Poezi nga Adem Zaplluzha

adem

Poezi nga Adem Zaplluzha

 

 

 

NË INTERVALE TË NJËJTA KOHORE

 

Me javë të tëra
Po shoh një ëndërr të njëjtë:
Më del parasysh një lejlek,
Me një zambak të bardhë në sqep.

Më dalin
Edhe disa lloje lulesh,
I tërë gjelbërimi shtrihet parasysh,
Si një qilim magjik i 1001 netëve.

Shtrihet, kurse ajo këmbëzbathur,
Me hapa të lehta
Shkelë mbi tepihun e gjumit,
Si një sutë e egër mali kalon
Prej një ane të ëndrrës,
Deri në anën tjetër të kujtesës.

I zgjas duart,
Preki asgjënë;
Nëpër boshllëkun e dhomës
Dëgjohen zërat e huaja
Dhe të panjohura, që lindin nga ëndrra ime.

Sërish më vjen ëndrra e njëjtë,
Sërish netët shtrihen
Mbi tepihun e gjelbërimit,
Kurse ëndrrat e mia të ripërsëritura
Kurrsesi të mejnë.

Me gishtat e holla të shpresës
M’i prekin fijet e arta të gjumit,
Ëndrra e cila si një magji
Përherë përsëritet,
Në intervale të njëjta kohore.

 

 

 

AJO NUK ERDHI SONTE

 

Gastarja e mbushur deri në buzë,
Nata s’paska aspak etje;
Nga sytë e pritjes
Pikojnë çastet.
Mbi tavolinë,
Një njeri harroi kapelën e erës.

Mes nesh karriget e dehura
Dhe një pjatë e palarë.
Nata i paska veshur për herë të parë
Pantallonat e bardha;
Ndoshta, feston ditëlindjen e trishtimit.

Ajo nuk erdhi as sonte,
Nuk kishte ardhur edhe para një jave.
Ende mbi tavolinë
Kanë mbetur grimcat e fjalëve;
Shih sa qenka vonuar në këto çaste,
Koha e shkundjes së pemëve.

Më duket se gjërat po ndryshojnë
Në një mënyrë marramendëse.
Mbi një gur të bardhë, si bora,
Është ulur mbrëmja
Dhe pret mëngjesin e dërmuar
Të zgjohet nga flokët e saja.

 

 

 

SONTE NUK ËSHTË KOHA E TRISHTIMEVE

 

Të lutem, hesht!
Nuk është koha e pikëllimeve,
Ani që kjo natë
Qenka ulur në sytë e tu;
Ti mund të shohësh dritë
Përtej asaj drite të verbër.

Një mëllenjë e trishtuar,
Mbrëmë gjatë tërë kohës,
Pinte ujë
Në shuplakat e vrazhdët të erës;
Ndoshta, ishte koha
E përshtatshme
Për kthimin e lejlekëve endacakë.

Ti, mos qaj sonte,
Lotët nuk mund t’i lajnë
Pendimet e tua.
Ishte një kohë, kur acari
Brente hekur.
Mos qaj,
Mos qaj, e dashur!
Sonte nuk është kohë e trishtimeve.

 

 

 

DO T’I PI GLLËNJKAT E PARA TË UJIT

 

Do të kthehem një ditë,
E dashur,
Do të kthehem,
Kur këto refrene gjethesh
Do të shtrihen të zverdhura nëpër tokë.

Do më presë këtu një pranverë tjetër,
Gjelbërimi do u përngjajë lule zambakëve.
Në duart e tua,
Si nga gjethet e vjeshtës me shi,
Do t’i pi gllënjkat e para të vesës.

E di, më ke premtuar,
E di se ti do ta mbash fjalën.
Dashuria nuk është pëllumb,
Që sa herë t’i teket,
Të fluturojë në çerdhe të huaj;
Mu për këtë, unë një ditë do të kthehem.

Do takohemi
Me pranverat tona të humbura,
Nga gishtat e tu të gjatë
Do pikojnë si kokrrat e rrushit
Unazat e pritjeve.
Do vij, e dashur, do vij një ditë
T’i shkundim gjethet e njoma të pemëve.

 

 

 

PËR PUTHJET TONA TË HUMBURA

 

Miku im, mos harro,
Ne të gjithë i përngjajmë tokës,
Secili prej nesh
Kemi nga një grusht dhe nëpër xhepa;

Kemi dhe e bartim si qefinin tonë.
Kur na zë uria,
I kafshojmë gjethet e bardha
Të ndonjë lisi të zi.

Kur jemi të përgjumur, i përqafojmë lisat,
Si të dashurat tona;
Deri në fund të rrugës
Ecim nëpër paralelet e gjetheve.

Mbrëmjeve të vona, nën hijet e mjegullave,
U shkruajmë letra të dashurave tona,
Shkruajmë dhe u qajmë hallet,
Duke kërkuar falje
Për puthjet e humbura nëpër stërnishta.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s