Poezi nga Lumturi Ymeri Bersava

Lumturi Ymeri (Bersava)

Poezi nga Lumturi Ymeri Bersava

 

 

MALL…

 

Është fryma jote ky ajër

që ndryj brenda gjoksit

e më piqet brinjëve…

 

Është zëri yt

i qepur për shpirt

e më mbytet lotëve…

 

I druhem psherëtimës

me ngjyrë të zemrës

e rënkimin therës,

Se mos mer rropamën

e përgjak qiejt…

 

Kam frikë, i miri im

te ti mos mbërrin…

 

Ardhtë veç malli im…

 

 

MIDIS’JE GRUA’JE…

*

Është një midisje

mistike e mistershme

krejt e pamatshme

Si mjegulla,

reja,

rrufeja

mes qiellit dhe tokës

Si muzgu i bronxtë

mes ditës dhe natës

si çasti mes çastesh

me pritje shekujsh…

 

***

 

Është ajo gjendje e midistë

ngjasuar mëdyshjes

si zgrip

mes ferrit a parajsës

Si frikë

për diçka prej diçkasë

nga asgjë dhe gjithçkasë

Si fije e hollë ekuilibri

ku varet shpirti…

 

***

 

Kjo e midisme

si etje, mekje

dhe jetë, dhe vdekje

Si vjolë e kryqëzuar

mes të kuqes e blusë

Si hapi

i thembrës tek pragu

e tjetrës në buzë

Si ajri

që shtypet ndë lëkurë…

 

***

 

Një midis

i shenjtë sa jeta

i nëmur si jeta

ku krijohet e flijohet bota…

 

 

AJO DO TË VIJË…

 

Nesër

Oh nesër është e premtja e lutjes, e faljes

Si e kremtja e madhe e Pashkës, ringjalljes

Ajo do të vijë

Ti

vendosi çarçafë të rinj shtratit

ose

tendosi zhubrat e natës

të mos i lënë shenjë lakuriqësisë

si dëshmi e mëkatit…

 

*

Ajo do të vijë

puplore rrezëllitëse

me dritë smeraldesh përthyer qerpikëve

ka hartat e mishta në mollëzat e gishtave

gjithë erërat e përbotëshme flijuar në frymë

trekëndëshat biblikë

tatuar në shpirt…

 

*

Ajo do të vijë

Si premtim, si dhembje,  si mall

Si ujëdhesë, si përrua

si lumë pa sht(r)at

pa asnjë vendndodhje në hartë…

Prite pa lot

për çastin martir bëhu gati

Mos harro

mer abdes

të vdekurit preken të pastër

e përcillen të premtes

së lutjes

faljes

ringjalljes…

 

Ajo,

po vjen…

 

 

IK’JET…

 

*

Ikjet më, s’më trembin

dhe kur shkojnë përtej

për diku, për diçka, për dikë

më të bukur

se këtu, se kjo, se mua…

Sepse ikja

qysh në çastin, në hapin

e parë të marë

bëhet e shkuar, e huaj…

 

***

 

Ik’jet

bashkë me zgjedhjen

marin me vete dhembjen

e brendia mbetet zbrazëti e boshtë…

Vetëm kujtimi

zë vend në cepa shpirti

djeg ndjenja e eshtra

që lënë hirin e ngrohtë…

 

***

 

Ikjet

mbjellin mallin nëpër sy

lagen gjurmët e udhët

dhe mbijnë ardhjet, e di…

Thonë, se gruaja është si toka,

si vendlindja, them unë

si lëndina në çdo stinë

me bar, vesë e brymë….

 

Ku, ikjet bëhen trungje

e ardhjet, rrënjë…

 

@ Lumturi

Korr-ik i zënë n’Gusht 2016

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s