidoni mes dallgësh

 

 

Në bedanat e tingujve vëmë fjongon e këngës e zemrën

Zgjojmë Rozafën tek tund malluar djepin e foshnjës

Vdesim e ringjallemi mes saj të tërë vrik njëherësh

Si në asnjë skenë, prag shtëpie a  në një qytet të botës

 

 

 

 

  1. Identitet ………..i plagosur

 

******

Copëza qielli

Të vrara nga trarë të lartë doganash.

Copëza këngësh

Të ndara kaq fort nga ortekët e maleve

Copëza shpirti,

Që s’ta tregojnë ende dhimbën a gazin e kaltër

Copëza kulaçi të djegur

Që kurrë s’ta japin të saktë urtinë e fjalëve.

 

****

Grumbuj zogjsh

që ende çerdhojnë e s’mbajnë mend Kthimin e Blertë

Burime sykaltër

Që s’gjejnë shpesh udhëtarë  t’ua freskojnë buzën.

Kush e la ujkun

Të futet në stan e të ngrejë dolli si në festë?

Kush e la dhelprën

Të marrë në gojë një bilbil e të zërë Udhën?

 

********

Copëza dielli

Që dyzohen nga prangat në Udhën e Dritës.

Një libër i bukur

Që të mbetet në duar pa fletët e fundit .

Ca çarçafë të gjakosur

Që virgjërinë e ëndrrës ia vrasin goditje kamxhikësh

Duarzgjatur

Drejt një shatërvani lirie mbirë në oborrin e fundit të katundit.

 

******

Një gjysh

që vdes pa thënë amanetin e thesarit të fshehur

Anije velëngritur

Që ende s’ka gjetur limanin se nuk e sheh FARIN

Krëhër i artë

Që vetëm dy dhëmbë të rrallë i kanë mbetur

Fjala në fyt të ngec

Se gjoksin ta gjëmbon kolla e marrë në Stinën e Zjarrit

 

******

Identiteti im

Gjoksplaguar që kërkon…..melhem.

 

 

 

  1. Kaceku

 

Jam kacek

Që erërat e Çamërisë i kam mbyllur me shtatë çelësa

Kur të dua

I nxjerr e ngopem me flladin e jetës, me rinimin.

Flugerët qiellorë

Le të më dërgojnë  sinjale pa semaforë  shtigjeve të shkreta.

Të gjithë

Me duar do t’i mbys në mullinjtë që bluajnë trishtimin.

 

 

Do të bëhem këtu gjykatës

për dy cjepë që s’lënë shtegudhën e marrëzisë.

Për bujkun

që në vlagën e ugarit nuk e hodhi dot farën.

Për breshërin

Që shkretë ma la arën e mbjellë me misër

Për librin

Që kurrë s’ia hapën fletët si plugu pas brazdës.

 

Jam kacek

që mbaj aromën më të ëmbël të rrushit të vreshtës

Dikur

gjyshi e ka mbjellë pa pyetur për përrenjtë e djersës nën trikon e leshtë

E netët

i ka gdhirë për t’i hequr dhe gjethen e fundit në sqetull të sythit të gjelbër

Mbrëmjeve

me sapllake mushti  ndër duar gjithë mirëdashësit i ka pritur dhe përcjellë.

 

Mos më pyet

për vitin kur kam lindur unë dhe ky shpat, kjo kodër, ky det!

Jemi të një moshe,

jemi të një shpirti që  rreh nga mot me pulsin e përrallës dhe legjendës.

Ejani këtu

të zjarrmoheni nga  vullkane  dashurie që ngrihen për ty, Çamëri e shtrenjtë

Bëhuni

të gjithë me mua Kacekë të këngës, urimit dhe Shpresës

 

 

 

 

  1. Shkon e vjen nëpër lëndina

 

Shkon e vjen nëpër lëndina,

kalë i bardhë me trokëllima.

Me një nuse ulur shalës .

shkumë e bardhë mbi krah të dallgës.

 

Shkon e vjen  në një shpat mali,

kalë i kuq i flamurtarit.

Të bën bjeshka vëllam me zana .

T’i thajnë krojet buzët e thara.

 

Shkon e vjen ndër shpate brigjesh

kur flet ti, të gjithë përgjigjen

Qielli jep shigjeta  drite.

Toka jep hambarë me drithë.

