Skicë: “SHEG’ E ËMBËL, MOJ SHEG’ E BUTË!…” (Kur Vjollca Koni thurë poezi malli, për vendlindjen) / Nga: Murat Gecaj

Skicë:

“SHEG’ E ËMBËL, MOJ  SHEG’ E BUTË!…”

(Kur Vjollca Koni thurë poezi malli, për vendlindjen)

 

Nga: Murat Gecaj

 

 

v-2

1.

 

Jo shumë ditë më parë, Vjollca Koni-Ajasllari, me origjinë nga Skrapari dhe emigrante në Austri, tashmë e njohur për krijimet e saj të bukura, sidomos kushtuar vendlindjes, publikoi një skicë poetike. Titulli i saj ishte i thjeshtë e domethënës, “Jam fshatare”. Që në hyrje, aty shprehet: “Sa krenohem për origjinën time! Atje, ku u linda e u rrita, deri sa mbarova 8-vjeçaren, sa gjëra të bukura mësova dhe sa krenare e sa mirë ndjehem me veten time. Ndjehem  mirë me dashurinë për njerëzit, për natyrën, për kafshët  e për çdo gjë, nga ato vende ta paharuara…”.

E kam shkruar mendimin tim edhe kur mjaft lexues i kanë komentuar disa nga poezitë e kohëve të fundit të Vjollca Konit, se ato më kujtojnë poetët e shkrimtarët, që i kënduan me aq dashuri e mall vendlindjes, Atdheut tonë të bukur, Shqipërisë…Naimi e Çajupi dhe deri te Agolli i Devollit.

Vetë kjo poete rikujton vargje brilante, nga të cilat është mbushur me fryëzim dhe shton se: “Poetët kanë se kujt t’i thurin vargje: të bukurës, të hijshmes, pamjes së zanave e hireve të tyre, me faqet si pjeshka, buzët si qershi, shtatit si selvi, harlisjes si hardhi. Ata kanë se kujt t’i këndojnë bukurisë së mashkullit, fisikërisë së tij, trimërisë,  shtatlartësisë, si lisi. Në të dyja gjinitë, krijuesit mund t’i thurin vargje dashurisë e trishtimit, historisë,  buzëqershjes e lotit, dashmorëve që dhanë jetën e u sakrifikuan  për lirinë e mëmëdheut…Ja, tani unë kujtoj vargje të tillë, si: “Dil një herë, të të shoh,/se më mori malli,/lule-Shqipërie, mbirë rrëzë atij mali!…” ose: “Eh, ato çahire, mbushur me tërfil,/bilbilat këndojnë,/thëllëzat bëjnë sehir./Rigoni ka çelur,/rreth e rreth ka mbledhur, /fluturat edhe bletët, për ta përkëdhelur…”. Ndërsa krijuesi popullor ka ditur ta mbështjellë aq bukur dashurinë, me petkun e  artit poetik: “Dil, ta puthi  pak buzën,/se më dogji malli, e ti më puth gushën,/të sjellim beharin…” ose, po ashtu: “Manushaqe e bukur,/që më çelë në prill,/nga sevdaja jote,/po këndoj si bilbil…”.

 

2.

 

E bëra këtë hyrje jo pa qëllim, në skicën time, për t’u ndalur fare pak në ndonjë poezi të re të Vjollca Konit, pa i kujtuar ato të mëparshmet. (Deri tani, ajo ka botuar 3 libra me poezi). Edhe pse jeton  në një vend mik të Shqipërisë, me mendje e me zemër është përherë në vendlindje. Prej saj merr frymëzim, por dhe trishtim, kur e di që ndodhet aq larg.  Duke thurur vargje për magjinë e natyrës shqiptare, ajo shkruan me plot ndiesi shpirti:

Këto cicërrima zogjësh,

në këtë natyrë vjeshte gri,

sa ma ngacmojnë zjarrin,

e fshehur thellë në gji!…

Duke vazhduar më tej, poetja kujton me mallëngjim vitet e vegjëlisë dhe të fëmijërisë së saj, kur çdo gjë ishte melodi më vete:

Sa më djeg malli e lotin e kam në sy,

kur mendoj rrugicën,ku u rrita fëmijë!

Ajo melodi, që mua ma rriti shtatin,

është dhe muza ime, që ma qendis vargun.

