Vizita e profesorit Walter Zhelazny / Nga : Bardhyl Selimi

Vizita e profesorit Walter Zhelazny

 

 

Bardhyl Selimi

Nga : Bardhyl Selimi

 
Prej një viti, profesori i universitetit të Bjalistokut, Walter Zhelazny, gjithashtu esperantist, ofroi pa shpërblim veprën e vet “Luigj Llazar Zamenhof- mendime dhe pasoja” për përkthim në shqip dhe botim nga UET- press. Fatmirësisht, kjo u krye në nëntorin e kaluar, por ai nuk kishte mundësi të vinte vetë në paraqitjen e librit në fjalë. Kjo u realizua vetëm këtë fillim maji 2016.

Ndërkohë isha marrë vesh me disa universitete, në Tiranë dhe Prishtinë ku profesori, specialist në antropologjinë sociale dhe politikat gjuhësore, mund të mbante ligjërata.
Fillimisht, ai më shoqëroi në dy promovime librash dygjuhësh, njëri shqip- esperantisht, me poezi të Bedri Alimehmetit, me titull “Kjo këngë për ju” dhe tjetri dygjuhësh sërish, shqip- frëngjisht i Agim Vincës me titull “Këmbana në qafë”. Këto dy takime u zhvilluan përkatësisht në kafenenë EDEN dhe në mjediset e Ministrisë së Kulturës në Tiranë. Bedriu i ka shkruar poezitë gjatë kohës që ishim bashkënxënës në gjimnazin “Sami Frashëri” në Tiranë, në vitet 60, por atëhere nuk guxonte t’i botonte ato. Kuptohet, sepse në poezitë ai fliste për Adriano Ҫelentanon, për Marylin Monroe, për karabinën “Simonova” që nxënësit e mësonin me detyrim të shtunave, për mitingjet ku nxënësit i nxirrnin me urdhër në mbrojtje psh të Lumumbës, për librat e ndaluar, për ‘Brodway-in” e Tiranës dhe shumë “personazhe” të asaj kohe. Agim Vinca i ka shkruar poezitë në kohën e regjimit sllavokomunist në Kosovë por edhe pas çlirimit dhe pavarësimit të saj, në frymë tepër kritike, por dhe të fuqishme artistikisht. Në kafenën EDEN ishte i pranishëm edhe profesori Emil Lafe, dashamirës i Esperantos dhe gjuhëtar i njohur.

 

 

v 1

Walter Zhelazny

 

Për t’u njohur paraprakisht me kryeqytetin, profesorin e shoqërova në një ekskursion dhe një drekë në “Kullën e Perrisë” në malin e Dajtit, gjë që ishte një befasi e bukur për të. Ky, po, vërejti Ëalteri për teleferikun “Dajti Express”, është një investim i duhur. Po ashtu një vizitë në kalanë e Elbasanit, takimi me At Nikollë Markun në kishën e Shën Mërisë, ditën e Pashkës, një kafe në bar-restorantin brenda mureve të kalasë.
Muzetë dhe objektet e kultit gjithashtu tërhoqën vëmëndjen e z. Zhelansky. Qyteti i Durrësit iu duk më i bukur se vetë Tirana.
Por sikurse ndodh zakonisht me të huajt që vinë për herë të parë në Shqipëri, ata edhe zhgënjehen shumë kur ndeshin me mangësitë tona të dukshme. Në rrugë, thosh aio, sheh shumë punonjës të pastrimit por pothuaj asnjë kosh plehrash; kudo që të hysh (lokal, muze, autobuz, shkollë) të shqetëson shumë zhurma e njerëzve, e automjeteve, e muzikës; dëshiron të shohësh diçka interesante por nuk gjen informacion për të, edhe policët nuk të sqarojnë; hyra në 15 bare në Durrës për të përdorur tualetin por gjithkund më thanë se nuk kemi tualet; shërbimi në restorante lë për të dëshiruar; ende sheh plehra aty këtu, madje edhe në fushën e Dajtit; në ndonjë fakultet në Tiranë nuk lejohet përdorimi i ashensorit për studentët dhe persona të tjerë, ..
Natyrisht, udhëtimi për Prishtinë përbënte një nga qëllimet kryesore të vizitës sonë. Mua e profesorin polak na shoqëronte me veturën e vet prof. Agim Kocillari, mjek në pension, ish kirurg i njohur, veprimtar për çështjen e bashkimit kombëtar. Në Qendrën e të Drejtave të Njeriut pranë Fakultetit Juridik të UP, na priste studentja nga Presheva, Afrorja, organizatore e takimit. Aty na priti edhe vetë dekani. Prof. Zhelazny u foli studentëve për anët e forta dhe të dobëta të BE, për kushtet që duhet të plotësojë Shqipëria e Kosova për t’u pranuar aty. Duke i njohur ata me veçoritë e ndërtimit të BE në krahasim me SHBA psh, ai theksoi se shqiptarët së pari duhet të kuptojnë vlerat morale aksiologjike të kësaj federate të madhe shtetesh. Sigurisht edhe studentët u gjetën të befasuar kur profesori u tha se duke hyrë në BE shqiptarët do heqin dorë nga çdo mëtim territorial..