 

Shkon e vjen si zog ndër çerdhe .

Pa ninulla djepe mbete   .

Pa shtëllungat mjegullore.

Pa qerpikët pikëlore.

 

Shkon e vjen e s’harron udhën

si s’harron ujin e bukën.

Si s’harron të hedhësh hapin.

si s’harron të kalosh  gardhin.

 

Shkon ndër udhën e pasosur

Me një trastë në sup të lodhur.

Kërkon shtegun të thash djersën

kërkon dritën të shtosh jetën.

 

Kërkon këngën, kërkon fjalën

që t’ia thashë-o  shpirtit  plagën.

Kërkon qiellin mal më mal

fytshkrumbuar, shkarpë e tharë.

 

Në s’të ndjek kaq larg në shtigje

merr uratën që nuk thinjet!

Kërko majën gju pas  gjurin!

Kërko detin me forcë burri

 

 

 

 

  1. Elegji për Pjetër Budin

 

 

Kam kaq kohë që shtigjesh eci

herë në Drin e herë në Mat

Ku ta gjej një trup poeti

që ta vë në piedestal?

Kam kaq kohë që e pyes bjeshkën

Mos është bërë diku shqiponjë?”

Paska marrë një libër vjershash

Shtrëngon duart te një shkronjë.

 

Mos e panë karvanarët?

Mos e panë tek shkon në fshatra?

Gur i Bardhë* si jastëk malesh

I shkon pranë si nënë te vatra.

Bredh në tela çiftelie

Thinjërosh si askush tjetër .

Kush ma mbyti Plak’n e Shqipes

në atë Drin me valë kërleshur?

 

Hapur-o ka mbetur kulla

ëmbëlsuar rri çdo prag.

Sytë mbeten larg nga udha

se mos vjen poeti prapë.

Se mos vjen një ditë nga Drini

dhe do ulet në oxhak.

me kapuç të bardhë të dimrit

do ribëhet flamurtar.

 

Gur më gur kjo Udhë e Arbrit *

ia zgjon hapat, fjalën prush.

Gurgullin ky Lumë i Matit

Urë e Vashës* hapat puth.

T’u rinoftë piskamë e ëndrrës

n’Dardani e Çamëri!

Bëj një meshë për të rënët

me lavdi e dashuri!

 

T’u luloftë lutj’e ëmbël

e ushqyer nga besimi!

Dhe syzgjuar , dhe në ëndërr

Për ty  malli s’ndjen lëngimin.

T’u lisoftë shtati, Pjetër!

T’u bëftë vëlla, një bust me shkronja!

Fjongo Mati rreth kujtesës

vulë e fortë që s’e fshin koha.

 

*Guri i Bardhë- fshat i rrethit të Matit që ka qenë edhe vendlindja e  patriotit,  poetit të parë të gjuhës shqipe dhe klerikut  Pjetër Budi që u mbyt në Drin në dhjetor 1622 nga armiqtë e kombit shqiptar.

 

*Udha e Arbrit- Udhë e vjetër në rrethin e Matit që shkon në trasenë e udhës së vjetër të Arbrit

 

*Ura e Vashës – toponim i një ure në krahinën e Matit

 

 

 

 

  1. Ikja e poetit…

 

Poetit Rifat Kukaj që mbeti përjetë në brigjet e Ulqinit

1.

Po si ta prekim Ulqinin,

pa ëndrrrën e smeraldë e  të zgalemtë  të poetit me gjoks prej deti?

Po si t’i shkelim bjeshkët e brigjet

pa hapin e tij, pa sytë e trëndafiltë?

O këngëkroje ulqinake

lisojeni kangën e mbrame të Bacë Rifatit që zemra jonë e treti.

Mbi djepe legjendash e rrezesh

fëmijët e së ardhmes ta bëjnë fjalëkurorë me dritë.

2.

Trishtimin e valës

ta dëbojë kah mot ky qiell e ky diell ulqinak.

Nanat fisnike

ta mbjellin dhe në dimër për të Trëndafilin e Kujtesës.

Briri i vargut e dega e ëndërrës

për lum poetin të përqafen si miq të lashtë.

Dyert e Kullës së Shqipes

të presin bardin e lashtë e të ri me trok shekujsh.

3.

Dora e dridhur

mos ta lëshojë Bajrakun e Fjalës, Bajrakun e Agut të praruar

Tupani i Kosovës

ta kthejë paprerë ikjen e poetit në një bujrum kulle.

