Vjeshta e tretë / Tregim nga Teuta Sadiku

 

teuta Sadiku

Tregim nga Teuta Sadiku

 

 

Vjeshta e tretë

 

Nuk kishim veç një javë që endeshim rrugëve   të atij qytetit ,pasi lamë pas  ujrat e Mesdheut.Im atë më mbante prej dore gjithmonë,nga frika se mos humbja ashtu si vëllai im më i vogël  nëpër ujra, kurse nëna ka ngatërruar rrugën me siguri,më thoshte.Po do të vijë,më qetësonte im atë dhe kthente kokën pas nga rruga ,për të parë mos dukej që larg silueta e saj e hollë. Çdo mëngjes uleshim në vendin e caktuar,im atë mbi një plastmas ,kurse mua më ulte në një arkë plastike që e gjetëm pas një supermarketi.Ajo ishte gjithë pasuria  jonë,si dhe një shumë të hollash që po iu vinte fundi,plus rrobave që kishim në trup.

Më pëlqente shumë ai vend ,sidomos kur dilte dielli dhe njerzit shkonin lart e poshtë,kush  me trasta e çanta plot  e kush me  celularë nëpër duar.Nuk kuptoja asnjë fjalë por nga fytyra e kuptoja se kush kishte një problem ,dikush qeshte apo dëgjonte thjesh muzikë. Kur u ulëm para një taverne për të dëgjuar muzikë ,(  im atë ishte profesor muzike në vendlindje) ,mua nuk më pëlqeu  ai vend për vetë faktin se zorrët e mia dëgjoheshin  më tepër se sa muzika.Aq më tepër kur pronari nuk e pranoi për ta punësuar si muzikant ,im atë u indinjua aq shumë sa e braktisëm atë vend si vend qëndrimi e shplodhjeje.Shkuam dhe u ulëm fillimisht para  ndërtesës së lartë ku prisnim të merrnim dokumentin për t`u larguar,por na ndoqën që andej sepse ishte e ndaluar.Kështu që u ulëm në trotuar midis ndërtesës së lartë  me tulla dhe vitrinave të një komleksi me veshmbathje .Koha sa vinte e ftohej mëngjeseve dhe darkave ,por kur dilte dielli çdo gjë shkëlqente.Nga ai shkëlqim sikur ngroheshim dhe ne.

-Ashtu të duket ty,më tha im atë, atë mëngjes ,po ne duhet të largohemi prej këtej, sa të hapen kufijtë.Me siguri kufijtë do hapen një ditë.Nuk e kuptoja mirë se çdo të thoshte me atë fjalë, por e kisha kuptuar sa mërzitej kur kërkoja  nënën dhe vëllanë,ndaj nuk merja guximin për ta pyetur.Me sa duket ata kishin ngatërruar rrugën përgjithmonë, e nuk di a do ti takonim, edhe pse im atë i prishi lekët në karta telefoni për tu lidhur e biseduar me dikë që do na ndihmonte.As  nuk e kthente kokën më pas për ti kërkuar,dhe shihja vështrimin e tij të lagësht edhe kur nuk binte shi.

Atë mëngjes të ftohtë tetori tek po rinim tek vendi , i mërzitur dhe i rënqethur nga të ftohtët , ktheva kokën pas tek xhamaria e vtrinave. Pas xhamit pashë një grua,e dy burra ,lakuriq siç i ka bërë nëna.Ju ngula sytë e mendoja,se si ata nuk kanë ftohtë edhe pse janë lakuriq.I hoqa sytë menjëherë,kur pashë vështrimin e egër të tim eti.Sa herë që vështrimi i tij hidhej diku gjetkë, larg, unë shikoja  fshehurazi  njerëzit  lakuriq pa pikë turpi brenda xhamarisë.Mirë fëmija që është i vogël , sa mua më këmbë,i shtrirë në dysheme lakuriq po ata të mëdhenjtë si rrinin në sy të botës ashtu.Nuk e kisha parë kurrë nënën dhe tim atë lakuriq. Lëkura e bardhë e tyre ,pa rrudha,,këmbët dhe duart  në një pozicion të palëvizshëm dhe mes këmbë, poshtë barkut ajo gjëja e turpshme.I hoqa sytë menjëherë dhe pashë nga im atë. Nuk e kishte mëndjen tek unë.Me bisht të syrit shihja nga xhamaria.Vura re një vajzë të re që kishte një krah plot me rroba ,një pulovër  ngjyrë gri, një fund të trashë me rudha, një palë pantallona të errta si dhe këpucët e tyre.I mori njerzit në krahë dhe ata palëvizur këmbë e duar i veshën rrobat. I ngriti peshë dhe ua futi këmbët me zor në këpucë. Me sa duket nuk i pëlqenin rrobat, ose donin të rrinin lakuriq,ndaj nuk reagonin..Nuk arrija ta kuptoja, pse ata nuk donin të visheshin .Ndoshta ngaqë ata nuk do shkonin  në shkollë,as në punë, vetëm rrinin e  vështronin  buzagaz nga xhamaria. Vajza e re u largua duke e kthyer vështrimin herë pas here nga njerëzit e veshur brenda xhamarisë.Fëmija rrinte akoma shtrirë lakuriq në dysheme.Duhej të kishim një moshë,vetëm unë nuk kisha nënë..

