LIBRI I PARË PËR PODGORANIN ME HISTORI E KULTURË
-dy fjalë në vend të parathënies-
Nga MSc. Albert HABAZAJ
Nuk do të bëj parathënie të gjatë për këtë libër, që klasifikohet në studimet sociale lokale, sepse autori e ka shkruar vetë hyrjen dhe e fut lexuesin në situatë. Në mënyrë lakonike, dua të shpreh dy mendime:
Së pari, autori Maliq Vrekaj, me këtë botim, shfaqet para lexuesit me profilin e një studiuesi të apasionuar që kërkon, kërkon, kërkon, që s’lodhet e s’tërhiqet. Edhe po nëse rrëzohet argumentarisht në studimtarinë e tij sa modeste, aq të nevojshme, ai përsëri ngrihet qytetarisht e këmbëngulës këkron, gjurmon, shfleton, krahason, shkruan e rishkruan. Kam dëshirë të shkruaj dhe dy fjalë njohëse për autorin. Me zotni Maliq Vrekaj jam njohur 30 e kusur vite më parë, kur ishim lastarë të gjelbër të Mëmëdheut, me uniformën e blertë të oficerit, me ëndrra të kaltra njerëzore, me ideale të larta kombëtare, të aftë, të përkushtuar e të ndershëm në funksion të detyrës së shenjtë që na kërkonte koha dhe arsimimi ynë ndaj Atdheut. Nuk ka nevojë të shkruaj se si kemi shkuar dhe për ç’motive, se duke u shprehur që ne jemi miq të mirë dhe sot e kësaj dite, s’ka nevojë për komente. Ne jemi miq të mirë dhe dy herë miq. U bëmë miq për herë të dytë aty nga viti 2005 e më pas, kur unë mora vesh se Maliq Vrekaj s’qe vetëm etalon i stërvitjes së vogël, por ai kishte dhe një botë të madhe njerëzore, shpirtërore, poetike. E kisha vënë re qysh në Himarë, që ngjitej në Pilur, ku njësohej e shkrihej me grupin e famshëm të Lefter Çipës e këndonte labçe. Maliqi i kishte të ndara gjërat. Për të, puna ishte punë dhe me seriozitet maksimal, koha e lirë ishte kohë e lirë dhe me kënaqësi shpirtërore maksimale. Të mos harrojmë, Maliq Vrekaj ishte komandant i Brigadës së Himarës, me emër në rang ushtrie. Qerratai! Dhe sa korrekt qe në punë, sa serioz dhe i rreptë në detyrë. Po unë sepse e ndjeja që komandanti (ushtaraku më i lartë i njësisë) binte era poezi. Këndonte, përkrahte talentet e reja, për kohën që drejtoi ushtarakisht Himarën e ndezi brigadën edhe me veprimtari të pasura kulturore-artistike. Shkruante vjersha. Ndërkohë në stërvitje, shok kishte veten në Divizionin e Vlorës. Kështu që ne u bëmë miq nga krijimi, nga libri. Dhe kjo qe miqësia më e fortë, më e bukura, e pambarimta. Në vitin 2008 Maliqi (Andrea Vreka) botoi librin e parë me titullin “Jeta jonë ushtarake”, vjershërime, me redaktor Thanas (Nase) Janin në shtëpinë botuese “Triptik”, Vlorë, 83 faqe. Lirika të bukura, të shkruara thjeshtë, pa ngarkesa, mbresëlënëse, me ndjenjë. Në vitin 2011 botoi monografinë “Kur thinjëm rininë”, 224 faqe, redaktor Albert Habazaj, po në shtëpinë botuese “Triptik”, Vlorë. Libri u mirëprit, sepse qe ndërtuar sipas standarteve të botimit dhe pasqyronte të vërtetat e njerëzve të blertë, familjeve të tyre dhe jetës ushtarake të reparteve dhe nënreparteve që ishin në organikën e njësisë ushtarake të Himarës në atë kohë të vështirë. Libri u mirëprit edhe për faktin se, sidomos nga bota ushtarake, pak njohuri kishte shoqëria, pak e rrahur ishte si tematikë, pak deri në aspak libër vështrimor serioz botuar për këtë shtresë të rëndësishme të shoqërisë shqiptare të kohës.