Kangën e tij të pathënë

po na e thoka ky breg, kjo vjeshtë, ky fari i pagabuar

Ky prag i ëmbëltuar

ku përralla duhet besuar, ku guri kthehet në lule.

4.

Në rrugëtimin parajsor

do të pyesim për të zanat e bjeshkës e nimfat ulqinake

Në një fluturim pulëbardhash

si një anije pa vela do të na duket një bedenë kalaje

Në Odën e poetëve

Mirësia e Refatit, lavërtarit të fjalës

do të na bëhet si pranverë e dehur nga flladi.

Dhe ikja e poetit

do të na bëhet RIKTHIM e një varg i ri balade.

 

 

 

 

  1. Migjeniane

 

Të hapura

Mbetën kanatat e këngëve liridonash migjeniane.

Antivirusi i Harresës

Na e ka rrekur lumnueshëm memorien e Kryepoetit lavërtar.

Një dorë pendëartë

Zgjatet drejt kështjellave nëpër gurët e bedenës flakadane.

E padurimthi

Fort po kapka fletët e lavdisë, bash si përqafen valët mbi valë.

 

Shkërmoqshëm

Mbeti grushti qëndrestar e i gjakuar i poetit kah Mali.

Kishtet e xhamitë

Rizgjueshëm puthkan fjalësertat, fjalë të pathëna poeti.

Dangdanget këmbanore

Si flutura ëndrrash flatrojnë qiejve gazmuar nga flladi

Një copë bukë

Në duar lypësish të rinj koha dhimbshëm na e thau, na e treti.

 

Ani, poet gjokspikëllima

Ku ylberet hyjnorë të shpirtit munden pagjakshëm nga tufanet.

Ani, Kalorës i Dhimbjes

Që vrullon e vrullon pa u ndalë në udhët mërgimtare.

Po si s’u theqaf

Kjo kreni e shtirur poltronash, prostitutash , kjo kohë vrastare?

Po si s’u tha

Ky pikëlot syve të Luleve e Zenelëve shpesh me duar pa shkronjat amtare?

 

Dielli u venit

E kaltërisë ia hoqën qilimat e odës së lashtë të maleve.

Tupanet e fjalës tënde

Si s’i dëgjojnë shkëmbinjtë që hepohen ndër humnera njëherësh?

O ditëvdekje migjeniane

Që nxitoni fitimtare  mes një karvani këngësh majekrahu , telash bjeshkatare.

Mes testamenteve gjyshërore

Mos mbetshi si fletëvolante të një fushate në tribunat pa njerëz!

 

O fjalë poeti

Me mërmërima pëllumbash me mëmësi lehonore në qelizat gjakblerta.

Ku Ora e Kohës

Nuk njeh çirakë të ndërrimit të një kthimi tragjik.

Një turme

Mund t’i thahen në duart e lodhura lulet për idhujt pa krena

Po kurrë, kurrë  s’i thahen fjalët e lume të POETIT  që riçelin filizë…

 

Tupanet e Fjalës së Rrejshme

U bafshin lëmashk për guva e për hapa të hedhur.

Kollë e Kohëkrisjes

Ta kallë kollën e poetit në turravrapin parajsor!

Në ditëvdekjet migjeniane

Sup më sup, gojë më gojë e duar mbështetur

Dhe tingullin  e fundit të këngës

Në katarakt ta kthejmë për gjakun e frymën që vlon.

 

 

 

  1. E gjatë rruga për tek ti……

 

E gjatë rruga për tek ti, Çamëri.

E gjatë. Fort e gjatë.

Metër për të s’ka e syri nuk e mat.

Vetëm zëra ehosh malli

Përpëliten në dërrasa kraharorësh të thatë,

Me to deshifroj saktësinë vënë ndershmërisht në kandar.

 

Të lodhka  rruga për tek ti, Çamëri.

Të lodhka. Fort të lodhka.

A ka mbetur nën gërmadha

Një pikë vaj nga ullinjtë e lashtë, more miq ?

Trupin e foshnjës së posalindur

Do ta ngjyej me të sapo të arrij.

Nga  Anija e Fjalës jehonë malesh do të sjell e iso pa mbarim

 

E bukur rruga për tek ti, Çamëri.

E bukur. Fort e bukur.

