Poezi nga Mimoza Çobo
E PËRJETSHME SI YJËSITË
Si reja e bardhë prej diellit jam zhuritur,
diku nën qerpikë qesh deti yt i kaltër,
zhytem si sirenë të lag buzën e djersitur,
fluturoj si pulëbardhë dhe luaj me valët.
Se aty thith shijen e ëmbël të dashurisë,
kripën dhe lezetin ku ngjyej buzën e etur,
pa të bukurin qerpik i vë zjarrin pasurisë,
se ai mi ndezi e ndricojë yjet e pa feksur.
Ah,këta sytë e tu kur fluturojnë medituar,
çaste lumturie sjellin kur kthehen në tokë,
por kur ata sy të çiltër gjallojnë menduar,
shpirti më këputet kur derdhin ndonjë lot.
Se në thellësi të tyre ndihem e mrekulluar,
zbres porsi hëna mbi qerpikun që vallëzon,
dhe pres si një fëmijë të lindin yjet e pashuar,
t’i rrëmbej një nga një paçka se xixëllojnë.
Shpirti të më qeshi,e të më rrijë ëndërruar,
si ëndërrat që ngjallen prej shpresës një ditë,
nëpër krahët e tu të jem femër e dashuruar,
se aty dua të jem e përjetshme si yjësitë.
E MAGJEPSE DJALIN
Si era që shpupurit pranverën gjelbëruar,
ia preke gjirin djalit me dhela të çuditshme,
moj goca firake me shtatë ngjyra ylberëzuar,
e marrose djalin pas balukes së magjishme.
Shtamën e shtrëngoje dorës e gazmuar,
burimit iu afrove si sorkadhe buzë etur,
freskove gushë e faqe dhe sytë e praruar,
thithe gjithë burimin sa e le të shterur.
Se erërat e Apollonisë të kishin turbulluar,
si njomëzake pas statujave ishe joshur,
mes ëndërrimesh kishe mbetur nusëruar,
aq sa djalit duke pritur durimi i ishte sosur.
Shkoi i zëmëruar se ti s’i the ;të dua!
Poshtë pemës fliste me vete si i çartur,
por kur dëgjoi këngën e vashës s’iu durua,
si krua i rrëmbyer iu derdh buzës së plasur.
Kur djalit ia hoqe qeleshen,ai buzëqeshi,
se balukja varesh ballit si fija e perit,
ia preve siç i prisje vetë me gërshërë teli,
se kot nuk të thërrisnin,”e bukura e fierit”!
Sa të donte babai,si të ishe uji i pakët,
që ti të mos i mbaje të fshehta asnjëherë,
dhe pse digjeshe prej ndjenjës së flakët,
si thoshe dot për djalin që puthe atë verë.
FIERAKE E BUKUR
Rrëzë Apollonisë rendje duke kënduar,
dhe s’kishe aspak turp fierake e bukur,
zemrën ç’ta këputi një djalë i dashuruar,
para tij përdridhesh si nuselale e zbutur.
Mezi po prisje të çelte sythet pranvera
se të pëlqen të luash kolonave si flutur,
sa të këput meraku për djalin si përhera
po kur e sheh së largu buza tretet skuqur.
Kur kthen kokën pas digjesh përvëluar,
fushës paqësisht shkel barin e vesitur,
kjo aroma jote lidhi djalin këmbë e duar,
u tret pas gjurmës nëpër muzg djersitur.
Mes fluturimit erotik shkove ëndërruar,
prej flokut rrëshkiti shamia përmbi gur,
nëpër gjoksin e djalit u valëvit fluturuar,
sa vure dorën ta merrje,se ç’të ra një nur.
Sa kohë kishe që prisje çastin e bekuar,
dhe mbi krahët e tij re si hënë e ndritur,
kur fllad i vajzërisë rrëqethi djalin me duar,
ty lulen e paprekur të puthi buzë dridhur.
***
Jam mes jush qe të ndiej rrahjet e zemrës
acaret t’i shkund prej strofave duke qeshur,
tek ju gjallërohem kur pi burimin e ëndërrës,
ndaj aroma e vargjeve derdhet pareshtur.
Jam në ajrin që mbush me fllad gjelbërimin,
në vesën rruazore që lag buzën e agimeve,
mes stinëve shpërthej e lumtur vargëzimin,
jam poetja juaj që hap dyert e fluturimeve.
MUHAXHIRI
Si nje muhaxhir rrugëve të botës kam ikur,
kam qarë si fëmijë nga streha në strehë,
shpresa rrinte strukur kur shikoja yjet fikur,
pak ngrohtësi i kërkova botës ndonjëherë.
Një natë dimri gjeta një mjeran të braktisur,
nen pallton e vjetër e mbajta ditëve me shi,
se më hodhi pak paqe mbi shpirtin e grrisur,
dhe rrezja e miqësisë shkriu akullin në gji.
Udhës së huaj se do kush plakun e fishkur,
as veshjen time se shohin me sy të mirë,
atje ku më përshëndet dhe shpendi në të ikur,
s’më bën përshtypje kur më therrasin muhaxhir.




























Leave a Reply