LINDIM NGA RROKJET
Prozë poetike nga libri”Fjetëm njëqind shekuj” i autorit Adem Zaplluzha
Nuk e kam më të qartë se nëpër të cilën udhë po ecin milingonat, ky galop insektesh me qindra vjet është duke lëruar nëpër lëkurën time të shqyer.
Thyhet ashti i rrashtës, thyhen gishtat skelet te një milingonë e cila behet gati të shndërrohet në një zvarranik si të ikur nga historia.
Me gjasë furtuna po i lëron edhe lëvoret e drurëve qindvjeçar. Nga shpirti i thyer i erës është duke shtrydhur eliksirin e fundit të kujtesës sa që kësaj më nuk i thonë histori por një lavire e cila endet trotuareve me breg të palara dhe në çdo kohë gjëmon si një sfinks i gjallë
Një hartë e vjetër fle mbi një pergamenë të pluhurosur dhe askush deri më sot nuk e deshifroi kodin e saj. Ka një mbishkrim rrëqethës nga i cili pikojnë disa lloje nënshkrimesh të perëndive.
Ka një sekret ky kod i lashtë, nuk preket sa herë që i afrohet njeriu, s’preken as librat e shenjtë, këtu lashtësia dhe urtësia flenë në të njëjtin shtrat dhe nuk ia prishin qejfin e as gjumin njëri- tjetrit.
Dikush thotë se një hije pikoi nga qielli mu atë ditë kur pikuan meteorët me bisht, dikush tjetër pohon kundërtën, se e kanë sjellë alienët nga një botë ende të panjohur për ne, por megjithatë, valëvitët në mesin tonë në disa lloje gjysmë shtizash.
Nuk di më, asgjë nuk di, athua ne i përngjajmë njerëzve, ose njerëzit i përngjajnë arkivoleve pasi që nuk ecim vertikalisht, ose arkivolet u përngjajnë hijeve kur thyhen në parmakët e dritës.
Kjo ecje e shpërfillur asnjëherë nuk u ballafaqua me hapat e erës, përherë fle mbi mjegulla ose mjegullat flenë mbi re.
Diçka këtu nuk është në rregull, ky kod i vjetër ka disa mbresa tingujsh prej fjalëve që vdesin para erës si zogjtë e ngrirë kur ato pikon nga trishtimet e mjegullave.
Asgjë më nuk është e qartë, mes këtyre dy lisave buron një zë i shterur, thua se del nga shpirti i thyer i mortit ose po ai zë i ngjirur vrapon pas arkivoleve të gjelbër, vrapon e nuk di të ndalet.
Nëse ndodh që të ndalet trishtueshëm do të ndihen britmat e drurëve , gjethet dalin si ushtri milingonash dhe i sulmojnë krimbat e mëndafshit .
Mbase kjo vdekje i përngjan arkivolit të cilin e kanë varrosur disa të huaj që kalonin këndej pari me veladon të zi, djersët e tyre ishin më të zeza se errësira, herë këndonin e herë u ndihej një lloj krakëllime sa që njeriu nuk është në gjendje të di se nga po vijnë këto zëra prej etheve që po i përngjajnë dhe trishtimeve të anktheve.
Njerëzit janë të paparashikueshëm, kur nuk kanë se çfarë të bëjnë ose heshtin ose lindin nga rrokjet për t’i ikur mallkimeve.
Ne jemi të tillë ose ecim vertikalisht deri te burimi i zërit ose ecim duke vdekur si drunjtë në mal. Ecim sepse duam të ringjallemi për ta ngufatur tmerrin por jo në përfundimin e udhëtimit të tij por në fund të shtërzimeve të erës.
Ka raste kur vetëflijohemi deri në zhdukje, e imitojmë bletën edhe nëse nuk zhdukemi i shlyejmë të gjitha fërkemet e hijes së barit kur fishken gjethet në buzët e ndryshkura të agimit.
Këta jemi ne, si një lloj i zvarranikëve kameleon herë zhdukemi me erën e herë vijmë me furtunën, i përngjajmë shiut të butë të pranverës e në disa raste erërave të zeza të vjeshtës, herë i djegim të tjerët e herë digjemi në dhjamin tonë pa e kursyer as më të afërmin, kemi mësuar të ecim deri në fund të rrugës së qumështit.
Kur jemi të zgërlaqur si fiku i mykur, ëndërrojmë erën se si na i ledhaton flokët e shprishura, se si galopon dita nëpër kujtesën e shtrydhur të fëmijërisë, ngjan që të ëndërrojmë se jemi lypës ose mbret me një trastë të dhirtë dhe kurrë nuk ndalemi së ecuri.
Megjithatë kur e shikojmë shkretëtira e mendjes se si shtrihet deri në pafundësinë e tejpashmërisë së pikave të shiut, qeshim si i çmenduri me këmishën e bardhë të spitalit psikiatrik.
Qeshim deri në një alivanosje të pa ngjyrë, kur takohemi me vetveten, ulemi në një cep të rrugës dhe i numërojmë të gjitha dështimet tona që kanë të bëjnë me erën.
Ecim mes përmes baltës nga e cila u krijuam, bredhim këmbëzbathur dhe vrapojmë si të lindur prej nëne nëpër rrugët e baltosurat qytetit .
Kurse njerëzit kurrsesi ta gjejmë oazën e prehjes për të cilën ka aq shumë nevojë shpirti i jonë i shtrydhur, ka aq shumë nevojë për një dorë të uruare cila pa dallim i pastron mëkatet e mjegullave dhe ato të trishtimeve.



























Leave a Reply