Arti i harruar i Musine Kokalarit (pjesa e dytë) / Nga: Xheni Shehaj

Arti i harruar i Musine Kokalarit

(pjesa e dytë)

Nga: Xheni Shehaj

Nëse pjesa e parë e punimit mbi veprën e Kokalarit u fokusua në tregimet e skicat ku spikaste elementi folklorik, tradita, pjesa e dytë ka pikësynim ravijëzimin e tipareve moderniste dhe karakterin feminist të autores. Nuk është e vështirë të dallosh shkëndijat e modernizmit në krijimtarinë e Musinesë. Bartës i theksuar i tiparit modernist është cikli poetik “Kolla e vdekjes” dhe skicat e tregimet e përfshira në të. Musineja, ashtu si dhe Migjeni thyen traditën e vargëzimit të përdorur deri më atëherë (tetë rrokëshit) duke shkruar në varg të lirë. Në një pjesë të poezive gjenden motive të përafërta me ato të Migjenit, por të trajtuara në tjetër formë.

“Jo pak herë, preferoi stilin e Migjenit, por s’mund të quhet  kopja e tij. Fokusimi i të njëjtit realitet i bën të përafërt.”[1]

Por afrinë me poetin shkodran do e shqyrtojmë në një moment të dytë. Për t’i qëndruar besnikë fillit logjik që shërben si urë lidhëse me pjesën e parë të punimit, do ndalemi fillimisht në karakterin feminist që autorja e shpreh në një pjesë të konsiderueshme të veprës së saj. Për pasojë, lipset që studimi të ndahet në disa pjesë.

 

– Femra në optikën e autores

Figura e femrës zë rol të rëndësishëm në krijimtarinë e Musinesë, gruaja e thjeshtë, shtëpiakja, nëna me shumë fëmijë, vajza e re që pret të martohet. Autorja pasqyron jetën e këtyre grave e vajzave në etapat më të rëndësishme për to, rinia dhe martesa. Femra shqiptare e ngujuar, e mbyllur mureve të shtëpisë, e padalë, mungesa e shkollimit bëhet shpesh herë motiv i vargjeve të saj. Karakteri feminist i Kokalarit shihet qartazi në mënyrën se si e trajton tematikën në fjalë. Autorja kërkon të thyejë tabutë e kohës dhe vendit ku jeton. Jetesa anadollake është mbytëse dhe e rëndë për njerëzit që pa kuptuar e kanë përqafuar.

Në poezinë “Pas xhameve të dritares” vihet theksi tek ngujimi i vajzës shqiptare. E shkruar në vetën e tretë, autorja flet për atë, të ngujuarën, të skllavëruarën që rri pas xhamave dhe sheh atë pak botë. Xhamat e dritares janë e vetmja urë lidhëse  me botën e jashtme. Përdorimi i fjalëve “hije”, “fantazëm”, “errësirë”, i shkon për shtat gjendjes në të cilën ndodhet vajza. E ndodhur nën pushtetin e prindërve ajo “rrëshket ngadalë, fshehurazi, pa bërë zhurmë”, për të “mbështetur kryet në xhamet e dritares”.

Analogjitë e përdorura theksojnë më tepër fatin e vajzës. Ajo identifikohet me “qyqen e mbyllur në kafaz”. Qyqja, zog vetmitar, ashtu si vajza. Ndërkohë,  kur errësira zbret e mbulon dheun, zogjtë ligjëronjës, ata që këndojnë e gëzojnë lirinë e tyre (vajza të shkolluara që kanë liri), heshtin e struken në foletë e tyre për t’ua lënë vendin qyqeve.

“Errësira vjen, mbulon natyrën,

vë në heshtje zogjtë ligjëronjës.”[2]

 

Yjet në qiell janë të lirë, vajza jo. Ajo i shikon me njëfarë zilie, loton. Mesa duket nuk ka zgjidhje për të:

“Sa të jetë vajzë,

gjithmonë do të vazhdojë të rrijë pas xhameve dhe të duket si një fantazmë natë dhe ditë.”[3]

Musineja çdo herë që trajton figurën femërore edhe pse është i njëjti subjekt, gjen forma të reja rrëfimi, paraqitjeje. Nëse në poezinë e parë vajza priste ta martonin e ndërkohë rrinte mbyllur në shtëpi, në poezinë “Koha shkon” protagonistja është e martuar dhe nënë njëkohësisht. Poezia në fjalë është retrospektiva e jetës së një gruaje, një gruaje pa emër, një gruaje çfarëdo, një gruaje si shumë gra të asaj kohe. Është Musineja që i drejtohet gruas në  vetë  të  dytë  dhe të  krijon përshtypjen sikur është duke i lexuar mendimet. Zbehtësia, dëshpërimi, janë tiparet dalluese të femrave që autorja ka skicuar. Jeta e mbyllur e gruas, plakja parakohe, kujtimet e një rinie të këndshme ia coptojnë shpirtin.

