Poezi nga Eliverta (Anelli ) Kanina

 

Eli kanina

Poezi nga Eliverta  (Anelli)  Kanina

 

 

NË OQEANIN E KOHËS

 

Vozitem, mbijetuese, e trishtë

Shtresëzohem prej vlerash që më rrisin

E humbur, pikëpyes për çdo ditë…

Koha nuk është më e vlerave

A vlerat e mija s’i rrinë kësaj kohe?

Ndoshta, jam një varkë Noe…

Mëdyshem

Kjo kohë po më ndryshk

Nga mosdashja e vlerave dhe indiferenca

Zë myshk

Në thellësi të oqeanit të kohës

Përpiqem të cek sipërfaqen, e vetme t’ia dal

Më sfidojnë klane e korale

Dhe gjithçfarë kokolepsjesh,që fundin e kanë destin

Tulatem, mrekullinë të ndodhë pres

Për atë që jap, kërkoj, vëmendje e interes

Pres polumbarët të më zbulojnë

Më kot!

Qëkur Titaniku u fundos

Njerëzimit s’i duhen më thellësitë

Universit i janë qepur, planeteve bredhin

Hapësirave, testojnë dashuritë.

Uroj të kem fat të përfundoj në barkun e një peshku

Që i pafatë, nga peshkimi të bjerë në ndonjë rrjetë

Me mua bashkë, si guackë a perlë

Në vëmendjen e njerëzve, mjaft të më risjellë

Gjithsesi do më ndihë

Që mos mbetem përfund kohe

Që kohës prej meje diç ti ngelet

Fundja

Nëse kohën s’e kanë vlerat

Nëse kohën s’e bëjnë njerëzit…

Le të më gëlltisin peshqit!

 

 

DYSHE…NDRYSHE

 

Ne jemi dy, njësoj të vdekshëm

Kur dashuria na e luan dyshe

Dy fjalë desha të them e të pyes

E heshtur,pse të dukem ndryshe?

 

Më fal!

Nëse nuk shprehem, sipas mënyrës tënde

Dhe s’bëhem kopja jote në  ndjesi e sjellje

Mos më paragjyko se dashurinë s’e njihkam

Nuk më  mungojnë as fjalët e mjalta gjer në velje.

 

Ta dish!

Unë nuk jetoj si njësi krahasuese

Ndaj mos u anko pse s’jam si të tjerat

Gjithçka ndiej, them e bëj për ty

Në raport me veten i çmoj vlerat.

 

Nuk ka asnjë kurs valutë e dashurisë

Digë nuk u vë fjalëve nëse më rrjedhin lumë

Kur flas, a kur hesht, unë s’kam kushte

Thjesht dua të jem unë, si unë!

 

Ndryshe…

Do mjaftonte pasqyra për të monologuar veten

Ose vetja si pykë nën diell  për tu matur me hijen

Dashuria nuk është debat mes të dehurish

Që gjokset rrahin kush më shumë e mban pijen.

 

Ne duhemi!

Pa u krahasuar me askënd, as njëri tjetrin

Se vetë dashuria është shkenca e ndjenjave dyshe

Ne jemi dy, të dy njësoj të vdekshëm

Njësoj duhet ta shprehim edhe të ndryshmen…

 

 

VJESHTA-GRUA, ERËFTUA

 

Kush tha se vjeshta po jep shpirt

Në gjethet e zverdhura si fëmijë anemikë

Pa shend e limfë ?

Kush tha se është  si njerkë cinike e pacipë

Kur pemët i zhvesh e zogjtë i nis larg?

E trishtë nuk është vjeshta si lëneshë

Ndonëse e ujshme deri në tejskaj

Prej lotësh nuk mbush e zbraz gjinjtë e saj…

Vjeshta është lehonë që pikon jetë

Me nurin e frutave të saj stolisur

Shihjani sytë prej rrushi plot lëng

Ndjejani aromën prej molle, i dehu vjershëtarët

Që u ngutën ta zbehin të artën e saj

Por vjeshta nuk është vetëm gjethe…

Mukozat e saj në kokrrat e shegës

Zilepsin si vajza në fillimpjekje

Të shkon lëng nëpër gojë tek i sheh

Misrat e pjekur, arrat, nespullat, ftonjtë

Ngjyra dhe lëng, aromë dhe shije

Ç’lehonë e shëndetshme vjeshta

Çfarë begatie!

Është kaq ndjellëse sa dimri në prag

S’do shkojë dot larg

Do tundohet, do japë e do marrë

Derisa një prehër me lule e sythe

Ta bëjë prapë me barrë…

Sërish tunduese vjeshta stërpik

Si nga dushi del një grua

Sërish mollë e rrush, dardhë e shegë gjithandej

Sërish erëftua…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s