LEGJENDA E LENËS / Shkëputur nga libri me tregime ” Vajza e tulipanëve” i autores Gjenovefa Myrtaj.

LEGJENDA E LENËS

 

 

12801580_1072942559434112_1408080052895623420_n

Shkëputur nga libri me tregime ” Vajza e tulipanëve” i autores  Gjenovefa Myrtaj.

 

 

Kisha dëgjuar për legjendat që në vitet e para të shkollës apo edhe nga bisedat e ndryshme me prindërit. Por që do të njihesha me  një legjendë të vërtetë, nuk do ta besoja kurrë. Ishte legjenda e Lenës, vajzë nga fshati i origjinës sime. Lena, edhe pse e vogël,  shkonte shpesh me nënën të lanin rrobat tek përroi poshtë fshatit dhe kjo ndodhte të dielave kur nëna e saj nuk punonte. Bashkë me to vinin edhe gra të tjera, dhe midis tyre njëra prej tyre merrte me vete edhe djalin e saj  pak më i madh se Lena.

Larja e rrobave zakonisht  ndodhte nga pranvera në vjeshtë. Ndiznin zjarrin aty në breg, i lanin dhe i zjenin rrobat, pastaj i shpëlanin në përrua e pastaj i ndernin nëpër ferra dhe driza që ishin aty përreth. Mbasi mbaronin larjen e rrobave ashtu siç ishin, me gjithë fustanet veshur, laheshin në përrua. Përroi kishte ujë të bollshëm dhe të kthjelltë si kristal, edhe pse kalonte shumë fshatra të tjerë.

Gruaja që merte djalin me vete ishte e vetmja që shkëmbente ndonjë muhabet me nënën e Lenës. Djali e ndihmonte të ndizte zjarrin pastaj merrej me lojra, sepse nuk mund të lante rrobat si  mashkull që ishte.

Kur gratë  prisnin të thaheshin rrobat, ata të dy, Lena dhe Petrua, uleshin mbi një plakë guri dhe  loznin me njëri- tjetrin, duke shpikur ndonjë lojë për moshën e tyre. Ishin ende fëmijë. Kalonin vitet dhe larja e rrobave kishte mbetur një rit, ku çdo pranverë takoheshin gratë e fshatit.  Ato moshoheshin dhe linin mbrapa fëmijërinë.

Petrua,  që ndizte gjithmonë zjarrin, mbaroi shkollën 8-vjeçare dhe filloi të punonte me të atin e tij në punët e bujqësisë. Po Lenës i mungonte miku saj, i mungonte loja dhe shoqëria e tij. Tek rritej nëna filloj t’i mësonte Lenës të qëndiste pajën e saj. Edhe pse ishin shumë të varfër, por herë pas here i blinte një copë pëlhurë për të bërë çarçarfët që i duheshin kur të krijonte familjen e saj. Një ditë, ajo mori guximin dhe pyeti nënën e Petros:

-Nuk vjen më, të të ndihmojë Petroja?

-Jo, -ju përgjigj gruaja me shumë ëmbëlsi, -tani është rritur dhe punon me të jatin, po hapin toka të reja, se kemi blerë disa hektarë më tepër dhe puna është shtuar.

Nuk mbeti e kënaqur nga biseda me këtë grua, por s’kishte ç’të bënte. Rasti e pruri që Petron ta takonte  një herë në një festë që u organizua në fshat. Tani Lena ishte më e rritur dhe prindërit e linin të dilte me shoqet e saj. Festa e fshatit ishte shumë interesante, mblidheshin të gjithë hanin, pinin këndonin e kërcenin. Ajo me miket e saj priste që ndonjë djalë t’i kërkonte të vallëzonin, sepse  dhe vallet ishin shumë të bukura. Ajo priste Petron.

Por  ai kërcente gjithmonë me një vajzë të cilin nuk e njihte, ishte hera e parë që e shihte në fshat.

Kur mbaroi vallja, ajo i shkoj pranë dhe e përshëndeti.

Petrua u habit se Lena  ishte rritur dhe zbukuruar shumë. Folën për lojrat e tyre tek përroi. Lena i kërkoi të kërcente, por ai i tha që kishte pranë tij të fejuarën dhe nuk mund të kërcente me vajza të tjera dhe e prezantoi me vajzën që një ditë do të bëhej bashkëshortja e tij.

Lena mbeti pa fjalë. Ajo kishte thurrur mijra ëndrra për të, po ç’faj kishte Petrua?

La festën në mes dhe u kthye në shtëpi vetëm. Mori pajën e saj, donte ta bënte copa, por nuk guxoi. Mendonte për mundimet e nënës, për shpenzimet e bëra nga ajo, duke kursyer…

 

Pranvera erdhi përsëri dhe nisën gratë të mblidheshin tek përroi e të lanin teshat. Erdhi edhe nëna e Petros, kësaj here nuk ishte vetëm, por me një nuse të re, ishte vajza që kishte njohur ditën në festën e fshatit, kur Petrua ia kishte prezantuar si të fejuarën e tij. Ata ishin martuar dhe nusja me vjehrrën tani do të vinin këtu çdo të dielë të lanin teshat.

Kjo ishte një torturë për Lenën. Ulej tek pllaka e gurit ku dikur rrinte me Petron dhe shtrëngonte sytë mos të derdhte lot.

Dimri erdhi shpejt, tek përroi nuk shkonte njeri, ishte ftohtë dhe rrobat nuk thaheshin jashtë nga lagështia prandaj gratë mbylleshin në shtëpit e tyre të vjetra, por të ngrohta dhe teshat i lanin në shtëpi.

Atë të dielë, edhe pse bënte shumë ftohtë, Lena bëri poshtë nga përroi, fshehurazi nga nëna, e cila punonte larg, tek “kava e gurit” dhe kthehej vonë në shtëpi. Edhe pse e diela duhet të ishte një ditë pushimi,  i duhej të punonte që të mbante familjen.

Lena ju afrua përroit dhe nuk pyeti për ujin e ftohtë. U zhyt në të për mos të dalë më. Trupi i saj nuk u gjet kurrë.

Një ditë, kur u rralluan vizitat e njerzëve për ngushëllim, e ëma e saj mori pajën e Lenës dhe shkoj tek përroi, u ul atje ku ulej Lena gjithmonë dhe filloi ta qante ashtu siç bënte në shtëpi. I hodhi rrobat në përrua, ndoshta Lena do ta gjente pajën e saj dhe atje ku ishte do të mbulohej më çarçarfët që me ato duart e vogla i kishte qëndisur vetë.

Qysh nga vdekja e Lenës, e ëma nuk shkonte më tek përroi të lante rrobat.

Gratë e fshatit shkonin në përrua dhe shpesh shikonin Lenën të mbështjellë me çarçaf, rrinte aty pranë, ndoshta priste nënën, apo, ndoshta, priste Petron?

Kjo është historia që tregohet edhe sot në fshatin e Lenës. Shpesh njerëzit thonë që Lena duket nga këto anë gjithmonë e veshur me ata çarçafë që ishin kaq të bukur sa të linin pa mend.

 

 

Slloveni, shtator 2015

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s