Poezi nga Vaso Papaj

Vaso papaj 1

Poezi nga Vaso Papaj

 

 

Vendstrehimi im

 

Në ato netë të ftohta me hënën kallkanisur,
Kur s’dihej në të gjente në shtrat ndonjë agim,
Në gjoksin tënd i zhytur, me heshtjen nanurisur,
Të thoja lehtë te veshi: Je vendstrehimi im.

Kur bora qetësisht gjithçka e kish mbuluar
Dhe flokët dhe çatitë dhe fjalët tona ngrinë,
Në gjirin tënd u zhyta me heshtjen përqafuar
E përsërita prapë: Je vendstrehimi im.

E në shetisnim rrugës me gishta gërshetuar
Dhe ca vështrime shtrembër na shponin pambarim.
Me puthje të padhëna aq shpesh të shoqëruar
Unë ty sërish të thoja: Je vendstrehimi im.

E nëse ndodh një ditë, prej teje larg të jem,
Do t’doja prapë te veshi dy fjalë të të arrijnë,
Nga tjetra botë qetësisht, përsëri do të t’i them:
Të dua fort! Ta dish… Je vendstrehimi im.

 

 

E florinjtë

 

Shihi yjet,
Ndonëse i shikojnë vetëm të rinjtë.
Shihi si shkëlqejnë për ty,
Për gjithçka që ke bërë.
Vëreji! Të gjithë duken të florinjtë.

Një poezi prura sonte për ty
Edhe pse në kohë të thinjtë.
Për gjithçka që ke bërë e bën,
Ndaj e titullova: “E florinjtë”.

Isha verbuar atëherë,
Zoti sikur më ndezi qirinjtë.
E mora vrull menjëherë.
Gjithçka ishte e florinjtë.
Mëkonte diçka të mrekullueshme,
Të vishte sytë
E të bënte të mos shihje një të dytë.

Sa të pikasa,
U hodha përpjetë i gjithi.
Diçka më shastisi.
Gjiithçka tek ty ishte e florinjtë,
Më dalldisi.

Dhe vërtet,
S’mund të hesht përjetësisht si ullinjtë.
Shihi! Shkëlqejnë yjet për ty,
Atje lart, në këtë natë,
Se jeni njëlloj, të florinjtë.
Qenkam me fat…

 

 

Eja të ikim

 

Eja me mua, të ikim nëpër natë,
M’i dëgjo këto fjalë të thjeshta.
Të ëndërrojmë botën në çdo monopat,
Pa poezi kurrë nuk vjen vjeshta.

Të ikim të dy me urbanin e vjetër,
Sa më larg, lodhur nga mjeshtrat.
Atje ku mendjen s’na e marrin për tjetër,
Sado e sido me gënjeshtrat.

Të shkojmë ashtu, për dore, dëgjon,
Edhe pse nëpër kohë të vrenjtur!?
Atje, ku çdo fije bari, thjesht gjelbëron,
Pa një purtekë të mbështetur.

Eja me mua, ashtu siç je, domosdo
Dhe merr vetëm puthjet me vete.
S’do ndalemi kështu, kurrë nga kushdo
Pse rrugët janë pa mokete.

Dua me shiun në agim të më zgjosh!
Mbi llamarinë si trokëllim ta dëgjojë.
Krahëve të tu i sigurtë mos ndjej moshë.
Për ty është gjiithçka që kërkoj.

 

 

Shi vjeshte

 

Shi vjeshte e mbyti mëngjesin,
E degdisi diellin diku.
Mbi premtimet po bie, mbi mijëra premtime,
T’i freskojë, që një ditë mos të mbeteshin flu.

Shi mbi gjethet e arta,
Që kanë ngritur flamurin e bardhë të dorëzimit.
Shi mbi iluzionet tona të zjarrta,
Që kërkon dhe gjurmët t’ua fshehë prej dështimit.
Shi mbi shpresat që kanë ftohtë
E dridhen veshur vetëm me lot.

Rigon për të gjithë ne ky shi vjeshte.
E ne mbetemi
Muzikantë të një orkestre,
Që prodhon vetëm heshtje.
Shi dhe mbi muret e zemrave tona,
Që kthehen në humbëtira,
Ku fiton vetëm errësira…

Së fundmi, shi dhe mbi ne të dy.
Por ti më thua: shiu është dashuri…
E unë të ndjek: Është një akt besimi i ri
Bota sikur ka ndalur për një çast rrotullimin…
Unë hesht
Dhe heshtja, si duket, ka frenuar mendimin.

Shi… shi… shi…
Të shoh ty,
Anoj çadrën…
Le të lagemi tërësisht, gjer brënda në sy.
Marr frymë thellë,
Kujtoj një puthje të gjatë… dikur.
Befas shiu u tremb,
Mes reve doli një diell më i fortë se kurrë.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s