Poezia e Sofije Zgurit, një “arkë me gurë të çmuar” / Nga : Kujtim Agalliu

 

Poezia e Sofije Zgurit, një “arkë me gurë të çmuar”

 

 

Kujtim Agalliu

Nga : Kujtim Agalliu

 

Nuk e di pse, duke lexuar vëllimin me poezi “Pres diellin” të poetes Sofije Zguri, më duket vetja si një kërkues thesaresh, që befas e zbulon arkën me gurë të çmuar, që ka kërkuar për vite të tëra. E tillë është poezia e Sofije Zgurit: si një “arkë” e mbushur me xhevahire që, me një sy dhe vëmendje të mprehtë, mund të dallosh ndryshmin e njërit nga tjetri, për shembull nga ngjyra, nga madhësia, nga reflektimi i dritës, apo nga thyerja e nuancave sipas këndvështrimit.

Kjo “arkë” poetike e kësaj poete të dhimbjes, të forcës, të kurajës dhe shpresës, është e mbushur me të tëra ngjyrat e shpirtit të saj, të cilat shpalosen njëra pas tjetrës në vartësi të gjendjes emocionale, të ndjenjave të përjetuara, të dhimbjes, të dëshpërimit, të pikëllimit, pse jo edhe të forcës titanike që mbart për t’u përballur me atë që i ka privuar fati dhe jeta. Ajo di të luftoj, të mbijetoj jetën normale, edhe në kushtet kur, “Mbeta pa puthjen e ëmbël të mëngjesit”, kur është e zhgënjyer nga “Hirushet”, nga të cilat nuk do gjë tjetër, “Veç t’u përkëdhel këpucët dhe t’i laj, t’i laj me lot!”

Por boshti kryesor, mbështetja që nuk i ka munguar edhe në çastet më të vështira, që ia ka lehtësuar dhimbjen, që i ka dhënë shpresë dhe bekim, është babai, ai, i cili “Kur ngrenë stuhi sytë e mi/ Prania jote shkund turbullimin!”, por vjen një ditë dhe ai shkon në përjetësi, duke e lënë poeten të dëshpëruar në vorbullën e kujtimeve, “Po zogjtë o baba, pse vonuan?/Të përcollën dhe s’duken të vinë/ Dritarja jote ka mbetur trishtuar…”

Po kështu, me një dashuri dhe emocion të veçantë ajo jep portretin e nënës, që i dha jetë, e mëkoi i ndenji pranë në të mirë dhe në të keq, sepse ishte nga një fis bujar, fisnik, me tradita të lashta dhe “Ish më e bukura nëna ndër nuse/ Qiparis-trupin, mbuluar stoli!”, por poetesha Sofije e “mashtron”, duke e ruajtur dhimbjen brenda saj sepse, “Më dhëmb nëna që mashtroj, por pa faj…/ Më pikon ajo brengë, nga sytë e saj!“

 

14291643_10207487178400246_6604395686298904879_n

Pres diellin

 

Por, siç thashë, në këtë “arkë me gurë të çmuar”, me lentën e një specialisti antikuarësh, më së shumti do të zbulosh se, disa nga këta gurë-poezi, helmi dhe dhimbja, pengu dhe dëshira e mbetur thjesht një ëndërr i ka dëmtuar, ua ka zbehur ngjyrën reale atyre viteve kur autorja pret, “Po ti ma nis një shenjë “gjoja kot”!/ Unë sigurisht do të di ta zbërthej/ Të dy kemi mall, të dy fshehim lot…”, sepse jeta, kjo palo jetë e ka lodhur prandaj i drejtohet asaj, “Lulëzë pjalm spërkatur/ Ta dije sa jam përplasur…/ Më jep, moj, vesë që të pi/ Lule të kthehem, u lodha njeri!”

Por kulmi i kësaj dhimbjeje, i këtij dëshpërimi, shpërthen me një piskamë therëse të një shpirti të dëshpëruar te poezia “Pak si Kah’jmi”. Çdo durim ka një kufi dhe kur ky kufi tejkalohet, atëherë nuk ka shpirt njerëzor që të mos vikas, që të mos rebelohet dhe të kërkojë atë që ia kanë mohuar, atë që i takon si gjithë të tjerët, sepse boll ka duruar, “Le të ndalet çdo gjë një çast…/ Mjaft kam ndaluar unë për to“, sepse nuk do që të shtiret më, por ta pranojë të vërtetën ashtu siç është që ta dinë të gjithë se ajo ka aq guxim sa, ”Shkëlqimin e rremë ta heq veç njëherë/ Për të gjithë ata që vrapuan/ Dhe më lanë në qoshk si të mjerë!”

