Poezi nga Vaso Papaj

Vaso papaj

Poezi nga Vaso Papaj

 

 

 

Bestar

 

Shembet skela, shembet bota.
U ça qielli, s’ka më Zota.
Heshti kënga e shqiponjës.
Humbi frymë në gojë t’ulkonjës.

Ëngjëll je, që re nga malet,
Tërë rininë ta mbytën hallet.
Engjell je erdhe nga qielli,
I mbështjellë me rreze dielli.

Tremben zogjtë, thyhen kokalla…
S’kam më fjalë, m’u bën gërmadha.
Në një vend që s’ka më besë,
Një Bestar duhet të vdes.

 

 

 

Sunset *

 

Eja në Sunset,
Të provojme ta prekim dhe një herë rininë,
Të shohim si dorëzohet dielli në det,
Si fiket të gjejë dashurinë.

Ndjekës të ëndjeve,
Tërë ditën lodhur në shërbim të jetës.
Mezi e fshehim therjen e këmbëve
E prapë, mes të rinjve, mbetës.

Aty, tek qoshja
Presim mesnatën, të shijojmë harbimin.
Mënjanuar por rrëmbyer nga joshja,
Zgjuar të përqafojmë gëzimin.

Po ku është ajo, rinia jonë, pse s’vjen?
E kërkoj ngado, kjo natë pse më gënjen?
Na kishin thënë, në këtë orë vjen këtej.
Ku humbi?… Nuk e shoh, nuk e gjej…

Mesnatë, bari plot…
Rrok e samba, tundu shkundu, çmenduri.
Në delir rinia na rrethon e na përlot.
Më bëhet sikur ëndrrat m’i ka marrë njeri.

Çifte fqinjët tanë…
Puthjet nuk i fshehin, falin puthje reshë.
Na kujtojnë takimet tona, ato që pas i lamë.
Të bukurën, që rron akoma midis nesh.

Dhe ja përse
Lumturia – mike një mësim na dha në jetë.
Në dashuri fitojnë dhe sot ashtu si dje,
Ata që kanë një zemër të vërtetë.

E lodhur hëna nis e varet…
I ngjajmë asaj, tërhiqemi mezi, gjer në shtëpi.
Mbylle portën, zemër, mbylli dhe dritaret,
Të mos na iki dashuria, e fundit poezi.

 

Shtator 2015

*Bar, që frekuentohet nga të rinjtë, në Currila.

 

 

 

Nën të njejtin qiell

 

Nën të njejtin qiell,
Jetojnë e vërteta dhe gënjeshtra.
Nën të njejtin qiell,
Flirtojnë dashuria dhe urrejtja.
Nën të njejtin qiell,
Vdes dhe ngjallet ëndrra.
Nën të njejtin qiell,
Shpesh më tepron dhe dhembja.
Nën të njejtin qiell,
Buzëqeshja, lot që pikon më ngjaka.
Djaj dhe engjëj më rëndoni kot
Me ide të mbrapshta.

 

 

 

Në rrugën e rinisë

 

Rrugën e rinisë prap’ e kisha gjetur.
Kioska shtrembaluqe aty kishte mbetur.
Në bangot e drurit ca fytyra të reja.
Një gotë më ofruan, s’kisha ku të veja.

Ja, në ato bango, dikur ishim ulur.
Kafe kishim pirë, me orë rrinim ngulur.
Gishta kapërthyer, shiheshim në sy,
“Përgjithmon të dua” thonim që të dy.

Po nuk shkoi gjatë, ti maturën more.
S’ndriti më n’asfalt qeshja engjëllore.
Ditët numeroja, vitet rrodhën lumë.
Unë portretin tënd gdhendja dhe në gjumë.

Prandaj jam këtu, erdha përsëri.
Kërkoj të të gjej, e nuk shoh njeri.
Me një gotë në dorë, në buzë një cigar’,
Më godet fort zemra, përgjysmë e ndarë.
Ulur jam me veten, vetminë shoqëroj.
Them se më do fort, s’do të më lëshojë.
Edhe nëse nesër, të gjithë marrin dhenë,
Unë do t’jem këtu, të pres, ndoshta vjen…

Po në atë bango, ulur dy të rinj.
Edhe pse të dehur, s’i vështron njeri.
Puthen gjat’ e gjatë dhe seç pëshpërisin.
Ndoshta dashurinë mezi e vërtisin…

Dhe unë jam këtu, këtu përsëri.
Përpiqem të të gjej e nuk shoh njeri.
Me një got’ në dorë, në buzë një cigar’,
Qiell i zemrës sime në dy pjesë i ndarë.

 

 

 

Jeta ime

 

Jeta ime i ngjan një filmi,
Një pranverë brenda një dimri.
Komedi qoft’ apo dramë,
Nuk ndryshoj, jam ky që jam.
Jeta ime i ngjan një filmi.
Shkon përpara me revan.

Projektuar në ekran
Trëndafil në uragan,
Me një lot që e mbaj në dorë
Spektator a gladiator.
Buzëqeshje veç shpërndaj,
Si përherë, fajtor pa faj.

Jeta ime i ngjan një filmi,
Filmit i mungonte grimi.
Kur një qeshje, kur ca lotë,
Kur shum’ dritë, kur terri i plotë.
Jeta ime i ngjan një filmi,
Të mos ndotem, mos të ndotë.

Kur kam nxehtë e kur të ftohtë,
I pagjumë me ëndrra plot.
Nder pa blerë e nder pa shitur
Asnjëherë i çoroditur.
Një minutë s’kalova kot,
Zemra Zot e shpirti Zot.

Shpesh mes njerzish dhe “të shquar”,
Por më shumë me “të harruar”.
Të përpjetë dhe tatëpjetë,
S’u lëkunda tërë një jetë.
Dhe në qesh i dëshpëruar,
Shpirti prapë më mbeti vluar.

Jeta ime i ngjan një filmi,
Natë e gjatë e dal nga dimri.
Lumturi duke gjurmuar,
Pafundësi duke ëndërruar,
Jeta ime i ngjan një filmi,
S’pati kurrë titra të shkruar.

 

 

 

Nëna e valëve
(me motive himarjote)

 

O Neço*, ngriu nga varri
Bëje këngën për së pari
Vajz’ e valëve s’ësht’ këtu
E rrëmbyen valët blu

Ngrihu , Neço dhe këndo
S’ka as nuse, jo, mor jo
Koh’ të tjera sot kan’ dalë
Bëj’ një mund e këmbe fjalë.

O Neço, ngriu nga varri
Zër sokakun për së mbari
Port’ më port’ lësho një zë
Nga tri plaka, mbetur një…

Kalo sot e kalo mot
Nëna valët i përlot
Qan nat’ e qan ditë
O kurbet, na thave sitë **
Ngrihe, Neço, zën e saj
Çik’ e Qorre maj’ më maj’
Zëri nënës, kënga jote
Të mos tretet nëpër mote.

 

*Neço Muka këngëtari i shquar himarjot
i viteve njëzet tridhjetë.
**sitë-forma dialektore e fjalës sytë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s