Poezi nga Dije Lohaj

dije

Poezi nga Dije Lohaj

 

 

 

SONETI I KOHËS SIME

 

Kjo koha ime u tund nga stuhi të errëta e acare,

Rrallë ndonjë ditë dielli e peshkonte me nxitim,

Furtuna e rrebeshi zhbënin botën time për fare,

Ca sytha dukeshin, po sakaq venitej kopshti im.

 

Acari kur erdhi më drithëroi, pranverë ishte,

Ngrohesha me rreze gjoksi, të ndihesha më mirë,

Të mbledhja një e një shpresat, aq sa kishte,

Që shtjellat e errëta të mos kishin më errësirë.

 

Sythat e pranverës po pritnin një kohë tjetër,

Koha që po vinte, o seç ngjante me një përrallë,

Tutje lëng shpirti po shtrydhte ajo balada e vjetër.

 

O shpirti im i dëlirë që nga koha ime buron,

Mbushesh me helme jete, nga shkon unë s’e di,

Mbi kokë firmos zjarr, tutje qiellit si re shtegton.

 

 

 

PENTAMETRI

 

Çka më djeg sonte

Bashkë me zjarrin?

 

Kush po më zë frymën sonte

Bashkë me ajrin?

 

Çka po më shkul gjethet sonte

Bashkë me cunamët?

 

Kush po më pikon gjakun sonte

Bashkë me plagët?

 

Çka po më përmbyt sonte

Bashkë me oqeanët?

 

Sonte vura miqtë e mi nën kokē,

Si gurin e varrit tim.

 

 

 

NË DHOMËN TIME NUMËR 3

 

Nuk dua të shkruaj poezi

Për qelinë time numër 3,

Për ditëgërvishtjet,

Që çdo ditë gërvisht në mur

Një, dy, tre.

Deri te shenja e lirisë…

 

Zgjas duart e prek aty ku prehet ëndrra,

Prek lart, paskajshmërinë e ëmbël,

Prek ditët me radhë,

Në ftohtësinë e këtij muri të qelbur,

Harlis ditënetët

Në drithërimën e purpurt të shpirtit,

Brenda këtyre mureve,

Duke shënjuar shfaqjen matanë fontanës.

 

Një pëllëmbë tutje gjembave,

Derdhet barit të dergjur

Gjysmëshpirti im

Gjysmës së piramidës

Shënjon shenjat e secilës ditë.

 

Në dhomën time numër 3,

Unë, Dija, po pres letrat e tua,

Ashtu siç të pritja ty buzëmbrëmjeve,

Tek vije lakuriq në ëndrrat e mia,

Në shijet e zjarrta, të errëta

Për të nxirë globin tim,

Në dëshpërimin pa numër,

Që shpërthente në fytyrat tona.

 

Unë pres letrat prej andejshmi

Të shoh mbi to shumë,

Të shoh më shumë se shumë,

Të shoh më pak se hiç,

Gjysmën tënde e gjysmën time,

Kur dallgë deti me gjysmat tona

Përkundin qenësinë paqevrarë.

 

Dhoma ime numër 3,

Tmerri im numër 3,

Ëndërrimet e mia numër 3,

Nga këtu

Biseda jonë vazhdon me letra,

E ndaluar madje edhe një puthje…

 

Dhoma ime numër 3,

Galeri e fatkeqe ndjenjash

Një lloj letre që s’thahet,

Një lloj lule jorgovani,

Që varur rri mbi degë ditësh paqethara.

 

Nuk dua të shkruaj poezi!!

Megjithatë, po shkruaj këtë poezi

Për qelinë time numër 3 në Mitrovicë,

Që të përkundin qenësinë paqevrarë,

E në letra të palos faqet e jetës sime,

Deri te shenja e lirisë.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s