Por njeriu është një qenie që iu përshtatet situatave, di të mbijetojë, di të zgjedh midis të këqijave atë më të mirën, të gjejë pak bardhësi midis errësirës, për ta shfrytëzuar atë dhe për ta kthyer në dobi të vetvetes. Sepse jeta është e larmishme, është e paparashikuar, ca gjëra t’i jep me shumicë dhe ca të tjera t’i privon. Atëherë, një njeri me ndjenja të holla, një njeri që di të veçojë të bardhën nga e zeza, nëse nuk e gjen veten diku, në një vend tjetër do ta gjejë patjetër.

Poetesha Sofije Zguri, midis tërë asaj nate që e ka rrethuar, ajo zgjedh atë që i duket më e mira, që ka brenda saj optimizëm, limfë jete dhe që është një melhem për të kuruar një shpirt të plagosur dhe të dënuar padrejtësisht. Po, a ka vallë një rreze shprese në një shpirt sado të plagosur, për t’i thjeshtuar këto dhimbje me ngrohtësinë dhe qartësinë e saj? Natyrisht që ka, një shpirt njerëzor, sidomos i një poeti apo poeteje ka vend për të gjitha ndjenjat, me të cilat mbushet jeta e tij. Çdo objekt rreth saj bëhet një ngacmim i imagjinatës, sepse lidhet me gjendjen e saj shpirtërore.

Në poezinë e Sofije Zgurit, veç atyre që thamë, një vend jo më pak të rëndësishëm zë edhe origjina e saj, traditat, legjendat, zakonet apo veshjet e tyre. Ajo është krenare dhe me të drejtë e ndjen veten pjesëtare të një komuniteti ku gra të tilla si, “Stërgjyshe-Nuça”, janë një motiv që e ngazëllen atë dhe e bën të ndihet e nderuar, sepse gratë ishin të tilla sa dinin të mbronin nderin, por edhe të merrnin vendime të pjekura, “Dhe ja ku brofi një zonjë grua/ Gjithë maturi u foli qetë:/ – Këtë punë le ta ndajë nusja/ Të zgjedhë ajo nga të dy djemtë!”. Po kësisoj ajo vargëzon edhe për qytetin e saj, ku lindi, u rrit, ku ëndërroi, u gëzua dhe u dëshpërua, ku u deh nga këngët dhe serenatat për dashurinë, ishte një kohë kur, “Atëherë, çmendeshin kitarat…/ Çmenduri ku krenohej ky qytet/ Mbushej krejt me lule Morava/ Çdo dritare nën tinguj hapej vetë!”. Edhe kjo bijë e këtij qyteti, edhe vetë, “Si të gjithë i kam dashur ahengjet/ Dhe nuk dua të mungoj nga inati…/ Një shami mbaj në gishtat e shpirtit/ Si ngushëllim për dëshirat që pati!”.

Përfundimisht, edhe pse në këtë “arkë gurësh të çmuar”, disa prej tyre e kishin humbur shkëlqimin nga gjendja shpirtërore e poetes, kishte dhe syresh që tregonin se jeta vazhdon, se jeta ka dy fytyra, ku ti mund të shohësh edhe njërën, edhe tjetrën në vartësi të ndjenjave dhe gjendjes shpirtërore që përjeton, sepse tek e fundit, siç thashë më lart, midis territ mund të ekzistojë edhe një rreze drite, që të bëjnë të mendosh në çaste të tilla dëshpërimi, “Mos janë ogur i mirë,/dallëndyshet që më nis?/ Cicërimat e tyre më thonë mijëra fjalë…./ Mos është kjo pranverë vërtet një rizgjim/ Se çeljet e ëmbla s’kanë ligje, as radhë!

Kjo është Sofije Zguri, një poete e dhimbjes dhe e një optimizmi të pashoq.

Shënim: Libri është shkruar në dy gjuhë, shqip dhe arumanisht, i përkthyer mjeshtërisht nga përkthyesi Andon Kristo.

 

 

One thought on “Poezia e Sofije Zgurit, një “arkë me gurë të çmuar” / Nga : Kujtim Agalliu

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s