Fati i degdisi emigrantët tanë anë e mbanë botës, ku përpiqen për një jetë sa më të mirë. Këtë fakt, kjo poete e vajton me dhimbje, duke kujtuar edhe fundin e pashmangshëm:

Në se trupi këtu mua do më ngelë,

shpirti im-flutur, atje do të jetë.

Po nuk pati lëndina e lulet të jenë tharë,

i kam thënë fluturës: Atje kam një thanë!

(Nga poezia “Atje kam një thanë…”)

Ndër  krijimet e kohëve të fundit të kësaj autoreje, pra duke e aktualizuar përmbajtjen në radhët, që ka shkruar, është ajo me titullin “Mall vjeshte”. Që në fillim, ja si e qendis pamjen e kësaj stine të begatë:

Frynë erë e lehtë fundvjeshte,

Gjethet bien përdhe;

më mngon arom’ e sharkut të arrave,

stoçeni, që u rrita me të…

Siç dihet, vjeshta na sjell  fruta të shumëllojshëm. Po Vjollca, duke rikujtuar vagjet popullorë, “Sheg’ e ëmbël, sheg’ e butë…”, parapëlqen dhe i këndon këtij fruti të dobishëm për shëndetin e njeriut:

Sheg’ e kuqe në mendim ka rënë,

mbushur kokërra, dega nuk e mban!

Mendërza  e rigoni, të thara poshtë saj,

Lule te venitura, pa aromë, si në vaj.

Ndërsa pas radhëve, me të cilat iu përgjigj një lexuesi dashamirës të kësaj poezie, Vjollca shkroi:

O, moj shegë e kuqe,

mos më rri mbi degë,

se malli mua më treti,

moj e ëmbla shegë!…

Nga tërë kjo pamje mahnitëse, autorja  shpërthen me vargje mallëngjimi:

E mbushur mall, kërkoj krahë të kem,

të shfaqem si zanë, atje nga kam ardhë;

në të kaltërtat kroje ta shuaj etjen

e të kthehem këtej, po sikur pulëbardhë.

(Në fund, autorja shpjegon se “stoçen” është “një erë e fortë, që na fluturonte e kaçkat e arrave na binin mbi kokë!?”)

 

v-1

 

3.

 

Mjaft lexues, sidomos përmes Internetit, i lexojnë e i pëlqejnë, duke u shprehur me fjalë të zgjdhura, por dhe  klikojnë, vargjet poetikë të Vjollca Konit. Një ndër arsyet, se përse i duan krijimet e saj, mendoj se janë: frymëzimi i natyrshëm e tematika e zgjdhur dhe fjalët e thjeshta, që ajo përdor, marrë nga brumi popullor. Po kështu, bëhet njësh me natyrën e bukuritë e saj magjepëse,  duke rikujtuar me mall të pashuar vendlindjen, Shqipërinë.

Janë të shumtë ata, që kanë shprehur fjalë miradie e të bukura, për këto poezi. Po, këtu po përmendi vetëm ndonjërin. Ja, çfarë shkruan poetja Lumturi Plaku, nga Italia, për vagjet kushtuar vjeshtës: “I ke qendisur në mënyrë të përsosur, me një veshje poetike, nga koka e në këmbë, moj e mira Vjollcë! Më bukur se kaq, asnjë stinë nuk mund të kërkojë…Urime e përqafime, e dashur!”  Ndërsa Shqiponja Mema shprehet: “Flutura është shumë e bukur, me pamjen e saj.Por ti, zemër, je shumë herë më e bukur, me atë fytyrën engjëllore. Të kam shumë-shumë xhan!”

Dëshiroj që këto radhë, në këtë skicë modeste, për miken krijuese Vjollca Koni, t’i mbylli me këto vargje, (pa titull), që ajo shkroi këto ditë:

Me vete të mbaj si një hajmali,

koha nuk të humbi, t’ruaj si sytë;

kurmi vjeshtor  vellon hedhur ka,

mbi buzën e venitur, pika loti ra…

Si për t’i përmbledhur mendimet e sa e sa njerëzve, që kanë lexuar vargjet e bukur poetikë të kësaj autoreje të talentuar, Zhulieta Ikonomi e Sotiraq Noka shkruan poshtë tyre: “Na dehe, me këto vargje-nektar!”

 

Tiranë, 30 tetor 2016

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s