Ashtu në  prag të  derës, përlotur sy e zemër, kujton kohën kur ishte e vogël, e re, shkollën, ditët kur priste princin e ëndrrave. Dhe ja, martesa, në  fillim e bukur, e qetë , por shumë  shpejt nisin hallet e problemet.

“Sa mendime,

sa kujtime,

kalojnë  përpara syve të  tua,

sa ndryshime të  duken

se koha shkon dhe bashkë  me të

çformon çdo gjë .”[4]

 

Retrospektiva vë  në  dukje ndryshimin rrënjësor që  ka pësuar gruaja.

“Sot në  pragun e derës me ato lotë  kujton  jetën e tërë ,

kohën e kaluar dhe ti të  ndryshuar.

Mbaruan shpresat, gëzimet, qejfet e bashkë  me ato

dhe bukuria,

gjëja më  tragjike e gruas.”[5]

 

Ashtu e përhumbur në  kujtime, gruan e përmend zëri i fëmijëve që e thërrasin. Duhet të  shkojë.

“Kur sundon zakoni” është  rrëfimi i vënë  në  gojën e  një vajze të  martuar me mblesëri, të  mbajtur mbyllur brenda katër mureve deri në  martesë , i një  vajze të  pashkolluar. Kjo vajzë  tashmë  e martuar, sheh ndryshimin e mentalitetit, mendësinë  e re që  kanë  përqafuar njerëzit dhe ndjen gëzim që  të  paktën  s’do të  ketë  më  vajza të  shtypura, të  mbyllura. Ka një përqasje të dy kohëve të ndryshme.

“Ja dhe ne arritëm të shohim me sytë t’ona ndryshimet e mëdha që solli koha, mënyrën e jetesës, rritjen e këtij brezi të ri. Ne të vdekura për së gjalli, nuk kemi kaluar veçse një jetë burgu, të përplasura prej zakoneve të mykura, frikës së më të mëdhenjve, ndënë tmerrin e burrit, i cili ishte forcë e patundur.”[6]

Dhe pas kësaj hyrjeje, rrëfyesja tregon kalvarin e saj jetësor, që nga fëmijëria, te shkolla e lënë përgjysëm, mbyllja në shtëpi, vënia e ferexhesë, fejesa dhe  për ta mbyllur martesa. Vihet re një nostalgji te gratë e martuara për kohën kur ishin të reja, edhe pse nuk ishin të lira, prapë e kujtojnë me mall qëndrimin në shtëpinë e prindërve.

I njëjti subjekt pasqyrohet dhe në tregimin pasardhës “Skllavëri” por këtu rrëfehet në vetë të tretë. Titulli është i ashpër, i rëndë, paralajmëron mundime. Nëntitujt  (lotë, largesa, koha) janë tregues të ngritjes dhe zbritjes së ngjarjve deri në zbutjen e situatës. Vajza edhe këtu ka të njëjtin fat, e detyrojnë të lërë shkollën, e mbyllin brenda. Qëndis pajën e saj teksa pret ta martojnë. Mentaliteti i ndryshkur shekullor qëndron si çekan në kokën e së gjorës. E ëma i rri mbi kokë me këshilla nga më të çuditshmet:

“Bijë të mbash kokën ulët, të mos qeshësh, të punosh. Të qëndisësh se u rrite tashti…”[7]

Dhe kështu kalojnë ditët derisa i thanë se do ta martonin me një plak të pasur, me mall e me gjë. Është i njëjti kalvar si i çdo vajze të asaj kohe. Autorja e krahason ngujimin në shtëpi, martesën pa dashuri si varrosje për së gjallë e individit. Por koha zbut gjithçka, ndryshon ngadalë me ritmet e saj edhe mendësitë e vjetëruara. Me kohën nisin të ndryshojnë dhe njerëzit, hidhen hapat drejt së resë, të cilën Musineja e do dhe tenton ta përhapë aq sa mundet.

“Është koha që ndryshon,

është koha që përparon

dhe të gjithë shkojnë përpara.

