Intersektime inteligjente të poetikës së mendimit dhe asaj të botës shqiptare.
( Parathënia e Vëllimit poetik “Nesër do të jemi më të mirë” të autorit Dhimitër Nica )
Nga: Fatmir Minguli
“Është një spetakël më i madh se deti, ai është qielli; është një spetakël më i madh se qielli, është brendësia e shpirtit.”
Viktor Hygo
Kur u njoha me dorëshkrimin e librit të tretë poetik “Nesër do të jemi më të mirë” të Dhimitër Nicës, mendova menjëherë shprehjen kaq të njohur latine ” Omne trinum est perfectum” që shqipërohet “E treta e vërteta.”
Kur e mbarova studimin e këtij libri, thashë me vete se Dhimitër Nica do të ketë shumë ” të treta” të tjera…
Poezia e Dhimitër Nicës sot ka krijuar hullinë e vet, hulli që dredhëron në shtigjet e natyrës shqiptare e që ndeshet me njerëzit e sotëm shqiptarë jo vetëm në Shqipëri. Poezia e këtij poeti është origjinale, e ndjerë gjer në qelizat më të thella të shpirtit, e ekspozuar haptazi në çdo aspekt të jetës.
Dhimitër Nica
Në periudhën midis dy librave të fundit, Dhimitër Nica kryen shumë aktivitete të karakterit publiçistik. Ai veç poezive që i qëmton me kujdes dhe jo shpesh, hedh në faqet e facebookut, në gazetat e ndryshme letrare, në revista të specializuara, shumë ese dhe pamflete me karakter të përgjithshëm dhe të veçantë. Shkrimet e tij kritikojnë me shumë profesionalizëm fenomene të shëmtuara në jetën e përditshme dhe në botën e letrave shqip. Ai shkruan dhe debaton hapur si rrallë autorë të tjerë poetë apo edhe “pena të mëdha”.
Duke lexuar librin e tij të tretë me poezi “Nesër do të jemi më të mirë” një lexues i vëmendshëm do të gjejë pikërisht shpirtin debatues të Dhimitrit, do të gjejë tronditjet e tij madhore , tronditje të një atdhetari të vërtetë të ditëve tona.
Ky shpirt debatues është tharmi i artit të tij krijues, është një shpirt që shfaqet nëpërmjet vetë jetës së tij, angazhimit të tij si qytetar i Shqipërisë por dhe si qytetar i një shteti tjetër, aty ku ai punon me dinjitetin e tij prej intelektuali të vërtetë.
Poezitë e këtij libri janë të “Të forta si lis dhe të rënda si tra” e kështu të forta e të rënda e justifikojnë veten e tyre nën mikroskopin e kritikës letrare. Duke i parë këto poezi më syun e “mikroskopit” do të gjejmë dy aspekte të rëndësishme të artit të Dhimitër Nicës:
- Risi të stilit poetik
- Subjekte problematikë të jetës shqiptare.
Janë këto dy këndvështrime origjinale që e bëjnë poetin t’i ndërthur krejt në mënyrë të vetdijëshme të dyja duke na sjellë në skenën e poezisë së sotme shqiptare intersektime nëpërmjet një poezie të vërtetë. Duke qenë shumë kompleks në temat që ai trajton, ai njëkohësisht është shumë afër jetës reale me të gjitha spektrimet e saj, me të gjitha diktimet e krijuara me dashje apo pa dashje në historinë e saj. Tendencat e poetit shkojnë shumë sipas shfryrjeve poetike, rryma të fuqishme ndjenjash. Prandaj ai e ka të nevojshme edhe shkrimin e poezisë së gjatë, ashtu sikundër parapëlqen poezinë e shkurtër, goditëse, tronditëse dhe të ëmbël njëkohësisht.
Në se në poezitë e gjata reflekton poezia e shpirtit uitman, në poezitë e shkurtëra është ndriçimi poetik që vet poeti Dhimitër Nica e ka në origjinalitetin e tij. Intersektimet janë të shumta në këtë libër të veçantë. Unë përmenda thjeshtë nga ana strukturale përdorimin e të dy llojeve të poezisë, asaj të shkurtër dhe asaj të gjatë. Ky intersektim është më se i nevojshëm për një poet që kërkon, që nuk mbetet me një meditim spontan, por që “sulmon “ veten për të krijuar poezinë – mendim, poezinë që sikur del nga shpirti ia përcjell mendjes për ta servirur ashtu siç dinë të bëjnë poetët e vërtetë.
Një intersektim tjetër është dhe gjetja e raportit të ndërtuar bukur midis subjektit dhe rimës poetike. Me çfardo lloj subjekti, poeti di të ndërtojë, të përshtasë rimat por në korespondencë me një meliodizitet rimor, ku rima është në funksion të subjektit; është kjo një dallesë esenciale me shumë poetë rimorë që janë në mazhorancë nëpër tregjet e sotme të librave…
Poeti Dhimitër Nica bëhet misionar, bard popullor, analist i jetës shqiptare, këngëtar i botës së bukur të fëmijërisë dhe vendlindjes për të ardhur deri në një lloj motivi të përgjithshëm të formës antologjike.
