Poezi nga Xhemile Adili

 

xhemile adili - 1

Poezi nga Xhemile Adili

 

 

MALLI PËR NJË PUTHJE

 

Në shpirt kam ngrohtësinë e diellit
Fytyrën e tij si nur të ndritur
Dhe qiellin prej ëndrrash
Sytë prej rrezesh të shoh përtej horizontesh
Ashtu siç shoh me sytë e shpirtit
Tej horizontit ku më pret buzëqeshja jote
Bukurinë e luleve të zemrës për të më dhuruar

Hapat e jetës i hedh drejt një dite të re
Jo më s’do hedh vështrimet brenda muresh
As me shikim të thyer s’do ta shoh të ardhmen
Krahët e një dimri të tërbuar
S’do t’i duroj më mbi supe të më rëndojnë
Duke duruar sa s’duron njeriu

Ndjej shumë mall për një puthje drite
Për një përqafim të ngrohtë pranvere
Derisa në heshtje ca melodi nën buzë nanuris
Të copëtuara ashtu si shpirti im pa fund
Dhe ja ku jemi këtu, si buzë greminës
Të duhemi për t’i shpëtuar humnerës së saj.

 

 

KUR NUK JE ME MUA

 

Kur ti nuk je me mua as pranë meje
Asnjë pranverë s’do të jetë me mua
Ti s’je natë, as terr, as tmerr, as kot së koti
Je rreze dielli, dritë e buzëqeshjeve që më duhen

Koha larg teje është kohë pa kokë, pa emër
Zgjat thonjtë dhe të shqyen si shtrigat
Kur gjithçka digjet nga dhimbja shkrumbohet
Unë plas copëtohem në miliona pjesë
Ashtu si qelqet kur bien dhe copëtohen nga era

Kur ti s’je me mua as pranë meje
Për një puthje lëngoj si dielli pas resh
Në një stinë me stuhi përmbytur
Mungesa jote lëvron damarët e mi me dhembje
Prania jote edhe mortin e kthen nga ka ardhur

Pa ty s’ka vlerë as edhe një ditë e vetme
Edhe nëse ngjet me shkëlqim yjesh
Mbërthyer nga ankthi shtrihem mbi shtratin e dhembjes
Nga çdo faqe muri zbresin mbi mua fantazmat

Më zënë me thonjtë e kohës të mungesës sate
Mundohen të të dhurojnë një stinë të egër
Mes stinës sonë të bukur prej ëndrrash
Ku agimi dhe trishtimi me gjejnë zgjuar
Kur s’dua asnjë shtegu të nisem pa ty.

 

 

SHPIRTIN LIDHUR ME LITARË TRISHTIMI

 

Sonte gjithçka ka rënë në heshtje
Pas fyerjeve, nënçmimit, goditjeve rrufe
Gjatë një uragani tmerri me zjarr fjalësh
Kur dhe nata u zmbraps nga ajo që pa
Iku në kullën e vet duke u munduar
Të më mbështjellë me pelerinën e saj
Për të më shpëtuar nga uragani i territ

Tani më e heshtur jam dhe unë
Nuk dua t’i dëgjoj më rënkimet që mbysin
Dhe prangosin në plagë shpirtin e trazuar
Kur kjo kënaqet me jehonën e fjalëve të rënda
Plagët e shpirtit i lidha me fasha trishtimi
Dhe e heshtur pyes veten pse gjithë këto rrufe
Në qiellin tim të qetë dhe të bukur si lulet

Në cilin shekull jemi vallë, në cilin vit, në cilën kohë
Pse kaq e fuqishme dhe kaq e pa shpirt
Mbretëria e skllavërisë, pse kaq e pranishme
Pse kaq shumë plagë dhembja e fatit

Një zë i njohur, nëse nuk ishte zëri yt i ëmbël
Nga përbrenda më thërret për në bregun tjetër
Për t’iu bërë shpirt luleve të shpirtit
Të cilit pos bukurisë i duhet edhe drita e syve tu
Për të më treguar shtegun e fitores pas rrebeshit

Shtrirë isha në dyshemenë e pistë të xhelatëve
Në dyshekun e gjakut tim të derdhur zemrës
Pa më të voglën shpresë për të mbijetuar vdekjen
Që nuk na duhej m’ sa vdekja e dashurisë
Zëri i së cilës i dha forcë shpirtit të qëlluar rëndë
Iu bë shpirt dhe dritë jetës pa jetë
Kur shpirtin e kisha të lidhur me litarë trishtimi.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s