Disa e kuptojnë,

të tjerë thërresin:

Ç’na panë sytë…

koha, koha,

tek ajo shpresojmë

dhe ne ecim bashkë me të…”[8]

 

– Një zë i veçantë në letërsinë shqipe

Në fillim të punimit përmendëm shkarazi afrinë mes motiveve të poezisë së Musinesë dhe poezisë migjeniane. Mjerimi, skamja, papunësia, vdekja nga varfëria janë disa nga subjektet e përdorura prej të dyve. Huazimi i këtyre motiveve, stili i veçantë i të shkruarit, thyerja e traditës së vargëzimit e afrojnë poeten me Migjenin. Ata renditen te poetët  modernë, poetët që thyen tabutë e që me fjalën e tyre ndezën shkëndijat në letërsinë tonë. Musineja lartësohet jo vetëm si poete  por dhe si femër, si një vajzë që pati guximin të shkruante në kohën kur shoqet e saj gdhiheshin e ngryseshin nën ritmin e jetës anadollake. Pavarësisht se Musineja i afrohet disi në frymë Migjenit, ajo nuk imiton, nuk është kopje e tij por me elegancë dhe mjeshtëri ndërron drejtim. Ata bashkohen tek tematikat që kanë trajtuar por secili sipas mënyrës së vet.

Mjerimi, skamja, papunësia, janë disa nga temat e përdorura prej të dyve. Të gjendur në një kohë që nuk premtonte shumë ata e kanë ndjerë të nevojshme të shprehen duke pasqyruar realitetin që po jetonin. Mjerimi merr trajta thuajse të njëjta tek të dy me ndryshimin se tek Migjeni jepet në të gjitha format e mundshme e veçanërisht përshkruhet gjatë tek vragat e gjurmët që lë te fëmija (i cili rritet me idenë e shtypjes, mospasjes, rritet i cunguar) ndërkohë që Musineja e tregon me gisht mjerimin, ajo dëfton një familje në skamje të tejskajshme.

“Në këndin e odës qëndron babai gjysmë i shtrirë,

me sy të kuq, i trullosur akoma prej rakisë së natës së kaluar.

Në qoshen tjetër ësht nëna e këputur, pa pikë gjaku,

do që të ngrihet po s’mund. Lëngon prej kohe,

do që të punojë se fëmija po vdesin për bukë.

Ja mjerimi!

Ja vdekja!

Vdekja shpirtërore!

Vdekja për së gjalli!…”[9]

Mjerimi nuk vjen vetëm, ai sjell sëmundjen, paditurinë, dehjen, prostituimin. Personazhet e varfër të të dyve padyshim që vuajnë nga sëmundje të cilat nuk i kurojnë dot për shkak të gjendjes ekonomike. Dhe ky subjekt është prezent tek të dy poetët, por me dallime të dukshme. Musineja ka dy poezi ku trajton këtë temë: “Në gji të nënës” dhe “Kolla e vdekjes”. E para, afrohet më shumë me tregimin e Migjenit “Bukën tonë të përditshme falna sot”. Të dyja kanë në qendër një fëmijë të sëmurë, të cilin nuk e kurojnë dot për arsye ekonomike. Dhe deri këtu ndjekin të njëjtën linjë. Por kur shkojnë drejt zgjidhjes së problemit ndahen dhe marrin drejtime të kundërta. Nëna te poezia e Musinesë nuk prostituohet për t’i siguruar shërimin të birit, (Musineja është feministe, është vetë femër dhe kurrsesi s’do paraqiste një grua në këtë formë, për të ka shumë rëndësi dinjiteti njerëzor). Migjeni është realist dhe fatalist njëkohësisht. Nëna e Lilit arrin të prostituojë vetëm për ti blerë ilaçe të birit. Musineja e lë nënën bashkë me të birin në mëshirën e fatit. Për pasojë, djali i saj vdes, ndërsa Lili edhe pse i sëmurë jeton, për Lilin ka shpresë, nëna “u flijua” për të  por dhe i ati shkoi në qytet të punonte.

“Fëmija qan,

lebetit dhe ajo ecën, ecën n’errësirë.

S’ka shtëpi ku të flerë

se ka ardhur rishtas në qytet, të punojë,

të nxjerr bukën për atë fëmijë q’ësht i sëmurë.”[10]

“Kolla e vdekjes” ka në qendër një grua të sëmurë, që ashtu e vetme vdes në rrugë të madhe. Përmes elementeve të natyrës Musineja përshkruan sëmundjen dhe vuajtjen e gruas. Era nis të fryjë dhe shiu bie lehtas. Me buçitjen e bubullimës së parë nis dhe kolla e gruas. Shiu shton forcën dhe kjo rezonon me kollën e cila gjithashtu shtohet.

“Bubullima buçet prej qiellit me forcë,

një kollë e thatë gulçon

në kraharorin e së mjerës.

Shiu fillon përsëri me rrëmbim

dhe kolla rishtas ndëgjohet.”[11]

 

Dhe në fund është sërish shiu që e vadit kufomën e gruas aty në rrugë.

