Poezi nga Edmond Shallvari
I vetmuar
I vetmuar në mes njerëzve të vetmuar
Të vetmuar mes vetvetes plastelinë
E ndjej veten largësisht si një i huaj
I ngujuar brenda kullës së vetmisë.
Përreth kullës i rrethuar nga vetmia
Më e tmerrshmja ushtëri e njerëzimit
Nuk më ndahet qysh në çastin kur u linda
Kësaj bote kthyer kullë e ngujimit.
Aty ku prehje s’pata
Unë vij si një shtegtar nga qiejt e emigrimit
Harruar nga jam nisur, mosditur se ku shkoj
Mos vallë ky univers, qysh çastin e krijimit
Më lindi si kometë, më vdes si meteor?
Në qofsha pak kometë, shikomëni kalimthi
Si një të arratisur nga ferri dhe parajsa
Nga malli përsëri do kthehem derisa hiri
Diku tokës të bjerë, aty ku prehje s’pata.
Ngrirje
Mendoni rrjedhën e shiut në stalagmite kthyer
Njerëzimi i burgosur në burg të minusgradës
Shumica posi Krishti nga gozhdët e mbërthyer
Planeti i ngujosur në kullë të akullnajës.
Gjithçka kristalizuar në bukuri të frikshme
Njeriu shumëfishuar pasqyrash të kristalta
Si hekurat e burgut miliona stalagmite
Dhe Dielli, ah Dielli, i shkrirë akullnajash.
Dhe Hëna, ah Hëna, banesë pinguinësh
Larguar lebetitur nga njerëzit si ajzbergë
Dhe yjet, ah yjet, të tretur si qirinjtë
Pikojnë shkëndija lotësh për tokën e pajetë.
O Zot, pushoi shiu, pikojnë stalagmitet
Vonuar veç njeriu, ajzberg vazhdon vërtitet.
TË DY JEMI GABIMTARË
Ja kështu, o Zoti im, të dy jemi gabimtarë
Ti i pari në krijim, unë nga krijimi dalë.
Unë pranova çfarë më dhe, Ti më dhe aq sa doje
Nëse mangët diçka le, unë jam pasoja jote.
Jo, nuk ka pse zemërohesh, unë mbase kam të drejtë
Jam ashtu siç më krijove dhe vazhdoj ashtu në jetë.
Unë s’e kam tënden fuqi, as i zgjuar sa Ty s’jam
Kam gjithçka që më dhe Ti, as më shumë, as më pak.
Nëse paskam mëkatime, diku tjetër është shkaku
Engjëjt s’janë krijesa ime, por nuk është as Qoftëlargu.
@Edmond Shallvari