Poezi dhe epigrame nga Iliaz Bobaj

 

Iliaz Bobaj

Poezi dhe epigrame nga Iliaz Bobaj

 

 

VENDI BOSH

 
Tek unë ka mbetur një vend bosh,
një vend që vetëm unë e di,
i fshehur, strukur në një qoshk,
ka mbetur siç e ke lënë ti.

Aty s’ka hyrje, ndenjie, dalje,
as ikje s’ka, se s’mund të ketë,
është bosh, si gjithë boshësitë,
po kurrsesi një vend i shkretë.

E mbush me ndjesinë e saj,
mungesa jote cak më cak,
rrugicave të tij, i lodhur,
gulçon ky malli im idhnak.

Ca fjalë, që rrinë përherë të ngrohta,
sikur i puth vala e zjarrit,
drithmojnë si një këngë zogu,
që pret në mes pushkë e gjahtarit.

Gjithçka s’është tjetër, veç mungesë
dhe rron si një mosqenësi,
qenka e thënë, aty ku s’je,
të mbetesh në përjetësi.

Tek unë përherë një vend rri bosh,
një vend që vetëm unë e di,
i fshehur, strukur në një qoshk,
s’e zë kush tjetër, se je ti.

 

 

ATA TË DY

 
Janë në stacione të ndryshme të jetës.
Martesa i ka lidhur,
si dy njerëz,
që kapen në dy skajet e një litari
dhe secili kujdeset të mos e lëshojë tjetri.
Ajo, filiz në lulëri të plotë,
mundohet të duket pakëz më e pjekur,
duke i shtuar vetes disa pranvera.
Ai, me trungun e moshës pa gjethe,
mundohet të duket pakëz më i ri,
duke i hequr vetes disa dimra.
E jetojnë jetën,
pa i lënë asgjë mangut përkujdesjes.
I afrohen njeri – tjetrit,
duke iu larguar vetes.

 

 

KRYEENGJËLLI

 

Gjithë popujt kanë nxjerrë engjëj
dhe prapë do të nxjerrin,
engjëj, të shenjtë për besimtarët.

Kryeengjëllin,
Nënë Terezën,
e kemi nxjerrë ne, shqiptarët.

 

 

( Epigrame)

 

MARSHI I TURMAVE

 

Sot nuk e dëgjon kush fjalën e të diturve,
turmat, duke rendur pas të marrëve i gjen.
Të marrët, si të marrë, nuk dinë ku i shpien.
Turmat, si turma, nuk dinë se ku venë.

 


E PASHPIEGUESHMJA

 

Me duar e duartroket
fjalimin e tij,
me gojë thërret:
– E kemi të zotin !
Me shpirt e urren,
me gjithë shpirt,
me votë e voton,
për të mbajtur postin.

 


LODHJA DHE ÇLODHJA

 

Sot u lodha shumë me një njeri,
dalta e fjalës, nuk i linte asnjë gjurmë.

Më vonë u çlodha,
duke gdhendur lehtësisht një gur.

 

 

ZËVËNDËSIM ROLESH

 

Në kohën e shkuar, vend thashethemesh,
ish mulliri i fshatit, kroi i fshatit ish.
Sot vendin e tyre e kanë zënë,
ca stacione qesharakë televizivë.

 


LEKËT


Lekët –
letra me vlerë.
Kur e mposhtin njerinë,
e kthejnë në njeri pa vlerë.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s