Një tjetër motiv i përbashkët i Musinesë dhe Migjenit është papunësia. Tek të dy ka personazhe të papunë që bredhin lart e poshtë në kërkim të një pune.

Musineja ka një skicë të ndarë në dy pjesë “Këpucët” dhe “Puna”. Një i papunë që shkon të kërkojë punë në një ndërtesë madhështore. Vihet re kontrasti i çimentos së lëmuar dhe këpucëve të tij të vjetra.

“Këpucët e mia të vjetra

mirren zvarrë prej vehtes s’ime mbi çimenton e lëmuar

dhe të pastër.”[12]

Në dallim nga i papuni i Migjenit, personazhi i Musinesë është insistues. Ai shkon vazhdimisht të kërkojë punë. E kthejnë mbrapsht më shumë se një herë, për shkak të orarit, të mos pritjes së vizitave, të një mbledhjeje, e megjithatë ai sërish shkon. I grisen këpucët por sërish nuk ndalet, arrin të takojë punëdhënësin. Dhe vazhdimi i pjesës së dytë rrëfen takimin e të dyve, punëkërkuesi i parashtron CV-në e tij, gjithë sa di, dhe ku mund të punojë. Në fund  nuk harron t’i thotë se mund të punojë dhe punë krahu, punëtor i thjeshtë. Ndërsa punëtori i Migjenit nuk është i shkolluar, ai është hamall, që pret mos kujtohet njeri që ta marrë për ndonjë hamallëk.

“Një tridhjetë vjeçar. I papunë. Qëndron përpara reklamave të kinemas – e ditë pune asht. Iu ba se e thrret dikush. Por jo. Askush se thrret. Askush nuk ka nevojë për puntor. E ky rahat – rahat vazhdon punën e përditshme: shikon reklamat e kinemasë.”[13]

Siç vërehet personazhi i Migjenit ecën ngeshëm, e fle mendjen që s’ka punë ndërsa Musineja krijon një njeri këmbëngulës, që nuk ndalet që në pengesën e parë. Ajo paraqet si punëtorë edhe të mitur (poezia “Rreth pjatës”) ndërkohë që fëmijët të Migjenit gëzojnë  statusin e lypësit.

“Ju pashë kur kalonja

Të gëzuar e të lumtur pritnit copat e bukës

së zezë dhe të thatë.

Fytyrat u shkëlqenin prej një gëzimi të patreguar,

ndërsa gishtërinjtë e vegjël

dhe të regjur shumë shpejt prej punës,

futeshin në pjatën e kosit.”[14]

 

Të vegjëlit e skicuar prej poetes punojnë vetë për të siguruar bukën, ata janë të varfër por me dinjitet.

‘Të gëzuar u ngritët dhe pa u vënë re

shkuat drejt e në punë,

për të siguruar edhe në mbrëmje

ndonjë pjatë tjetër.”[15]

 

Përveç këtij mjerimi që zë një pjesë të konsiderushme të veprës së të dyve ka dhe poezi e skica ku ndjehet optimizmi, shpresa, besimi. Migjeni hyri në letërsinë shqipe si poet realist, poet i dhimbjes i cili pasqyroi realitetin pa zbukurime, me gjithë shëmtinë e tij. Ai ka humbur besimin tek njerëzit, dhe rrallë herë vërehen grimca shprese. Ndërsa Musineja ka një besim të patundur te njerëzit. Poezia “Këngë e vërtetë” përshkohet nga një shkallëzim i dukshëm që varion nga gjendja e rëndë në të cilën ka rënë njerëzia tek përmirësimi i saj. Janë rishtas elementet natyrorë që tregojnë përmirësimin e situatës.

 

 

‘Kaloi koha dhe ditët njëra pas tjetrës u venitnë.

U çduk mërzia e asaj të kalaure.

Pushoi shiu,

U largua era në vende të paditura.”[16]

 

Natyra gjallërohet dhe bashkë me të ripërtërihet shpresa dhe besimi.

“Lehtë një frymë e re lindi

në fundin e kraharorit.

Filloi shpresa, u ngul vet – besimi.”[17]

 

Një besim i fortë  ka hedhur rrënjë në shpirtin e Musinesë. Ajo është optimiste, beson se gjithçka do rregullohet, do ecet përpara.

“Është kënga, kënga e vërtetë.

Është këngë jetëdhënëse:

Është këngë e cila zgjoi prej gjumit

ata më të ndjeshmit.

i përqafoi këta

dhe me mëshirë pret më përtacët…”[18]

 

Edhe poezia “Një melodi” përshkohet nga e njëjta frymë pozitive. Ajo ka në qendër të rinj që shijojnë jetën, lënë pas hallet e problemet e ditës, dalin mbrëmjeve dhe këndojnë. Kudo gjëmon kënga e tyre, zëri rinor përhapet anë e mbanë. Musineja është vetë e re, ajo ka besim në forcat e të rinjve për të ndryshuar gjërat. Të rinjtë e saj janë aktivë, ndërsa Migjeni ka në vëmendje të rinj pasivë të cilët ai i grish, i nxit të reagojnë, të jetojnë të ritë e vet.

