NJË KANGË BURGU / Nga Flutra Kuqani Malo

NJË KANGË BURGU

 

 

flutra-Malo

Nga Flutra Kuqani Malo

 

Ata ishin një grup prej pesë shkodranësh, në burgun e tmerrshëm të Burrelit, të gjithe të burgosun politik, që punonin prej mjesit deri në darkë, në atë dimër të tmerrshem të vitit 1962, e nuk prisnin minutin të afronte ora gjashtë e darkës, e çanga të binte sa ti shurdhonte veshët për ti komunikuar që edhe një ditë iku, e atyre dhe një ditë jetë po i fluturonte.

Të shkatërruar nga puna tepër e randë, nga të ftoftit që kishte fillue te gjithëve ti ngrinte gjymtyrët e poshtme, e në darkë kur u futshin në ato shtretën dërrase, me nji dyshek t’hollë kashtet, u mbulojshin me gjithe rreckat që kishin me vehte e që i lejonin në burg për me u ngroh, por trupi reagonte me vonesë……. u donte shumë kohë me u nxeh, nga ngrimja e ditës, e kur gjymtyrët fillonin të nxeheshin e t’merrnin vedin….dhimbjet e pafund i pushtojshin ato bir nanash….e sapo ngroheshin e mbrrinte gjumi binte çanga e zgjimit.

Ishin pesë, Gjovalini, Luigji, Frani, Mirashi e Sandri, kishin lindur të gjithe në mes të Serreqit e Ballabanës, vinin nga familje të vorfna e mesatare, askush nuk i kishte ba asgjë të keqe shtetit asnjiherë, ishin t’rij n’formim e akoma nuk e dijshin përse ishin tuj ba atë denim, asnjëni nuk ishte nën dhjetë vjet heqje lirije, nga Gjykata e popullit kishin marrë dënimin për “tentativë arratisjet” e ishin të shpallur armiq të popullit, nga guardianët e burgut u konsideronin të “rrezikshëm” dhe vitet e para i ruejshin e flenin në qeli izolimit.

Nga dritarja e vogël e asaj qelije gjithë lagshtinë e të akullt, siç ishte kthyer vetë jeta e tyre, ato shikonin lindjen e perëndimin e diellit me shpresën që një ditë do të ktheheshin në Shkodrën e dashtun, pranë njerëzve të tyne, pranë miqve e dashamirëve e të rifitonin lirinë, të krijonin një familje e të kishin një të ardhme normale…….tuj llogarit sekondat, minutat, orët, ditët, javët, muejt e tashma dhe vitet…..

Jashte binte borë ishte një acar i paparë, hejt e akullit vareshin deri në tokë……atë darkë kishin kthyer pak me herët, nga të ftohtit e tmerrshëm të asaj nate janari, dhe filluan të gatuanin groshën që u kishin sjellë nënat e tyre në trastat e rënda që bartnin në rrugën e gjatë për të gjetur të dashurit e tyre, tuj bart n’shpinë thasë me ushqime, për të tretunit në burgje……në lulen e rinisë.

Të gjithë bashkë…..të ulun pranë njëri – tjetrit për tu xe…… filluan darkën…bukë e thekun e atë tas alumini me ujë, por me zemrën të ngrohtë, ishin te gjithë nga nandmbëdhjetë deri njezetëpesë vjeç. Njeni prej tyne Gjovja, djali i Mirashve, bir Hotit, egzaktsiht prej Traboinit…..me një trup të hajthëm, të derdhun….e të brishtë, me sytë e kaltër si qielli kur asht i hapun…..me bukurinë e nje artisti hollivudian, me lëvizjet si të nji pantere në kurth, kishte dhe zanin më të bukur të grupit , këndonte serenata qysh i ri me një avokate korçare dhe një shok të tyne të shtunave nëpër rrugicat shkodrane, përveç duarve të tija të arta që nxirrnin skulptura të mrekullueshme….. Luigji bir i një familje të mire të Kabashëve….djalë azgan me sy të jeshiltë e me nje trup sportiv shumë të bukur e shume puntor, ai vinte nga familje shumë e mire, Sandri…i shkurtër,  por i lidhun, vinte nga familja e Daberdakve (të vegjël), djalë i edukuem dhe shumë i njerzishem, Frani ishte trupi ma i vogël…..i atij grupi dhe vinte nga një familje e vorfën….Mirashi një bir familjet malësore, besnik e i fortë si askush e shumë fisnor, kishte hangër gjithe torturat pa folë asnjiherë…

Duke shikuar njëri tjetrin në sy…….dhe duke pritur një aprovim të heshtur Gjovja filloj të këndonte nën za kangën e “Vëlla vrasësit” , lehtaz me buzen në gaz, ishte nji dhunti që i kish falë Zoti, ….sikur po ftonte të tjeret, duke përzi zjarrin e zbetë te asaj nate…..e bukën kallamoqe që vokej ngadalë në prush që ja jepnin n’burg, bukën e grunit nuk e shifnin asnjiherë…..

