Poezi nga Nikollë Loka
Te rrënjët e fisit
(Përsiatje poetike)
I huaj nuk jam,
e si t’i shpreh
rrënjët
e fisit tim në heshtje!
Ti je pirust,
– më thonë matanë,
ky është dardan,
-thotë dikush tjetër.
U jap kuptim
fjalëve që flas,
shqip e mbledh
kohën e vjetër.
Dhe pse të huajt
pirust më thanë,
unë jam dardan,
sot e gjithë jetën.
Çfarë zemra ndjen
me mendje bluaj,
çdo të thotë pirust,
çdo të thotë dardan?
E shpirti i lirë
endet i shpenguar,
nën hijen e dardhës
te rrënjët e fisit tim.
Një vegim
Nuk jam piktor,
e veç me fjalë,
si ta jap portretin tënd
veç si dritë hije!
Më vjen nga larg
e tejdukshme si kristal,
dritën e zbërthen
fije-fije.
Nuk jam piktor,
e veç me fjalë,
si ta jap portretin tënd
veç si dritë hije!
Një vegim ma zbret
ëndërrën në tokë,
ëndërra – rreze drite,
hije e një bjondine.
Hymni i bukurisë
Po të shkruante Migjeni
një hymn për bukurinë,
trishtimi
që plas buzët do të ikte,
prej vargjesh të ëndërrueme…
Njerëzit me shpirt
do ta këndonin
një këngë hit.
Një ngutje
Pranvera
e ka një ngutje,
një lutje,
frymën e mban
kur fryn erë.
Era me ëndërra
gjethesh e lulesh,
bën tutje,
e në sythe shpërthen.
Pranvera
e ka një ngutje,
një lutje,
shelgu lotues
i rri për skaj.
Mësoje
gjuhën e luleve,
para se ta përkthesh
në shqip
me ngadalë.