 

“Rini thueja kangës ma të bukur që di!

Thueja kangës sate që të vlonë gji.”[19]

 

Nga gjithë sa vërehet ngjashmëria mes dy poetëve qëndron në trajtimin e temave të njëjta por të trajtuara ndryshe dhe me dallime të dukshme. Musineja në pak raste i paraqet personazhet e saj të pashpresë, përgjithësisht ka një dritë shprese që i shoqëron ata. Migjeni në të kundërt, shpalos gjithë errësirën e mundshme duke i ngjyrosur personazhet e tij me ngjyra të zbehta dhe të trishta. Por me gjithë të përbashkëtat e të veçantat mes tyre, Migjeni dhe Musineja mbeten dy poetë të letërsisë shqipe që lanë një pasuri letrare jo shumë të madhe por me shumë vlerë.

 

– Përsiatje

Poetët janë në vetvete dhe pak filozofë, ata meditojnë dhe thellohen në çështje të cilat u vërtiten në mendje dhe u rëndojnë shpirtin. As Musineja nuk mund të shpëtonte nga të menduarit e tepërt dhe zhbirimi i asaj që e quajmë jetë. Pyetje të tipit ç’është jeta, cili është kuptimi i saj, marrëdhënia me veten, janë disa nga tematikat e lëvruara prej autores. Kurdoherë dhe në çdo kohë njerëzit e letrave kanë shtruar pyetjet e mësipërme. E kush më mirë se poetët dinë t’i trajtojnë këto tema, të cilat i veshin me tisin poetik dhe njëkohësisht mbajnë konstante  rëndësinë e tyre. Të tilla subjekte ka trajtuar dhe Musineja në veprën “Kolla e vdekjes”. Por tek ajo është prezente butësia femërore që nuk e lë të kalojë në ekstrem, të çirret mbi kotësinë e jetës. Ndërthurja me natyrën, stinët, elementët e saj e thellon tematikën. Por le ti shqyrtojmë një nga një.

 

“T’isha një lule”

Poezia ka një rend logjik të sajin i cili nis që me zbardhjen e ditës. Me ardhjen e ditës së re, vetiu lind pyetja: “Ç’është jeta?”. Agimi ka hapur krahët dhe përqafon rruzullin, mendja e saj hapet drejt gjetjes së kuptimit, zhbirimit të jetës. Dita e re përkon me lindjes e enigmës.

“Zbardhoi drita, lindi dielli: u bë ditë

dhe në shpirtin t’im ndjeva një gjë të re.

Së mbrëndëshmi ndëgjova një zë që më pyeti “Ç’është jeta?”.[20]

 

Dhe fill pas kësaj pyetje ajo sulet drejt librave në kërkim të përgjigjes. Sigurisht librat, të diturit që i kanë shkruar do i kenë dhënë përgjigje kësaj pyetjeje. Por jo, nuk ka asgjë në to. Ashtu shpirtvrarë, e pakënaqur  kthehet të ikë. Befas kupton se jeta është moskënaqësi. Po, po, asgjë më shumë se sa moskënaqësi. Rrjedha e poezisë ecën drejt retrospektivës, kthehet pas në kohë që nga zanafilla.

“Jam njeri, më krijoi natyra

duke më dhënë dhe tru.

Më vërtiti në tokë,

më bëri më të lartë nga të gjithë shtazët dhe bimët…”[21]

 

Me gjithë këto të mira që është e pajisur qenia njerëzore sërish nuk është e kënaqur. Dhe autorja tek i kërkon vetes të jetë kështu e ashtu, e gjen më në fund se çfarë do të jetë në të vërtetë: një lule. Kemi të bëjmë me një  reaksion zinxhir që nis me pyetjen mbi kuptimin e jetës, vazhdon me etiketimin e saj si moskënaqësi, kjo e fundit çon në zgjedhjen e dukurisë a objektit që individi kërkon të jetë, për të arritur në çastin e fundit:  mbylljen e ciklit jetësor. Zgjedhja e autores për të qenë lule përkon me butësinë dhe brishtësinë e të qenit femër.

“T’isha një lule – lule are, e vogël dhe me erë.

