Poezi nga Fejzi Murati

 

Fejzi murati - 1

Poezi nga Fejzi Murati

 

 

PUTHJE TË VJEDHURA

 

Të ndehej një buzëqeshja e pafajshme
kur tinëz të erdha
natën nën yje,
gjumi të lodronte nën qerpikë,
duke të dërguar mesazhe dashurie.

Vetëm hëna na shihte atë natë
dhe flladi që lodronte aq bukur,
T’u ula mbi shtrat,
të sodita
dhe lehtë-lehtë të dhashë një të puthur.

Çudi,
nuk u zgjove,
vec buzëqeshe
dhe duart zgjate të më përqafoje…
ndoshta në ëndërr ishe me mua,
ndoshta në ëndërr
një puthje kërkoje.
Nuk e di,
atë mesnatë,
puthjen ta vodha a ma vodhe?

 

 

GJATË NATËS

 

I numërova një nga një, yjtë,
deri sa sytë m’u lodhën e më lotuan…
mes tyre sytë e tu kërkoja,
por sytë tanë kurrkund s’u takuan!
I trishtuar prita agimin e ftohtë…
ndoshta ti kishe gjetur tjetër kostelacion.

 

 

KUR QESH TI
(Grejsit, sime mbese dhe të gjithë moshatareve të saj)

 

Kur qesh ti,
kristalohen burimet në pranverë,
kur qesh ti
ujvarat ngrenë stërkalat gjer në qiell,
kur qesh ti
lulet e gjithë globit, xheloze futen nënë hije,
kur qesh ti
bajamet veshin fustane të bardha nusërie,
kur qesh ti
pjeshkët ngjyrosin faqet në rozë magjike,
kur qesh ti
qielli mbushet me kaltërsi e rreze drite,
kur qesh ti
dielli merr dritë nga drita jote,
kur qesh ti
i shtohet lumturia kësaj bote!

 

 

LYPSARËT

 

I ndesh në çdo dhjetë metër në bulevard
me lutjen e përhershme:
“Me jep njëqind lekë zoti të falte…”
Dora e nxirë shtrihet përpara,
me lëkurë të zhubrosur,
me fytyrën e trishtuar,
gjithë kocka të dala.
Brenda syve u rëndojnë re trishtimi,
në shpirtin e vrarë
pikojnë lotë hidhërimi.

Bulevardi zjen nga boritë e makinave superluksoze,
brenda tyre gogësijnë neveritshëm, qeveritaret,
nginjur nga dreka super e bollshme
në hotele e motele me koketat e tyre bastarde,
shikojnë me neveri lypsarët.

Kryeqyteti im dridhet nën terror borish,
nën lutje lypsarësh,
nën dhunë politikanësh,
i jargosur nga kazinotë ku fshihen nepër netë mjeranët…
burra që vjedhin vetveten në lojrat e fatit…
Përjetësish me dorën shtrirë në rrugë
lypsarët…

 

 

FANTAZMA

 
M’u shfaqe si fantazmat e natës
në tragjeditë shekspiriane,
sikur dilje nga terri i mesjetës
për të më risjellë vuajtje dhe halle.

Ndoshta kërkon të korrigjosh ikjen tënde,
përtej detit,
për një grusht dollarë!
Mjerane,
ti s’di të dashurosh,
zemra jote,
veç zemra ka vrarë.

M’u shfaqe sërish
veç tepër e shëmtuar…
shëmtimi të kishte pushtuar
trupin,
gojën,
sytë,
por mbi të gjitha
atë që s’ndreqet kurrë:
të kishte shëmtuar dhe në shpirt!

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s