 

 

v 2

Në kolegjin AAB (Alternativa e Arsimit Bashkëkohor), zonja Naile Demiri dhe profesori Nexhmedin Spahiu, na priti sërish bashkë me kolegët e saj, ku rastësisht pamë edhe ish presidentin Fatmir Sejdiu, ligjërues aty. Ndërtesat e këtij kolegji ndodhen në Fushë- Kosovë. Profesor Zhelazny foli për Evropën si shtrirje, strukturë, histori, çfarë është Veriu, Jugu, Lindja dhe Perëndimi i saj, në se Qendra nuk ekziston. Ide qendrore në ligjëratë ishte fakti se demokracia liberale mbështetet në tre pushtetet e pavarur (Qeveria, Parlamenti dhe Gjykatat) që kontrollohen nga një institucion i katërt, me emra të ndryshëm (Gjykatë e Lartë në SHBA, Këshilli Kushtetues apo Gjykatë Kushtetuese në vende të tjera, përfshi Shqipërinë e Kosovën).

Profesorin e përcollëm për Tiranë, nga që ishte i lodhur dhe shiu nuk pushonte.
Si gjithnjë, nuk mund të mos takoja miqtë dhe kushërinjtë e mij. Në shoqërinë e Behadinit u takuam me prof. Muhamet Shatrin, që po i jep dorën e fundit monografisë për “Kryengritjen e madhe antiosmane të vitit 1912”. Së bashku drekuam në restorantin e mirënjohur “Pishat” ku, ndër të tjera, e gatuajnë aq mirë troftën. Për ca kohë, na u bashkua dhe gazetari Zenun Ҫela, me të cilin takohesha për herë të parë.

Nuk mund të mos shkoja për vizitë te miku im i madh, Baca Adem Demaçi i cili prej një viti është i sëmurë. Apopleksia i ka dëmtuar pak të folurit por jo mendjen dhe ndjenjat. Edhe miqtë e mij, Agimi, Behadini e prof. Muhameti u befasuan kur ai na priti me lotë në sy nga gëzimi. Biseduam bukur gjatë me të, me të të shoqen dhe nusen e djalit, si dhe me Xhemalin, që e ka shoqëruar bacën me automjetin e tij. Nusja kishte përgatitur ndër të tjera edhe hallvën e natës së Madhe që myslimanët kremtojnë atë ditë..
E mbaj mend bacën Adem, 25 vjet më parë, kur erdhi në shtëpinë time i shoqëruar nga shkrimtari Agim Gjakova. Mandej jemi takuar rregullisht në Tiranë dhe Prishtinë.

Nuk e harroj atë ditë, mund të ketë qenë fillimi i vitit 1999, kur baca Adem ishte zgjedhur zëdhënës politik i UҪK, kur ai erdhi në Tiranë dhe më takoi në shtëpi e më tregoi me optimizëm që Kosova së shpejti ka me u çlirue.