Të çelnja në prandverë

dhe në vjeshtë të vishkesha në vetminë t’ime.”[22]

 

Transformimi i saj në një lule (transformim që kryhet mendërisht) ka një rrjedhë që vjen duke u zvogëluar. Nga një lule e vogël are, ku ka plot hapësirë, (ara është e madhe dhe natyrisht që lulja ndjehet tepër e vogël aty), ajo kërkon të jetë “një lule vjollce në mes të ferrave”. Hapësira vjen e ngushtohet, lulja do mbijetojë në mes të ferrave. Por nëse lulja e arës ndjehej vetëm në atë hapësirë të pamatë, lulja e vjollcës edhe pse mes ferrash bie në duart e dy të dashuruarve. Transfomimi nga lulja në lule vazhdon po ashtu dhe hapësira ndryshon.

“Një trëndafil i egër të mbinja

për mbi varrin e ndonjë të riut.”[23]

Varri, banesa e trupit njerëzor, bëhet njëherazi streha e trëndafilit. Kalimi nga ferrat tek varri është ngushtim hapësire, mbyllje. Vendndodhja e radhës për lulen është akoma më e vogël, jaka e palltos së një djali.

“Karafil i kuq të lulëzoja

dhe me kujdes të vaditesha…

një ditë të vendosesha në jakën e palltos.”[24]

Dhe ja ku vjen fundi i udhëtimit të lules:

“Më së fundi le t’isha

së paku një lule e egër,

midis rrugës dhe gurëve,

pa kujdesin e të tjerëve.”[25]

 

Një lule mes rrugës dhe gurëve, e strukur aty, e pambrojtur. Një ditë një kalimtar i rastit do e shtypte, por s’ka gjë, nuk do ndjente dhimbje, ishte lule, jo njeri. Arriti pika kulmore e kuptimit të jetës: të pushuarit së ekzistuari, fundi i ciklit jetësor.

 

“Pse ri vetëm?”

Poezia shpalos mendimet e individit për të kuptuar  përsenë e jetës. I mbërthyer pas një shkëmbi tamam si një Promete, ai mendon e tenton të kapë sensin e jetës. Në shikim të parë duket një person depresiv, i cili ashtu kokëulur, me sytë ngulur tej të krijon idenë se nga çasti në çast do hidhet në det. Në të vërtetë, ai mendon e mendon.

“Kokë ulur, sy mbërthyer po vështron, gjurmon

prej majës së shkëmbit.”[26]

Para syve të tij shtrihet deti që i reflekton të kaluarën plot vuajtjeje. Një paralelizëm i goditur, sa i madh dhe i gjerë është deti aq të mëdha ishin vuajtjet dhe brengat. Në kulmin e heshtjes një zë del nga thellësia e kraharorit dhe e pyet përse rri vetëm.

 

“Në këtë heshtje, diçka të mundon.

Një zë prej thellësirës të pyet

pse ri vetëm.

nuk përgjigjesh.

Largohu prej vetëmisë,

që të tregon kotësinë e jetës,

derdhu qejfit i cili të deh dhe s’të lë të mendohesh.”[27]

 

Jeta është kotësi, kur je vetëm e kur mendohesh, mediton, kupton sa e kotë është jeta. Lind, jeton, vuan, gëzon dhe vdes. E gjithë kjo duket pa kuptim kur futesh në të thella dhe të trondit kur nuk arrin ti gjesh kuptimin, sensin. Ndaj zëri i brendshëm duke parë të zotin në gjendje trishtimi, në kapërcyell të dëshpërimit, tenton ta tërheqë, ta nxisë të reagojë. Nëse s’do mendosh më do ta kesh më lehtë, thotë zëri. Nëse argëtohesh do harrohesh, dhe ashtu i dehur e i trullosur s’do kesh kohë e dëshirë të merresh me sensin e jetës. Dhe nxitja vazhdon më tej.

“Nuk të vjen keq?

Risia kalon dhe kalon kot se mendohesh,

nuk e shijon se kërkon të gjesh përsenë e jetës?”[28]

Këtu poezia mbyllet pa na dhënë më shumë informacion mbi rrjedhën e ngjarjes. Duhet pranuar që grishja për të ndjekur ritmin e jetës është e fortë.

 

“Anës detit”

Meqënëse poezia në fjalë është më e shkurtra po e japim të gjithën.

“Këndshëm frynte era e detit:

lehtaz e ngadalaz përplaseshin dallgët

në shkëmbijt e gërryer shekuj përpara:

megjithatë heshtja mbretëronte.

