Cikël poetik nga Myrteza Kasi

myrteza-kasi

Cikël poetik nga Myrteza Kasi

 

 

TI ERDHE BASHKË ME PRANVERËN

 

Kur ike ti, ish mot i ftohtë,

Gjithë vendi ishte ngrirë,

Në zemrën time aq të ngrohtë,

Më le një zbrazëtirë.

 

Kur ike ti, ish mot i vrenjtur,

Me shtëmba binte shi,

Rrëketë e reve që vajtonin,

Shoqëronin lotët e mi.

 

Ti erdhe bashkë me pranverën,

Po veç një gjë nuk di,

Ajo të solli luleshqerrë,

Apo e solle ti?!…

 

Me lulet erdhe në pranverë,

Por veç një gjë nuk di,

Ti vallë i solle lules erë,

A lulja ta dha ty?!…

 

Ti erdhe bashkë me pranverën,

Po unë mirë e di,

Në zemrën time këtë herë,

Pranverë më solle ti!

 

 

KUR BIE NË MENDIME

 

Kur ndeshem me metalin dhëmb për dhëmb,

Me duket vetja i fortë porsi shkëmb.

Dhe nëse aq fort unë të dua ty,

Kjo tregon veç forcë dhe jo dobësi!

 

Kur bie në mendime ndonjëherë,

Më duket se do rroj në jetë përherë!

Si mund të vdes kur mua edhe ty,

Na lidh një det i madh me dashuri?!

 

 

PËR TY

 

1.

 

Vargjet e mia kur lexon,

Të shikoj shpesh të pezmatuar,

Një brengë ty po të mundon,

Se për një tjetër kam kënduar.

 

Ajo u tremb nga jeta e vështirë.

E të vendos përë fatin s’pat guxim.

Ti veç një gjë, e dashur, të dish mirë,

Të gjithë të dashurojnë nuk dinë.

 

2.

 

Për ty, që unë të dua aq shumë,

Për sytë e tu të zi porsi ylli,

Për netët aq të gjata të pagjumë,

Për to nuk thura kurrë poezi!

 

Për ditët më të bukura në pranverë,

Për puthjet, psherëtimat, kur qe larg,

Për gushë, buzë e faqe plot me erë,

Për to nuk shkrova kurrë asnjë varg!

 

Veç hëna na shikonte edhe yjtë,

Kur rrinim përqafuar nën bli,

Kjo dashuria jonë kaq e dlirtë,

A thua s’është vetë poezi!

 

Ti sot u bëre gjyshe e plot nur,

Një mbesë porsi flutur ledhaton!

Andaj, e dashur, vargje pse të thur

Kur vetë poezi është dashuria jonë!

 

Edhe kur bora kryet të na mbulojë,

Unë gjithmone lule do të të bie!

Që dashuria jonë të bulojë,

Siç bulojnë kumbullat në kopshtie!

 

 

JA, PSE TË DUA…

 

Mes shoqesh të pashë me buzë të qeshur

Të shkathët, o vashë, me llërë përveshur,

Në frontin e punës të hedhur rrëmbyeshëm,

Makinën drejtoje e qepje shkëlqyeshëm.

 

Oh ç’shpresë në zemër ky çast më la mua,

Si dritën e diellit, o vashë të dua,

Për duart e tua si margaritarë,

Që pashteruar të burojnë ar!

 

Oh duart e tua të regjura në punë,

Me muskuj tendosur kur të shoh unë,

Dyfish, o vashë, me shtohet dashuria,

Pse ato i ngjajne duarve të mia!

 

 

SI GONXHE E BUKUR MË JE TI!

 

U mbushën e dashur, shumë vjet,

Që gishtat shpesh shikon,

E buzë e heshtur diç më flet,

Me sy diç më qorton.

 

Pa shpesh të bren ty një merak,

Që s’ke unazë në dorë,

Që s’dole nuse me duvak,

Me lule dhe kurorë.

 

Në marreveshje pleq e plaka,

Nuk bëmë me krushqi,

E nuk shtruam drekë e darka,

S’u ngrit asnjë dolli!

 

Veç në mes lulesh në lëndinë,

Ne zogjtë na uruan,

Aty nënshkruam dashurinë,

Kur buzët i bashkuam.

 

Të dlirtën tonë dashuri,

Kurrkush nuk e bekoi,

Po kush mbi dhe si unë e ti,

Kaq fort vallë dashuroi?!…

 

A mundet vallë metal i ftohtë,

Të ndjell dashuri?

Kur zemra jonë është e ngrohtë,

Ç’të duhet hallka ty?

 

Dashuria është si luani,

Që s’lidhet me zinxhirë.

Ajo do krahë si shqiponjë,

Të fluturojë e lirë.

 

Në është unaza një stoli,

A s’është stoli e kotë?!…

Si perlë e vyer më je ti,

Që s’gjendet kund në botë!

 

Në është unaza një stoli,

Që bukurinë ta shton,

Si gonxhe e bukur më je ti,

Që mot për mot lulëzon!

 

 

 MË E SHTRENJTA, DASHURI

 

Nga larg po të nis një poezi,

Me të dhe shpirtin tim po të dërgoj,

Në të vetë zemrën time do ndjesh ti,

Do ndjesh si rreh arteri në kraharor.

 

Me vargjet që kam shkruar përmbi letër,

Po vij aty pranë teje në stërvitje,

Si ushtar i lodhur, nuk dua gjë tjetër,

Mbi sytë e tu, të bie në dremitje!

 

E po qe se një ditë plumb i zi,

Gjoksin do ma shpojq tejpërtej,

Me flokët e tua, lidhma plagqn ti.

Që gjaku t’më gufojë prap ndër dej.

 

Dhe nëse do të mbetem midis frontit,

Mes zjarrit të betejës e tymit blu,

Ndër sy do më fiksohen si vegim i bukur,

Konturet e Atdheut dhe sytë e tu!

 

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s