Natën e kaluam në hotel “Real” të lagjes Pejton, me kushte mjaft të mira.
Në mëngjes erdhi të pijë një kafe me ne, Fatmiri, ingjinier në ndërmarrjen elektrike. Ai është një nip i time shoqeje, që pat ardhë, ndër të parët, në kohën e komunizmit, për të luajtur basketboll si i ri 16 vjeçar me një skuadër të Prishtinës.
Një befasi për mua dhe z. Agim ishte vizita në Hotelin Swiss Diamond, në pronësi të z. Selim Pacolli. I kërkuam vetëm 10 minuta nga koha e tij por ai na ftoi në zyrë dhe bisedoi me ne përzemërsisht për më shumë se një orë. Ishte shumë i interesuar për çështjen tonë kombëtare, njihte me hollësi ngjarjet e rëndësishme, personalitete tona të shkencës. Pashë një foto ku ai kish dalë me uniformën e UҪK. Na dhuroi disa libra të çmueshëm si: atë për gjenocidin serb ndaj shqiptarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë me autor z. Nusret Pllana, dy libra për Lidhjen e Prizrenit, një libër për 100 figura të escelencës shqiptare në botë, një libër për shkatërrimin e objekteve të kultit islam në Kosovë gjatë luftës së fundit etj.

Kur dolëm që andej, po na priste miku im Heseti, drejtor në Komunën e Lipjanit, që megjithë shqetësimet e tij familiare, gjeti pak kohë edhe për ne.
Ndërkohë u nisëm për Lipjan ku na priste z. Sefer, nënkryetar i Komunës, z. Adem, mësues i historisë në gjimnazin “Ulpiana” dhe Behadini. Bashkërisht, gjatë drekës në restorantin “Rozafa”, zhvilluam një bisedë të këndëshme për probleme të historisë dhe një libri që unë po shkruaj për babain tim. Ata vetë, Seferi dhe Ademi, janë autorë librash dhe nga fshati i madh dhe me tradita i Gadimes, fqinjë me Gllavicën, vendlindjen time.
Në kthim për Prizren, Behadini na ftoi për një kafe në Shtime, ku ai banon, ku na priste edhe z. Banush, ish mësues, studiues dhe organizator i veprimtarive kulturore. Lokali në kodër sipër Shtimes kishte një pamjë të gjerë të plot fshatrave të bukur rrëzë kodrave të gjelbëruara, ku dikur shqiptarët dhe Micë Sokoli kanë luftuar heroikisht, por midis tyre dukej edhe Reçaku martir, që bashkë me Prekazin i nxitën më shumë ndërkombëtarët të ndërhyjnë në ndihmë të shqiptarëve të Kosovës. Rrugës për aty pashë ndërtesën e re të shtëpisë së kulturës, shumë e bukur, po ashtu atë të shkollës së mesme.

Ajo që më tërhoqi vëmëndjen në këtë kafene ishte pianoja që zinte një qoshe të tij. Me siguri pronari ishte dashamirës i muzikës klasike dhe pajtonte herë pas here dikë të luante për klientët pjesë të ndryshme. Përballë kafenesë ishte një lokal tjetër për Fitnes.
Vijuam udhën për Prizren gjithnjë nën shiun që nuk pushonte, deri në Mirditë. U kthyem në shtëpi sigurisht të lodhur, por të kënaqur plot përshtypje nga ajo që pamë dhe takuam.
Të nesërmen, prof. Zhelazny do mbante ligjëratë në Fakultetin e Shkencave Sociale të UT. Zonja Orinda Malltezi, prej kohësh, ishte interesuar për mbarëvajtjen e veprimtarisë. Studentët e profilit të shkencave politike treguan mjaft interesim për atë që parashtroi profesori lidhur me demokracinë liberale, parakushtet për të hyrë në BE, përparësitë dhe mospërparësitë lidhur me këtë. Ata e dëgjuan atë çuditërisht për rreth 90 minuta, pastaj e rrethuan me pyetje të ndryshme.

Për mua ishte vërtet kënaqësi dhe një rast i mirë edhe për ta propaganduar disi gjuhën Esperanto në të cilën ligjëronte profesori (i cili nuk e përdorte anglishten, por vetëm frëngjishten) dhe unë përktheja në shqip. Studentët dhe jo vetëm ata, kishin mundësi të provonin si tingëllon ajo, të kuptonin thuajse gjysmën e fjalëve dhe faktin që përkthimi nga Esperanto është shumë më i thjeshtë dhe besnik.

 

 7 maj 2016

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s