Poezi nga Miltiadh Davidhi

miltiadh

Poezi nga Miltiadh Davidhi

 

 

SOT DO TË SHKOJ NË KISHË…

 

…E do të ndez qirinj
për të ikurit e mi,
të bukurit yje
të hershëm, e të rinj,
e do të flas, e do të çmallem
me të gjithë nji e nga nji.

Pikat e qirinjve që shkrijnë
do të jenë lotët e mi,
se sado larg të jem
në çdo kishë të universit
mund të ndez qiri,
njësoj si në Lushnje,
njësoj si në Shqipëri.

Do të ndez qirinj
për të gjithë të ikurit e mi,
se paskam një det të tërë malli,
ndaj shpirti im
do jetë qiri që digjet,
do të jetë trupi i tij.

Në flakën e shpirtrave
Do digjen lotët e mi.

Sot do shkoj në kishë
e do ndez një glob me qirinj,
një yllësi plot me yje,
fytyrat e erërave që qajnë
të ndriçojnë flakët e tyre…

Qirinj për ata që njoh e s’i njoh,
qirinj për të mirë e të lig,
qirinj për dhimbjen,
e qirinj për dashurinë,
që kurrë nuk m’u fik!

Do ndez qiri pë kohën e ikur,
e do ta kujtoj me nostalgji,
për ëndrrat e shpresat,
që vdesin çdo ditë,
nëpër transhe luftrash,
e dete plot dallgë e stuhi.

Në flakën e dritës së tyre
Si një lëndinë me yje të pa fikur,
do të bëj kryq e do lutem
për shpirtrat e tyre të ikur,
e për të nesërmen
e çdo shpirti të gjallë.

Zot im,
mbase jam pak me vonesë,
e nuk jam shumë fetarë,
por, të lutem, më falë!

 

Dt.23.tetor 2016.Modena.
Miltiadh Davidhi.

 

 

MË LINI NË KËTË MAL

 

Më lini të shtrihem mbi gjethen
e fijes së barit
si një vesës në tretje,
qetësia e natyrës, aroma e luleve të çelura,
vlejnë më tepër,
për të shëruar shpirtin.
Më lini të rri e të bisedoj me heshtjen time,
(njeriu paska nevojë dhe për një gjë të tillë),
me tingujt e kambanave që më vijnë
nga thellësitë e mia,me oshëtimën e detit
në shtrëngatë,
e me zërat e gëzuara të malit,se,
unë jam i lindur e rritur fushave,
por, në shpirt, kam dhe një copëz mal, plot me trendelinë.
Më lini vetëm, këtu,qoftë dhe për një çast!
Me erën,bletët,peizazhin,hijen e tij epike, më kujton,
se rrjedh nga i njëjti atom, i një molekule
të çiftëzuar.Më lini në ktë mal të pllenuar
nga dashuria dhe lulet.

 

Dt.22.10.2012.Salerno.
Miltiadh Davidhi.

 

 

DIELLI I KOSOVËS PO RRJEDH GJAK

(Kushtuar heronjve
Antigona Fazliu e Ilaz Kodra)

 

Nënë, Adem Jashari u vra,
Në vesh më buçet i tij zë,
Dielli e hëna në gjak u la,
E yjet rrallohen një nga një.

Tok’e shtrenjtë nga dhimbja u ça,
Qiellit si shi rrjedh vetëm gjak,
Për mua tashmë një rrugë ka,
Të shkoj në luft’e të marr hakë.

Do flak librat e mjekësisë,
Me komandant Ilazin do luftoj,
Do valëvis flamurin e lirisë,
E plagët e luftës do të shëroj.

Dielli i Kosovës po rrjedh gjak,
Fytyr’ e hënës anemike u bë,
Shpirti m’u mbush plot me plagë,
Si mund të duroj kështu më?

Gjithë me lule veshur mali,
Gjithë me lule e plumba mbjell,
Kur agimi ynë të dali,
Nënë lule drite do të sjell.

Dhe në u dashtë që të vdes,
Me të zeza mos u vish kurrë,
E gjall mes jush do të mbes
Duke ngritur lartë flamur.

 

Dt 22.10.2014.
Miltiadh Davidhi.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s