Era pushon së fryri,

oshëtima e detit ndëgjohet duke u larguar

dhe duke marrë me vehte disa psherëtima.

barishtat e grabitura perj valëve

qëndrojnë në mes të detit

dhe dielli i fshehur prapa malit,

lëshon rreze të argjendta

në sipërfaqen e qetë.”[29]

Vërehet një paralelizëm mes gjëndjes shpirtërore të personit që qëndron anës detit dhe vetë detit. Zgjedhja e autores për të dëftuar prezencës e dikujt anës detit, është unike. Lexuesi arrin të ndjejë praninë e njeriut vetëm përmes psherëtimave që ai lëshon e që deti i merr me vete. Valëvitja e lehtë e dallgëve na rrëfen kujtimet e ëmbla që i vijnë në mendje personazhit tonë. Befas era pushon, oshëtima largohet dhe merr me vete psherëtimat e njeriut. Duket se atij i kanë marrë gjërat që dikur ja kanë dhuruar, e që tani i kthehen në mendje njësoj si “barishtat e grabitura prej valëve që qëndrojnë në mes të detit”. Furtuna është larguar, një dorë nga lart (dielli) neutralizon situatën dhe rikthen qetësinë. Kujtimet largohen, njeriu po ashtu, dhe dallgët valëviten lehtaz sërish.

 

“Ti”

Hyrja e poezisë paralajmëron thellësi dhe një botëkuptim të veçantë. Përpara na shfaqet një individ që nuk gjen paqe me veten. I zhytur në  mendime mbi veten ndjehet si i zënë  në kurth prej saj. Por teksa vazhdon leximin kupton se individi është vetë Musineja që i drejtohet vetes.

“Rinia e stolisur bukur,

me gas në zëmër,

plot shpresë bredhin fushat,

kërkojnë ëmbëlsirën e natyrës,

ti ri e vetëm.”[30]

Por pse kaq brengë në shpirtin rinor të saj? Përse e ka shpirtin aq të trazuar? Mos vallë se sheh vendin e saj, njerëzit e saj të paditur, të shtypur, të dhënë pas një jete anadollake që vetëm i mbyt dhe e ndjen veten të pafuqishme, të padobishme për të bërë diçka dhe për më tepër ndjehet e huaj në këtë ambjent?! Musineja përdor stinët dhe elementet e natyrës por ato nuk përkojnë me gjendjen shpirtërore të saj. Kur vjen pranvera dhe bota gjallon, zemra e saj vajton kohën e humbur, të çuar dëm. Në vend që ti gëzohet stinës së ngrohtë shpirti brengoset e hesht.

“Vjen prandvera, çelin lulet, këndojnë zogjtë,

çdo gjë në lëvizje,

gjallni, hijeshi: zemra jote vajton

kohën e kaluar dhe kot harxhuar.”[31]

 

Një ndjenjë lirike përshkon poezinë, ngrohtësi që e zbeh vetëm zemra e trishtuar e mendimtares. Pranvera i lë vendin verës, dhe dielli rrezeartë hedh rrezet e ngrohtësinë e tij mbi tokë. Sërish shpirti është i brengosur e i trishtuar. Ndërrojnë stinët, vjeshta mbulon tokën me mantelin e saj dhe arrin ta bëjë atë të nënqeshë. Hapja e shkollave, rrezet e diturisë që afrojnë ja ngrohin zemrën, ia përkëdhelin shpirtin. Ardhja e dimrit e bën të qeshë, mirëpo sërish diçka përbrenda  e ndrydh, ia shtrëngon qenien.

“Ja ti përsëri,

në çastin kur qeshe,

një dëshpërim ngjati në zëmrën t’ënde

dhe e para fiket dhe e dyta sundon.

Ajo ësht për ty, ajo të përqafon dhe s’të lë rehat,

ajo të skllavëron… shpesh herë mendohesh:

pyet vehten t’ënde dhe e do,

jo, më vonë e urren deri në vdekje…”[32]

 

 

Nuk ishte e lehtë të ishe intelektual në Shqipërinë e asaj kohe. Musineja ishte një vajzë e formuar, me një botëkuptim mbi jetën, që rrallë vajza e kishin në atë periudhë. Ajo kishte një karakter humanist,  i donte njerëzit, donte përparimin ,të renë, dijen. Musineja donte një popull të shkolluar e të ditur, të emancipuar e largpamës. Fakti që vendi ndodhej në një skamje e mjerim material e shpirtëror, e vriste atë. E mundonte përditshmëria me kotësinë e vet dhe koha e çuar dëm. Musineja ishte poete e shpresës, e së ardhmes, e asaj të ardhmjeje që do lulëzonte vendin e do përhapte dijen.

