Dejdami në stinë hibride / Cikël poetik nga Aida Dizdari

 

aida dizdari

Cikël poetik nga Aida Dizdari

 

 

 

Dejdami në stinë hibride

 

 

Stinë hibride

 

Mbi mendjen e hapur nё tavolinё

zemra me arёsyen e vet

shqyrton sasinё e sytheve tё mbira,

gjetheve tё rёna,

rrёnjёve,

fijeve tё barit,

rёn-prerjeve tё drunjve,

degёve tё shkurtuara pёr shkaqe praktike…

 

 

Gjithesa e çelur duket si stinё hibride,

kohё-ngrirё,

si labirinth i magjepsur,

ca i terrёtuar

me minotaurё tё rastesishёm

qё u bien mureve,

e pemёve…

 

 

Tёrёsia rri pezull mbi mendje,

kaq e pafundme pёr t’u pёrpirё,

tejet e madhe pёr t’mos u parё…

…e mbetet varur,

nё pёrpjekje gllabёronjёse

lakmie tё pashoqe,

oreksi,

urigrrysie,

teprie…

 

Zemra trokitёse

shqyrtuese sё lartmi

habitshmёrisht s’kupton

se ky ёshtё malli

qe ndodh

sa herё ajo mungon.

 

 

 

Kam

 

kam ujë për ty dashuri

po ti je pika që e shkreh

shiun

 

kam ëndërr për ty dashuri

po ti je gjumi i thellë

që e frenëson

 

kam tokë për ty dashuri

po ti je boshti

që e sjell

 

kam jetë për ty dashuri

po çelësi yt është çelësi i jetës

që kam

 

i kam, i kam dashuri

të gjitha ato që të duhen ty e botës

po eja… të të tregoj…

 

 

në kish plasur toka

erdhe ti e u njom

u njëtrajtësua

e u zbut

 

në ishin lagur qiejt

erdhe ti e i tere

e i çele me rrëzëllitje

e i kaltrove

 

në ish natë

e terrët në të verbët

erdhe ti

si ditë e tërë dhe e gjatë

 

e unë para teje

s’munda të mos ndrydhem

tek u ngroha

e shpërtheva

si farë.

 

 

 

Kur jemi bashkë

 

Kur jemi bashkë,

i lëshojmë fluturimthi fjalët…

…të na rrethojnë ashtu pa formë,

si zogj…

…ndoshta të të hutojnë

e të harrosh

sa mirë mund të rri me ty,

në heshtje të thellë e te plotë,

me sytë qepur qiellit

e dorën në dorë…

 

 

 

Ëmbël- shpresë

 

Digju!

Digju ëmbël-shpresë!

Shkrihu ndanë vatrës sime…

…përkedhelmë të gjitha yjet,

shprish ngadalë të gjitha nyjet,

shpërthe në qindra xixëllonja,

erëmjaltë si dorëzonja!

Mos më ler të bie n’gjumë,

digju, shkrihu dhe më shumë…

Lermë prej teje të marr frymë,

lermë prej teje të marr flakë,

çirrmë akuj e çirrmë plagë!

Eja,

eja,

krejt pushtomë,

rrëmujshëm e në daç pa bujë,

sytë gjithnjë tash do t’i ul,

qiejtë e hirtë do të flijohen,

diejtë krejt do t’i përthajnë…

Mbi qepalla e mbi qerpikë,

lër hienat që të hanë…

…lër gjarpërinjtë të pushojnë,

lëri korbat të gjallojnë…

…une do di se nën lëkurë,

do kem dritë të kulluar…

…në i ngritsha sytë atëherë,

do plasë rrezja në t’errëtuar

si t’kete rene nje cope diell,

mbi një botë të harruar…

e do zhduken që të gjithë,

si një hije që kurrë s’ish.

Digju!

Digju ëmbel-shpresë!

Shkrihu ndanë vatrës sime…

…përkedhelmë të gjitha yjet,

shprish ngadalë të gjitha nyjet,

shpërthe në qindra xixëllonja,

erëqumësht si dorëzonja!

 

 

 

 Prej ëndrrës 

 

Prej ëndrrës, zgjendrres iu afrova,

loza me të si me një flutur,

herë e godita e herë e josha,

shpesh i jam fshehur si nuse e bukur.

 

Herë më gjakosi e herë e theva,

në buze e putha dhe jo pak herë,

më fshikulloi në ditë të lumtura,

gjak i kam pirë si të ish verë.

 

Po faj s’më kish e lidhje s’kish,

se zhgjëndrra… ënderr!… tjetër s’qe…

…prej ëndrrës, q’ëndërr kisha besuar,

kish dalë kjo zhgjëndërr kështu si qe.

 

Të zgjohem desha, e tjetër buke

desha t’i koj unë shpirtit tim,

s’desha të luaj me veten kurrë,

po veten loza që në fillim.

 

Në fund e di pse nuk përkas,

kudo pse jam në fluturim:

Mund ta jetoj ëndrrën të gjallë

e zhgjëndrra – ëndërr, të jetë kujtim.

 

 

 

Kjo natë

 

Ç’ farë zjarri ka ky det krejt në gjëmim?

Ç’ të jetë ky shi që bie pa pushim?

Ç ’është kjo dritë që më buron nga sytë,

që qiellin zbardh e yjet i përmbyt?

 

II

 

Kjo natë e zënë me meteorë,

kur retë-ngarkuar largoj me dorë,

mbështjellë më ka, porsi mëshire,

si portë mbi dijen që të di mirë!

 

Si çelës i vetëm e i artë,

si një mbulojë që s’lë kurrë jashtë,

si frymë gjallëruese që vetë gjallon,

si zë i përbotshëm që zbulon

 

atë që veç kisha menduar,

ndër ditë-netë lotë pikuar,

jo nga mërzia e jo nga halli,

q’ ish dashuri e ish prej zjarri.

 

III

 

Oh! jetë e ethshme ndër damarë,

spërkatur qiejsh margaritarë!

T’pikuan yjet nëpër lëndina,

e lulet qiejt t’i bënë bashtina!

 

Oh! shpirt përshkruar prej një malli,

që kurrë asgjë në dhe’ s’të kalli!

S’u trete kurrë në kob e dashuri,

veç malli gjith’ të flakëroi për dritë të Tij!

 

Oh! zemër që s’do më të përmbahesh,

q’ëndërron të derdhesh derisa të thahesh

e të mbrrish atje ndër këmbë të jetës,

ku tjeter s’ka veç së Vërtetës.

 

IV

 

Ç’ farë zjarri kish një det krejt në gjëmim!

Një shi ish që na binte pa pushim.

Një dritë që, që buroi nga sytë,

që qiellin zbeh e yjet i përmbyt…

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s