Koha shëron gjithçka / Tregim nga Marjeta Shatro

Koha shëron gjithçka

marjeta shatro

Tregim nga Marjeta Shatro

Ishte viti 1910. Një çift të rinjsh prisnin me padurim ardhjen në jetë të fëmijë së tyre . Lindi një vajzë shumë e bukur, emrin e së cilës “Lisana” e vendosi Babai i Teqesë. Lisana e vogël ishte e brishtë, e bardhë si bora me sytë të kthjellët si dy liqene të vegjël ngjyrë blu, hundën e drejtë, buzët e fryra e mishtore dhe flokët e gjatë, të drejtë e ngjyrë gështenje.

Vitet shkuan e Lisana hodhi shtat e u rrit shpejt dhe sipas zakonit kur vajza mbushte 14vjeçe duhet të martohej e të shkonte tek burri, e virgjër, e paprekur e me nder.

Familje te shumta kërkuan dorën e saj, por babai si njeri i shëtitur përtej kontinentit kërkonte ti paraqitej rasti më i mirë dhe i pranueshëm. Fati një ditë trokiti në derë dhe Lisanën e martuan me djalin e vetëm të një pasaniku me shumë prona. Pas 2 vitesh Lisana lindi një djalë të bukur, por lumturia e saj nuk zgjati më shumë se 6- muaj, pasi i shoqi i saj u sëmur rëndë dhe vdiq. Jeta e saj u zymtësua dhe u bë shumë më e vështirë. Ditet kapërcenin ashtu trishtueshëm, ndërsa ajo ishte mbyllur në shtëpi, ku përveç frymëmarrjes së saj dhe të qarave të djalit nuk ndiente më asgjë. Ngrihej në këmbë menjëherë e rendëte drejt tij, sikur do ia rrëmbenin dhe këputnin edhe këtë fill gëzimi të mbetur. Edhe netët ishin bërë shumë më të frikshme, saqë parvazet e dritares nuk reflektonin më verdhësinë e dritës së Hënës apo shkrepëtimat e yjeve, por hije të stërgjatura që pushtonin thellësinë e shpirtit. Ankthi luante me pasigurinë dhe bëhej përherë e më çorientues për gjendjen e saj. Parandjenjat nuk e kishin gënjyer, teksa një mëngjes i thanë që të merrte boçen e rrobave me vete dhe të ikte në shtëpinë e prindërve. E si mund të largohej ajo pa djalin e saj. Britmat dhe thirrmat e saj jehuan përtej luginës, aq sa dhe malet u tronditën. Njerëzit e burrit mendonin për pasurinë e tyre, e cila i takonte tani edhe nuses së re. Për të shmangur këtë konflikt, por dhe në bazë të ligjeve zakonore të kohës, ata duhej të kthenin nusen tek dera e babait dhe të mbanin djalin, si trashëgimtar i ligjshëm dhe i vetëm i pronave të tyre. Shkëputja e fëmijës nga gjiri e egërsoi Lisanën dhe e shndërroi gati në një bishë të egër, të cilës nuk mund t’i afroheshe dot më pranë. Edhe pse ligji zakonor e dënoi atë, ajo sërish kishte mbetur me trup dhe shpirt tek i biri, i cili rritej nën përkujdesjen e dados. Në shtëpinë e babait u mbyll në dhomën e saj dhe për çdo natë këndonte këngë të trishtuara. Brenga ishte e madhe dhe kurrsesi nuk mund të gjente qetësi.

Pranvera trokiti me farfurimën e luleve të çelura dhe kopshti përballë shtëpisë u bë edhe më i admirueshëm. Babai e këshilloi të dilte dhe të shëtiste sa më shumë, sepse ajri i pastër dhe natyra e tëra në blerim i bënin mirë, si për shëndetin edhe për shërimin e plagëve të shpirtit.

Dimri ishte larguar ngadalë dhe të vetmet gjurmë të mbetura ishin bardhësia ende e patretur e borës mbetur majë maleve. Muaji Prill e kishte zbukuruar natyrën dhe e kishte mbushur ambientin me cicërimat e gëzuara të zogjve. Ajo i shikonte tek luanin me njëri- tjetrin dhe në mënyrë të pavetëdijshme harrohej pas tyre. Ishte tepër e re dhe i duhej t’i gëzohej edhe prarimit të moshës. Dhimbja pak e nga pak filloi të fashitej dhe thellë në vetvete ndjente më shumë lehtësi. Pranvera ndriçonte shpirtin e trazuar, sikurse dielli i rilindur pas një ditë plot stuhi e gjëmime.