Ja pse ajo vuan e dëshpërohet, ja pse gazin e buzëqeshjen ja ngrin trishtimi, nga pamundësia për të ndryshuar mentalitetin, mendësinë, për të zhdukur paditurinë. Shpirti i saj poetik vuan e tkurret, e do veten për atë që është (një vajzë e ditur, e lexuar), e urren për atë që s’mundet të bëjë (të ndriçojë njerëzit). Mendjet e mëdha gjithmonë kanë vuajtur nga dy gjëra: nga pamundësia për të ndryshuar botën, vendin ku jetojnë dhe nga fakti që nuk kuptohen prej bashkëkohësve. Dhe Musineja ishte një e mendje e lartë.

Punimit i erdhi fundi dhe për të mos u zgjatur më shumë e për të mos rënë në përsëritje të atyre çka kemi thënë deri më tani po e përfundojmë me vargjet e poezisë së Novruz Shehut për Kokalarin:

“Këndo o muzë për dallëndyshen,

Që s’e braktisi dimrin,

Nëpër metastaza shkroi:

“Ta shpëtojmë botën!”…

Këndo o Muzë

Për Muzën Muzë,

Për vajzën uragan

Musine Kokalari!”[33]

 

FUND.

[1] “Musine Kokalari”, Vepra, vëllimi i parë, “Vajza uragan Musine Kokalari”, Novruz Xh. Shehu, Tiranë, Shtëpia botuese “Geer”, 2009, f. 47.

[2] “Musine Kokalari”, Vepra, vëllimi i parë, “Kolla e vdekjes”, Tiranë, Shtëpia botuese “Geer”, 2009, f. 72.

[3] po aty, f. 73.

[4] po aty, f. 79.

[5] “Musine Kokalari”, Vepra, vëllimi i parë, “Kolla e vdekjes”, Tiranë, Shtëpia botuese “Geer”, 2009, f. 81.

[6] po aty, f. 127.

[7] po aty, f. 143.

[8]  “Musine Kokalari”, Vepra, vëllimi i parë, “Kolla e vdekjes”, Tiranë, Shtëpia botuese “Geer”, 2009, f. 149.

[9] “Musine Kokalari”, Vepra, vëllimi i parë, “Kolla e vdekjes”, Tiranë, Shtëpia botuese “Geer”, 2009, f. 74 – 75.

 

[10] “Musine Kokalari”, Vepra, vëllimi i parë, “Kolla e vdekjes”, Tiranë, Shtëpia botuese “Geer”, 2009, f. 77.

[11] po aty, f. 68.

[12]  po aty, f. 123.

[13] “Vepra”, Migjeni, Tiranë, Shtëpia botuese “Migjeni”, 2011, f. 131.

[14] “Musine Kokalari”, Vepra, vëllimi i parë, “Kolla e vdekjes”, Tiranë, Shtëpia botuese “Geer”, 2009, f. 70.

[15] po aty, f. 71.

[16] “Musine Kokalari”, Vepra, vëllimi i parë, “Kolla e vdekjes”, Tiranë, Shtëpia botuese “Geer”, 2009, f. 91.

[17] po aty, f. 92.

[18] po aty, f. 93.

[19] “Vepra”, Migjeni, Tiranë, Shtëpia botuese “Migjeni”, 2011, f. 49.

[20] “Musine Kokalari”, Vepra, vëllimi i parë, “Kolla e vdekjes”, Tiranë, Shtëpia botuese “Geer”, 2009, f. 94.

[21]“Musine Kokalari”, Vepra, vëllimi i parë, “Kolla e vdekjes”, Tiranë, Shtëpia botuese “Geer”, 2009, f. 95.

[22] po aty, f. 95.

[23] po aty,f. 96.

[24] “Musine Kokalari”, Vepra, vëllimi i parë, “Kolla e vdekjes”, Tiranë, Shtëpia botuese “Geer”, 2009, f. 96.

[25] po aty, f. 96.

[26] “Musine Kokalari”, Vepra, vëllimi i parë, “Kolla e vdekjes”, Tiranë, Shtëpia botuese “Geer”, 2009, f. 83.

[27] “Musine Kokalari”, Vepra, vëllimi i parë, “Kolla e vdekjes”, Tiranë, Shtëpia botuese “Geer”, 2009, f. 83.

[28] po aty,f. 83.

[29] “Musine Kokalari”, Vepra, vëllimi i parë, “Kolla e vdekjes”, Tiranë, Shtëpia botuese “Geer”, 2009, f. 82.

[30] po aty, f. 97.

[31] “Musine Kokalari”, Vepra, vëllimi i parë, “Kolla e vdekjes”, Tiranë, Shtëpia botuese “Geer”, 2009, f. 97.

[32] po aty, f. 98.

[33] “Musine Kokalari”, Vepra, vëllimi i parë, “Kolla e vdekjes”, Tiranë, Shtëpia botuese “Geer”, 2009, f. 9 – 10.

 

Nga: Xheni Shehaj

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s