Poezi nga Xhemile Adili

xhemile adili - 1

Poezi nga Xhemile Adili

 

 

SY ENGJËLLOR KISHTE

 

Sa yje shoh në qiellin blu
Më ngjajnë në sytë e nënës time
Shkëlqimi i të cilëve më mungon
Dhe më kthen mbrapa në kohë
Sa të çara shoh në tokën e tharë
Si dikur në buzët e saj
Edhe stinëve të pranverës
Kur lulet çelnin nga ëmbëlsia
E buzëqeshjeve dhe shikimit të saj

Ishin edhe plasaritjet e duarve të sajë
Që më rrëqethin mishtë kur i kujtoj
Dhe vuajtjet për të na rritur
Lumturinë dhe fatin për të na dhuruar

Për ne ajo kohë ishte stinë lulesh
Edhe pse vinim në një botë të panjohur
Ku s’na munguan kurrë përkëdheljet
E duarve të sajë zgjatur drejt nesh
As ninullat, as këngët as shpresat
Për ne e përgjumur pa lodhje
Netët kalonte zgjuar
Dhe ditën kurrë pa humbur shkëlqimin e syve
Drejt syve tanë që na mësonin të ecnim
Me hapa të pagabuar shtigjeve
Të gjata të lumturisë
Të quajtur jetë
Stinëve të pa fundme të gëzimeve
Edhe pse ishin stinë mundimesh
Stinë skamjesh
Ajo kishte zemër të madhe dhe shpirt të bardhë
Gjithë drita e saje binte mbi ne
Horizontet e ardhmërisë për të na i ndritur
Me dritën e dashurisë së bardhë si shpirti i saj

Eh! sikur të ktheheshin ato stinë
Të lumturohesha me sytë e saj
Plot dritë mirësie e bujarie
Nuk do të kisha nevojë të sodisja qiellin
Për të gjetur yjet që ngjajnë ne sytë
E shpirtit të sajë engjëllor…

 

 

PASQYRË DASHURIE

 

Në dritat e syve të tu
Dua të shkrihem

Të më bëhen pasqyrë dashurie

Do të mbështjellem
Me ofshamat tuaja të lagura
Deri në psherëtimë intimiteti

Në buzët tuaja të prushta
Do t’i bashkoj buzët e mia

Me lëngun tënd
Do ta shuaj etjen e shpirtit

Zemra do të rrit taktin
Me puthjet tona
Si prushinë të zjarrosura.

 

 

KAQ VITE MË KE MUNGUAR

 

Sonte qielli ishte qëlluar nga rrufetë
I lidha nyje dhe i ktheva në miliona puthje
Dhe i nisa përmes qiellit për te ti
Për të ta qetësuar shpirtin e trazuar nga mungesa
Dhe sytë që fytyrës derdhnin rrëke lotët

U ktheva në rreze hëne aty në dritaren tënde
Ku të përkundja me ninulla rrahje zemre
Hodhe sytë dritares dhe me pyete pse nuk erdhe

Jemi kaq larg në vijë qiellore kaq afër shpirtit
Shtrofullën e ke në ndjenjë në altarin e zemrës
Të kërkova tokës më erdhe qiellit
Bashkë me miliona puthje u bëre shi që binte
Nëpër gjithçka timen për ta bleruar lulen e shpirtit

Vetëm hyjnitë mund ta bëjnë këtë
Je engjëll i kthyer në femër më the
Kaq vite i kishe munguar jetës sime!!

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s