Poezi nga Drita Lushi
PUTHJE…
Sonte mos më fol fjalë dashurie.
As puhizë përshpërimash rrëzë veshit, mos më thuaj.
Sonte shuaji të gjitha dritat, por jo ato të zemrës.
Le të llamburijë mbi ne dashuria – kështu më duaj.
Sonte, s’dua të m’i mbash duart në të tuat,
e përqafimet e gjata, sonte hidhi tutje;
sonte, oh sonte, e dua natën veç me puthje,
si burim dashurie le të rrjedhin, të qeta, pa ngutje.
E në më zëntë gjumi nga dashuria,
me burimin e puthjeve freskom’ përsëri,
dhe, të lutem mos u lodh, mëngjesi vjen shpejt,
i dua pafundësisht puthjet – zjarr, dhe ëmbëlsi.
Lërmë të të dua siç di!
Lërmë!
Me lër të çel ditën
e penelata kaltërsie t’i hedh
dhe reve në qiell.
***
Janë ca ditë, ku njeriu qesh
krejt pa shkak;
Jane ca ditë,ku hutimimin
ta lexojnë edhe në veshtrim;
Jane ca ditë, ku të duket vetja gjithësi…
Jane ca ditë (prilli) në jetë…
Sa një jetë…!
***
Dashuritë
s’lindin nga përqafimet,
as nga puthjet s’lindin, jo.
Ato lindin
pa kuptuar,
pa ditur,
pa shpjeguar si.
Ato lindin,
në zemër,
a ndoshta në sy…
Dashurite lindin
kur rrahja e zemrës,
te njëjtën rrahje ndjen tek ty…
Lindin,
kur fjala edhe me heshtje,
I flet fjalës,
e gërmat, ia kendon
edhe nën zë…
…
është e thjeshtë:
bota bëhet e trëndafiltë
kur lindin…Ato…
Dashuritë…
NJË ZOT
Në një Zot,
besojme ti dhe unë.
Musliman a i krishtere qofsh,
vëlla të kam,
edhe nëse s’agjëron,
por sot Pashkën feston!
Se është një Zot,
Nje Zot që na bashkon!
@ Drita Lushi