Cikël poetik nga Zhuljeta Grabocka Çina

zhuljeta-grabocka

Cikël poetik nga Zhuljeta  Grabocka Çina

 

 

Vonesa vret!

 

Ikja, legjenda moderne

pa zaptime trojesh,

ka fytyrën e azilantit.

 

Ankthi i pritjes

përtyp fillin e skajeve,

ku përpëlitet gjithçka

drejt një ëndrre të madhe.

 

Ikje pa kthim!

Drejt mëngjesit të një epoke të re!

Në shpatullat e saj

gjaku i ri pret SHPRESËN.

Jemi vonë !

 

 

Botë pa stinë

 

Ka kohë që lotët janë tharë.

Dhimbje s’ka për mallin e parë

për të gjithë, të gjallë e jo të gjallë.

 

Ka kohë që lotët janë tharë.

Shumë pak ndjesi, bota pa stinë,

ngrica pa diell, fusha me suferinë

 

Thonë se akujt do të shkrijnë,

do të treten kufijtë, të tjera do të mbijnë.

Një ditë do të na rrjedhin lotët si fëmijë..

 

Kjo botë u ftoh.

Sa do të desha një trokitje në derë!

S’më ngushëllon zilja e telefonit,

as fytyra në “skype” kur ta shoh.

 

Me gaz do të shkoja të ta hapja derën,

Në fytyrën tënde buzëqeshjen të vështroj.

Të kam thënë mijëra herë, kjo botë u ftoh!

Nuk di, si ka qenë koha e akullnajave?!

Më pranë njeriu me njeriun do të ketë qenë.

Zjarr është vetë dora, që shtrëngon një dorë!

 

 

Pritja

 

Asnjëherë nuk u lodha duke e pritur,

ndryshimin ta shihja siç vjen çdo stinë.

Mbeta rrjedhë uji në shtratin e përhershëm,

i frekët e i lehtë, i pakët e i pambarimtë!

 

Nga damarët e tokës bujita si oaz i vogël,

në ditët e verës të sjell pak freski e qetësi.

Nuk e ndjeva rrjedhjen e plakjen e kohës,

s’mendova devijimin, as ndonjë shterrim.

 

Mbrëmjet e jetës i mblodha si ujë burimi,

gurët rrathë- rrathë goditën pellgut sizmik.

Në qendër si sy i kthjellët qetësisht nisa rrjedhën,

përjetësisht me hënën e yjet, zogjtë e stuhitë.

 

 

Nuk i kërkoj asgjë njeriu

 

Nuk i kërkoj asgjë njeriu.

Mundeni fare pak, të më falni

vëmendje si kujdesi i tjetrit,

Një gotë ujë të më jepni

a përshëndetjen mirëmëngjesi.

 

Nuk i kërkoj asgjë njeriu.

Në botë të mos ndihem e vetme.

Një dorë për krahu të më ngreje,

në rrugë pa dashur rrëzuar

unë motra juaj mos mbetem.

 

Nuk i kërkoj asgjë njeriu,

botën mos e gryeje si krimbi

nga lakmia për kamjen e tjetrit.

Të ngrysemi e të gdhihemi si malet

mbështetur në krah të njëri – tjetrit.

 

Nuk i kërkoj asgjë njeriu.

Të dobët veten asnjë mos e ndiejë,

dashuria në zemra gaz të na sjellë.

T’i hapim portat e shpirtit

si ditën e ringjalljes së Krishtit.

 

 

Më lër

 

Më lër të të dua deri në pikën e fundit,

kur nata e dita, as sheh, as flet.

Kur gjuha e shpirti në zjarrin e ndezur,

përpëlitet pa shpresë e vdes.

 

Më lër të të dua se ditët po vdesin,

dhe nata e gjatë do të bjerë mbi ne…

Nuk jemi statuja që mbeten e s’vdesin,

erë e pluhur, si ëndërr sillemi mbi dhe.

 

 

Bashka e bardhë

 

… e tha fjalën, unë e mjera vështroja valën …

(sipas një kënge të vjetër arumune)

 

Bashkën e bardhë shkundja nëpër lumë

valë – valë, nëpër zall shkumbë – shkumbë.

Si rrufeja u duk në shteg një djalë,

përmbi kalë veshur me jelek të bardhë.

 

Trak, mbrof në tokë, me shikimin që më ndjek,

sytë kthinas ia hedh. Ah, ky diell se ç’më vret!

Kali etjen shuan, trimi përshëndetjen na jep.

Dada, e mira dadë, ç’është kjo që po ndjej?!

 

Mes shtegut u zhduk mbi kalë, unë e mjera

shkundja bashkën nëpër valë. E bardha bashkë,

fytyrën e djalit ka marrë, sa mbi ujë e mbi fytyrë,

dada me sytë e saj më flet, “Vajzë bëj kujdes!”.

 

Në fytyrën e trembur, nuk di se çfarë të fsheh?!

Bashka lehtë – lehtë mbi të shkretat valë shket.

Dadë, e mira dadë, nuk jam e tillë vajzë,

rritur prehërit tënd me fjalët e tua mjaltë!

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s