NUK KA SHKRUAR XHAVITI, POR SHPIRTI I TIJ. / Nga : Hamdi Hysuka

NUK KA SHKRUAR XHAVITI, POR SHPIRTI I TIJ.

 

Nga : Hamdi Hysuka

 

Vetëm kush ka jetuar e jeton në emigrim, e kupton se sa peshë të madhe ka malli. Larg atdheut vërtet fiton një jetë të re, por humbet të mëparshmen. Është krijimi artistik ai që të kthen te fëmijëria, rinia, burrëria, pleqëria… doemos duke të “fqinjësuar” me vdekjen.

Pasi ka botuar tregime, rrëfime, kujtime dhe poezi në gazetat “Republika” “Albanian News”, “Telegraf”, “Nacional”, “Fjala e lirë”, “Tribuna shqiptare”, “Zemra shqiptare”, “The Albanian”, “Mati”, revistën “Emathia” etj, si dhe poezitë e përmbledhura në vëllimet poetike “Jehonat e dhimbjes”, “Trokëllimat e poetit” dhe “Të fala nga Londra”, poeti Xhavit Gasa vjen sërish para lexuesit me vëllimin e ri “Shpirt e zemër në vendlindje”, në të cilin zënë vend së bashku poezi e prozë. S’ka gjë më lumturuese, kur njerëzit, që deri dje për ty ishin të huaj, sot janë miqtë dhe shokët e tu më të mirë.

Të gjithë, në mendje e zemër, nga gjithçka tjetër, më të dashurën, më të bukurën, më të shtrenjtën kemi vendlindjen, atdheun. E kanë provuar dhe e provojnë këtë aksiomë mijëra emigrantë shqiptarë të përhapur në të gjithë shtetet e botës. Edhe autori i këtij libri e provon çdo ditë.

Dihet që në mërgim je pjesëtar i atij vendi ku je integruar, por shprehja e lirë, pa autocensurë, është perandori e re, domosdoshmëri dhe detyrë qytetare. Me mund, vendosmëri, besim e shpresë, me karakter të qëndrueshëm e të palëkundur, Xhavit Gasa jeton dhe mbijeton. Jeton dhe ndihmon, mbështet dhe tregon vlerat e një njeriu human, duke pasur në mendje e zemër Matin, vendlindjen e dashur.

 

 

Xhavit Gasa

Xhavit Gasa

 

Në këtë libër gjejmë vjersha dhe tregime, që na flasin për ndjenja dhe përjetime delikate njerëzore, ndjenja të ngrohta prindërore, për ditë të reja të së sotmes dhe së ardhmes. Frymëzimin autori e merr nga gjëra konkrete të jetës së përditshme, në të cilat gjen estetikën e vargut dhe dramacitetin e jetës. Mbase nuk ka menduar dikur që mund të bëhej poet e shkrimtar… Ndërsa sot, thjeshtë përkushtimit dhe jetës ndryshe në Tamiz të Londrës, edhe pse larg vendlindjes, është shkrimtar me shpirt të pastër.

Nevoja për të shkruar ka qënë dhe mbetet nevojë, rrëfim, zëri që Xhavitit i thërret brenda vetes. Disa nga temat e krijimeve të këtij libri, si në prozë dhe poezi, janë elementë autobiografikë, duke respektuar lirshmërinë dhe shprehjen pa censurë. I pëlqen të krijojë me gjërat e vogla dhe të thjeshta, me të cilat merret vesh pa fjalë. Pra, atë që s’e bëri gjatë realizmit socialist, po e realizon në kohën e sotme, nëpërmjet një ballafaqimi shpirtëror, me mbresa dhe përjetime të reja.

I lindur në Zenisht të Matit më 1 maj 1956, shkollën fillore e 8-vjeçare i mbaroi në vendlindje, ndërsa arsimin e mesëm bujqësor për agonomi në Kamëz të Tiranës. Krijimtarinë letrare e nisi që në bangat e shkollës 8-vjeçare, për ta vazhduar me krijime në rrethin letrar dhe Pallatin e Kulturës, Kamëz. Por pas sherbimit ushtarak, ndaj tij filloi kalvari i vuajtjeve dhe lufta e klasave. Ndërpreu krijimtarinë e punoi në ish-kooperativën bujqësore. Pas ndërrimit të sistemit monist iu kthye krijimtarisë më me zell, sidomos në Londër, larg atdheut.

Xhavit Gasa është pjesëmarrës në Antologjitë “Lermëni pak atdhe”, “Loti i virgjër”, “Ali Podrimja”, “Dëshmorët Iliaz Kodra dhe Antigona Fazlliu”, “Antologji mbarëkombëtare për fëmijët jetimë” dhe “Antologji e poezisë matjane”. Edhe në këtë libër të ri është krijues origjinal. Stili, forma, kompozicioni dhe ritmi i tij nuk përbëjnë recetë. Natyrshëm fjalës i jep frymë dhe zë, rrëfim të sinqertë shpirti, pa porosi temash, me një botë që nuk e ka menduar ashtu siç është. Dhe bashkëjeton me të dyja gjinitë, poezinë dhe prozën, duke ia plotësuar shijet librit, me teknikë dhe talent, vërtetësi dhe origjinalitet bindës.

Jo rastësisht, një ish-agronome e sektorit Zenisht në ish-kooperativën bujqësore të Shoshaj-Lisit, Agetina Hysi (Krasniqi) me banim në Francë, pasi lexoi krijimtarinë e kolegut, postuar në rrjetet sociale, e cilëson “djalë të mençur, punëtor e rracional në punët që i caktonin, në planet e tij për ta ndryshuar e zbukuruar fshatin e tij, Zenishtin”.

 

 

13082549_1041904885874998_5759985121967886785_n

Shpirt e zemër në vendlindje

 

Ajo shprehet se duke punuar bashkë me Xhavitin, mësuan nga eksperienca e tij profesionale, shpirti i tij praktik dhe poetik, nga zgjuarsia e tij. Bindshëm thotë se Xhaviti meritonte të ishte kryeagronom i kooperativës, jo thjeshtë një punëtor krahu. Por situatat e kohës e injoruan këtë agronom të lindur. Pavarësisht këtyre situatave, ajo kujton se shumë sistemime dhe drenazhime të kodrinave dhe fushave të Zenishtit, duke përmendur emrat e parcelave Fire, Banja, Sukbull etj, mbjanë vulën e tij. Por situatat ndryshuan dhe Agetina sheh sot një anë tjetër të Xhavitit, atë të poezisë e prozës, që e lëvron me sukses.

Xhavit Gasa shumë stacione ka brenda shpirtit, në të cilat kërkon të ndalet. Ndërsa në këtë botim tërësisht për vendlindjen e dashur, më konkretisht, me rastin e 60-vjetorit të lindjes, fjalën e ka lexuesi.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s