Porsi bletët rendëte pas luleve, bënte buqeta me to si dikur dhe vraponte nëpër luadhe.

Lisana 17- vjeçare, e ve dhe pa djalin e saj, nuk mund të mos binte në sy për bukurinë e saj, bukuri e shtuar edhe më tepër nga amësia. Fati i saj dukej sikur ishte vendosur dhe përcaktuar që nga koha në të cilën lindi dhe u rrit. Fati i saj i dytë erdhi pas 2- vjetësh, kur një djalë i fortë dhe zeshkan kaloi pranë shtëpisë së Lisanës. Atij iu duk sikur në kopsht nuk rendëte një vajze, por një shtojzovalle e zbritur nga bota e ëndrrave. Zemra i rrahu fort, por kur kujtoi fatin e tij prej jetimi dhe pa pronë e tokë u drodh i tëri dhe u largua si hije. Ditët kalonin ,ndërsa mendja e tij kishte mbetur atje. Filloi të kalonte edhe me shpesh pranë shtëpisë së saj dhe kënaqej me magjepsjen e pamjes së saj. Djali ishte shtatlartë, ezmer, me sy të errët dhe flokë të zinj. Edhe Lisana e kishte pikasur praninë e tij dhe filloi ti falte vështrime të ëmbla, shenjë dhe shprehje dashurie, njëlloj si aroma e lehtë e trëndafilave që rriteshin në kopshtin e saj. Ajo ndihej e përkëdhelur në sedër, ndërsa zemra e dëlirë dhe e padjallëzuar kishte filluar t’i rrihte fort. Nje dite maji djali kapërceu gardhin, takoi Lisanën, i shtrëngoi duart fort dhe duke e parë në sy i kërkoi që të martohet me të.

Lisana e emocionuar mbushi sytë me lotë dhe i tregoi për fatin e saj të parë, brengën për djalin që i morën, por djaloshi dinte gjithçka dhe i prekur edhe më shumë nga përvuajtja e saj, e shtrëngoi fort në gjoksin e tij, si për ta mbrojtur nga ato erëra të rrëmbyeshme që kishin sjellë kaq shume stuhi dhe rrënim në jetën e saj. Edhe djaloshi i tregoi për fatin e vdekjes se prindërve të tij, dhe ashtu si të dënuar nga fati i tyre i keq duhej të ngriheshin mbi dhimbjet e shkuara dhe të ndërtonin një të ardhme më të mirë dhe të re. Pasuria e vetme e djalit ishte forca fizike dhe dëshira e madhe për të jetuar jetën me të. Lisana pranon dhe djali e rrëmbeu, pasi prindërit e saj dhe koha e ndalonte të martohej me një jetim.

Vitet rrodhën ngadalë, si uji i burimeve që nuk di të shterojë, ndërsa familja e tyre ishte shtuar me 3 djem dhe 3 vajza. Edhe pse familja dukej sikur kishte hyrë në normalitetin e zakonshëm, Lisanës prape i mbetej mendja tek djali i parë. I shoqi e dinte këtë brengë të saj dhe shpesh përpiqej ta qetësonte dhe lehtësonte nga kjo plagë që nuk dinte të mbyllej. Pas 16- vjetësh djalit i kishin vdekur të parët e fisit dhe ishte i lirë të vendoste për jetën e tij. Ai mësoi dhe historinë e dhimbshme të ndarjes nga nëna dhe një ditë shtatori, ku dielli ishte ngritur në zenit, kapërceu portën e ndaluar prej vitesh, këtë kufi të prerë nga iluzioni kohë dhe hyri në oborrin e shtëpisë. Lisana sa e pa të birin e njohu menjëherë dhe gjymat e ujit ju rrëzuan në tokë. I biri nxitoi dhe e kapi të ëmën për krahu se mos rrëzohej.

“Nënë vërtet ke menduar për kaq shumë vite, se do na ndanin nga njëri-tjetri?!

Ajo e përqafoi fort dhe me lot gëzimi i tha:

“Koha shëron gjithçka bir.”

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s