Poezi nga Thomaidha Tanuçi Cullufe
Vetëm një
Sot hëna do të rrëshqasë
në hijen e tokës,
unë kam kohë që rrëshqas
hijes sate,
nuk i mbledh aspak kujtimet…
Mungesa ngrihet gjer në qiell,
puthet me dhembjen,
dashurojnë në humbje
mbarsen në boshllëk,
pjellin një… Lot,
por… vetëm, një!
***
Ndonjëhere nuk bindem,
lumenj dëshirash më vërshojnë
në trup,
pushtojnë damarët,
derdhen në duar;
mbeten sa një kapilar,
enë gjaku…
Pabindja ka lëkurë të ashpër
u regj në pabindjen ndaj motit;
se gjethet bashkë me verën ranë,
për të ringjallur vjeshtrat
që ardhur s’kanë.
Pabindja i druhet fjalëve
por ti pabindjes i druhesh;
dhe…
kur të dëgjosh kërcitjen e gjetheve
nën këmbë…
është dhembja e stinës
që nuk jetuam.
***
Ditën
udhëtoj me ty,
të fsheh nën buzëqeshje
kur unë flas me vete
ti më kthen përgjigje,
preferoj të tuat.
Kalimtarë të hutuar
heqin një “Ah!”
prej shpirtit dhe thonë:
“E shkreta paska ikur!”,
buzëqeshja ime ua shton
dhembshurinë,
batuta jote,
u shtrembëron fytyrën
dhe inatin ma nxjerrin mua.
Po kur zbresim shkallët e pallatit
(kjo është e bukur)
me një mollë jeshile në dorë,
e kafshoj gjithë shije,
ti fshin lëngun e mbetur
në buzë…
shihemi në sytë e tu
të lëngshëm
si në sytë e një kali
të largët,
sa një planet i fshehur.
Gratë tek lokali aty poshtë
mërmërisin në habi,
burrat kapërdien,
fëmijët thonë: “Qenka si fëmijë!”;
ne vazhdojmë punën tonë…
Kështu e ngrysim ditën bashkë,
nata është pak më ndryshe,
kur unë bëhem gati për takim;
tani nuk je më me mua
dhe unë duhet të vishem
për ty,
me shpirtin tënd;
dhe të pres tek rruga,
sa vjen mëngjesi,
të të marr me vete.
Teorema e vetes
Gjithmonë ia besoj veten
vetes,
ndonjëherë ta besoj
ty,
ti veten ndonjëherë ma beson
mua;
kemi një vete.
Vete nga vete kjo
vete;
rrjedhimisht mbetet
dy.