Në shumë poezi si psh tek “Shteti dhe lapsi i tij” ndeshemi me një sfidë ndaj pushtetarëve, pa mantelin e autoçensurës ai shtjellon mendimet e tij, shqetësimi dhe indinjata është krejt e hapur, drithëruese. Edhe në poezi të tjera ndjehet dëshira e poetit për të sjellë historitë e lavdishme të shqiptarëve si në poezinë shumë të bukur “Ndryshim vendesh” ku lexuesit i duket sikur lexon historinë e Shqipërisë, duke na dhënë tabllo të botës së sotme dhe duke na sjellë polaritetin ekzistent.
Poeti Dhimtër Nica na sjell në vëmëndje problemet më imediate të kombit tonë duke mos bërë deklarata prozaike për dashuri eterne për atdheun, etj por duke na sjellë me finesë kohën e Eposit të Kreshnikëve dhe reminishencat e tij në jetën e sotme shqiptare. Kjo është e treguar bukur në poezinë” Ribashkimi i viseve të mia.”
Patriotizmi tek ky poet është i mishëruar në të gjithë qënien e tij. Ky patriotizëm është një legjendë e gjallë, çka reflektohet më së miri në vet shpirtin e popullit tonë. Vetë fjala e Papa Françeskut gjatë vizitës në Tiranë ishte pikërisht zbërthimi legjendës së shqipes së shqiptarëve.
Nesër do të jemi më të mirë
I prirur shpirtërisht ndaj hyjnores, së bukurës, fisnikes ai ka një poezi të bukur në këtë libër, “ Letër do t’i dërgoj zotit”. Një poezi medituese, një sprovë e guximshme e poetit për të tentuar në labirinthet e filozofisë për të kuptuar më thellë jetën, jetën intelektuale dhe shpirtërore, jetën e njerëzve të thjeshtë. Një lojë e bukur dhe shpotitëse e intersektuar me shqetësimin njerëzor.
Por, ai nuk harron asnjëherë t’i këndojë dashurisë, kësaj ndjenje sublime. Shumë poezi të këtij vëllimi i kushtohen dashurisë për femrën, dashurisë që mban gjallë shpirtrat njerëzorë.
Mund të them me plotë gojën se Dhimitër Nica është një poet me stilin e tij origjinal tek thur vargje tejet të spikatura për dashurinë. “Mjalti i një femre” është poezia simbol e dashurisë, është ajo që kërkon të thotë poeti edhe me poezitë e tjera, po kaq të bukura në këtë vëllim. Për Dhimitër Nicën ato janë një “modus vivendi”, një mënyrë jetese për njerëz normalë. Pa dashuri nuk mund të konceptohet as edhe një aksion jetësor.
Por ajo që të ngulitet në tru, tek lexon poezitë për dashurinë të këtij autori, është se ai, këtë dashuri , e kthen në filozofi spjeguese, rreket të sqarojë domosdoshëmrinë e dashurisë, sido qoftë ajo. Kuptohet se rrënjët e kësaj dashurie janë tek dashuria për femrën, burimin e jetës, në mos për më tepër. Eshtë një meritë e poetit që sjell këtë kombinim të filozofisë së mendimit me jetën e madhe të njerëzimit, por të specifikuar bukur në vendin tonë që e ka emrin – Shqipëri.
Duke shkruar në poezinë”Zbrazëti” poeti Dhimitër Nica di të konceptojë idetë e ndryshimit të gjërave dhe arrin të spjegojë kalimet nga hapësirat qiellore në përmbajtjen materiale të tokës sonë. Kështu ai paraqet poezinë “Drenushja e vogël” ku me anë të maksimave të përdorura, shumë saktë gjëndjen e zakonshme e çon drejt formës filozofike.
I ngulitur mirë në këto koncepte të filozofisë së jetës, poeti është përkrahës i idealizmit, atij me nuanca iluministe por jo në kuptimin e ngrirë të altruizmit të thjeshtë por shumë më tepër, një adresim ndaj asaj pjese të botës së sotme që gllabëron vetëm para! ( te poezia “ Sikur të kisha ca para” ).
Atdhedashuria e poetit arrin edhe te poema obelisk “Vlora ime” , një poezi që të duket sikur e kanë shkruar poetë të Rilindjes shqiptare, një dithiramb për vlerat e shqiptarëve. Kështu në poezinë “Muzgu në fshat “, gjejmë natyrën shqiptare të poetizuar ku ajo shfaqet me të gjitha hiret e saj. Poeti lakmon të bukurën, veti kjo e poetëve të mëdhej. Në poezinë “Kur putha Evën” e kaluara sjell atë fill të padukshëm që nuk i shqitet jetës dhe zemrës së poetit.
Por… poeti Dhimitër Nica nuk harron se :
“Po jetojmë, më thonë, në kohë moderne,
Që tërhiqen, shtoj unë, nga lokomotiva primitive…”
I uroj udhë të mbarë këtij libri interesant e të shkojë jo vetëm në duart e lexuesve por dhe në zemrat e mendjet e tyre.






























Leave a Reply