Poezi nga Xhemile Adili
PISHTARIT TË DITURISË
Kushtuar Bafti Krasniqit
Motet ecin me gjuhën e tyre, për më shumë liri
Gjeneratat ecin pas teje, me urtësinë që ua fale
Duke derdhur dije e guxim, mbi tokën plot dashuri
Ashtu siç i mësove ti, janë duke çelur si kurora me petale
Gjithandej nga kalove, vetëm dija lulëzon
Hapen godina shkollore, si lulet nëpër gjelbërim
Çdo themel që lartësohet, emrin ta kujton
Ty, pishtar i arsimit, që ndriçon mbi atdheun tim
Sa krenarë ndjehen, pasardhësit që i edukove
Nëpër rrugët e jetës, që duan liri e atdhe
Bashkë me shkronjat e atdheut, që ua mësove
Se vetëm bashkimi është dritë e dijës për ne.
ESE E ZEZË PËR NATËN
Natën, më jep pak mirësi!
Pse hesht me këtë shikim të zi?
E di mirë pse hesht ti:
Dikujt je duke ia bërë gjëmën,
Të zezë si fytyra jote!
Mos më humb përqendrimin,
Më urdhëron nata,
Tek lidh fjalët,
Me fijet e zeza të saj.
Sado që mundohem,
Është kot,
Të zezat nuk ia laj me fjalë,
Edhe nëse secila det të pikojë,
As me të qeshura,
As me lutje,
As me dhunë,
Atë ngjyrë bart shekujsh.
Nata nuk ndërron pelerinën e zezë,
Si ujku që zanatin nuk ndërron
As emrin nuk ndërron,
Pagëzuar nga terri,
Me të mbulon gjithë orbitën
Dhe këngët e poetëve.
Të gjitha fyerjet nata i pranon,
Por jo të heqë pelerinën e zezë!
Kot flas me natën,
Kot ninullat ia përkund,
Kot!
Nata nuk di gjuhën e ditës sime,
Ose nuk di unë gjuhën e natës!
Ky memecllëk ka matur botën skaj më skaj,
Sa me gjuhën e ditës,
Sa me gjuhën e natës,
Në këta shekuj
Ligjërimi të kotë.
UDHËVE TË DITËNETËVE TË MIA
Ditënetëve më ndjek pas,
Me gjurmë puthjesh,
Aty mbi puthjet,
E gjurmëve të mia
Fjalët e pathëna më parë,
Rrëqethin trupin
Tek hedh hapat në heshtje,
E si e përhumbur ec,
Me gjunjë të këputur,
Si në ëndërr,
Më duket se gjurmët e puthjes,
Po lidhin hapat e mi,
E shikimin thyejnë copë-copë
Deri në marramendje.
Ah, dua të kthej kokën prapa,
Vetëm një herë të shoh,
Gjurmët që më ndjekim pas,
Ku lëkura e trupit ngrin,
Zemra pulson,
Me një ritëm të çuditshëm,
Po të ndaluar e kam
Të ktheja kokën pas
Dhe po ta kthej,
Rrugët me sy të verbër i kaloj,
Si në jermi,
Por e dua verbërinë time,
Kur e di që pas më ndjekin gjurmët e tua
Edhe pse më çojnë
Drejt të panjohures
Drejt të pajetuares
Drejt të pashijuares
Drejt dhimbjes që s’e prek,
Nëpër gjurmë puthjesh,
Ditënetëve të mia.
DIELLIN MBI KRYE
Gjithmonë jetën e kam shikuar
Si fushë me lule plot
Dhe kur kam qenë
E gërryer në shpirt,
Si një përrua
Nga rrebeshet,
Si një psherëtimë në të e tretur,
Si një shkëndijë në qiellin e hapur,
Si një klithmë në shkretëtirë
Si një djep i përkundur,
Me ninulla dhimbjeje,
Se jetën kam dashur
Ta këndoj gjithmonë si këngë,
T’i thaj lotin e pafajshëm,
Që lagu
Edhe këngën,
Edhe jetën,
Iu lidh nyjë në grykë,
Këngës ia trembi rimat,
Jetës ia prish qetësinë,
Të dyjave ua la diellin mbi krye,
Ua shtegtoi zogjtë,
Në kontinentin e vdekjes.
DEHUR ME VERË GJAKU
Tashmë nuk e besoj,
Që pas asaj fytyre sfinge,
Pas asaj buzëqeshjeje,
Aq cinike,
Nuk fshihet gjëma!
Pas atyre syve,
Që rrezatojnë errësirë,
Nuk fshihet mallkimi!
Më nuk e besoj,
Që pas atyre flokëve të gjatë,
Hedhur mbi sup,
Nuk fshihet djalli?
Ti ngjan me lule,
Po aroma jote
Kalon të gjitha aromat e neveritshme!
Nuk besoj më,
Se brenda atij trupi selvi,
Nuk fle një gjarpër!
Ti s’meriton të kapësh
Për rrezet e diellit,
Ngaqë dielli nuk të fle në shpirt!
Ti nuk do të dehësh
Me gotën e parë,
Mbushur me gjakun tim
Pa shijuar shijen
E gotës së dytë,
Shijen e gotës së tretë!
Kaq e dehur,
Tërë jetën ke pirë
Verën e jetës sime
Dhe prapë verë gjaku,
Gjaku yt kërkon!