Papritur filloi një thëllim.Era sa vinte e bëhej më e ftohtë, të priste  këmbë e duar,sidomos gishtat e këmbëve  nuk i ndjeja .Sa herë bënte ftohtë gishtat e duarve  nxiheshin dhe bëheshin kopan të trashë.Hodha sytë nga im atë,që me firzamonikën time lodër filloi të luante një pjesë muzikore i mbledhur një grusht nga të ftohtët.I mbështjellë me xhaketën e tij të hollë hedhur krahëve, hodha një vështrim të shpejtë nga xhamaria. Nuk më hiqej nga mendja  fëmija që rrinte lakuriq akoma në dysheme. Si nuk kishte ftohtë ai fëmijë.Kurse unë kisha aq shumë ftohtë, po ngrija i tëri duke filluar nga majat e gishtave.

-Filloi të ftohtët menjëherë, duhet të largohemi që këtej sa më shpejt , dëgjova tim atë   të më pëshpëriste.Po ku të shkojmë,sa të hapen kufijtë.

Vërtet ishte aq ftohtë edhe pse shtrëngoja pas vetes xhaketën e hollë hedhur krahëve.Njerzit ishin rralluar rrugës.Me siguri tani janë futur brenda në shtëpinë e ngrohtë, ndoshta pranë oxhakut, shikojnë zjarrin me sy dhe zgjatin duart e këmbët për tu ngrohur.U mbështolla akoma më tepër  me pallton e hollë të atit tim dhe ndjeja një gjumë të më këpuste.Si nëpër mjegull pashë nënën tek mu afrua me krahun plot me rroba dhe këpucët në dorë. Më ngriti nga dyshemeja më mori në krahë e më uli në prehrin e saj.

-Oooo sa  ngrohtë,mama,ku ishe kaq kohë, i pëshpërita me sytë e mbyllur nga gëzimi.

-Më shpejt, dëgjova si nëpër tym  urdhrin e tim eti dhe nëna filloi të më vishte pulovrin e ngrohtë shpejt e shpejt.Nuk i bëra naze, si dikur as nuk qaja e përplasja këmbët se nuk doja të shkoja në shkollë, i futa krahët menjëherë në pulovrin e butë si pambuk .Një ngrohtësi ma përfshiu gjithë gjoksin, shpatullat, krahët ….

Hapa sytë dhe pashë përreth.Mbi mua ishte im atë që më vështronte me ngulm i frikësuar.Era frynte si e marrë.Ndjeva pikat e para të shiut të ftohtë mbi fytyrë.Këmbët i kisha akull kallkan. Tani nuk i ndjeja më fare.Tek mbylla sytëndjeja  se si ngrohesha  pak e nga pak  i veshur me pulovrin e butë si lëkurë qengji. Një ngrohtësi e ëmbël më mbështolli gjithë trupin.

-Ngrihi këmbët,  më përmendi për një çast zëri i tim eti, por  humba përsëri në ngrohtësinë e pulovrës dhe  me përtesë ngrita këmbët për të veshur pantallonat e ngrohta .Më pas me siguri nëna do më vishte këpucët e lëkurta avull të ngrohta e do më qortonte për ti lidhur më mirë kordhonat e kuqe .E shihja që përtej xhamarisë se si më vuri shallin borë të bardhë në qafë duke ma kaluar përreth qafës.

-Akull ,si njeri prej bore, dëgjova një zë ashtu nëpër gjumë dhe  duart e nënës të më preknin ballin e të më vinin kapuçin zjarr në kokë.Tani isha vërtet i veshur ngrohtë për atë ditë të ftohtë fundvjeshte.Trupi mu ngroh e ndieja një zjarrm që po më rrëmbente pak e nga pak.

-Shpejt, shpejt ,digjet zjarr,foli im atë. Nëna doli përmatanë xhamarisë së virtinave  me një batanije në dorë këtë rradhë e më mbështolli të gjithë.Pashë sytë e saj të lagësht për një moment ,por  ajo u largua për nga xhamaria,atje ku rrinte më këmbë e veshur me shoqet e saj ,pas xhamit e vështronte kalimtarët buzagas.

Kur hapa sytë pashë tim atë të më mbante pushtuar në kraharorin e tij.

-Duhet të largohemi që këtej , sa më parë,duhet të shkojmë drejt vendeve nordike,më fliste im atë e më pushtonte  në kraharorin e tij.Digjesha nga temperatura.Trupi më dridhej dhe im atë më shtrëngonte fort në gjoksin e tij .Po largoheshim drejt kufirit , që flitej se do të hapej këto ditë, kurse nëna më buzëqeshte pas nga xhamaria e vitrinave.

-Nënëëë,fillova të bërtisja.

-Po vesh vëllain e vogël, nuk e shikon sa ftohtë që bën, më qetësoi im atë. Shkojmë , pa u hapur  kufiri.Ishte vjeshta e tretë .Përpara kishim një dimër të vështirë.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s