I panjohur në diktaturë, i panjohur në demokraci / Myrteza Kasi ( 1933-1996 )

myrteza-kasi

Myrteza Kasi

1933-1996

 

 

I panjohur në diktaturë,

i panjohur në demokraci

 

Mbase është rast i vetëm apo i rrallë, që të shkruash dhe të botosh 40 (dyzet) vjet në të gjitha organet e kohës tënde të shtypit dhe të mos kesh të botuar një libër tëndin e të mbetesh kështu: I panjohur për shumkush. Kështu më ka ndodhur mua, ashtu siç mund t’i ketë ngjarë ndoshta edhe ndonjërit apo disa krijuesve të tjerë.

Mua do të më vinte zor të nisesha vetë e të shkru- aja për këtë fatin tim jo të këndshëm në fushën e letrave dhe mbase ndokush mund ta quajë egoizëm, por këtë gjë ma kërkuan ta bëjë zotërinjtë e redaksisë së gazetës “Drita” edhe unë u “detyrova” të shkruaj këto rradhë dhe të flas me modesti sadopak edhe për veten time. Prandaj, që në fillim do t’i lutesha lexuesve të më falin për këto që do të rreshtoj më poshtë.

Unë Myrteza Kasi nga Gjirokastra jam 60 vjeç dhe kam punuar 45 vjet punë ne sektorin mekanik. Që në rininë e hershme nisa të shkruaj e të botoj vjersha, në fillim te revista “Pionieri” e më pas te “Zëri i Rinisë”.

Por, si origjinë e gjendje punëtore që isha, i duhej dhe Partisë së Punës, prandaj qysh të ri më bëri antar partie. Por unë, siç duket, paskësha lindur kokëfortë si shkëmbenjtë e Dunavatit dhe kudo e për çdo gjë kërkoja të gjeja të drejtën, të goditja e të mos pajtohesha me të keqen në punë dhe në parti, kështu shumë shpejt fitova urrejtjen e hileqarëve, ndaj edhe e pësova keq, sepse nuk dëgjova këshillën e kovaçit Kadri, që më thoshte: “Ti do të ecësh drejt o bir, por e drejta të bie ballit”.

Kështu, mbas martesës me vajzën e një nacional- isti, ma gjetën të çarën dhe m’i ngulën pykat e para, vendosën përjashtimin nga partia, por Diktatori më kursen, siç duket më ruajti që si “poet nga kla- sa punëtore” ta shlyeja “mëkatin” duke shkruar, si edhe të tjerët, disa këngë për partinë mëmë.

Por unë mbeta siç isha kokëshkëmb. Në vitet gjashtëdhjetë, kur po shqyrtohej në parti kulti i Stalinit, edhe unë diskutova dhe bëra disa pyetje “me spec”. Pas kësaj e çara ime u thellua më shumë, vigjilentët i ranë pykave dhe përgatitën shpejt karakteristikën “Ka ngritur problemin e dënimit të kultit të individit edhe në Shqipëri, që do të thotë se duhet të hiqet dhe Enver Hoxha”. Dhe pas kësaj për mua përjashtimi nga partia dhe nga universiteti ishte pak. Atë ditë kur po gjykohesha për përjash- tim Rrapo Dervishi, që kryesonte Byronë e Partisë së Rrethit të Tiranës mu drejtua: “E, o Myrteza Kasi, më në fund të erdhi fundi (!).

Por nuk i shkonte ndër mend të mjerit lider se kujt vallë do t’i vinte fundi, mua që vija nga rradhët e klasës punëtore apo partisë së tij plakë, që e varfëroi dhe e çoi drejt humnerës gjithë Shqipërinë?!

Edhe kështu i goditur në zemër, unë vazhdova të shkruaj e të botoj diçka në të gjithë shtypin e kohës, por hija e poetit dhe e të përjashtuarit nga partia, më ndoqi kudo nga pas. Dhe nisën diferencimet, diskriminimet e persekutimet në të gjitha drej- timet: të tre fëmijeve të mi iu privua mundësia e arsimit të lartë, djalin e dërguan “ushtar në repartin skllavëruese të punës”.

Më kufizuan botimet. Edhe kur paraqita disa herë vëllime me vjersha e poema me temën e luftës, për partizanët e të rënët, për atdheun e kombin, për punën dhe njerëzit e punës dhe dashurinë njerëzore, unë nuk pranova t’i nënshtrohem censurës “hiq këto e vur të tjera” dhe përfundimisht mbeta 40 vjet pa asnjë libër më vete. Gjithë krijimtaria ime është e shpërndarë andej-këtej nëpër gazeta e revista, si vezët e rosave nëpër ferra.

Për të gjetur të “drejtën” u ankova gjithandej, por më kot. Pas kësaj “zemërimi i Akilit”, i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe i organeve të saj, tanimë u bë më i madh. Edhe si novator e racionalizator ndieva persekutimin më të madh. Kështu për një punim të fundit, që u konsiderua shpikje dhe një thyerje e një norme botërore për përdorimin e hekurit të tërhequr në strukturat e parafabrikateve të ndërti- mit.

Megjithëse u propozova për dhënien e çmimit të Republikës, disa nga shkencëtarët konservatorë, që nuk mund të duronin sfidimin e personalitetit të tyre nga një i persekutuar, si dhe ndonjë nga vigji- lentët e luftës së klasave, i vunë këmbën vlerësimit të veprës sime me heshtjen e plotë.

Edhe unë e përqafova levizjen demokratike që në ditët e para. Si anëtar i Bashkimit të Shkrimtarëve të Pavarur, gjatë këtyre dy vjetëve të erës demokra- tike bëra një sërë shkrimesh me frymë kombëtare, ku stigmatizohen hapur diktatura dhe komunizmi, disa prej tyre i paraqita në “Rilindjen Demokratike” dhe nuk i botuan për “mungesë vendi”, por të vërtetën ma tha pa pikë turpi kryeredaktori i asaj kohe “Ne botojme vetëm nga veprat e botuara të shkrimtarëve të “njohur” (!).

Kështu për mua është e shkruar të mbetem për- jetësisht i panjohur si në diktaturë, po ashtu edhe në demokraci! Sepse ky kryeredaktor, vërtet ka flakur teserën e Partis së Punës, por ai ka mbajtur thellë në gjoks zemrën e kuqe komuniste, prandaj dhe faqen artistike të gazetës e ka vënë në dispozicion të nostalgjikëve të tij të “njohur”, që i kanë kënduar diktaturës dhe komunizmit fitimtar! Por armët nuk duhen hedhur, arti i vërtetë dhe demokracia jonë e re ka nevojë për punën dhe mundin e të gjithëve dhe shpresoj se ndoshta në një nga numrat e “Diellit”, mund të njihemi edhe me lexuesit e saj me disa nga krijimet e mia.

 

Myrteza Kasi, 1993

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s