Poemë nga Shezair Koko
MES PUTHJES EDHE LOTIT
Mëngjesi u hap si perde e purpurtë
Rrezet e agut pëshpërijnë maja malesh
Qielli i paqtë, toka në luftë.
Zogjtë në fluturim kërkojnë qiellin e pafund
Poshtë, mijëra kilometra enden njerëzit në mbijetesë
Dielli u derdh shi mbi gjysëm glob.
…dhe toka nga lart duket si top tenisi i blertë.
Njerëzit e thjeshtë shkojnë në punë,
me gjethëza ulliri në zemër
Shpirti i keq i drejtuesve rënkon nga shtypja jonë si skllevër,
Po, a shtypet shpirti vallë?!
Oh! Kot e kanë!
O Zot që kundron botën rreth e qark!
O Perëndi e lartë…!
Vjen aromë e shpresës…po!
Vjen me vesën, vjen me shpërthimin e sytheve
Vjen me bardhësinë e ditëve.
Tash nga mesi kupës terapeuton dielli
Majës më të lartë vegjeton bredhi
Pranvera shokë pranvera
Erdhi prapë me lule shumë
I zbërtheu ylberet mbi dhe i derdhi
Ata të bukurit, ata të brishtit,ata të qelqtë
Ndërsa vetmitarët venin e vinin
Të tjerë, u mblodhën, u shplodhën, ëndrrave brodhën
Ku era fërfërinte, uji gurgullinte
Mbi pemët vapa me gjinkalla zhaurinte.
Vdiste dhe qielli ringjallej
Kur pasdreka fletët dredhon e dielli ul vetullat
Barqet e luginëzave kthehen shpejt në muzgje.
S’ dihet se është ditë apo natë?!
Epo, e mirë është edhe nata thanë pleqtë,
Po s’dihet ç’pjell!
Se ndonjëherë pjell binjakë edhe xanxarja mushkë
Eh, pleqtë a i zëntë e mira
S’ hoqën dorë nga këto çudira
Do t’i vrasim se na vunë byrzylyk diamant në dorë
Punuan me dritë yjesh e na dhanë shkollë
Buzëmbrëmja me qetësi shurdhuese ra
Dhe pak nga pak u mbyll perdja e zezë me qëndizma ari
Zëra njerëzish të gjirthë shtatbarabartë
Vështrojnë me habi
Muzgun e sapolindur, se si lë mbas krahëve ditën nënë
Ndjenjëtarët, si mund ti zërë gjumi?!
Nga kjo dhimbje, fare s’flenë
Si promete i mbërthen vetvetja
Gjersa, ashtu, të lënduar i zgjon agu mëngjesor
Vilat, pallatet, shtëpizat, shtëpitë
Tani të tëra duken njësoj, dritë
Aty-këtu mund të takohen kthinave
Të varfërit, të pasuri, zeshkanët, të bardhët
Në errësirë njehësohen, afrikanë
Tek-tuk ndonjë bari, pi barin, nga kolla e thatë
E dhuruar nga mëngjeset e thella.
Hijerëndët kontrollojnë badifoqet
Kur shohin se i kanë sosur, ndihen horë
Mjeranëve nga e keqja u aberon mendja
Apokalips u duket fill që e nesërmja,
Të tjerë unjur, e sufranin rrethuar
Të rejat e tyre me bardhaqe në duar
Dritnaja në shpirt e zjarrmi në zemër
Vështrime të pëllumbta gati për në ëndërr
E ëmbla natë tani hidhte shtat
Romantikja natë, qoftë sa netët e vitit bashkë
Për qetësi, kënaqësi e ëndërrim
Nata ra, u dergj e mendimi botën përkundi
Ajo ezmerkë, ballin përplot me hëna e me yje
Dielli, dita, gumëzhimi, gjallëria
Të nesërmen e afërt ftonte që të vinte.
Edhe yjet edhe hëna edhe gjithë shpezët e agimit
Janë mbledhur të përcjellin me ceremonial ndërrimin
Se nata është për gjumin e gjumi është për natën
Tani dalëngadalë fati i të gjallëve hap qerpikët e lmëngjezit
Gazavaj sytë përshtaten me realen
Ish ditnatë e bukur, kish tërë ato magjizma
Ah sikur ta kishe ndjerë edhe ti!
Tufë me lule shpirt, tufë me lule jete
Është kjo stinë.
Ik maraz prej meje, se herdhi gëzimi
Ndër vena Agimi
Kshu valë-valë, çatitë mbi shpia
Skuqin porsi zembër
Tamam sikur flet me qiellin,
dielli rreze art, derdhet mbi katart
Njerëzit ç’ shikojnë duan, duan gjithë ç’shikojnë
Shpirtin ta hapërrojnë.
Por natyra është pasqyrë, pasqyrë e dëshirës së Zotit
Që gjithë njerëzinë i mban, mes puthjes edhe lotit.