Së dyti, mbas 5 vjetësh autori Maliq Vrekaj prezantohet para lexuesit me një monografi të veçantë, në aspektin që kap staturën e një punimi të mirëfilltë shkencor në fushën e studimeve biografike kolektive. Po në në shtëpinë botuese “Triptik”, Vlorë, autori boton monografinë e dytë të tij me titull “Podgorani në një shekull”. Ky libër ndërkohë është i pari tekst i botuar për vendlindjen e tij duke u shfaqur kështu si dallëndyshja e parë librore për Podgoranin me histori dhe kulturë, i shtrirë në kohë dhe në hapësirë, qysh nga fillimet e jetës në vendlindjen e autorit (një mijë apo së paku 650 vjet më parë sipas autorit) gjer në sotshmëri, që nga lagjet e mëhallat podgoranase, në këmbë të Trebeshinës trëndelinore deri te bijtë e bijat emigrantë në kohëra në Francë, Amerikë e ku të mundnin nëpër botë përë një jetë më të mirë, etj. “Podgorani në një shekull” është një libër i strukturuar mirë, me ngjarje, persona, me toponime, me të dhëna të vërteta, aq sa ka mundur të gjej e t’i paraqes lexuesit, të dhëna të verifikueshme, të krahasueshme, shkruar sipas rendit kronologjik, me stilin e një studimtari besnik ndaj së vërtetës, me aparat bibliografik, pajisur me harta e fotografitë e duhura. Me gjithë dëshirën përvëluese, autori nuk e ka patur të lehtë ta realizojë këtë monografi, sepse gati i ka munguar literatura e shkruar, nga mungesa e dosjeve apo dokumenteve arkivore për lëndë e material burimor mbi vendlindjen e tij, për origjinën e kahershme të Podgoranit, për jetën e banorëve, për traditat, doket, zakonet dhe historinë e tyre në rrjedhat e shekujve të lodhur, të murmë e pa dritë shkrimore. Shpesh herë ai edhe hamendëson e guxon të shpreh mendimin e tij, sepse e shikon të domosdoshme lënien e një gjurme të shkruar brezave, se, duam, s’duam, koha bën të vetë. Ai ka ide dhe i shkruan ato, ndoshta, në ndonjë rast edhe të pa argumentuar sa duhet sipas kritereve që kanë disiplinat shkencore të linjës së këtyre botimeve me studime sociale, studime krahinore, biografike, biografi personale e kolektive, ku përfshihen studimet tërësore mbi historinë, gjeografinë, zakonet kombëtare, kulturën, ekonominë, jetën shoqërore, politike të një vendi, rajoni a lokaliteti. Ai mendon se rrëzë atij mali të parët e podgoranasve punëtorë, të thjeshtë e bujarë, janë të ardhur. Dhe vë në funksion logjikën e historisë për të shtjelluar mikroetnogjenezën e atyre njerëzve të mirë, që banojnë dhe sot rrëzë po atij mali me burime e trëndelinë. Vetvetiu shtrohet pyetja: Po vendës, rrënjës, banorë të hershëm, anas kundrejt të ardhurve më vonë, apo të njësuar, të shkrirë me ta, nuk ka patur në ato territore?! Gjykojmë se po. Por, pa u futur në detaje, mund të shprehemi se kjo monografi është një prurje e dobishme memorialistike, që do të pritet me interes; edhe mund të ndez debat për përmirësim e plotësim vërtetësor, sipas metodologjisë krahasimtare. Kjo është ndërkohë mjaft e dobishme dhe flet se libri vlen, vërtet vlen. Libri “Podgorani në një shekull” u shërben jo vetëm mingollarëve e podgoranasve, jo vetëm dëshnicarëve e përmetarëve, por edhe studiesve të tjerë shqiptarë, se si mund e duhet të shkruhet një libër i mirë për vendlindjen. Maliq Vrekaj është njohës i hollë i banorëve dhe historisë së vendlindjes së tij në rrjedhat e kohës deri më sot. Vërehet se autori nuk e ka patur të lehtë të mbledhë materialet. Ka ndeshur vështirësi në aspektin kërkimor të burimeve shkrimore të hershme. Ka kërkuar shumë pa u lodhur dhe jo gjithmonë ka patur sukses në gjetjen e materialeve që priste se do t’i binin në dorë. Asnjëherë nuk është tërhequr, është lodhur, por nuk është dëshpëruar. Ka punuar në terren, në biblioteka, në arkiva, në Përmet, në Tiranë, në Vlorë, në Greqi. Ka pyetur, ka lexuar, ka qëmtuar, ka krahasuar, ka seleksionuar, ka klasifikuar e përpunuar para se të konturonte strukturën botuese të tekstit. Të veçantë të këtij botimi dallojmë faktin se që të bësh një monografi të mirë të këtij niveli që ka arritur autori Maliq Vrekaj me librin “Podgorani në një shekull” nuk mjafton të jeshë vetëm një studiues sado i pasionuar e zotërues i gjeohistorisë, por nevojitet që të jesh edhe një njohës i talentuar i shkencës ushtarake dhe artit të luftës, siç është Maliq Vrekaj. Harmonizimi i njohjes së këtyre disiplinave shkencore tek një studiues sjell sukses dhe mikpritje të botimit të tij nga lexuesi i kualifikuar, por patjetër edhe nga libradashësit e shumtë të kulturuar. Maliq Vrekaj e ka arritur synimin, sepse njëjtësoi në këtë monografi studiuesin e përpjekur dhe këmbëngulës me ushtarakun e zot dhe përparimtar. Me thjeshtësi, dashamirësi e pa u mburrur, autori u drejtohet podgoranasve, duke patur besim, se në faqet e këtij libri “do gjejnë sadopak aromë nga “nektari dhe pjalmi” i stërgjyshërve, gjyshërve, nënave dhe baballarëvë nga thellësitë e shekujve, duke u njohur me punën dhe përpjekjet e tyre për t’i bërë ballë jetës në ato kohë të vështira”. Meqenëse ky libër më pëlqeu dhe ngaqë Maliqit i pëlqen kënga, po e përshëndes me një këngëz të vogël, thurur enkas pasi lexova në dorëshkrim monografinë e Maliq Vrekës “Podgorani në një shekull”
O studiues ushtarak
O shtiza për në bajrak,
Për flamurin e krahinës,
Me erën e trëndelinës,
Maliq vrekaj, t’u lumtë pena
Për kalanë me bedena!
Podgorani në një shekull
I grisi rrufetë me vetull…
Vlorë, e premte, 16. 09. 2016





























Leave a Reply