Kur papritmas zërat u forcuan, u ndi njo oshtimë zanesh….shokët filluan ta shoqërojnë, kangën që më poshtë vijon:

 

Nëper terr që shkonte nata,

Ngarku teshat kaliboç

Për një pyll, që s’ ra kurrë sëpata

Ndiqte rrugën një djaloç.

Landet e pyllit si ujq ju dukshin,

Si prej ujët në mal luron.

Cuba të rreptë ku në pritë u strukshin

Gjetht’ e lisave i kujton.

O Shqypni! bërtet i mjeri.

Malet mbush me gjyetar plot,

Kesollë e bardhë, ku por si mbreti

Shkon baria ditë e mot.

O ju lugjet e Prevezës,

Këtu, mu hana po me vajton

Ku hana me dritë të rrezes,

Shtigjt’ udhëtarit ja kallëzon.

Njishtu thotë me trimni,

U nis më udhe shtegtari prep,

Fishkëllen landa tuj përzi,

E prej frikës, ngan djali vrep.

Por një cub mbas gardhit hasi,

Ndal: i tha nuk ke ka ma.

Nji kobure në bri ja rrasi.

E përmbi curr përmys e la.

 

U nanë shkreta, i shumi briti,

E përmbys u leshu mbi curr,

Tash tre muej e shkreta m’priti,

E tej kndej, nuk më shef ma kurr.

 

Po jot amë? si për qesti

Ja ban gjaksi me idhnim plot

Ti m’difto ku rrin me shpi?

Fjala jote nuk hup dot.

 

Në skaj te Shqypnise, shkon vorfnisht jetën

E pa djem e shkreta mbetet,

Dy ma te mdhajt në lufta i mbetn,

E këtu i treti qe po i jet.

Pat një të tretë, që ajo e donte,

Për mbi dritë të syve të vet,

Kurrë prej prehnit, nuk e lëshonte,

Shokë me cuba voj e gjet.

 

Pat një tjerrë e fija e zanit,

Ju këput djalit e gjimoi

U dridh gjaksi, ai farë luanit,

Pushkën në toke menjeherë e lëshoi.

 

Vëlla, përgjigjet zemër vshtirin

Njitu të vrava, njitu po des,

Nuk kam ftyrë me më pa ma njiri,

Në grykë me ty njitu po jes.

Jo ti shndosh e fill te shpia,

Te nanë zeza fluturo,

Pa asnjë fëmi, e mbyt vetmia

E mblon skami, mos e lësho.

Shka ti them mandej nanë ngratës,

Në kjoftë se pvet, për ty ndoj send,

Thuj se mora një rrugë të gjatë,

Së bashkut në qiell, dikur xam vend.. (1)

 

Të gjithë së bashku bashkuen zanët e kanga filloj t’marrë nji forme t’përsosun…..nga gjithë krahët e tjera të banesës u bashkuen dhe zanë të tjerë, e ushtoi burgu fort….zani atyre djelmoçave shkodranë, që e vetmja gja i kishte mbetë ishte kanga, rojet kishin mbetë të gozhduar në pozicionet e tyne dhe për çudi të gjithëve atë natë nuk ndërhyen…….

E që nga ajo natë e acarte janari, pa yje, pa hanë, ajo kangë u ba kanga e gjithë te burgosunve të atij kampi, edhe kur shkonin me hape kanalet, apo me punu në kantjere të gjithë sëbashku, e këndonin, nën za tij punue, e n’darkë kur kthenin prej punët, në nji farë mëndyre shfrynin zemërimin që kishin n’mbrendsi t’shpirtit, urrejtjen e pafund për atë pushtet, që po i merrte vitet ma të bukura të jetes duke i kalbur ndër burgje të pafajshem, jo vetem duke i marrë t’drejtën me jetue t’lirë, por duke i dërmue…… tuj shkatrrue plotsisht në forme sistematike, pse kishin përshperit mes tyne ndonjë fjale për lirine, pse e kishin dëshirue atë e andërrue.

E këndonin atë kange gjithmone dhe për dekada me radhë ajo ishte ba hymni i atij burgu, e ma vonë i të gjithë burgjeve ku ato u trasferuen!

Delshin bijtë e Shkodres, bijtë e nanave, hyjshin të tjerë dhe ajo kangë vazhdonte gjithmone….

Sot Gjovoja nuk jeton, Luigji jeton në USA, Frani gjendet ne Shkoder me familje, Sandri ka lanë mbrapa tre femijë të mrekullueshem e Mirashi akoma shëtit në rrugët e Shkodres, ka nji familje fantastike……e tregon këte histori miqve rreth votrës, apo në kafe tuj rrugtue pleqninë……

 

@Flutra Kuqani Malo

2002

 

(1) Poezinë e adaptoi ne shqip nga gjermanishtja Dom Ndre Mjeda

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s