Mendim filozofik për filozofinë e jetës “Në artin pa unaza” ( Eltona Lakuriqi tenton të skalisë në artin e fjalës, dashurinë njerëzore ) / Nga: Fatime Kulli

Mendim filozofik për filozofinë e jetës “Në artin pa unaza”

– Eltona Lakuriqi tenton të skalisë në artin e fjalës, dashurinë njerëzore

 

 

fatime-kulli-poetessa-scrittrice-e-giornalista

Nga:  Fatime Kulli

 

Vëllimi i katërt me poezi “Në artin pa unaza” i autores, Eltona Lakuriqi, përmban  lëndën e tij përmbledhëse 60 poezi, të cilat kanë në strukturën tekstore forma të ndryshme. Duke e lexuar poezinë e saj, unë vërej variacionin dëshiror e shpirtëror në kalimin e aktit poetik me frymën e dëlirë të dashurisë për jetën. Përdorimi i shprehjes poetike të saj, në këtë libër të katërt me poezi është shumë interesant dhe intrigues që në titull “Në artin pa unaza”, ku struktura e gjuhës poetike marrë në marrëdhëniet miqësore, shoqërore, intime, fuqizohet me aktin e gjendjes shpirtërore dhe mendimin që i del nga shpirti, ku autorja i përdor me maturi e kujdes, si një akt urëlidhjeje në pentagramin e muzikës poetike.
Poezia e saj në pamje të parë duket e thjeshtë, kompozon me zë të ngrohtë një koncert me tinguj shpirti, nga poezia e parë e deri tek e fundit.

 

14914996_10209366055821988_911764429_n

Eltona Lakuriqi

 

Eltona ecën nga libri i parë tek libri i katërt me poezi, me sinqeritetin që e karakterizon edhe në jetën e përditshme. Ajo  rend e “Humbur pas botës së tij” dhe me pafajësinë e shpirtit shprehet lirshëm, “kërkoj të ngopem me copëza të vogla imazhi….” Poezitë gjatë leximit janë të ndjera e komunikuese, brenda gjendjeve poetike ndjen filozofinë e jetës e jetësores dhe njerëzores. Shprehjet poetike, pothuajse në tërësinë e librit “Në artin pa unaza kanë një lidhje të brendshme shpirtërore me jetësoren.

Autorja lëviz nëpër vargje nga poezia në poezi, me qelizat e shpirtit të saj, duke ndjerë shpirtin përballë asaj ndjenje melankolie që përjeton….

“nuk dua ta mendoj ikjen

nuk dua ta mas kohën e pritjes” …duke ia zbrazur ndjesitë e saj, mikes së ngushtë:

“O moj penë që tek ti hapë zemrën,

e të them pa ndrojtje ç’ndjej…”… duke i besuar shpirtin e saj, poezisë:

“Përcilli me emocion sekretet e mia

do dali dikush më pas t’i rrëfej.”

 

Poezia e Eltonës gdhendet nga një shpirt i sinqertë që botën e trazuar shpirtërore e do të paqtë. Poetja s’bën “zhurmë” edhe me të papriturat, ajo veç rrëfen…

“Destinacioni që preku ndarjen papritur

M’i la në rrugë zemrën… shpirtin… sytë…”

Dhe i kthehet gjendjes së mëparshme, “dashurinë e vesha me fustan të kuq e i thura këngë” dhe “si një trumcak i vogël mbi fletë / e lumtur u vesh si ylber pas kohës me shi”… Në këto dy gjendje poetike, shpirti i autores ndërton “portrete” të gjalla gjendjesh lëvizëse midis kujtimeve,të cilat i rrinë varur si relike antike në murin e shpirtit “të vrarë”, me “Mijëra mesazhe dashurie” ku “i njëjti qiell mbajti frymës së tij/i njëjti diell ngrohu zemrat e vrara.”

 

14826314_10209366084142696_1753689769_n

Në artin pa unaza

 

Gjendja e poezive në librin Në artin pa unaza”, autorja shpalos një botë të pasur të shpirtit të ndjeshëm të gruas së dashuruar me jetën, me njeriun, ku poetja S’e fsheh dot mallin, duke dhuruar dashuri dhe përjetuar zhgënjim… Ajo dhimbjen e ledhaton ëmbël në poezitë lirike të dashurisë: “Ai shkruan emrin tim në dëborë”, “Më mungon pafundësisht, ti, “Pritja”, “Nën tingujt jazz”, “Grimca shpirti” duke e bërë poezinë e saj, të pëlqyer, të jetuar nga lexuesi në përgjithësi e në veçanti nga lexuesja grua.

Autorja në këtë dalje të katërt me vëllimin poetik Në artin pa unaza”, premton shumë. Poezia e saj është e ndjeshme, është tingull, është këngë, është origjinale, është shpirti i një gruaje të re, që kërkon të jap e të marr dashuri të pastër, të shenjtë, hyjnore.
Shpirti poetik i autores, Lakuriqi, rreket me prekë çdo detaj poetik, nga ëndrrat e pa realizuara ku shfrynë në rrëfimin poetik….

“Nuk i bashkoj dot dy botë,

jetoj ndryshe brenda shpirtit

ndryshe… eh sa ndryshe jashtë tij…

Nuk kam gojë të flas më shumë

fjalët tremben brenda meje

dua t’më besosh

edhe nëse s’t’i them kurrë

Botët e mia rrinë larg

njëra në qiell e tjetra në tokë”.

 

Jeta e poetes pasqyrohet në pasqyrën e botës së brendshme shpirtërore, dëshirave poetike, zhgënjimeve, intimiteteve në poezi, ku të gjitha detajet e bëjnë atë, më tërheqëse, më interesante, më fisnike.  Poezitë e autores, Lakuriqi, që tashmë kanë marrë jetë letrare si një buqetë me lule dashurie.

“Në artin pa unaza”, poezitë janë një pasqyrë lëvizjeje ku sheh dhe ndjen çdo qelizë të jetës, një botëkonceptim që shpërthen si sfidë për ripërtëritjen mes dimensioneve të dhimbjes njerëzore për dashurinë dhe  jetën.

Ky libër tregon se autorja nëpërmjet penës, tenton të skalisë në artin e fjalës së bukur të poezisë, dashurinë njerëzore, si aktin me të bukur, më të shenjtë në jetë. Dhe këtë e bën me sinqeritet, me një botë shumë të pasur shpirtërore dhe me talentin e saj si një model të vetin dhe përzgjedhjen e fjalës, sa të thjeshtë në strukturimin e vargjeve, aq të ngrohtë, të asimilueshme për lexuesin, po dhe me një forcë të mendimit filozofik për filozofinë e jetës.

Harmonia e vargjeve në tërësinë e gjithë poezive të këtij libri përbën një  “Kult” të vetëm jetësor, të rrjedhshëm nëpër tinguj për dashurinë…. këtë ndjenjë sublime, universale, ku njerëzia ka shumë nevojë për dashurinë e pastër, burimin që ushqen gjithë qenien njerëzore.

 

Nga Fatime Kulli

(30 tetor, 2016)

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s