Do të marr me vete nga stiva

Një jorgan të ngrohtë për supet e zbuluar.

Do jetë djegur jorgani i gjyshes diku në varre strukur.

E duart e saj,

Si duar Rozafe s’mund të më përkundin në gjumin e trazuar.

 

E ëmbël rruga për tek ti , Çamëri.

E ëmbël si mjalti i parë i hojeve

Të marrin për të vesh zjarret e….kongjinjtë kuqohen.

Të marrin vesh krojet e ….sërish të zgjohen.

Të marrin vesh lulet e …brigjet të lulohen

Të marrin vesh udhët e…. të zmadhohen.

Mjegullat të marrin vesh e…të largohen.

Minaret të dëgjojnë e…të lartësohen.

 

E gjatë rruga për tek ti,Çamëri!

Sa një poezi në buzët shkrumb të djalit -poet.

Sa një stinë në kapërcyell të Ndërrimit.

Sa një dallgë që lind e shuhet në det.

Sa një këngë në pragun e Zgjimit.

Sa një agim në pragun e zbardhimit,

Sa një baladë në prag të jetërsimit.

 

E gjatë rruga për tek ti, Çamëri !

E tri herë

Duhet ndërruar tagjia e kalit të shalës .

E pesë herë

Duhen ndërruar patkonjtë e ngrënë  mes gurit e baltës.

E miq të rinj

Duhen gjetur për shtigjet, miq besnikë

Për të ndërruar bukën në burimin e udhës së largët.

 

Në trastën e rrugës do ta marr me vete një patericë.

Kaçakët modernë me zëra celularësh

Brinjët e njoma mund të m’i thyejnë si qelqe.

Po rruga DUHET BËRË

Se Çamëria pret diku në Volë, Prevezë a Gumenicë

Me ilaçin e limonave të stërgjyshit

Më ka bërë melhemin e Rilindjes në jetë të jetëve.

 

E gjatë rruga për tek ti,Çamëri!

Sa një krisëm dielli

Që hap kanat më kanat portat e ëndrrave.

Sa një hap kënge

Që i bie si këmbanë sirenave të zemrave.

Sa një fjalë fëmije

Me burrërinë e një gjyshi fjalëmençur.

Sa një heshtje pendartë

Në Ditën e Pjalmimit filiz të çelur.

 

E çka do të gdhend për ty në Monumentin e Nisjes

Ku fjala

Përuron para kohe Mbërritjen e lumtur pa kthim?

A të vë ca lule të thara që sytë i vrasin pa i parë?

A të vë një kurorë dafine me nderim?

Çka? Çka?

Mërmërij e sokëllij….

Ndërsa prapë……… rrugëtoj

Nga agimi në muzg e nga muzgu në agim.

 

 

 

  1. Akademia e prehërit të nënës

 

“Nënave shqiptare kudo ne botë”

 

 

1.

Do të kemi lindur

Që kur këngët e dasmës suaj thureshin ndër oda

Jemi shfaqur nën ca qerpikë

Ku pasqyrosej ëndrra e vajzërisë qerpikfshehur

Ca burra

Uronin e ndërronin kutitë e duhanit në sofra.

Pa harruar

Se të nesërmen do të niseshin pas farës së hedhur.

 

2.

Në prehërin tuaj, nëna

U bëmë Akademikë me diplomë përjetësie

Tak, tak, tak

Trokëllinin në sy legjenda, ninana e amanete

Rrudheshit para syve fëmijërorë

Si shtëllunga të leshta që ktheheshin  në fije

E hapnit sinorë malli

Q nuk i njomte, breshëri,  shiu e as i rrëzonin tërmete.

 

3.

E gjilpëra e vogël

Sillte mes nesh një botë të madhe pa gjerdhe

Ku ta dinim ne

Se sa det detëronte në gjoksin tuaj ëmbëltor?

Silleshim rreth fustanit,

Çuçurinim fjalët si burim pranvere.

E bëheshim mbretër të vërtetë

Në atë prehër të ngrohtë me vështrimin hyjor.

 

4.

Nga duart bujare

Merrnim bukën e ngjyer e vraponim  në rrugë

Pa e parë

Se si kërruseshit  e iu thinjej bukurisht pala e flokut

Mëngjeseve

Ju nxitonit të hidhnit pelenat në telat e mbushur

E në vazot e luleve.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s